Kapitulli 4
Jezu Krishti: Çelësi për njohurinë e Perëndisë
1, 2. Si janë ngatërruar fetë e botës me çelësin për njohurinë e Perëndisë?
TA ZËMË se gjendesh përpara shtëpisë, duke u përpjekur të hapësh portën. Bën ftohtë dhe është errësirë e ti mezi pret të futesh brenda, por çelësi s’do t’ia dijë. Duket se është çelësi i duhur e megjithatë brava nuk luan vendit. Sa keq! Ti i hedh përsëri një sy çelësit. A po përdor atë që duhet? Apo dikush tjetër e ka dëmtuar?
2 Ky është një ilustrim i përshtatshëm për të treguar se ç’ka bërë me njohurinë e Perëndisë konfuzioni i kësaj bote fetare. Në të vërtetë, shumë veta janë ngatërruar me çelësin që hap dyert e kuptueshmërisë sonë për të, pra, me Jezu Krishtin. Disa besime fetare e kanë hequr këtë çelës, duke mos e përfillur fare Jezuin. Disa fe të tjera e kanë shtrembëruar rolin e Jezuit, duke e adhuruar atë si të ishte Perëndia i Plotfuqishëm. Sidoqoftë, njohuria e Perëndisë qëndron e mbyllur për ne, nëse nuk kemi një kuptueshmëri të qartë mbi këtë figurë kryesore, siç është Jezu Krishti.
3. Përse Jezui mund të quhet çelësi për njohurinë e Perëndisë?
3 Ndoshta të kujtohet që Jezui tha: «Kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.» (Gjoni 17:3) Duke thënë këtë, Jezui nuk po tregohej një fjalëmadh. Shkrimet vazhdimisht nxjerrin në pah nevojën për njohurinë e saktë të Krishtit. (Efesianëve 4:13; Kolosianëve 2:2; 2. Pjetrit 1:8; 2:20) «Për të [Jezu Krishtin] bëjnë dëshmi të gjithë profetët»,—vërejti apostulli Pjetër. (Veprat 10:43) Ndërsa apostulli Pavël shkroi: «Ku [në Jezuin] janë fshehur të gjitha thesaret e diturisë dhe të njohjes.» (Kolosianëve 2:3) Madje, Pavli tha se të gjitha premtimet e Jehovait bëhen të vërteta nëpërmjet Jezuit. (2. Korintasve 1:20) Pra, Jezu Krishti është çelësi i vërtetë për njohurinë e Perëndisë. Njohuria jonë mbi Jezuin duhet të jetë e lirë nga çdo shtrembërim, si në lidhje me natyrën e tij, ashtu edhe për sa i përket rolit që luan ai në rregullimin e Perëndisë. Por, përse ithtarët e Jezuit e konsiderojnë atë si një figurë qendrore në qëllimin e Perëndisë?
MESIA I PREMTUAR
4, 5. Cilat shpresa përqendrohen mbi Mesian dhe si e panë dishepujt e Jezuit atë?
4 Qysh nga ditët e Abelit besnik, shërbëtorët e Perëndisë kanë parë me padurim përpara, për Farën e profetizuar nga vetë Perëndia Jehova. (Zanafilla 3:15; 4:1-8; Hebrenjve 11:4) Është zbuluar se Fara do të shërbente në qëllimin e Perëndisë si Mesia, që do të thotë «i Mirosuri». Ai kishte «për t’i dhënë fund mëkatit» dhe lavditë e Mbretërisë së tij u parathanë në psalmet. (Danieli 9:24-26; Psalmi 72:1-20) Kush provoi se ishte Mesia?
5 Imagjino se ç’gëzim të madh ndjeu një i ri hebre, i quajtuar Andrea, kur dëgjoi fjalët e Jezuit nga Nazareti. Andrea vrapoi për te vëllai i tij, Simon Pjetri dhe i tha: «E gjetëm Mesian.» (Gjoni 1:41) Dishepujt e Jezuit kishin bindjen se ai ishte Mesia i premtuar. (Mateu 16:16) Dhe të krishterët e vërtetë janë treguar të gatshëm të vdesin për bindjen e tyre që Jezui ishte me të vërtetë Mesia i parathënë apo Krishti. Çfarë prove kishin? Le të shqyrtojmë tri linja dëshmish.
