Ata u shpërblyen sepse ecën në mënyrë të pafajshme
JEHOVAI i bekon dhe i shpërblen shërbëtorët e tij besnikë. Atyre u duhet të presin disa kohë që të shohin plotësimin e qëllimeve të Perëndisë, por çfarë kënaqësie është kur bekimet e tij përjetohen.
Kjo u bë mjaft e qartë gati dy mijë vjet më parë, në rastin e priftit hebre Zaharia dhe gruas së tij Elizabeta, të dy nga familja e Aaronit. Perëndia kish premtuar që ti bekonte izraelitët me pasardhës, nëse do t’i shërbenin besnikërisht. Ai tha se fëmijët janë një shpërblim. (Levitiku 26:9; Psalmi 127:3) Megjithatë, Zaharia dhe Elizabeta ishin pa fëmijë dhe të shkuar në moshë.—Luka 1:1-7.
Shkrimet thonë se Zaharia dhe Elizabeta «ishin të dy të drejtë përpara Perëndisë, sepse ecën në mënyrë të pafajshme në përputhje me të gjithë urdhrat dhe kërkesat ligjore të Jehovait». (Luka 1:6, BR) Ata e donin kaq shumë Perëndinë, saqë nuk ishte e rëndë për ta që të ndiqnin një rrugë të drejtë e të mbanin urdhërimet e tij.—1. Gjonit 5:3.
Bekime të papritura
Le të kthehemi në mbarimin e pranverës apo në fillimin e verës së vitit 3 p.e.s. Herodi i Madh sundon si mbret në Jude. Një ditë, prifti Zaharia hyri në vendin e Shenjtë të tempullit të Jeruzalemit. Ndërsa populli po mblidhej në lutje jashtë shenjtërores, ai dogji temjan mbi altarin e artë. Ky shërbim, që me sa duket konsiderohej si më i nderuari ndër shërbimet e përditshme, bëhej pas ofrimit të sakrificës. Një prift mund ta ketë këtë privilegj, vetëm një herë në jetën e tij.
Zaharia nuk mund t’u besojë syve. Përse engjëlli i Jehovait po qëndron në të djathtë të altarit të temjanit! Prifti i moshuar u trondit dhe u frikësua. Por engjëlli i tha: «Mos u tremb, Zaharia, sepse lutjet e tua u dëgjuan në mënyrë të favorshme dhe gruaja jote, Elizabeta, do të bëhet nëna e birit tënd dhe ju do ta quani atë Gjon.» Po, Jehovai i kish dëgjuar lutjet e zjarrta të Elizabetës dhe Zaharisë.—Luka 1:8-13, BR.
Engjëlli shtoi: «Dhe ai do të jetë për ty shkak gëzimi dhe hareje, dhe shumë vetë do të gëzohen për lindjen e tij. Sepse ai do të jetë i madh përpara Zotit; nuk do të pijë as verë as pije dehëse dhe do të jetë i përplotë me Frymën e Shenjtë që në barkun e s’ëmës.» Gjoni do të jetë një nazaretas jetëgjatë, i mbushur me frymën e shenjtë të Perëndisë. Engjëlli vazhdoi: «Dhe do t’i kthejë shumë prej bijve të Izraelit te Zoti, Perëndia i tyre. Dhe do të shkojë përpara tij në frymë dhe pushtet të Elias, për t’i kthyer zemrat e prindërve te fëmijët dhe rebelët në urtinë e të drejtëve, për t’ia bërë gati Zotit një popull të përgatitur mirë.»—Luka 1:14-17.
Zaharia pyeti: «Nga se do ta njoh këtë? Sepse unë jam plak dhe gruaja ime është e kaluar në moshë.» Engjëlli iu përgjigj: «Unë jam Gabrieli që rri në prani të Perëndisë, dhe më kanë dërguar që të flas me ty dhe të të njoftoj këto lajme të mira. Dhe ja, ti do të jesh i pagojë dhe nuk do të mund të flasësh deri në atë ditë kur do të ndodhin këto gjëra, sepse nuk u ke besuar fjalëve të mia, të cilat do të përmbushen në kohën e tyre.» Kur Zaharia doli nga shenjtërorja, nuk mundi të fliste dhe populli e kuptoi se kishte parë një shenjë të mbinatyrshme. E vetmja gjë që mundi të bënte ishin shenjat, duke përdorur gjestet për të shprehur mendimet e tij. Kur shërbimi i tij publik mbaroi, ai u kthye në shtëpi.—Luka 1:18-23.
