-
Kur Jezui të vijë në lavdinë e MbretërisëKulla e Rojës—1997 | 15 Maj
-
-
Shokët e Jezuit në lavdi
9. A duhet të presim që Moisiu dhe Elija të jenë me Jezuin në përmbushjen e vizionit të shpërfytyrimit? Shpjego.
9 Jezui nuk ishte i vetëm në shpërfytyrim. Bashkë me të u panë edhe Moisiu me Elijën. (Mateu 17:2, 3) A ishin ata të pranishëm, në kuptimin e vërtetë të fjalës? Jo, sepse të dy ata burra kishin vdekur qëmoti dhe flinin në pluhur, në pritje të ringjalljes. (Eklisiastiu [Predikuesi] 9:5, 10; Hebrenjve 11:35) A do të shfaqen ata me Jezuin, kur ky të vijë në lavdinë qiellore? Jo, sepse Moisiu dhe Elija jetuan përpara se shpresa qiellore të shpalosej para njerëzve. Ata do të jenë pjesë e «ringjalljes [tokësore] të . . . të drejtëve». (Veprat 24:15) Prandaj, shfaqja e tyre në vizionin e shpërfytyrimit ishte simbolike. Për çfarë?
-
-
Kur Jezui të vijë në lavdinë e MbretërisëKulla e Rojës—1997 | 15 Maj
-
-
12. Në kontekstin e shpërfytyrimit, cilët janë të portretizuar nga Moisiu dhe Elija?
12 Cilët parafytyrojnë, pra, Moisiu dhe Elija në kontekstin e shpërfytyrimit? Luka thotë se ata u shfaqën me Jezuin «me lavdi». (Luka 9:31) Në mënyrë të qartë, ata parafytyrojnë të krishterët që janë mirosur me frymë të shenjtë si «bashkëtrashëgimtarë» me Jezuin dhe që do të marrin, si rrjedhojë, shpresën e mrekullueshme për të qenë «të lavdëruar bashkë» me të. (Romakëve 8:17) Të mirosurit e ringjallur do të jenë me Jezuin, kur ai të vijë në lavdinë e Atit të tij, për ‘të shpërblyer secilin sipas sjelljes së tij’.—Mateu 16:27.
Dëshmitarë si Moisiu dhe Elija
13. Cilat aspekte i karakterizojnë Moisiun dhe Elijën, si portrete të përshtatshme profetike të bashkëtrashëgimtarëve të mirosur të Jezuit, të cilët janë lavdëruar me të?
13 Ekzistojnë aspekte të rëndësishme që përcaktojnë Moisiun dhe Elijën si portrete të përshtatshme profetike të bashkëtrashëgimtarëve të mirosur të Jezuit. Si Moisiu, ashtu edhe Elija shërbyen për shumë vjet si zëdhënës të Jehovait. Të dy ata përballuan zemërimin e një sundimtari. Në kohë nevoje, të dy ata u përkrahën nga një familje e huaj. Të dy profetizuan me guxim përpara mbretërve dhe qëndruan të vendosur kundër profetëve të rremë. Moisiu dhe Elija panë që të dy shfaqje të fuqisë së Jehovait në Malin Sinai (i quajtur gjithashtu edhe Horeb). Të dy ata emëruan pasardhës në bregun lindor të Jordanit. Në kohën e Moisiut (me Josiun) dhe të Elijës (me Eliseun) u pa numri më i madh i mrekullive, përveç atyre që ndodhën gjatë jetës së Jezuit.b
14. Në ç’mënyrë të mirosurit kanë shërbyer si zëdhënës të Jehovait, sikurse edhe Moisiu dhe Elija?
14 A nuk na sjell e gjithë kjo ndër mend Izraelin e Perëndisë? Në të vërtetë, po. Jezui u tha ithtarëve të tij besnikë: «Shkoni, pra dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emrin e Atit dhe të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke i mësuar që të mbajnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju të gjitha ditët, deri në përfundim të sistemit të gjërave.» (Mateu 28:19, 20, BR) Duke iu bindur këtyre fjalëve, të krishterët e mirosur kanë shërbyer si zëdhënës të Jehovait, që nga Rrëshajët e vitit 33 të e.s. deri tani. Ashtu si Moisiu dhe Elija, ata kanë përballuar zemërimin e sundimtarëve dhe kanë dëshmuar para tyre. Jezui u tha 12 apostujve të tij: «Do t’ju heqin zvarrë para qeveritarëve dhe mbretërve për hirin tim, për një dëshmi para tyre dhe kombeve.» (Mateu 10:18, BR) Fjalët e tij janë përmbushur herë pas here gjatë historisë së kongregacionit të krishterë.—Veprat 25:6, 11, 12, 24-27; 26:3.