DËSHMI QË PROVOJNË SE JEZUI ISHTE MESIA
6. (a) Në cilën linjë të pasardhësve do të prodhohej Fara e premtuar dhe si e dimë se Jezui erdhi prej asaj linje familjare? (b) Përse do të ishte e pamundur për cilindo që jetoi pas vitit 70 e.s. të provonte pohimin se ishte Mesia?
6 Prejardhja e Jezuit përbën bazën e parë për ta identifikuar atë si Mesian e premtuar. Jehovai i kishte thënë shërbëtorit të Tij besnik, Abrahamit, se Fara e premtuar do të vinte nga familja e tij. Një premtim të ngjashëm e mori edhe biri i Abrahamit, Isaku, biri i Isakut, Jakobi dhe biri i Jakobit, Juda. (Zanafilla 22:18; 26:2-5; 28:12-15; 49:10) Linja e prejardhjes së Mesias u ngushtua shekuj më vonë, kur mbretit David iu tha se linja e familjes së tij do të prodhonte Atë që pritej. (Psalmi 132:11; Isaia 11:1, 10) Tregimet e ungjijve të Mateut dhe të Lukës vërtetojnë se Jezui erdhi nëpërmjet kësaj linje familjare. (Mateu 1:1-16; Luka 3:23-38) Edhe pse kishte shumë armiq të ashpër, asnjëri prej tyre nuk dyshoi për linjën e prejardhjes së Jezuit, gjë që ishte e dokumentuar mirë. (Mateu 21:9, 15) Është e qartë, pra, se prejardhja e tij është jashtë çdo diskutimi. Megjithatë, dokumentacioni për familjet hebreje u shkatërrua kur romakët plaçkitën Jeruzalemin në vitin 70 të e.s. Pas këtij viti, askush nuk mund ta provonte kurrë pohimin se ishte Mesia.
7. (a) Cila është linja e dytë e dëshmive se Jezui është Mesia? (b) Si u përmbush Mikea 5:2, në lidhje me Jezuin?
7 Profecitë e përmbushura përbëjnë linjën e dytë të dëshmive. Dhjetra profeci të Shkrimeve Hebreje përshkruajnë aspekte të ndryshme të jetës së Mesias. Në shekullin e tetë p.e.s., profeti Mikea paratha se ky sundimtar i madh do të lindte në qytetin e parëndësishëm të Bethlehemit. Kishte dy qytete në Izrael me emrin Bethlehem, por kjo profeci e përcakton se cili do të ishte: Bethlehem Efratah, ku kishte lindur edhe mbreti David. (Mikea 5:2) Prindërit e Jezuit, Jozefi dhe Marija, jetonin në Nazaret, që ndodhej rreth 150 km në veri të Bethlehemit. Megjithatë, në kohën që Marija ishte shtatzënë, sundimtari romak, Çesar Augusti, urdhëroi që të gjithë njerëzit të regjistroheshin në qytetet e tyre të lindjes.a Kështu që Jozefi duhej ta çonte gruan e tij shtatzënë në Bethlehem, ku lindi Jezui.—Luka 2:1-7.
8. (a) Kur dhe me cilën ngjarje filluan 69 «javët»? (b) Sa të gjata ishin 69 «javët» dhe ç’ndodhi kur ato mbaruan?
8 Në shekullin e gjashtë p.e.s., profeti Daniel paratha se «Mesia, princi» do të shfaqej 69 «javë» pas daljes së urdhrit për restaurimin dhe rindërtimin e Jeruzalemit. (Danieli 9:24, 25) Secila nga këto «javë» do të zgjaste shtatë vjet.b Sipas Biblës dhe historisë jobiblike, urdhri për rindërtimin e Jeruzalemit doli në vitin 455 p.e.s. (Nehemia 2:1-8) Pra, Mesia duhej të shfaqej 483 (69 herë 7) vjet pas vitit 455 p.e.s. Kjo na çon në vitin 29 të e.s., në po atë vit që Jehovai mirosi Jezuin me frymën e shenjtë. Kështu, Jezui u bë «Krishti» (që do të thotë «i Mirosuri»), ose Mesia.—Luka 3:15, 16, 21, 22.
