KAPITULLI 79
Pse është afër shkatërrimi?
JEZUI MERR SHKAS NGA DY TRAGJEDI PËR TË DHËNË NJË MËSIM
NJË GRUA E KËRRUSUR SHËROHET NË SABAT
Jezui është përpjekur në shumë raste t’i nxitë dëgjuesit të mendojnë për marrëdhënien e tyre me Perëndinë. Tani, pasi ka folur me ata që ndodhen jashtë shtëpisë së një fariseu, krijohet një rast tjetër.
Disa përmendin një ngjarje tragjike dhe tregojnë «për disa galileas, gjakun e të cilëve [guvernatori romak Ponc] Pilati e kishte përzier me gjakun e flijimeve të tyre». (Luka 13:1) Kur ndodhi kjo?
Ka mundësi që këta galileas të jenë vrarë kur mijëra judenj protestuan kundër Pilatit. Judenjtë nuk donin që ai të përdorte pará nga thesari i tempullit për të ndërtuar një ujësjellës për Jerusalemin. Pilati mund t’i ketë marrë paratë duke bashkëpunuar me autoritetet e tempullit. Ata që po e tregojnë këtë tragjedi, mbase mendojnë se galileasit u ndëshkuan ngaqë kishin bërë gjëra të këqija. Por Jezui nuk është dakord.
Ai i pyet: «Mendoni se ata galileas ishin më shumë mëkatarë se gjithë galileasit e tjerë, ngaqë vuajtën në atë mënyrë?» Përgjigjja është jo. Megjithatë, ai e përdor këtë ngjarje për t’i paralajmëruar judenjtë: «Në mos u pendofshi, ashtu do të shkatërroheni edhe ju të gjithë.» (Luka 13:2, 3) Pastaj Jezui përmend një tragjedi tjetër, mbase të kohëve të fundit, që mund të lidhet me ndërtimin e ujësjellësit.
Ai i pyet: «Mendoni se ata 18 njerëz mbi të cilët ra kulla në Siloam dhe i vrau, ishin më shumë fajtorë se gjithë banorët e tjerë të Jerusalemit?» (Luka 13:4) Mbase turma mendon se këta njerëz vdiqën si pasojë e gjërave të këqija që kishin bërë. Por, përsëri Jezui nuk është dakord. Ai e di se, me shumë mundësi, kjo tragjedi ka ndodhur si pasojë e ‘kohëve të vështira dhe ngjarjeve të papritura’. (Eklisiastiu 9:11) Gjithsesi, njerëzit duhet të nxjerrin një mësim nga kjo ngjarje. Jezui u thotë: «Në mos u pendofshi, ju do të shkatërroheni të gjithë, si ata.» (Luka 13:5) Pse Jezui e thekson këtë mësim pikërisht tani?
Shërbimit të Jezuit në tokë po i afrohet fundi, prandaj ai e ilustron kështu gjendjen e kombit: «Një njeri kishte mbjellë një fik në vreshtin e tij dhe shkoi të mblidhte fryte, por nuk gjeti asgjë. Atëherë i tha vreshtarit: ‘U bënë tre vjet që vij të mbledh fryte nga ky fik, por s’kam gjetur asnjë kokërr. Prite! Pse ta zërë tokën kot?!’ Por ai iu përgjigj: ‘Zotëri, lëre edhe këtë vit, sa ta punoj tokën rreth e rrotull dhe t’i hedh pleh. Nëse pastaj prodhon fryt, mirë, përndryshe prite.’»—Luka 13:6-9.
Për më se tre vjet, Jezui është përpjekur t’i ndihmojë judenjtë të zhvillojnë besim, e megjithatë pak janë bërë dishepuj. Gjatë vitit të katërt të shërbimit, Jezui i intensifikon përpjekjet. Duke predikuar dhe duke mësuar në Jude dhe në Pere, është sikur Jezui prashit dhe plehëron tokën rreth fikut simbolik, pra kombit jude. Me ç’rezultat? Vetëm një numër i vogël judenjsh po përgjigjen pozitivisht. Kombi jude, si një i tërë, nuk pendohet dhe e pret shkatërrimi.
Mungesa e pendimit del sërish në pah gjatë një Sabati. Jezui është duke mësuar në sinagogë dhe sheh një grua krejt të kërrusur, ngaqë është e pushtuar nga një demon prej 18 vjetësh. Me dhembshuri, ai i thotë: «O grua, je çliruar nga vuajtjet e tua.» (Luka 13:12) Pastaj Jezui vendos duart mbi të dhe ajo drejtohet në çast e nis t’i japë lavdi Perëndisë.
Kjo e indinjon të parin e sinagogës, i cili thotë: «Ka gjashtë ditë për të punuar, prandaj hajdeni të shëroheni gjatë këtyre ditëve dhe jo në Sabat.» (Luka 13:14) Ai nuk po mohon se Jezui ka fuqi të shërojë, por po qorton popullin që vjen të shërohet në Sabat. Ja pse Jezui bën këtë arsyetim logjik: «Hipokritë, a nuk e zgjidhni të gjithë ju në Sabat, demin a gomarin nga stalla që ta çoni për të pirë? A nuk e meritonte kjo grua, që është bijë e Abrahamit dhe që Satanai e mbajti të lidhur për 18 vjet, të çlirohej nga këta vargonj në Sabat?»—Luka 13:15, 16.
Kundërshtarët ndihen të turpëruar, por turmat gëzohen nga gjërat e mrekullueshme që po bën Jezui. Ndërsa është ende në Jude, ai përsërit dy ilustrime profetike. Këto ilustrime që lidhen me Mbretërinë, Jezui i ka përmendur më parë nga një varkë në detin e Galilesë.—Mateu 13:31-33; Luka 13:18-21.