Arsye për gëzim
Sikurse u premtua, Elizabeta shpejt ka arsye për t’u gëzuar. Ajo mbetet shtatzënë dhe nuk ankohet më për shterpësinë e saj. Kushërira e saj, Marija, gëzohet gjithashtu, sepse i njëjti engjëll, Gabrieli, i thotë asaj: «Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t’ia vesh emrin Jezus. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij.» Marija është e gatshme që të kryejë rolin e ‘shërbëtores së Zotit’.—Luka 1:24-38.
Marija nxiton për në shtëpinë e Zaharisë dhe të Elizabetës, që ndodhet në një vend malor të Judesë. Në tingullin e përshëndetjes së Marijes, foshnja në mitrën e Elizabetës, kërcen. Nën ndikimin e frymës së shenjtë të Perëndisë, Elizabeta thërret me zë të lartë: «Ti je e bekuar ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd. Dhe përse po më ndodh kjo, që nëna e Zotit tim të vijë tek unë? Sepse, ja, sapo arriti në veshët e mi zëri i përshëndetjes sate, fëmija nga gëzimi kërceu në barkun tim. Tani, e lumur është ajo që besoi, sepse gjërat që i janë thënë nga ana e Zotit do të realizohen!» Qëndrimi i saj tek Elizabeta zgjati rreth tre muaj.—Luka 1:39-56.
Lindja e Gjonit
Në kohën e duhur, lindi biri i Elizabetës dhe Zaharisë. Në ditën e tetë, foshnja u rrethpre. Të afërmit donin ta quanin djalin Zaharia, por Elizabeta tha: «Jo, por përkundrazi do të quhet Gjon.» A ishte dakort burri i saj ende i pagojë? Mbi një pllakë ai shkruan: «Emri i tij është Gjon.» Menjëherë, gjuha e Zaharisë zgjidhet dhe ai fillon të flasë, duke bekuar Jehovain.—Luka 1:57-66.
I mbushur me frymën e shenjtë, prifti i lumtur profetizoi. Ai foli sikur Shpëtimtari i premtuar—briri i shpëtimit në shtëpinë e Davidit—tashmë të ish ngritur në harmoni me besëlidhjen abrahamike në lidhje me një Farë për bekimin e të gjitha kombeve. (Zanafilla 22:15-18) Si pararendës i Mesisë, Biri i Zaharisë i lindur në mënyrë të mrekullueshme do të ‘shkojë përpara fytyrës së Jehovait, për t’u dhënë njerëzve njohjen e shpëtimit’. Ndërsa vitet kalonin, Gjoni rritej dhe forcohej frymësisht.—Luka 1:67-80, BR.
Të shpërblyer në mënyrë të pasur
Zaharia dhe Elizabeta ishin shembuj të shkëlqyer të besimit dhe durimit. Ata vazhduan t’i shërbenin Perëndisë Jehova besnikërisht, edhe pse iu desh ta prisnin Atë dhe bekimet e tyre më të mëdha erdhën vetëm kur ata ishin mjaft të kaluar në moshë.
Megjithatë, çfarë bekimesh gëzuan Elizabeta dhe Zaharia! Nën ndikimin e frymës së Perëndisë secili prej tyre profetizoi. Ata patën privilegjin të bëheshin prindërit dhe mësuesit e lajmëtarit të Mesisë, Gjon Pagëzorit. Për më tepër, Perëndia i pa ata si të drejtë. Ngjashëm, ata që sot ndjekin një drejtim të shenjtë, mund të kenë një qëndrim të drejtë me Perëndinë dhe do të marrin shumë shpërblime të bekuara, sepse ecin të pafajshëm sipas urdhrave të Jehovait.