KAPITULLI 3
Lind ai që do të përgatitë udhën
LIND GJON PAGËZORI DHE I VIHET EMRI
ZAKARIA PROFETIZON PËR ROLIN QË DO TË KETË GJONI
Elizabeta do të lindë së shpejti. Kushërira e saj, Maria, ka ndenjur me të për tre muaj, por ka ardhur koha të përshëndeten. Maria do të nisë udhëtimin e gjatë drejt veriut, për t’u kthyer në shtëpinë e vet në Nazaret. Edhe ajo do të lindë një djalë pas rreth gjashtë muajsh.
Elizabeta lind pak pasi niset Maria. Është vërtet një moment i gëzueshëm; lindja shkon mirë dhe Elizabeta bashkë me foshnjën gëzojnë shëndet të plotë. Edhe fqinjët e të afërmit lumturohen kur ajo u tregon foshnjën.
Ligji që Perëndia i kishte dhënë Izraelit thoshte se, ditën e tetë pas lindjes, djemtë duhej të rrethpriteshin dhe t’u vihej emri. (Levitiku 12:2, 3) Disa mendojnë se djali duhet të marrë emrin e të atit, Zakarisë. Por, Elizabeta u thotë: «Jo! Ai do të quhet Gjon.» (Luka 1:60) Mos harro se engjëlli Gabriel kishte thënë se foshnja do të quhej Gjon.
Komshinjtë dhe të afërmit kundërshtojnë: «Në farefisin tënd nuk ka asnjë me këtë emër.» (Luka 1:61) Pastaj pyesin me shenja Zakarinë se çfarë emri do që t’i vërë djalit. Zakaria kërkon një pllakë shkrimi dhe shkruan: «Emri i tij është Gjon.»—Luka 1:63.
Sakaq Zakarisë i kthehet i foluri në mënyrë të mrekullueshme. Mbase të kujtohet se ai humbi aftësinë për të folur kur nuk u besoi fjalëve të engjëllit se Elizabeta do të lindte një djalë. Ja pse tani që Zakaria nis të flasë përsëri, fqinjët mrekullohen dhe pyesin veten: «Ç’do të bëhet vallë ky fëmijë?!» (Luka 1:66) E kuptojnë se pas emrit të fëmijës është dora e Perëndisë.
Atëherë i mbushur me frymë të shenjtë, Zakaria shpall: «Lëvduar qoftë Jehovai, Perëndia i Izraelit, sepse i erdhi keq për popullin e vet dhe e çliroi. Ai ngriti për ne një bri shpëtimi në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të tij.» (Luka 1:68, 69) Kur flet për ‘bririn e shpëtimit’, e ka fjalën për Zotërinë Jezu, i cili s’ka lindur ende. Zakaria thotë se, «pasi të jemi çliruar nga duart e armiqve», nëpërmjet tij Perëndia ‘do të na japë privilegjin t’i bëjmë shërbim të shenjtë pa frikë, me besnikëri dhe drejtësi për gjithë ditët tona’.—Luka 1:74, 75.
Ndërsa për djalin e tij, Zakaria parathotë: «Ti, biri im, do të quhesh profet i Më të Lartit, sepse do të shkosh përpara Jehovait, që të përgatitësh udhët për të, që të shpallësh mesazhin e shpëtimit me anë të faljes së mëkateve falë zemërdhembshurisë së Perëndisë tonë. Kjo dhembshuri nga lart do të shkëlqejë mbi ne si agimi, që t’u japë dritë atyre që dergjen në errësirë e në hijen e vdekjes dhe që të drejtojë këmbët tona në udhën e paqes.» (Luka 1:76-79) Sa profeci inkurajuese!
Ndërkohë Maria ka mbërritur në shtëpinë e saj në Nazaret. Meqë është ende e pamartuar, çfarë do të ndodhë kur ta kuptojnë se është shtatzënë?