Lindja e Jezuit: Historia e vërtetë
MENDO për një ngjarje shumë të njohur në historinë e vendit tënd. Ajo është e dokumentuar mirë dhe e shkruar nga më shumë se një historian. Tani, nëse dikush do të të thoshte se kjo ngjarje nuk ka ndodhur kurrë, se ishte një mit, çfarë do të bëje? Ose, duke e parë situatën më personalisht, ç’do të ndodhte sikur dikush të pohonte se shumica e gjërave që familja jote të ka treguar për lindjen dhe fëmijërinë e gjyshit tënd, janë të rreme? Në secilin rast, edhe vetë sugjerimi i kësaj gjëje do të të indinjonte. Patjetër që ti nuk do t’i pranoje këto pohime ashtu kallëp!
Megjithatë, kritikët sot në përgjithësi e hedhin poshtë dokumentacionin e Ungjillit që kanë shkruar Mateu dhe Luka mbi lindjen e Jezuit. Ata thonë se tregimi i Mateut dhe ai i Lukës janë krejtësisht kontradiktorë dhe të papajtueshëm e se që të dy përmbajnë trillime të hapura dhe gabime historike. A mund të jetë e vërtetë kjo? Në vend se të pranojmë këto akuza, le ta shqyrtojmë vetë dokumentacionin e Ungjillit. Duke bërë këtë, le të shohim se çfarë kanë për të na mësuar ato sot.
Qëllimi i shkrimit
Që në fillim do të jetë e dobishme të kujtojmë qëllimin e këtyre tregimeve biblike. Ato nuk janë biografi, por Ungjij. Dallimi midis tyre është i rëndësishëm. Në një biografi, autori mund të mbushë qindra faqe, duke u përpjekur të tregojë se si personazhi i tij u zhvillua deri sa u bë personi që është kaq i njohur. Kështu, disa biografi kanë një numër të madh faqesh me shpjegime të hollësishme të linjës familjare, lindjes dhe fëmijërisë së personazheve të tyre. Me Ungjijtë ndodh ndryshe. Nga të katër dokumentacionet e Ungjillit, ato të Mateut dhe të Lukës janë të vetmet dokumentacione që flasin për lindjen dhe fëmijërinë e Jezuit. Por, synimi i tyre nuk është të tregojnë se si u zhvillua Jezui deri në llojin e njeriut që ishte. Kujto, ithtarët e Jezuit e pranonin se ai kishte ekzistuar si një krijesë frymore para se të kishte ardhur në tokë. (Gjoni 8:23, 58) Kështu, Mateu dhe Luka nuk u përqendruan në fëmijërinë e Jezuit me qëllimin që të shpjegonin se çfarë lloj njeriu u bë ai. Në vend të kësaj, ata treguan ngjarje që i përshtateshin qëllimit të Ungjijve të tyre.
E cili qe qëllimi i shkrimit të tyre? Fjala «ungjill» do të thotë «lajm i mirë». Që të dy këta burra kishin të njëjtin mesazh: se Jezui është Mesia i premtuar ose Krishti; se ai vdiq për mëkatet e njerëzimit dhe se u ringjall për të shkuar në qiell. Por të dy shkrimtarët kishin formime shumë të ndryshme kulturore dhe shkruan për auditorë të ndryshëm. Mateu, një taksambledhës, e formuloi dokumentacionin e tij për një auditor kryesisht judaik. Luka, një mjek, i shkroi «shumë të nderuarit Teofil», që ka mundësi të ketë pasur një pozitë të lartë dhe pastaj duke u zgjeruar, një auditori më të gjerë judenjsh dhe johebrenjsh. (Luka 1:1-3) Secili shkrimtar zgjodhi ngjarjet që ishin më me rëndësi për një auditor të veçantë dhe që mund ta bindnin atë auditor, të cilit po i drejtohej. Kështu, dokumentacioni i Mateut thekson profecitë e Shkrimeve Hebraike që u përmbushën në lidhje me Jezuin. Nga ana tjetër, Luka ndjek metodën më klasike historike që auditori i tij johebre mund ta kishte pranuar më lehtë.
