Kur bujaria është me bollëk
PO TË të jepej rasti t’i bëje një dhuratë një mbreti, çfarë do t’i dhuroje? Po sikur ai të ishte sundimtari më i pasur e më i mençur në botë? A të vjen ndër mend ndonjë dhuratë që do t’i pëlqente? Rreth tre mijë vjet më parë, mbretëresha e Shebës duhej të meditonte rreth këtyre pyetjeve, ndërsa përgatitej t’i bënte vizitë tamam një sundimtari të tillë, Solomonit, mbretit të Izraelit.
Bibla na thotë se dhurata e saj përfshinte 120 talenta ari «dhe një sasi shumë të madhe vaj balsami dhe gurësh të çmuar». Me çmimin e sotëm, vetëm ari vlente rreth 40.000.000 dollarë. Vaji i balsamit, një vaj aromatik e me veti mjekësore, radhitej së bashku me arin si një produkt i çmuar. Ndonëse nuk e thotë se sa vaj i dha mbretëresha Solomonit, Bibla tregon se dhurata e saj mbeti e pashoqe.—1. Mbretërve 10:10, BR.
Është e qartë se mbretëresha e Shebës ishte një grua e pasur dhe bujare. Përveç kësaj, bujaria e saj u shpërblye. «Mbreti Solomon,—thotë Bibla,—i dha mbretëreshës së Shebës të gjitha gjërat e dëshiruara që ajo i kërkoi, shumë më tepër nga ato që ajo i kishte sjellë mbretit.» (2. Kronikave 9:12) Është e vërtetë se për mbretërit mund të ketë qenë një zakon të këmbenin dhurata, megjithatë Bibla përmend në mënyrë specifike «bujarinë e madhe» të Solomonit. (1. Mbretërve 10:13) Vetë Solomoni shkroi: «Njeriu bujar do të pasurohet dhe ai që vadit do të vaditet gjithashtu.»—Fjalët e urta 11:25.
Sigurisht, edhe mbretëresha e Shebës bëri një sakrificë të madhe për sa i përket kohës dhe përpjekjeve për të vizituar Solomonin. Me sa duket, Sheba gjendej në zonën e Republikës së sotme të Jemenit, kështu që mbretëresha dhe karvani i saj i deveve kanë udhëtuar më shumë se 1.600 kilometra për të shkuar deri në Jerusalem. Siç tha Jezui, ajo «erdhi nga skajet e tokës». Përse mbretëresha e Shebës mori gjithë këtë mundim? Ajo erdhi në radhë të parë «për të dëgjuar mençurinë e Solomonit».—Luka 11:31, BR.
Në Librin e parë të Mbretërve 10:1, 2 thuhet se mbretëresha e Shebës «erdhi ta vërë në provë [Solomonin] me anë të pyetjeve të vështira. . . . [Ajo] i foli atij për të gjitha gjërat që kishte në zemër». Cila ishte përgjigjja e Solomonit? «Solomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve të saj. Nuk pati asgjë që të ishte e fshehtë për mbretin dhe që ky të mos ishte në gjendje ta shpjegonte.»—1. Mbretërve 10:3.
E mahnitur nga ajo që dëgjoi e që pa, mbretëresha u përgjigj me përulësi: «Lum shërbëtorët e tu që rrinë gjithnjë përpara teje dhe dëgjojnë diturinë tënde!» (1. Mbretërve 10:4-8) Ajo nuk i quajti të lumtur shërbëtorët e Solomonit sepse ishin të rrethuar nga pasuria, edhe pse në fakt kjo ishte e vërtetë. Përkundrazi, shërbëtorët e Solomonit ishin të bekuar sepse mund të dëgjonin vazhdimisht mençurinë që Perëndia i kishte dhënë Solomonit. Sa shembull i shkëlqyer është mbretëresha e Shebës për popullin e Jehovait sot, i cili gjen kënaqësi në mençurinë e vetë Krijuesit dhe në atë të Birit të tij, Jezu Krishtit!
Po aq i rëndësishëm ishte edhe komenti tjetër që bëri mbretëresha për Solomonin: «Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia yt!» (1. Mbretërve 10:9) Nga sa duket, ajo pa dorën e Jehovait në mençurinë dhe begatinë e Solomonit. Kjo pajtohet me atë që i kishte premtuar Jehovai kohë më parë Izraelit. ‘Respektimi i statuteve të mia’,—tha ai,—«do të jetë dituria dhe zgjuarsia juaj në sytë e popujve, të cilët, duke dëgjuar të flitet për të gjitha këto statute, kanë për të thënë: ‘Ky komb i madh është një popull i ditur dhe i zgjuar.’»—Ligji i përtërirë 4:5-7.
