KAPITULLI TETËMBËDHJETË
«Arsyetonte në zemër për kuptimin»
1, 2. Përshkruaj udhëtimin e Marisë dhe shpjego pse ishte i vështirë për të.
MARIA me zor lëvizi trupin e saj të rënduar mbi kafshën e vogël të barrës. Kishte orë të tëra që udhëtonte. Para ecte pa u ndalur Jozefi që hiqte udhën drejt Betlehemit të largët. Ajo e ndjeu edhe një herë jetën që lëvizte brenda saj.
2 Maria ishte nga fundi i shtatzënisë. Bibla e përshkruan gjendjen e saj në atë periudhë, me shprehjen domethënëse ‘e rënduar nga barra’. (Luka 2:5) Teksa çifti kalonte arat, mbase disa bujq që po lëronin a mbillnin, ngrinin kokat dhe çuditeshin përse një grua në atë gjendje kishte marrë udhën. Ç’e kishte çuar Marinë aq larg nga shtëpia e saj në Nazaret?
3. Cila detyrë iu caktua Marisë dhe çfarë do të mësojmë për të?
3 Gjithçka kishte filluar muaj më parë kur kjo vashë judeje mori caktimin më unik në historinë njerëzore. Do të sillte në jetë fëmijën që do të bëhej Mesia, Birin e Perëndisë. (Luka 1:35) Ndërsa afrohej koha e lindjes, iu desh të bënin atë udhëtim. Rrugës, besimi i Marisë u sprovua disa herë. Le të shohim ç’e ndihmoi të qëndronte e fortë frymësisht.
Rruga për në Betlehem
4, 5. (a) Pse po shkonin në Betlehem Jozefi dhe Maria? (b) Në përmbushjen e cilës profeci çoi dekreti i Cezarit?
4 Jozefi dhe Maria nuk ishin të vetmit që udhëtonin. Para pak kohësh Cezar Augusti kishte nxjerrë një dekret që të regjistrohej gjithë popullsia. Ndaj, njerëzit duhej të udhëtonin për në qytetin e lindjes që të regjistroheshin. Çfarë bëri Jozefi? Tregimi thotë: «Edhe Jozefi u ngjit nga qyteti galileas i Nazaretit, në Jude, në qytetin e Davidit, i cili quhet Betlehem, meqë ishte nga shtëpia dhe nga familja e Davidit.»—Luka 2:1-4.
5 Nuk ishte rastësi që Cezari e nxori dekretin në atë kohë. Rreth shtatë shekuj më parë ishte shkruar një profeci që parathoshte se Mesia do të lindte në Betlehem. Vetëm 11 km larg Nazaretit ishte një qytet që quhej Betlehem. Mirëpo, profecia e specifikonte se Mesia do të vinte nga ‘Betlehem-Efratahu’. (Lexo Mikenë 5:2.) Për të shkuar nga Nazareti në atë qytet të vogël, udhëtarët duhet të bënin rreth 130 km rrugë, nëpër terren kodrinor, duke kaluar nga Samaria. Ky ishte Betlehemi ku duhej të shkonte Jozefi, sepse ishte shtëpia e të parëve të familjes së mbretit David, familje së cilës i përkitnin si Jozefi, edhe nusja e tij.
6, 7. (a) Pse udhëtimi për në Betlehem mund të ketë qenë i vështirë për Marinë? (b) Si ndikonte në vendimet e saj fakti që tani ishte gruaja e Jozefit? (Shih edhe shënimin.)