Nuk habitemi, pra, që dokumentacionet e tyre ndryshojnë. Por ato nuk kundërshtojnë njëri-tjetrin, siç pohojnë kritikët. Ato plotësojnë njëri-tjetrin, duke u gërshetuar mirë për të dhënë një tablo më të plotë.
Lindja e Jezuit në Bethlehem
Mateu dhe Luka dokumentojnë që të dy një mrekulli të jashtëzakonshme në lidhje me lindjen e Jezuit: ai lindi nga një virgjëreshë. Mateu tregon se kjo mrekulli përmbushi një profeci të thënë shekuj më parë nga Isaia. (Isaia 7:14; Mateu 1:22, 23) Luka shpjegon se Jezui lindi në Bethlehem, sepse një regjistrim i kërkuar nga Cezari i detyroi Jozefin dhe Marinë që të udhëtonin atje. (Shiko kutinë në faqen 7.) Fakti që Jezui lindi në Bethlehem ishte domethënës. Shekuj më parë, profeti Mikea kishte parathënë se Mesia do të ishte nga ky qytet i vogël në dukje i parëndësishëm, afër Jerusalemit.—Mikea 5:2.
Nata e lindjes së Jezuit është bërë e famshme si baza për skenat e Krishtlindjeve. Megjithatë, historia reale është fare ndryshe nga ajo që përshkruhet kaq shpesh. Historiani Luka, i cili na tregon për regjistrimin që e solli Jozefin dhe Marinë në Bethlehem, na tregon edhe për barinjtë që po e kalonin atë natë të rëndësishme përjashta me kopetë e tyre. Këto dy rrethana i kanë shtyrë shumë kërkues biblikë të nxjerrin përfundimin se Jezui nuk mund të ketë lindur gjatë dhjetorit. Ata theksojnë pamundësinë që Cezari t’i kishte detyruar judenjtë gjaknxehtë të udhëtonin në qytetet e tyre të lindjes gjatë stinës së ftohtë e me shira, gjë që mund ta kishte zemëruar akoma më shumë këtë popull rebel. Po aq e pabesueshme është, siç vërejnë dijetarët, që barinjtë të rrinin përjashta bashkë me kopetë e tyre në një mot të tillë të ashpër.—Luka 2:8-14.
Vëre se Jehovai zgjodhi t’ua njoftonte lindjen e Birit të tij, jo udhëheqësve fetarë me influencë dhe arsimim të atyre ditëve, por punëtorëve të thjeshtë që jetonin përjashta. Ka shumë mundësi që skribët dhe farisenjtë kishin të bënin pak me barinjtë, pasi këta kishin orare të parregullta pune që i pengonin të mbanin disa hollësi të ligjit gojor. Por Perëndia i favorizoi këta njerëz të përulur e besimplotë me një nder të madh kur një delegacion engjëjsh i informoi ata se Mesia, të cilin populli i Perëndisë po e priste nga mijëra vjet, sapo kishte lindur në Bethlehem. Ishin këta burra e jo «tre mbretërit», që kaq shpesh paraqiten në skenat e lindjes së Krishtit, ata që vizituan Marinë e Jozefin dhe panë këtë foshnjë të pafajshme, vendosur në një grazhd.—Luka 2:15-20.
Jehovai favorizon kërkuesit e përulur të së vërtetës
Perëndia i favorizon njerëzit e përulur që e duan atë dhe që janë të interesuar thellësisht për të parë përmbushjen e qëllimeve të tij. Kjo është një temë e përsëritur në ngjarjet që rrethojnë lindjen e Jezuit. Kur, pas një muaji që kishte lindur foshnja, Jozefi dhe Maria e paraqitin atë në tempull duke iu bindur Ligjit të Moisiut, ata bëjnë një ofertë atje, «një çift turtujsh ose dy pëllumba të rinj». (Luka 2:22-24) Ligji faktikisht kërkonte një dash si ofertë, por ai lejonte këtë alternativë më pak të kushtueshme në raste varfërie. (Levitiku 12:1-8) Mendo për këtë. Perëndia Jehova, Sovrani i universit, zgjodhi jo një familje të pasur, por të varfër, në të cilën duhej të rritej Biri i tij i dashur, i vetëmlinduri. Nëse je prind, kjo duhet të të shërbejë si një përkujtues i gjallë se dhurata më e mirë që mund t’u japësh fëmijëve të tu, shumë më e mirë se pasuria materiale ose një arsimim me prestigj, është një mjedis familjar që vë në vend të parë vlerat frymore.