9. (a) Si u përmbush Psalmi 2:2? (b) Cilat janë disa profeci të tjera që u përmbushën në Jezuin? (Shiko tabelën.)
9 Natyrisht, jo të gjithë e pranuan Jezuin si Mesia i premtuar dhe Shkrimet e kishin parathënë këtë. Siç shkruhet në Psalmin 2:2, mbreti David u frymëzua në mënyrë hyjnore për të parathënë: «Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit [të mirosurit, BR] të tij.» Kjo profeci tregon se disa udhëheqës, prej më shumë se një vendi, do të bashkoheshin për të sulmuar të Mirosurin e Jehovait, ose Mesian. Dhe ashtu ndodhi. Krerët fetarë hebrenj, mbreti Herodi dhe guvernatori romak Ponc Pilati, të gjithë bënë pjesën e tyre në vrasjen e Jezuit. Armiqtë e dikurshëm, Herodi dhe Pilati, u bënë miq të ngushtë prej asaj kohe e më tej. (Mateu 27:1, 2; Luka 23:10-12; Veprat 4:25-28) Për prova të mëtejshme se Jezui ishte Mesia, të lutemi të shikosh tabelën ngjitur, të titulluar «Disa profeci të jashtëzakonshme mesianike».
10. Në cilat mënyra dëshmoi Jehovai se Jezui ishte i Mirosuri i tij i premtuar?
10 Dëshmia e Perëndisë Jehova përbën linjën e tretë të provave në mbështetje të mesianitetit të Jezuit. Jehovai dërgoi engjëj, për t’u bërë të njohur njerëzve se Jezui ishte Mesia i premtuar. (Luka 2:10-14) Në fakt, gjatë jetës tokësore të Jezuit, vetë Jehovai foli prej qiellit, duke shprehur miratimin e tij për Jezuin. (Mateu 3:16, 17; 17:1-5) Perëndia Jehova i dha Jezuit fuqi që të kryente mrekulli. Secila prej tyre ishte një provë e mëtejshme hyjnore se Jezui ishte Mesia, pasi Perëndia nuk do t’i kishte dhënë kurrë një mashtruesi fuqi për të kryer mrekulli. Gjithashtu, Jehovai përdori frymën e tij të shenjtë për të frymëzuar tregimet e Ungjillit, në mënyrë që dëshmia e mesianitetit të Jezuit të bëhej pjesë e Biblës, librit më të përkthyer e më të shpërndarë në histori.—Gjoni 4:25, 26.
11. Sa dëshmi kemi që Jezui ishte Mesia?
11 Gjithsej, këto kategori të dëshmive përfshijnë qindra fakte që e identifikojnë Jezuin si Mesian e premtuar. Është e qartë, pra, se të krishterët e vërtetë e shihnin me të drejtë atë si personin për të cilin «bëjnë dëshmi të gjithë profetët» dhe si çelësin për njohurinë e Perëndisë. (Veprat 10:43) Por ka edhe shumë gjëra të tjera që duhen mësuar për Jezu Krishtin e jo vetëm fakti se ai ishte Mesia. Nga e kishte origjinën? Si ishte?
EKZISTENCA PARANJERËZORE E JEZUIT
12, 13. (a) Nga e dimë se Jezui ekzistonte në qiell përpara se të vinte mbi tokë? (b) Kush është «Fjala» dhe çfarë kishte bërë para se të bëhej njeri?
12 Jeta e Jezuit mund të ndahet në tri pjesë. E para zë fill shumë kohë më parë se ai të lindte mbi tokë. Mikea 5:2 thotë se origjinat e Mesias ishin «nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë». Edhe Jezui e tha qartë se kishte ardhur «nga atje lart», d.m.th., nga qielli. (Gjoni 8:23; 16:28) Për sa kohë kishte ekzistuar në qiell, përpara se të vinte në tokë?