15, 16. Cilat pararele ekzistojnë mes të mirosurve nga njëra anë dhe Moisiut dhe Elijës nga ana tjetër, në çështjen e (a) marrjes nga ana e tyre të një qëndrimi të patrembur për të vërtetën? (b) marrjes së ndihmës nga persona joizraelitë?
15 Për më tepër, të krishterët e mirosur kanë qenë po aq sypatrembur sa Moisiu dhe Elija, duke marrë qëndrim për të vërtetën kundër falsitetit fetar. Kujto se si e demaskoi Pavli profetin e rremë Bar-Jezuin dhe me takt, por vendosmërisht, demaskoi falsitetin e perëndive të athinasve. (Veprat 13:6-12; 17:16, 22-31) Kujto, gjithashtu, se në kohët moderne mbetja e mirosur ka demaskuar me guxim të ashtuquajturin krishterim dhe kjo dëshmi i ka shkaktuar atij plagë.—Zbulesa 8:7-12.c
16 Kur Moisiu iku nga zemërimi i faraonit, ai gjeti strehë në shtëpinë e një joizraeliti, Reuelit, i quajtur edhe Jethro. Kohë më vonë, Moisiu mori një këshillë të vlefshme organizative nga Reueli, biri i të cilit, Hobabi, udhëhoqi Izraelin nëpër shkretëtirë.d (Dalja 2:15-22; 18:5-27; Numrat 10:29) Po anëtarët e Izraelit të Perëndisë, a kanë pasur në mënyrë të ngjashme ndihmën e atyre individëve, të cilët nuk janë anëtarë të mirosur të Izraelit të Perëndisë? Po, ata janë mbështetur nga «shumica e madhe» e «deleve të tjera», e cila ka dalë në skenë gjatë këtyre ditëve të fundit. (Zbulesa 7:9, BR; Gjoni 10:16; Isaia 61:5) Duke parathënë mbështetjen e ngrohtë dhe të dashur që këto «dele» do t’u ofronin vëllezërve të tij të mirosur, Jezui u tha atyre në mënyrë profetike: «Isha i uritur dhe ju më dhatë diçka për të ngrënë; isha i etur dhe ju më dhatë diçka për të pirë. Isha një i huaj dhe ju më pritët me mikpritje; i zhveshur dhe ju më veshët. Rashë i sëmurë dhe ju u kujdesët për mua. Isha në burg dhe ju erdhët tek unë. . . . Vërtet po ju them, aq sa i keni bërë më të fundit të këtyre vëllezërve të mi, ma keni bërë mua.»—Mateu 25:35-40, BR.
17. Në ç’mënyrë të mirosurit kanë patur një përvojë të ngjashme me atë të Elijës mbi Malin Horeb?
17 Për më tepër, Izraeli i Perëndisë pati një përvojë që mund të krahasohet me atë të Elijës mbi Malin Horeb.e Si Elija në kohën kur ikte nga mbretëresha Jezebelë, mbetja e mirosur e frikësuar mendoi se vepra e tyre kishte përfunduar në fund të Luftës I Botërore. Pastaj, sikurse edhe Elija, ata duhej të dilnin përballë Jehovait, i cili kishte ardhur për të gjykuar ato organizata që pohonin se ishin «Shtëpia e Perëndisë». (1. Pjetrit 4:17; Malakia 3:1-3) Ndërkohë që i ashtuquajturi krishterim nuk u gjend në lartësinë e duhur, mbetja e mirosur u pranua si «skllavi i besueshëm dhe i matur» dhe u emërua mbi gjithë zotërimet tokësore të Jezuit. (Mateu 24:45-47, BR) Në Horeb, Elija dëgjoi «një zë të butë e të qetë», i cili doli se ishte zëri i Jehovait, duke i dhënë atij më shumë punë për të bërë. Në periudhën e qetë të viteve të pasluftës, shërbëtorët besnikë të mirosur të Jehovait e dëgjuan zërin e tij prej faqeve të Biblës. Edhe ata e kuptuan se kishin një detyrë për të plotësuar.—1. Mbretërve 19:4, 9-18; Zbulesa 11:7-13.