Në tempull, dy adhurues të tjerë të përulur e besimplotë favorizohen nga Jehovai. Një prej tyre është Ana, një vejushë 84-vjeçare, e cila «nuk largohej kurrë nga tempulli». (Luka 2:36, 37) Tjetri është një burrë i moshuar besimplotë me emrin Simeon. Që të dy rrëqethen me privilegjin që u ka dhënë Perëndia: të shohin, para se të vdesin, atë që do të ishte Mesia i premtuar. Simeoni shqipton një profeci mbi fëmijën. Është një profeci e mbushur me shpresë, por edhe me nota pikëllimi. Ai parathotë se kjo nënë e re, Maria, një ditë do të përjetojë pikëllim therës për birin e saj të dashur.—Luka 2:25-35.
Një fëmijë në rrezik
Profecia e Simeonit është një përkujtues i zymtë se ky fëmijë i pafajshëm do të bëhet objekt urrejtjeje. Madje edhe gjatë kohës që është ende vogëlush, kjo urrejtje është vënë tashmë në punë. Tregimi i Mateut e shtjellon me hollësi se si ndodhi kjo. Kanë kaluar disa muaj dhe Jozefi, Maria dhe Jezui tani jetojnë në një shtëpi në Bethlehem. Atyre u bëjnë vizitë të papritur një numër të huajsh. Pavarësisht nga ajo që përshkruhet në skenat e panumërta të lindjes së Krishtit, Mateu nuk e specifikon se sa ishin këta burra që erdhën, as nuk i quan «burra të mençur» e aq më pak «tre mbretër». Ai përdor fjalën greke maʹgoi, që do të thotë «astrologë». Vetëm kjo fjalë duhet t’i japë lexuesit një ide se këtu po ndodh diçka e ligë, sepse astrologjia është një art që Fjala e Perëndisë e dënon dhe që judenjtë besimplotë e shmangnin rreptësisht.—Ligji i përtërirë 18:10-12; Isaia 47:13, 14.
Këta astrologë kanë ndjekur një yll që vinte nga lindja dhe po sjellin dhurata për «mbretin e judenjve që ka lindur». (Mateu 2:2, BR) Por ylli nuk i çon ata në Bethlehem. I drejton për në Jerusalem te Herodi i Madh. Asnjë njeri në botë nuk ka kaq shumë mjete dhe motive për t’i bërë keq Jezuit të vogël sa ai. Ky njeri ambicioz dhe vrasës i kishte vrarë disa familjarë të tij, të cilët i shihte si kërcënim.a I shqetësuar ngaqë dëgjon për lindjen e një «mbreti të judenjve» të ardhshëm, ai i dërgon astrologët që ta gjejnë Atë në Bethlehem. Ndërsa po nisen, ndodh diçka e çuditshme. «Ylli» që i çoi në Jerusalem duket se po lëviz!—Mateu 2:1-9.