13 Jezui u quajt ‘Biri i vetëmlindur’ i Perëndisë, pasi Jehovai e krijoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë. (Gjoni 3:16) Si «i parëlinduri i çdo krijese», Jezui u përdor nga Perëndia për të krijuar të gjitha gjërat e tjera. (Kolosianëve 1:15; Zbulesa 3:14) Gjoni 1:1 thotë se «Fjala» (Jezui në ekzistencën e tij paranjerëzore) ishte me Perëndinë «në fillim». Pra, Fjala ishte me Jehovain kur u krijuan «qiejt dhe toka». Perëndia iu drejtua Fjalës, kur tha: «Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë.» (Zanafilla 1:1, 26) Po kështu, Fjala duhet të ketë qenë «kryemjeshtri» i dashur i Perëndisë, duke punuar përkrah Jehovait në bërjen e të gjitha gjërave, siç përshkruhet i personifikuar nga mençuria në Proverbat 8:22-31 (DSF). Pasi Jehovai e solli në ekzistencë, Fjala kaloi periudha me Perëndinë në qiej, përpara se të bëhej një njeri mbi tokë.
14. Përse Jezui është quajtur «shëmbëllesa e Perëndisë së padukshëm»?
14 Prandaj, nuk duhet të habitemi që Kolosianëve 1:15 e quan Jezuin «shëmbëllesa e Perëndisë së padukshëm»! Gjatë viteve të panumërta që kaluan në një shoqëri të ngushtë, Biri i bindur u bë njësoj si i Ati, Jehovai. Kjo është një arsye tjetër se përse Jezui është çelësi për njohurinë jetëdhënëse të Perëndisë. Çdo gjë që Jezui bëri ndërsa gjendej mbi tokë është saktësisht ajo që do të kishte bërë edhe Jehovai. Pra, duke vazhduar të njohim Jezuin, do të thotë të rrisim, gjithashtu, njohurinë mbi Jehovain. (Gjoni 8:28; 14:8-10) Qartë, pra, është thelbësore të mësojmë më shumë mbi Jezu Krishtin.
JETA E JEZUIT MBI TOKË
15. Në ç’mënyrë Jezui lindi si një foshnjë e përsosur?
15 Pjesa e dytë e jetës së Jezuit ishte këtu, mbi tokë. Ai u nënshtrua me gatishmëri, kur Perëndia e transferoi jetën e tij nga qielli në mitrën e një virgjëreshe besnike hebreje, me emrin Marija. Fryma e shenjtë e fuqishme e Jehovait, apo forca aktive, ‘e mbuloi’ Marijen, duke bërë që ajo të mbetej shtatzënë e që më tej të lindte një fëmijë të përsosur. (Luka 1:34, 35) Jezui nuk trashëgoi papërsosmëri, pasi jeta e tij erdhi nga një Burim i përsosur. Ai u rrit në një shtëpi pa pretendime, si bir i adoptuar i zdrukthëtarit Jozef dhe ishte i parëlinduri i një familjeje me disa fëmijë.—Isaia 7:14; Mateu 1:22, 23; Marku 6:3.
16, 17. (a) Nga e mori Jezui fuqinë për të kryer mrekulli dhe cilat ishin disa prej tyre? (b) Cilat janë disa nga cilësitë që shfaqi Jezui?
16 Devotshmëria e thellë e Jezuit për Perëndinë Jehova u bë e dukshme që kur ishte 12 vjeç. (Luka 2:41-49) Edhe pasi u rrit dhe filloi shërbimin e tij në moshën 30-vjeçare, Jezui tregoi dashurinë e tij të thellë për njerëzit e tjerë. Kur fryma e shenjtë e Perëndisë e forcoi për të kryer mrekulli, ai me dhembshuri shëroi të sëmurët, të çalët, sakatët, të verbërit, të shurdhërit dhe lebrosët. (Mateu 8:2-4; 15:30) Jezui ushqeu me mijëra të uritur. (Mateu 15:35-38) Ai qetësoi një stuhi që kërcënonte sigurinë e miqve të tij. (Marku 4:37-39) Në fakt, ai ringjalli edhe të vdekurit. (Gjoni 11:43, 44) Këto mrekulli janë fakte të dokumentuara mirë në histori. Edhe armiqtë e Jezuit pranuan se ai ‘bënte shumë shenja’.—Gjoni 11:47, 48.