6 A do ta mbështeste Maria Jozefin në vendimin për t’u regjistruar? Fundja për të ishte e vështirë të udhëtonte. Ka shumë të ngjarë që vjeshta sapo kishte hyrë, ndaj mund të kishte shira të lehta ndërsa mbaronte stina e thatë. Për më tepër, shprehja «u ngjit nga qyteti galileas» është me vend, pasi Betlehemi ndodhej në një vend të lartë, më se 760 metra mbi nivelin e detit. Ishte goxha ngjitje e mundimshme për të përfunduar udhëtimin disaditor. Mbase rruga do të zgjaste më shumë se zakonisht, sepse mund t’u duhej të ndalonin herë pas here për shkak të gjendjes së Marisë. Tani më shumë se kurrë, ajo mund të dëshironte të ishte afër shtëpisë, ku kishte familjarët dhe miqtë që ishin gati ta ndihmonin kur t’i fillonin dhembjet e lindjes. Pa dyshim do t’i duhej guxim për të nisur atë udhëtim.
7 Sidoqoftë, Luka shkruan se Jozefi shkoi «të regjistrohej bashkë me Marinë». Gjithashtu, tregon se Maria «ishte tashmë gruaja [e Jozefit]». (Luka 2:4, 5) Fakti që ishte gruaja e Jozefit ndikonte shumë te vendimet e Marisë. Ajo e shihte të shoqin si kreun e saj frymor, e kështu kishte pranuar rolin e caktuar nga Perëndia si ndihmëse, duke e mbështetur burrin në vendimet e tij.a Prandaj e përballoi atë sprovë besimi thjesht duke u bindur.
8. (a) Ç’gjë tjetër mund ta ketë shtyrë Marinë të shkonte në Betlehem me Jozefin? (b) Në ç’mënyrë shembulli i Marisë ndriçon si fanar për njerëzit besnikë?
8 Ç’gjë tjetër mund ta ketë shtyrë Marinë të bindej? A e dinte ajo profecinë se Betlehemi do të ishte vendlindja e Mesisë? Bibla nuk thotë gjë. Por nuk përjashtohet mundësia, pasi këtë gjë e dinin krerët fetarë, madje edhe njerëzit në përgjithësi. (Mat. 2:1-7; Gjoni 7:40-42) Maria i njihte shumë mirë Shkrimet. (Luka 1:46-55) Pavarësisht nga arsyeja pse vendosi të udhëtonte—t’i bindej të shoqit, dekretit të qeverisë, profecisë së Jehovait, ose të triave bashkë—Maria la një shembull të shkëlqyer. Jehovai e vlerëson shumë qëndrimin e përulur e të bindur, si te burrat, edhe te gratë. Sot, kur nënshtrimi është virtyt që shpesh nuk vlerësohet fare, shembulli i Marisë ndriçon si fanar për njerëzit besnikë kudo që janë.
Lindja e Krishtit
9, 10. (a) Për çfarë mund të kenë menduar Jozefi dhe Maria teksa i afroheshin Betlehemit? (b) Ku e kaluan natën Jozefi e Maria dhe pse?
9 Maria duhet të ketë psherëtirë e lehtësuar kur i zunë sytë Betlehemin. Teksa ngjitnin shpatet e kodrave duke kaluar pranë ullishteve—ndër prodhimet e fundit që duheshin mbledhur—Maria e Jozefi mund të kenë menduar për historinë e këtij qyteti të vogël. Ai ishte shumë i vogël për t’u numëruar midis qyteteve të Judës, siç kishte thënë profeti Mikea. Gjithsesi, Betlehemi kishte qenë vendlindja e Boazit, Naomit dhe më vonë e Davidit, më shumë se 1.000 vjet më parë.
10 Qyteza ishte dëng me njerëz. Të tjerë kishin mbërritur më parë për t’u regjistruar, kështu për Marinë dhe Jozefin nuk kishte më vend në bujtinë.b S’kishin ç’të bënin, veçse ta kalonin natën në një stallë. Mund ta përfytyrojmë sa i shqetësuar ishte Jozefi tek shihte të shoqen me dhembje të forta që s’i kish provuar kurrë, të cilat po shtoheshin. E pra, tamam në atë vend aq të papërshtatshëm i filluan dhembjet e lindjes.
11. (a) Pse çdo grua mund ta kuptojë Marinë? (b) Në ç’kuptim ishte Jezui «i parëlinduri»?
