«Bëjini miqtë me pasuri të padrejta»
«Bëjini miqtë me pasuri të padrejta . . . Kush është besnik në të vogla, është besnik edhe në të mëdhatë.»—LUKA 16:9, 10.
1. Si e lavdëruan Jehovain, Moisiu dhe bijtë e Izraelit, pas daljes së tyre nga Egjipti?
TË ÇLIRUAR me anë të një mrekullie: një përvojë që me të vërtetë të forcon besimin! Merita për daljen e Izraelit nga Egjipti nuk mund t’i jepet askujt tjetër përveç Jehovait, të Plotfuqishmit. Nuk habitemi, pra, që Moisiu dhe izraelitët kënduan: «Zoti është forca dhe fuqia ime, Ai, veç Ai më shpëtoi! Ai është Hyji im, Atë lavdëroj! Është Hyji i atit tim: Atë e lartësoj!»—Të Dalët 15:1, 2, DSF; Ligji i përtërirë 29:2.
2. Çfarë mori me vete populli i Jehovait kur u largua nga Egjipti?
2 Sa e ndryshme ishte liria që Izraeli sapo kishte gjetur, me gjendjen e tyre në Egjipt! Tani, ata mund të adhuronin Jehovain pa asnjë pengesë. Dhe për më tepër, ata nuk e lanë Egjiptin duarbosh. Moisiu thotë: «Dhe bijtë e Izraelit . . . u kërkuan Egjiptasve sende argjendi, sende ari dhe rroba; dhe Zoti bëri që Egjiptasit ta shikonin me sy të mirë popullin dhe t’i jepnin atë që kërkonte. Kështu i zhveshën Egjiptasit.» (Të Dalët 12:35, 36) Por, si i përdorën ata pasuritë e Egjiptit? A sollën ato si rezultat ‘lartësimin e Jehovait’? Çfarë mësojmë ne prej shembullit të tyre?—Krahaso 1. Korintasve 10:11.
‘Ofertë Jehovait’
3. Cilin reagim të Jehovait nxiti përdorimi që i bëri Izraeli arit në adhurimin e rremë?
3 Gjatë qëndrimit prej 40 ditësh të Moisiut në malin Sinai, për të marrë udhëzimet e Perëndisë për Izraelin, populli që po priste poshtë e humbi durimin. Duke hequr vathët e tyre prej floriri, e urdhëruan Aaronin të bënte një shëmbëlltyrë për ta, që ta adhuronin. Aaroni ndërtoi për ta edhe një altar dhe një ditë më pas ata ofruan aty sakrifica. A i pëlqeu Çliruesit të tyre ky përdorim që i bënë ata arit? Sigurisht që jo! «Më lër, pra,—i deklaroi Jehovai Moisiut,—të veproj, në mënyrë që zemërimi im të ndizet kundër tyre dhe t’i konsumoj.» Vetëm falë lutjes së Moisiut, Jehovai e kurseu kombin, edhe pse krerët rebelë u vranë nga një plagë e dërguar prej Perëndisë.—Të Dalët 32:1-6, 10-14, 30-35.
4. Çfarë ishte «oferta e Jehovait» dhe kush e ofroi atë?
4 Më vonë, Izraeli pati mundësinë që t’i përdorte pasuritë që zotëronte në një mënyrë që i pëlqente Jehovait. Ata dhanë ‘një ofertë për Jehovain’.a Ar, argjend, bakër, fije blu, materiale të ndryshme të ngjyera, lëkura dashi, lëkura foke dhe dru akacie përbënin disa nga dhuratat për ndërtimin dhe furnizimin e tabernakullit. Tregimi e përqendron vëmendjen tonë mbi qëndrimin e dhuruesve. «Kushdo që ka zemër bujare do t’i çojë një ofertë Zotit [Jehovait, BR].» (Të Dalët 35:5-9) Izraeli u përgjigj me një forcë të madhe. Për këtë arsye, e thënë me fjalët e një studiuesi, tabernakulli ishte një strukturë me «madhështi të bukur e sublime».