Tani, nëse kjo ishte një dritë e vërtetë në qiell ose thjesht një vizion, ne nuk e dimë. Por dimë se ky «yll» nuk vinte nga Perëndia. Me një saktësi të mbrapshtë, ai i çon këta adhurues paganë drejt e te Jezui, një fëmijë që mund të cënohej e pa përkrahje, i mbrojtur vetëm nga një marangoz i varfër dhe nga gruaja e tij. Astrologët, duke u bërë pa dashur lodra në duart e Herodit, ka të ngjarë që më pas t’i raportonin monarkut hakmarrës për vendndodhjen e fëmijës, duke çuar kështu në shkatërrimin e këtij të fundit. Por Perëndia ndërhyn me anë të një ëndrre dhe i dërgon ata përsëri në shtëpi nëpër një rrugë tjetër. «Ylli», pra, duhet të ketë qenë një mjet i armikut të Perëndisë, Satanait, i cili do të bënte çdo gjë për t’i bërë keq Mesias. Sa ironike është që «ylli» dhe astrologët portretizohen në skenat e lindjes së Krishtit si emisarë të Perëndisë!—Mateu 2:9-12.
Megjithatë, Satanai nuk dorëzohet. Vegla që ai përdor në këtë çështje, mbreti Herod, urdhëron që të gjithë foshnjat nën moshën dy vjeç në Bethlehem të vriten. Por Satanai nuk mund ta fitojë betejën kundër Jehovait. Mateu vëren se Perëndia e kishte parashikuar shumë kohë më parë edhe këtë vrasje mizore të fëmijëve të pafajshëm. Jehovai i kundërpërgjigjet përsëri Satanait, duke paralajmëruar Jozefin me anë të një engjëlli që të iknin në Egjipt për të shpëtuar. Mateu raporton se ca kohë më vonë Jozefi u transferua përsëri me familjen e tij dhe më në fund u vendos në Nazaret, ku Jezui u rrit bashkë me vëllezërit dhe motrat e tij më të vegjël.—Mateu 2:13-23; 13:55, 56.
Lindja e Krishtit: Çfarë domethënieje ka për ty?
Ndoshta të ka habitur disi kjo përmbledhje e ngjarjeve që rrethonin lindjen dhe fëmijërinë e Jezuit? Shumë habiten. Ata habiten kur zbulojnë se tregimet janë të harmonishme dhe të sakta, me gjithë pohimet e guximshme që bëjnë disa njerëz për të kundërtën. Ata habiten kur mësojnë se disa ngjarje ishin parathënë qindra vjet më përpara se të ndodhnin. Dhe habiten që disa elemente thelbësore në Ungjij ndryshojnë dukshëm nga protretizimet në historitë tradicionale të lindjes së Krishtit dhe në skenat e Krishtlindjeve.
Ndoshta gjëja më e habitshme nga të gjitha, është se pjesës më të madhe të festimeve tradicionale të Krishtlindjeve u mungojnë elementet thelbësore të tregimeve të Ungjillit. Për shembull, shumë pak vëmendje i jepet Atit të Jezuit, jo Jozefit, por Perëndisë Jehova. Imagjino se si u ndie Ai kur po ia besonte Birin e tij të dashur Jozefit dhe Marisë, me qëllim që ta rritnin dhe të kujdeseshin për të. Imagjino dhimbjen e madhe të Atit qiellor kur e la Birin e tij të rritej në një botë ku një mbret i mbushur me urrejtje do të komplotonte për vdekjen e tij që kur ishte ende fëmijë! Ishte dashuria e thellë për njerëzimin ajo që e nxiti Jehovain të bënte këtë sakrificë.—Gjoni 3:16.
Jezui real shpesh mungon në festimet e Krishtlindjeve. E pra, nuk ka asnjë dokumentim ku ai t’i ketë thënë ndonjëherë dishepujve të tij datën e lindjes, as nuk ka ndonjë tregues se ithtarët e tij festonin ditëlindjen e tij.
Jezui nuk i urdhëroi ithtarët e vet të përkujtonin lindjen, por vdekjen e tij dhe domethënien historike të kësaj vdekjeje. (Luka 22:19, 20) Jo, Jezui nuk donte që njerëzit ta kujtonin si një foshnjë të pambrojtur në një grazhd, sepse ai nuk është aspak i tillë tani. Më shumë se 60 vjet pas ekzekutimit të tij, Jezui iu shfaq në vizion apostullit Gjon si një Mbret i fuqishëm që kalëron në betejë. (Zbulesa 19:11-16) Pikërisht në këtë rol, si Sundimtari i Mbretërisë qiellore të Perëndisë, duhet ta njohim Jezuin sot, pasi ai është një Mbret që do të ndryshojë botën.