18. Si janë drejtuar shfaqjet e jashtëzakonshme të fuqisë së Jehovait përmes Izraelit të Perëndisë?
18 Së fundi, a janë drejtuar shfaqjet e jashtëzakonshme të fuqisë së Jehovait nëpërmjet Izraelit të Perëndisë? Pas vdekjes së Jezuit, apostujt kryen shumë mrekulli, por ato pushuan gradualisht. (1. Korintasve 13:8-13) Në ditët tona, ne nuk shohim mrekulli në kuptimin fizik. Nga ana tjetër, Jezui u tha ithtarëve të tij: «Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them: Ai që ushtron besim tek unë, ai do të bëjë edhe veprat që bëj unë; dhe ai do të bëjë vepra më të mëdha se këto.» (Gjoni 14:12, BR) Kjo pati një përmbushje parësore, ndërsa dishepujt e Jezuit predikonin lajmin e mirë anembanë Perandorisë Romake në shekullin e parë. (Romakëve 10:18) Vepra edhe më të mëdha janë bërë sot, ndërsa mbetja e mirosur ka qenë në ballë të predikimit të lajmit të mirë «në mbarë tokën e banuar, për një dëshmi në të gjitha kombet». (Mateu 24:14, BR) Rezultati? Shekulli i 20-të ka qenë dëshmitar i mbledhjes së numrit më të madh të shërbëtorëve të dedikuar e besnikë të Jehovait në histori. (Zbulesa 5:9, 10; 7:9, 10) Sa dëshmi e madhërishme e fuqisë së Jehovait!—Isaia 60:22.
Vëllezërit e Jezuit vijnë në lavdi
19. Kur janë parë vëllezërit e mirosur të Jezuit bashkë me të në lavdi?
19 Ndërsa mbarojnë rrugën e tyre tokësore, mbetja e vëllezërve të mirosur të Jezuit lavdërohen me të. (Romakëve 2:6, 7; 1. Korintasve 15:53; 1. Selanikasve 4:14, 17) Në këtë mënyrë, ata bëhen mbretër dhe priftërinj të pavdekshëm në Mbretërinë qiellore. Atëherë, bashkë me Jezuin, ata ‘do të kullotin popullin me një shkop të hekurt, aq sa ata do të thyhen në copa, si vazo argjile’. (Zbulesa 2:27; 20:4-6; Psalmi 110:2, 5, 6) Bashkë me Jezuin, ata do të ulen mbi frone, duke gjykuar «të dymbëdhjetë fiset e Izraelit». (Mateu 19:28) Duke rënkuar, krijimi mezi i ka pritur këto ngjarje, të cilat janë pjesë e «zbulesës së bijve të Perëndisë».—Romakëve 8:19-21, BR; 2. Selanikasve 1:6-8.
20. (a) Në çfarë perspektive e forcoi shpërfytyrimi besimin e Pjetrit? (b) Si i forcon shpërfytyrimi të krishterët e sotëm?
20 Pavli foli për zbulesën e Jezuit gjatë «mjerimit të madh», kur shkroi: «Ai do të lavdërohet në lidhje me të shenjtët e tij dhe do të konsiderohet në atë ditë me mrekulli në lidhje me të gjithë ata që ushtruan besim.» (Mateu 24:21; 2. Selanikasve 1:10) Sa perspektivë të madhërishme kanë Pjetri, Jakovi, Gjoni dhe të gjithë të krishterët e mirosur me frymë! Shpërfytyrimi e forcoi besimin e Pjetrit. Sigurisht, duke lexuar këtë edhe besimi ynë forcohet dhe fortifikohet siguria jonë se së shpejti Jezui ‘do të shpërblejë secilin sipas sjelljes së tij’. Të krishterët e mirosur besnikë që kanë mbijetuar deri në këtë ditë, e shohin të vërtetuar sigurinë e tyre se do të lavdërohen me Jezuin. Besimi i deleve të tjera forcohet nga njohuria se ai do t’i shpëtojë përmes fundit të këtij sistemi të lig gjërash, për në botën e re të lavdishme. (Zbulesa 7:14) Çfarë inkurajimi për të qëndruar të vendosur deri në fund! Por ky vizion mund të na mësojë edhe më shumë, siç do të shohim në artikullin vijues.
-