KAPITULLI 75
Jezui tregon burimin e lumturisë
DËBON DEMONËT ME ANË «TË GISHTIT TË PERËNDISË»
BURIMI I LUMTURISË SË VËRTETË
Jezui sapo ka përsëritur udhëzimet për lutjen. Ky s’është argumenti i vetëm për të cilin flet më shumë se një herë gjatë shërbimit të tij. Kur ishte në Galile, Jezui u përball me akuzën e rreme se i kryente mrekullitë me fuqinë e sundimtarit të demonëve. Edhe këtu në Jude i bëjnë të njëjtën akuzë.
Turma mahnitet kur Jezui çliron një burrë nga demoni që e ka lënë të pagojë. Megjithatë, ata që e kritikojnë, ngrenë përsëri të njëjtën akuzë të rreme: «Ai i dëbon demonët me anë të Belzebubit, sundimtarit të demonëve.» (Luka 11:15) Të tjerë duan të dinë më shumë për identitetin e Jezuit, ndaj i kërkojnë një shenjë nga qielli.
Jezui kupton se po përpiqen ta vënë në provë, kështu që u përgjigjet njësoj si akuzuesve në Galile. Për t’u treguar se një mbretëri e përçarë rrëzohet, ai arsyeton: «Nëse Satanai është i përçarë, si do të qëndrojë mbretëria e tij?» Më pas u thotë haptazi: «Nëse unë i dëboj demonët me anë të gishtit të Perëndisë, atëherë Mbretëria e Perëndisë ju ka gjetur vërtet në befasi.»—Luka 11:18-20.
Kur Jezui përmend ‘gishtin e Perëndisë’, dëgjuesve duhet t’u vijnë ndër mend ngjarje nga historia e Izraelit. Për shembull, oborrtarët e faraonit që panë Moisiun të kryente një mrekulli, thirrën: «Ky është gishti i Perëndisë!» Edhe dhjetë urdhërimet në dy pllakat e gurit u shkruan me «gishtin e Perëndisë». (Eksodi 8:19; 31:18) Po njësoj, Jezui i dëbon demonët dhe i shëron të sëmurët falë «gishtit të Perëndisë», pra falë frymës së shenjtë, forcës së Tij aktive. Kështu, Mbretëria e Perëndisë i ka zënë vërtet në befasi këta kundërshtarë, sepse Jezui, Mbreti i Mbretërisë i zgjedhur nga Perëndia, është në mesin e tyre duke kryer këto vepra.
Aftësia e Jezuit për të dëbuar demonë dëshmon se është më i fuqishëm se Satanai, tamam si një burrë më i fortë që sulmon dhe mposht një burrë të armatosur mirë, i cili ruan shtëpinë e vet. Gjithashtu, Jezui përsërit ilustrimin për një frymë të ndyrë që del nga një njeri. Nëse ky njeri nuk e mbush me gjëra të mira boshllëkun e krijuar, fryma e ndyrë do të kthehet bashkë me shtatë të tjera, dhe gjendja e atij njeriu do të bëhet më e keqe se në fillim. (Mateu 12:22, 25-29, 43-45) Tamam kjo po i ndodh kombit të Izraelit.
Ndërsa dëgjon Jezuin, një grua thërret me zë të lartë: «Lum barku që të mbajti dhe gjinjtë që të ushqyen!» Çdo grua judeje do të dëshironte të ishte nëna e një profeti, e aq më tepër nëna e Mesisë. Prandaj ajo mbase mendon se Maria duhet të jetë veçanërisht e lumtur meqë është nëna e një mësuesi kaq të zotë. Megjithatë, Jezui e korrigjon duke i treguar burimin e vërtetë të lumturisë: «Më mirë lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!» (Luka 11:27, 28) Jezui nuk ka lënë kurrë të nënkuptohet se Marisë i duhet dhënë nderim i veçantë. Në fakt, lumturia e vërtetë e çdo burri a gruaje lidhet me të qenët shërbëtor besnik i Perëndisë. Nuk ka të bëjë me lidhjet familjare apo arritjet e dikujt.
Siç bëri edhe në Galile, Jezui i qorton njerëzit që kërkojnë një shenjë nga qielli. Ai thotë se nuk do t’u jepet asnjë shenjë veç «shenjës së Jonait». Jonai shërbeu si shenjë qoftë në rastin kur qëndroi tri ditë në barkun e peshkut, qoftë kur predikoi me guxim dhe nxiti ninevitët të pendoheshin. Jezui shton: «Por ja, këtu është dikush më i madh se Jonai.» (Luka 11:29-32) Jezui është më i madh edhe se Solomoni, mençurinë e të cilit erdhi ta dëgjojë mbretëresha e Shebës.
Jezui vazhdon: «Askush nuk e ndez llambën që ta vërë në një vend të fshehtë a nën shinik, por e vë në mbajtësen e vet.» (Luka 11:33) Ndoshta po thotë se, t’i mësosh këta njerëz e të kryesh mrekulli para tyre, është si të fshehësh dritën e një llambe. Meqë sytë nuk i kanë të përqendruar te gjërat e duhura, s’e kuptojnë dot qëllimin e veprave të tij.—Luka 11:34
Jezui sapo ka dëbuar një demon dhe ka bërë që një burrë i pagojë të flasë. Kjo duhet t’i nxitë njerëzit t’i japin lavdi Perëndisë dhe t’u thonë të tjerëve se çfarë po bën Jehovai. Megjithatë nuk ndodh kështu. Ja pse Jezui paralajmëron këdo që e kritikon: «Prandaj ji syçelë që drita jote të mos kthehet në errësirë. Nëse i gjithë trupi yt është i ndriçuar, pa asnjë pjesë të errët, ai do të jetë i gjithi po aq i ndriçuar sa një llambë që jep dritë me shkëlqimin e saj.»—Luka 11:35, 36.