11 Çdo grua mund ta kuptojë Marinë. Rreth 4.000 vjet më parë, Jehovai kishte parathënë se të gjitha gratë do të vuanin gjatë lindjes për shkak të mëkatit të trashëguar. (Zan. 3:16) Nuk ka ndonjë provë që tregon se Maria bënte përjashtim. Luka nuk i përshkruan dhembjet e Marisë, por thotë thjesht: «Lindi një djalë, të parëlindurin.» (Luka 2:7) Po, ‘i parëlinduri’ i saj kishte ardhur në jetë. Ishte i pari i shumë fëmijëve që pati Maria, të paktën shtatë. (Mar. 6:3) Por ky i parëlindur do të dallonte përherë nga gjithë të tjerët. Ai nuk ishte vetëm i parëlinduri i saj, por edhe për Perëndinë Jehova ishte «i parëlinduri i gjithë krijimit», Biri i vetëmlindur i Perëndisë.—Kolos. 1:15.
12. Ku lindi Maria dhe si ndryshon realiteti nga shfaqjet, pikturat dhe skenat që përshkruajnë lindjen e Krishtit?
12 Pikërisht në këtë moment tregimi shton një detaj të famshëm: «E mbështolli me pelena dhe e vuri në një grazhd.» (Luka 2:7) Shfaqjet, pikturat dhe skenat që përshkruajnë lindjen e Krishtit përreth botës, i japin këtij rasti ngjyra sentimentalizmi dhe jorealiste. Megjithatë, ja ç’ndodhi vërtet. Grazhdi është një lug, si një govatë ku hanë kafshët bujqësore. Mos harro se familja ishte strehuar në një stallë, që patjetër nuk është një vend që dallohet për ajrin e mirë ose për higjienën, si atëherë, ashtu edhe sot. E cilët prindër do të zgjidhnin një vend të tillë për të lindur fëmijën po të kishin mundësi tjetër?! Shumica e prindërve duan më të mirën për fëmijët e tyre, aq më shumë Maria dhe Jozefi dëshironin t’i krijonin kushtet më të mira Birit të Perëndisë.
13. (a) Në ç’mënyrë Maria dhe Jozefi bënë gjithçka kishin në dorë brenda mundësive? (b) Si mund t’i imitojnë prindërit e mençur sot Jozefin dhe Marinë kur vendosin përparësitë?
13 Sidoqoftë, ata nuk lejuan që kufizimet t’i hidhëronin. Bënë gjithçka kishin në dorë brenda mundësive të tyre. Për shembull, vëreni se vetë Maria u kujdes për foshnjën, duke e mbështjellë ngrohtë me pelena, pastaj e vuri me kujdes të flinte në grazhd dhe u sigurua që ai të ishte ngrohtë dhe i sigurt. Maria nuk lejoi kurrsesi që ankthi për kushtet përreth ta shpërqendronte e të mos bënte më të mirën. Ajo dhe Jozefi e dinin edhe se gjëja më e rëndësishme që mund të bënin për fëmijën ishte të kujdeseshin për anën frymore. (Lexo Ligjin e përtërirë 6:6-8.) Sot prindërit e mençur vënë këtë gjë në vend të parë, teksa i rritin fëmijët në një botë që nuk e vlerëson adhurimin ndaj Perëndisë.
Mori zemër nga një vizitë
14, 15. (a) Pse mezi pritnin barinjtë të shihnin foshnjën? (b) Çfarë bënë barinjtë pasi panë Jezuin në stallë?