T’i afrohemi Dhënësit të mençurisë
Në kohët moderne, miliona njerëz janë tërhequr, gjithashtu, drejt organizatës së Jehovait, sepse kanë kuptuar që ‘Izraeli i Perëndisë’ është «një popull i ditur dhe i zgjuar», jo nga natyra, por sepse udhëhiqet nga ligjet dhe parimet e përsosura të Perëndisë. (Galatasve 6:16) Shifrat e pagëzimit tregojnë se në vitet e fundit qindra mijë dishepuj të rinj çdo vit, i kanë thënë në fakt Izraelit frymor: «Ne duam të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar se Perëndia është me ju.» (Zaharia 8:23) Sa mahniten këta të rinj në të vërtetën kur shohin banketin e ushqimit frymor që ka shtruar Jehovai përpara shërbëtorëve të tij! Nuk e kishin parë kurrë më parë një gjë të tillë në fetë ku kishin qenë.—Isaia 25:6.
T’i japim Dhënësit më të Madh
Pasi kanë marrë kaq shumë gjëra, njerëzit me çmueshmëri pyesin veten natyrshëm se çfarë mund t’i japin Mbretit dhe Dhënësit më të madh, Perëndisë Jehova. Bibla zbulon se dhurata më e madhe që mund t’i japim Jehovait është «një flijim lavdie». (Hebrenjve 13:15) Përse? Sepse ky flijim lidhet drejtpërdrejt me shpëtimin e jetës, një çështje me interes kryesor për Jehovain në këtë kohë të fundit. (Ezekieli 18:23) Përveç kësaj, dhënia e fuqisë dhe e kohës për të ndihmuar të sëmurët, të dëshpëruarit dhe të tjerët është një flijim i pëlqyeshëm.—1. Thesalonikasve 5:14; Hebrenjve 13:16; Jakobit 1:27.
Kontributet financiare luajnë një rol kyç. Ato bëjnë të mundur prodhimin e Biblave, të literaturës së bazuar në Bibël dhe sigurimin e vendeve ku të krishterët të mund të mblidhen. (Hebrenjve 10:24, 25) Gjithashtu, kontributet sigurojnë fonde për të ndihmuar viktimat e luftërave dhe të katastrofave natyrore.
Për të na udhëhequr në çështjen e dhënies, Fjala e Perëndisë paraqet disa parime të shkëlqyera. Për shembull, ajo mëson se të krishterët japin, jo ndonjë sasi të përcaktuar, por atë që kanë mundësi, në mënyrë të arsyeshme, duke e bërë këtë me gatishmëri, me një zemër të gëzuar. (2. Korintasve 9:7) Disa mund të japin shumë, kurse të tjerë, ngjashëm vejushës nevojtare në kohën e Jezuit, mund të jenë në gjendje të japin vetëm pak. (Luka 21:2-4) A nuk është diçka e jashtëzakonshme që Jehovai, Pronari i gjithë universit, vlerëson çdo dhuratë dhe sakrificë me motive të drejta që bëhet në emrin e tij?—Hebrenjve 6:10.
Me qëllim që të mund të japin me gëzim, populli i Jehovait mbahet i informuar rreth nevojave të ndryshme, si edhe rreth mënyrave të efektshme se si mund të plotësohen këto nevoja. Nga ana e vet, fryma e Jehovait i nxit zemrat e gatshme që të reagojnë. Kjo ishte procedura që u përdor në Izraelin e lashtë për ndërtimin e tabernakullit dhe më vonë të tempullit. (Eksodi 25:2; 35:5, 21, 29; 36:5-7; 39:32; 1. Kronikave 29:1-19) Në shekullin e parë të e.s., e njëjta procedurë u mundësoi të krishterëve të kishin burimet që u nevojiteshin për t’ua çuar lajmin e mirë të Mbretërisë kombeve dhe për të mbështetur vëllezërit në Izrael gjatë një zie buke.—1. Korintasve 16:2-4; 2. Korintasve 8:4, 15; Kolosianëve 1:23.
Në mënyrë të ngjashme, sot, Jehovai e ka bekuar popullin e tij dhe do të vazhdojë ta bekojë, duke i dhënë atë që u nevojitet për të përfunduar fushatën më të madhe të predikimit e të mësimdhënies që ka parë ndonjëherë bota.—Mateu 24:14; 28:19, 20.
Cilat janë nevojat e tanishme?
