Kapitulli 79
Një komb i humbur, por jo i gjithë
PAK pas diskutimit me turmën e mbledhur jashtë shtëpisë së një fariseu, disa njerëz i tregojnë Jezuit «për ata galileas, gjakun e të cilëve [guvernatori romak Ponc] Pilati e kishte përzier me atë të sakrificave të tyre». Këta galileas, ka të ngjarë të jenë ata që u vranë, kur mijëra judenj protestuan kundër përdorimit të parave të thesarit të tempullit nga Pilati, për ndërtimin e një ujësjellësi që do të sillte ujë në Jerusalem. Ata që po ia referojnë këtë çështje Jezuit, ndoshta duan të thonë se shkak për katastrofën që pësuan galileasit, ishin veprat e tyre të liga.
Por, Jezui i korrigjon, duke pyetur: «A mendoni ju se ata galileas ishin më shumë mëkatarë nga të gjithë galileasit e tjerë, sepse vuajtën të tilla gjëra?» «Unë, po ju them: Jo!»—përgjigjet Jezui. Pastaj e përdor këtë ngjarje për të paralajmëruar judenjtë: «Por, nëse ju nuk pendoheni, do të vdisni të gjithë me të njëjtën mënyrë.»
Duke vazhduar, Jezui kujton një tragjedi tjetër lokale që ndoshta, gjithashtu, ka lidhje me ndërtimin e ujësjellësit. Ai pyet: «Ose, a mendoni ju, që ata të tetëmbëdhjetë, mbi të cilët ra kulla në Siloe dhe i vrau, ishin më shumë fajtorë se gjithë banorët e Jerusalemit?» Jo, Jezui thotë se nuk ishte ligësia, shkaku për të cilin vdiqën këta njerëz. Në vend të kësaj, «koha dhe rastësia», janë zakonisht përgjegjëse për tragjedi të tilla. Sidoqoftë, edhe një herë, Jezui e shfrytëzon këtë rast për të paralajmëruar: «Por nëse ju nuk pendoheni, do të vdisni të gjithë me të njëjtën mënyrë.»
Pastaj, Jezui vazhdon me një ilustrim të përshtatshëm, duke shpjeguar: «Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e tij; ai erdhi e kërkoi fryte, por nuk gjeti. Atëherë i tha vreshtarit: ‘Ja, u bënë tre vjet tashmë që unë vij e kërkoj frytin e këtij fiku dhe s’po gjej; preje, pse të zërë kot tokën?’ Por ai u përgjigj dhe tha: ‘Zot, lëre edhe këtë vit, që ta punoj përreth dhe t’i hedh pleh, dhe po dha fryt mirë; përndryshe, pastaj do ta presësh.’»
Jezui ka më shumë se tre vjet që përpiqet të kultivojë besim mes kombit judaik. Por vetëm disa qindra dishepuj mund të numërohen si fryt i përpjekjeve të tij. Tani, gjatë vitit të katërt të shërbimit të tij, ai po i intensifikon përpjekjet: në mënyrë simbolike po e punon tokën përreth fikut judaik dhe po i hedh pleh, duke predikuar dhe duke mësuar me zell në Jude dhe në Pere. Por megjithatë, pa rezultat! Kombi nuk pranon të pendohet dhe për këtë meriton shkatërrimin. Vetëm një mbetje e tij reagon në mënyrë të favorshme.
Pak pas kësaj, një të shtunë, Jezui mëson në një sinagogë. Atje ai shikon një grua, e cila për shkak të një demoni që e mundon, ka mbetur e palosur më dysh për 18 vjet rresht. Me dhembshuri, Jezui i drejtohet, duke i thënë: «O grua, ti je e liruar nga lëngata jote.» Pas kësaj, ai vendos dorën mbi të dhe menjëherë ajo drejtohet dhe fillon të lëvdojë Perëndinë.
Por kryetari i sinagogës, zemërohet. «Gjashtë janë ditët kur duhet të punohet,—proteston ai.—Ejani, pra, të shëroheni në ato ditë dhe jo ditën e shtunë.» Në këtë mënyrë, kryetari e pranon fuqinë që ka Jezui për të shëruar, por i dënon njerëzit për faktin që kanë ardhur të shërohen ditën e shtunë!
«Hipokritë,—përgjigjet Jezui,—a nuk e zgjidh secili prej jush nga grazhdi kaun e vet ose gomarin e ta çojë për të pirë? A nuk duhej, pra, të zgjidhej nga këto pranga, ditën e shtunë, kjo që është bijë e Abrahamit dhe që Satani e mbajti lidhur prej tetëmbëdhjetë vjetësh?»
Mirë pra, me të dëgjuar këtë, ata që e kundërshtonin Jezuin, fillojnë të ndihen të turpëruar. Turma, përkundrazi, ngazëllon për të gjitha gjërat e lavdishme që pa të bënte Jezui. Për pasojë, Jezui përsërit dy ilustrime profetike që kanë të bëjnë me Mbretërinë e Perëndisë, të cilat i ka treguar rreth një vit më parë, nga një barkë në Detin e Galilesë. Luka 13:1-21; Predikuesi 9:11; Mateu 13:31-33.
▪ Cilat tragjedi përmenden në këtë rast dhe çfarë mësimi jep Jezui nëpërmjet tyre?
▪ Çfarë aplikimi mund të bëhet në lidhje me fikun e pafrytshëm, si dhe në lidhje me përpjekjet për ta bërë prodhimtar?
▪ Në ç’mënyrë e pranon kryetari i sinagogës aftësinë që ka Jezui për të shëruar, por si e demaskon Jezui hipokrizinë e tij?