14 Një zhurmë e papritur prishi atmosferën e paqtë. Barinjtë ia behën gjithë vrull në stallë dhe mezi pritnin të shihnin familjen, e sidomos fëmijën. Ata burra nuk mbaheshin nga entuziazmi dhe fytyrat e tyre ishin shend e verë. Kishin ardhur vrap që nga shpatet e kodrës ku jetonin me bagëtinë.c Ata u treguan prindërve të habitur përvojën e mrekullueshme që sapo kishin pasur. Në mes të natës, në shpatin e kodrës, befas u ishte shfaqur një engjëll. Lavdia e Jehovait kishte shndritur përreth tyre. Engjëlli u kishte thënë se Krishti ose Mesia sapo kishte lindur në Betlehem dhe se fëmijën do ta gjenin shtrirë në një grazhd, mbështjellë me pelena. Pastaj kishte ndodhur diçka edhe më e mrekullueshme: një mori engjëjsh të fuqishëm lëvdonin Perëndinë!—Luka 2:8-14.
15 S’është çudi që këta njerëz të thjeshtë erdhën vrik në Betlehem. Ata duhet të jenë drithëruar kur panë të sapolindurin tamam siç kishte thënë engjëlli. Barinjtë s’e mbajtën për vete atë lajm të mirë. «Nisën të tregonin fjalët që u kishin thënë. . . . Të gjithë ata që dëgjuan, u mrekulluan nga gjërat që u treguan barinjtë.» (Luka 2:17, 18) Me sa duket, krerët fetarë të asaj kohe i përçmonin barinjtë. Por është e qartë se Jehovai i çmonte këta njerëz të thjeshtë e besnikë. Si ndikoi vizita e tyre te Maria?
Është e qartë se Jehovai i çmonte barinjtë e thjeshtë dhe besnikë
16. Si tregoi Maria se ishte njeri që mendonte thellë? Cila është një nga gjërat kyçe që e ndihmoi të ruante besimin?
16 Sigurisht Maria ishte e sfilitur nga mundimet e lindjes. Megjithatë dëgjoi me vëmendje çdo fjalë. Ajo bëri edhe më tepër: «Maria nisi t’i ruante të gjitha këto fjalë e të arsyetonte në zemër për kuptimin e tyre.» (Luka 2:19) Ajo grua e re ishte njeri që mendonte thellë. E dinte se mesazhi engjëllor ishte jetik. Perëndia i saj, Jehovai, donte që ajo ta dinte e ta kuptonte identitetin dhe rëndësinë e të birit. Maria nuk u mjaftua vetëm duke dëgjuar, por i ruajti në zemër ato fjalë, që t’i bluante herë pas here në muajt e vitet që do të vinin. Kjo ishte një nga gjërat kyçe që e ndihmoi të ruante besimin gjatë gjithë jetës.—Lexo Hebrenjve 11:1.
17. Si mund ta ndjekim shembullin e Marisë kur bëhet fjalë për të vërtetat frymore?
17 A do të ndjekësh shembullin e Marisë? Jehovai i ka mbushur faqet e Fjalës së tij me të vërteta frymore të rëndësishme. Gjithsesi, këto të vërteta nuk na sjellin dobi nëse, në radhë të parë, nuk u kushtojmë vëmendje. Këtë e bëjmë duke lexuar Biblën rregullisht, jo thjesht si vepër letrare, por si Fjalën e frymëzuar të Perëndisë. (2 Tim. 3:16) Pastaj, ashtu si Maria, duhet t’i ruajmë fjalët e frymëzuara në zemrën tonë e të arsyetojmë rreth tyre. Po të meditojmë për atë që lexojmë në Bibël, duke menduar me kujdes si t’i zbatojmë më mirë këshillat e Jehovait, i japim besimit tonë ushqimin që i duhet për t’u rritur.
Fjalë të tjera që ruajti në zemër
18. (a) Si iu bindën Ligjit të Moisiut Maria dhe Jozefi kur Jezui ishte foshnjë disaditëshe? (b) Ç’tregon për gjendjen e tyre financiare flijimi që ofruan në tempull?