17 Jezui udhëtoi nëpër atdheun e tij, duke i mësuar njerëzit për Mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 4:17) Ai la, gjithashtu, edhe një shembull të shkëlqyer durimi dhe arsyetueshmërie. Edhe kur dishepujt e tij dështuan, ai me dhembshuri vërejti: «Sigurisht fryma është e gatshme, por mishi është i dobët.» (Marku 14:37, 38) Megjithatë, Jezui ishte i guximshëm dhe i drejtpërdrejtë me ata që përbuznin të vërtetën dhe shtypnin të pandihmët. (Mateu 23:27-33) Mbi të gjitha, ai imitoi në mënyrë të përsosur shembullin e dashurisë së Atit të tij. Jezui ishte i gatshëm edhe të vdiste, mjaft që njerëzimi i papërsosur të kishte një shpresë për të ardhmen. Pa dyshim, pra, ne mund t’i referohemi me të drejtë Jezuit si çelësi për njohurinë e Perëndisë! Po, ai është çelësi i gjallë! Por, përse themi çelës i gjallë? Kjo na çon në pjesën e tretë të jetës së Jezuit.
JEZUI SOT
18. Si duhet ta përfytyrojmë sot Jezu Krishtin?
18 Edhe pse Bibla raporton mbi vdekjen e Jezuit, ai tani është gjallë! Në të vërtetë, me qindra njerëz që kanë jetuar në shekullin e parë të e.s. ishin dëshmitarë okularë të faktit që ai u ringjall. (1. Korintasve 15:3-8) Siç ishte profetizuar, pas kësaj ai u ul në të djathtë të Perëndisë, në pritje për të marrë fuqi mbretërore në qiell. (Psalmi 101:1; Hebrenjve 10:12, 13) Pra, si duhet ta përfytyrojmë Jezuin sot? A duhet të mendojmë për të si për një foshnjë të pambrojtur në një grazhd? Apo si për një njeri që vuan në agoninë e vdekjes? Jo. Ai është një Mbret i fuqishëm që mbretëron! Dhe shumë shpejt, ai do të shfaq sundimin e tij mbi tokën tonë me telashe.
19. Çfarë veprimi do të ndërmarrë Jezui në të ardhmen e afërt?
19 Në Zbulesën 19:11-15, Mbreti Jezu Krisht është përshkruar me forcë, duke ardhur me fuqi të madhe për të shkatërruar të ligjtë. Ky sundimtar i dashur qiellor mezi pret t’u japë fund vuajtjeve që mundojnë miliona veta sot! Gjithashtu, mezi pret të ndihmojë ata që dëshirojnë të imitojnë shembullin e përsosur që ai la kur ishte mbi tokë. (1. Pjetrit 2:21) Ai dëshiron t’i mbrojë ata në «luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm», që po afrohet me shpejtësi e që shpesh quhet Harmagedon, në mënyrë që të mund të jetojnë përgjithmonë si nënshtetas tokësorë të Mbretërisë qiellore të Perëndisë.—Zbulesa 7:9, 14; 16:14, 16.
20. Çfarë do të bëjë Jezui për njerëzimin gjatë Mbretërisë së tij Mijëvjeçare?