Vitet e fundit Dëshmitarët e Jehovait janë regjistruar në shumë vende ku vepra e tyre ishte e kufizuar më përpara. Si rezultat, shumë nga këto vende kanë përjetuar një rritje të jashtëzakonshme të numrit të lajmëtarëve. Kuptohet që ka kërkesa të mëdha për Bibla dhe literaturë të bazuar në Bibël.
Po kështu është edhe me Sallat e Mbretërisë. Në këtë moment, në të gjithë botën nevojiten rreth 9.000 Salla të reja Mbretërie. Nëse do të ndërtohej një Sallë Mbretërie në ditë, do të duheshin më shumë se 24 vjet për të plotësuar nevojat e tanishme! Ndërkohë, çdo ditë formohen rreth shtatë kongregacione të reja, shumë prej tyre në vende të botës ku burimet financiare janë të kufizuara. Nga ana tjetër, shumë nga këto vende nuk kërkojnë ndërtesa të kushtueshme. Në disa vende, një Sallë Mbretërie që përmbush nevojat dhe që shërben si një dëshmi e mirë për banorët përreth, mund të ndërtohet për një shumë prej vetëm 6.000 dollarësh.
Në shekullin e parë, disa të krishterë ishin më mirë nga ana financiare se disa të tjerë, kështu që apostulli Pavël shkroi: «Të ndiqet një kriter barazimi, që tani mbushullia juaj të plotësojë nevojat e tyre, kështu që edhe mbushullia e tyre të plotësojë nevojat tuaja, që të ketë barazi.» (2. Korintasve 8:14) Sot, një «barazi» e ngjashme po siguron fondet e nevojshme për të vënë në dispozicion Bibla, literaturë biblike, Salla Mbretërie, ndihmë në kohë katastrofash dhe gjëra të tjera në shumë vende të botës. Çfarë bekimi është kjo dhënie, si për atë që jep, ashtu edhe për atë që merr!—Veprat 20:35.
Siç tregohet nga letrat që merr Shoqata prej njerëzve me zemër bujare, shumë lexues të kësaj reviste dëshirojnë të ndihmojnë, por nuk janë të sigurt rreth mënyrave në të cilën mund të bëhen kontributet. Kutia shoqëruese pa dyshim që do t’i ndihmojë për t’iu përgjigjur pyetjeve që kanë.
Gjatë mbretërimit të lavdishëm të Solomonit, «tërë mbretërit e dheut» që dëgjonin për të, shkonin ta vizitonin. Megjithatë, Bibla përmend vetëm një sundimtar, mbretëreshën e Shebës. (2. Kronikave 9:23) Çfarë sakrifice bëri ajo! Por edhe u bekua në mënyrë të pasur, madje aq shumë saqë në fund të vizitës mbeti «pa frymë dhe e mahnitur».—2. Kronikave 9:4, Today’s English Version.
Në të ardhmen, Jehovai, Mbreti dhe Dhënësi më i madh, do të bëjë shumë më tepër sesa mund të bënte Solomoni, për ata që bëjnë sakrifica për Të. Si reagim, këta do të mbeten «pa frymë dhe të mahnitur», sepse Jehovai jo vetëm që do t’i ruajë gjatë ditës së tij frikësuese të gjykimit, por pas kësaj, do të ‘hapë dorën e tij dhe do të plotësojë dëshirën e çdo qenieje të gjallë’.—Psalmi 145:16.
[Kutia në faqen 22]
Mënyrat që zgjedhin disa për të dhënë
KONTRIBUTE PËR VEPRËN MBARËBOTËRORE
SHUMË veta vënë mënjanë ose planifikojnë një shumë, të cilën e vendosin në kutitë e kontributeve që kanë etiketën «Kontribute për veprën mbarëbotërore—Mateu 24:14.» Çdo muaj, kongregacionet ia dërgojnë këto shuma ose qendrës botërore në Bruklin, Nju Jork, ose Zyrës së Degës lokale.
Kontributet vullnetare në para mund të dërgohen, gjithashtu, drejtpërdrejt në Zyrën e Thesarit, Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania, 25 Columbia Heights, Brooklyn, New York 11201-2483 ose në Zyrën e Shoqatës që shërben në shtetin tënd. Po ashtu, mund të dhurohen edhe bizhuteri ose sende të tjera me vlerë. Këto kontribute duhet të shoqërohen nga një letër e shkurtër që pohon se një gjë e tillë është një dhuratë pa kushte.