18 Kur foshnja u bë tetëditëshe Maria dhe Jozefi e rrethprenë, ashtu si kërkonte Ligji i Moisiut, dhe i vunë emrin Jezu, siç ishin udhëzuar. (Luka 1:31) Pastaj, ditën e 40-të, e çuan nga Betlehemi në tempullin e Jerusalemit, rreth 10 kilometra larg dhe paraqitën flijimet e pastrimit që lejonte Ligji për të varfrit: dy turtuj ose dy pëllumba. Edhe nëse u ka ardhur zor që nuk po flijonin dot një dash dhe një turtull, siç kishin mundësi prindër të tjerë, ata i lanë mënjanë këto ndjenja. Sidoqoftë, kur ishin atje, morën një inkurajim që ua çoi zemrat peshë.—Luka 2:21-24.
19. (a) Ç’fjalë të tjera i tha Simeoni Marisë që ajo i ruajti në zemër si thesar? (b) Si reagoi Ana kur pa Jezuin?
19 Një burrë i moshuar i quajtur Simeon iu afrua dhe i tha Marisë fjalë të tjera që ajo i ruajti në zemër si thesar. Atij i ishte premtuar se do ta shihte Mesinë para se të vdiste, dhe fryma e shenjtë e Jehovait i tregoi se Jezui i vogël ishte Shpëtimtari i parathënë. Veç kësaj, Simeoni e paralajmëroi Marinë për dhembjen që do t’i duhej të duronte një ditë. Ai i tha se do të ndihej sikur ta tejshponte një shpatë e gjatë. (Luka 2:25-35) Edhe ky paralajmërim mund ta ketë ndihmuar Marinë të qëndronte në atë moment të vështirë që erdhi pas tri dekadash. Pas Simeonit, Jezuin e vogël e pa profeteshë Ana. Ajo nisi t’u fliste për të çdokujt që shpresonte me zjarr çlirimin e Jerusalemit.—Lexo Lukën 2:36-38.
20. Pse ishte një vendim i mençur që e çuan Jezuin në tempull?
20 Ç’vendim të mençur morën Jozefi dhe Maria që e çuan foshnjën e tyre në tempullin e Jehovait në Jerusalem! Për djalin e tyre, ky ishte fillimi i një jete gjatë së cilës ai do të merrte pjesë rregullisht me besnikëri në tempullin e Jehovait. Kur ishin atje, i dhanë Jehovait më të mirën dhe morën udhëzime e inkurajim. Me siguri, atë ditë Maria u largua nga tempulli më e fortë në besim, me zemrën të mbushur plot thënie frymore, për të cilat do të meditonte e do të fliste me të tjerët.
21. Si ta forcojmë edhe më shumë besimin tonë ashtu si Maria?
21 Është bukur kur sheh sot prindër që ndjekin këtë shembull. Prindërit Dëshmitarë të Jehovait i çojnë rregullisht me besnikëri fëmijët e tyre në mbledhjet e krishtere. Këta prindër japin më të mirën, duke u thënë fjalë inkurajimi bashkëbesimtarëve. Largohen nga këto mbledhje më të fortë, më të lumtur dhe plot me gjëra të mira për të folur me të tjerët. Ç’kënaqësi është të takohesh me këta prindër! Po të veprojmë kështu, do të shohim se besimi jonë, ashtu si ai i Marisë, do të bëhet edhe më i fortë.
a Vëreni kontrastin mes këtij fragmenti dhe përshkrimit të një udhëtimi të mëparshëm: «Maria u ngrit dhe shkoi» të takonte Elizabetën. (Luka 1:39) Në atë kohë Maria ishte e fejuar, jo e martuar, dhe mund të jetë nisur pa u këshilluar me Jozefin. Pas martesës, thuhet se udhëtimin që bënë si çift e ndërmori Jozefi, jo Maria.
b Në atë kohë, qytezat e kishin zakon të mbanin një bujtinë për të strehuar udhëtarët dhe karvanët e rastit.
c Fakti që barinjtë në atë kohë jetonin jashtë me bagëtitë vërteton çka thotë kronologjia biblike: Krishti nuk lindi në dhjetor, kohë kur bagëtitë do të ishin strehuar afër shtëpisë, por lindi diku nga fillimi i tetorit.