20 Gjatë Mbretërisë së tij paqësore Mijëvjeçare, Jezui do të kryejë mrekulli për të gjithë njerëzimin. (Isaia 9:6, 7; 11:1-10; Zbulesa 20:6) Jezui do të shërojë të gjitha sëmundjet dhe do t’i japë fund vdekjes. Ai do të ringjallë qindra miliona veta, në mënyrë që edhe ata të kenë mundësinë për të jetuar përgjithmonë mbi tokë. (Gjoni 5:28, 29) Jemi të sigurt se do të ndihesh i emocionuar po të mësosh më shumë mbi Mbretërinë e tij Mesianike në një kapitull tjetër. Për një gjë duhet të jesh i sigurt: ne as që mund ta imagjinojmë se sa e mrekullueshme do të jetë jeta jonë nën sundimin e Mbretërisë. Sa e rëndësishme është që të njihemi edhe më mirë me Jezu Krishtin! Po, është thelbësore që të mos e largojmë kurrë nga mendja Jezuin, çelësin e gjallë për njohurinë e Perëndisë që të çon në jetën e përhershme.
[Shënimet]
a Ky regjistrim bëri të mundur që Perandoria Romake të saktësonte edhe më mirë taksat. Prandaj, në mënyrë të pavullnetshme, Augusti ndihmoi në përmbushjen e profecisë mbi një sundimtar, i cili ‘do të dërgonte tatimtarin e vet në Stolinë e mbretërisë’. E njëjta profeci paratha se ‘Princi i Besëlidhjes’, ose Mesia, do të ‘vritej’ në ditët e pasardhësve të këtij sundimtari. Jezui u vra gjatë mbretërimit të Augustit pasardhës, Tiberit.—Danieli 11:20-22, DSF.
b Hebrenjtë e lashtë zakonisht mendonin me termat e javëve vjetore. Për shembull, ashtu si në çdo shtatë ditë kishin një ditë sabati, çdo shtatë vjet kishin edhe një vit sabati.—Të Dalët 20:8-11; 23:10, 11.
PROVO NJOHURINË
Si e mbështet prejardhja e Jezuit pohimin e tij se është Mesia?
Cilat janë disa profeci mesianike të plotësuara në Jezuin?
Në ç’mënyrë Perëndia tregoi drejtpërdrejt se Jezui ishte i Mirosuri i tij?
Përse Jezui është çelësi i gjallë për njohurinë e Perëndisë?
[Tabela në faqen 37]
DISA PROFECI TË JASHTËZAKONSHME MESIANIKE
PROFECIA NGJARJA PËRMBUSHJA
JETA E TIJ E HERSHME
Isaia 7:14 Lindja e një virgjëreshe Mateu 1:18-23
Jeremia 31:15 Foshnjat vriten pas Mateu 2:16-18
lindjes së tij
SHËRBIMI I TIJ
Isaia 61:1, 2 Urdhri nga Perëndia Luka 4:18-21
Isaia 9:1, 2 Shërbimi bën që populli të Mateu 4:13-16
shohë një dritë të madhe
Psalmi 69:9 Zell për shtëpinë e Jehovait Gjoni 2:13-17
Isaia 53:1 Nuk e besojnë Gjoni 12:37, 38
Zaharia 9:9; Hyn në Jeruzalem mbi Mateu 21:1-9
Psalmi 118:26 një kërriç; i nderuar si
mbret dhe si ai që vjen
në emër të Jehovait
TRADHTOHET DHE VDEKJA E TIJ
Psalmet 41:9; 109:8 Një apostull i pabesë; Veprat 1:15-20
tradhton Jezuin
dhe zëvendësohet
Zaharia 11:12 Tradhton për 30 copë Mateu 26:14, 15
argjendi
Psalmi 27:12 Kundër tij përdoret Mateu 26:59-61
dëshmi e rreme
Psalmi 22:18 Për veshjen e tij Gjoni 19:23, 24
hidhet short
Isaia 53:12 Numërohet me mëkatarët Mateu 27:38
Psalmi 22:7, 8 E shajnë ndërsa vdes Marku 15:29-32
Psalmi 69:21 I japin uthull Marku 15:23, 36
Isaia 53:5; E shpojnë Gjoni 19:34, 37
Isaia 53:9 Varroset me të pasurin Mateu 27:57-60
Psalmi 16:8-11 Ngrihet para prishjes Veprat 2:25-32;
[Figura në faqen 35]
Perëndia i dha fuqi Jezuit për të shëruar të sëmurët