[Shënimi]
a Në fakt, Cezar Augusti vërejti se ishte më e sigurt të ishe derri i Herodit sesa biri i Herodit.
[Kutia dhe figurat në faqen 7]
A e kishte gabim Luka?
SI KA mundësi që Jezui, i cili u rrit në Nazaret dhe njihej në përgjithësi si nazareas, të kishte lindur në Bethlehem, rreth 150 kilometra larg? Luka shpjegon: «Tani, në ato ditë [përpara lindjes së Jezuit] u shpall një dekret nga ana e Cezar Augustit që e gjithë toka e banuar të regjistrohej; (ky regjistrim i parë u bë kur Kuirini ishte guvernatori i Sirisë;) dhe i gjithë populli udhëtoi për t’u regjistruar, secili në qytetin e vet.»—Luka 1:1; 2:1-3, BR.
Shumë kritikë ngrihen kundër këtij fragmenti duke e quajtur një gabim, apo më keq akoma, një trillim. Ata ngulin këmbë se ky regjistrim i popullsisë dhe qeverisja e Kuirinit ndodhën në vitin 6 ose 7 të e.s. Nëse kanë të drejtë, kjo gjë do të ngjallte dyshime serioze mbi tregimin e Lukës, pasi dëshmitë tregojnë se Jezui lindi në vitin 2 p.e.s. Por këta kritikë shpërfillin dy fakte thelbësore. Së pari, Luka pranon se pati më shumë se një regjistrim, në fakt vëre se ai i referohet ‘këtij regjistrimi të parë’. Ai ishte fare mirë në dijeni të një regjistrimi tjetër të mëvonshëm. (Veprat 5:37) Ky regjistrim i mëvonshëm i popullsisë është i njëjti që përshkruan historiani Jozef, regjistrim që u bë në vitin 6 të e.s. Së dyti, qeverisja e Kuirinit nuk na detyron ta shtyjmë lindjen e Jezuit në atë datë të vonë. Pse? Sepse me sa duket Kuirini shërbeu dy herë në atë pozitë. Shumë dijetarë pranojnë se qeverisja e tij e parë ndodhi rreth vitit 2 p.e.s.
Disa kritikë thonë se Luka e shpiku regjistrimin e popullsisë për të krijuar një arsye që Jezui të lindte në Bethlehem, duke përmbushur kështu profecinë e Mikeas 5:2. Kjo teori e bën Lukën një gënjeshtar të vullnetshëm dhe asnjë kritik nuk mund ta pajtojë këtë deklaratë me historianin shumë të përpiktë që shkroi Ungjillin dhe librin e Veprave.
Ka diçka tjetër që asnjë kritik nuk mund ta shpjegojë: vetë regjistrimi i popullsisë përmbushi një profeci! Në shekullin e gjashtë p.e.s., Danieli profetizoi për një sundimtar që do të «bëjë të kalojë një kërkues nëpër mbretërinë e shkëlqyer». A zbatohej kjo për Augustin dhe urdhrin e tij për të bërë një regjistrim në Izrael? E pra, profecia vazhdon të parathotë se Mesia ose «Udhëheqësi i besëlidhjes» do të «thyhej» gjatë sundimit të pasuesit të këtij sundimtari. Jezui në fakt u «thye», u ekzekutua gjatë sundimit të Tiberit, pasuesit të Augustit.—Danieli 11:20-22, BR.
[Figurat]
Cezar Augusti (27 p.e.s–14 e.s.)
Tiberi Cezar (14–37 e.s.)
[Burimet]
Muzeu i Normandisë Cen, Francë
Fotografi e bërë me mirësjellje nga Muzeu Britanik
[Figura në faqen 8]
Engjëlli i Jehovait favorizoi barinjtë e përulur me lajmin e mirë