RREGULLIMI I KONTRIBUTEVE ME KUSHT
Paratë mund t’i jepen Shoqatës Watch Tower, nën një rregullim të veçantë, sipas të cilit, në rast nevoje personale, ato i kthehen dhënësit. Për më shumë informacion, të lutemi kontakto me Zyrën e Thesarit në adresën e paraqitur më lart.
DHËNIE E PLANIFIKUAR
Përveç dhurimit pa kusht dhe dhënies me kusht të parave, ka metoda të tjera dhënieje në dobi të shërbimit të Mbretërisë në mbarë botën. Ato përfshijnë:
Sigurimet: Shoqata Watch Tower mund të specifikohet si përfituesja e një dëftese sigurimi jete ose në një plan largimi nga puna a daljeje në pension.
Llogaritë bankare: Llogaritë bankare, certifikatat e depozitimeve ose llogaritë individuale të pensioneve mund të vendosen në mirëbesim të ose të pagueshme pas vdekjes, Shoqatës Watch Tower, në përputhje me kërkesat e bankës lokale.
Aksionet dhe obligacionet: Aksionet dhe obligacionet mund t’i dhurohen Shoqatës Watch Tower si një dhuratë pa kushte ose me një rregullim, me anë të të cilit të ardhurat vazhdojnë t’i paguhen dhuruesit.
Pasuria e patundshme: Pasuria e patundshme e shitshme mund t’i dhurohet Shoqatës Watch Tower ose duke e dhënë si dhuratë pa kushte, ose duke i rezervuar dhuruesit një pjesë të pasurisë së patundshme, ku ai të mund të jetojë gjatë jetës së tij ose të saj. Një person duhet të kontaktojë me Shoqatën para se t’i bëjë asaj një akt kalimi të ndonjë pasurie të patundshme.
Testamentet dhe lëniet në mirëbesim: Pasuria ose paratë mund t’i lihen si trashëgimi Shoqatës Watch Tower, nëpërmjet një testamenti të ekzekutuar ligjërisht ose Shoqata mund të specifikohet si përfituese e një marrëveshjeje mirëbesimi. Një dhënie me përfitim në mirëbesim ndaj një organizate fetare, mund të sigurojë nxjerrjen e disa dobive lidhur me taksat.
Duke qenë se përfshihet termi «dhënie e planifikuar», këto lloj kontributesh kërkojnë zakonisht njëfarë planifikimi nga ana e dhuruesit. Për të ndihmuar individët që dëshirojnë t’i sjellin dobi Shoqatës, përmes ndonjërës nga metodat e dhënies së planifikuar, Shoqata ka përgatitur një broshurë në gjuhën angleze, të titulluar Planned Giving to Benefit Kingdom Service Worldwide (Dhënie e planifikuar në dobi të shërbimit të Mbretërisë në mbarë botën). Broshura u shkrua në përgjigje të pyetjeve të shumta që i janë bërë Shoqatës në lidhje me dhuratat, testamentet dhe lëniet në mirëbesim. Gjithashtu, ajo përmban informacion plotësues të dobishëm në lidhje me pasurinë e patundshme, planifikimin financiar dhe atë të taksave. Dhe është bërë për të ndihmuar individët në Shtetet e Bashkuara që po planifikojnë t’i bëjnë tani një dhuratë të veçantë Shoqatës ose që të lënë një trashëgimi pas vdekjes, që të zgjedhin metodën më dobiprurëse dhe më të efektshme, duke marrë parasysh familjen e tyre dhe rrethanat personale. Kjo broshurë mund të merret duke i kërkuar drejtpërdrejt një kopje Zyrës së Dhënies së Planifikuar.
Pas leximit të broshurës dhe këshillimit me Zyrën e Dhënies së Planifikuar (Charitable Planning Office), shumë kanë mundur të ndihmojnë Shoqatën dhe ndërkohë të nxjerrin shumë dobi lidhur me taksat nga bërja e kësaj. Zyra e Dhënies së Planifikuar duhet të informohet dhe të marrë një kopje për çdo dokument që i përket cilitdo prej këtyre rregullimeve. Nëse jeni të interesuar për ndonjë prej këtyre rregullimeve të dhënies së planifikuar, duhet të kontaktoni me Zyrën e Dhënies së Planifikuar, duke shkruar ose telefonuar në adresat e radhitura më poshtë a në Zyrën e Shoqatës që shërben në shtetin ku janë.
CHARITABLE PLANNING OFFICE
Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
100 Watchtower Drive, Patterson, New York 12563-9204
Telefoni: (914) 306-1000
[Figurat në faqen 23]
Aktivitetet e Dëshmitarëve të Jehovait mbështeten me kontribute vullnetare