Kontribute për tempullin
5, 6. Në lidhje me tempullin, si e përdori Davidi pasurinë e tij dhe si u përgjigjën të tjerët?
5 Edhe pse mbreti izraelit, Solomoni, drejtoi ndërtimin e një shtëpie të qëndrueshme për adhurimin e Jehovait, i ati, Davidi, kishte bërë përgatitje të mëdha për të. Davidi mblodhi një sasi të madhe ari, argjendi, bakri, hekuri, lëndësh ndërtimi dhe gurësh të çmuar. «Duke qenë se e kam vendosur dashurinë time mbi shtëpinë e Perëndisë tim,—i tha Davidi popullit të tij,—përveç asaj që kam përgatitur për shtëpinë e shenjtërores, i dhuroj shtëpisë së Perëndisë tim thesarin tim personal prej ari dhe argjendi: tre mijë talenta ari . . . dhe shtatë mijë talenta argjendi të kulluar për të veshur muret e shenjtërores.» Davidi i nxiti edhe të tjerët që të ishin bujarë. Përgjigjja ishte e bollshme. ‘Me gjithë zemër’ populli bëri ‘oferta vullnetare për Zotin’.—1. Kronikat 22:5; 29:1-9.
6 Me anë të këtyre kontributeve vullnetare, izraelitët shprehën vlerësimin e tyre të thellë për adhurimin e Jehovait. Davidi u lut me përulësi: «Kush jam unë dhe kush është populli im që jemi në gjendje të të ofrojmë gjithçka në mënyrë spontane?» Përse? «Të gjitha gjërat vijnë nga ti, dhe ne të kemi kthyer thjesht atë që kemi marrë nga dora jote. . . . Prandaj në drejtësinë e zemrës sime të kam ofruar në mënyrë spontane tërë këto gjëra.»—1. Kronikat 29:14, 17.
7. Çfarë mësimi paralajmërues nxjerrim prej ditëve të Amosit?
7 Megjithatë, fiset e Izraelit nuk vazhduan t’i jepnin përparësi adhurimit të Jehovait në mendjet dhe zemrat e tyre. Aty nga shekulli i nëntë p.e.s., Izraeli i përçarë ishte bërë fajtor për lënien pas dore të gjërave frymore. Në lidhje me mbretërinë veriore të të dhjetë fiseve të Izraelit, Jehovai deklaroi me anë të Amosit: «Mjerë ata që jetojnë në bollëk në Sion dhe që e ndjejnë veten të sigurt në malin e Samarias.» Ai i përshkroi ata si njerëz që «rrinë shtrirë mbi shtretër prej fildishi, që shtrihen mbi divanet e tyre . . . hanë qengjat e kopesë dhe viçat që merren nga stalla. . . . pinë verë në kupa të gjera». Por pasuria e tyre nuk është mbrojtje. Perëndia paralajmëroi: «Do të shkojnë në robëri në krye të të internuarve dhe ata që shtrihen mbi divanet në banketet do të hiqen.» Në vitin 740 p.e.s., Izraeli vuajti nga duart e Asirisë. (Amosi 6:1, 4, 6, 7) Me kalimin e kohës, mbretëria jugore e Judës, gjithashtu, ra viktimë e materializmit.—Jeremia 5:26-29.
Përdorimi i duhur i pasurive gjatë krishterimit
8. Çfarë shembulli të mirë na dhanë Jozefi dhe Marija në lidhje me përdorimin e pasurisë?
8 Përkundrazi, konditat relativisht të varfra të shërbëtorëve të Perëndisë në kohët e më vona, nuk i penguan ata që të tregonin zell për adhurimin e vërtetë. Le të shohim, për shembull, Marijen dhe Jozefin. Duke iu bindur dekretit të Çesar Augustit, ata udhëtuan për në qytetin e tyre të lindjes, Bethlehem. (Luka 2:4, 5) Aty lindi Jezui. Dyzet ditë më vonë, Jozefi dhe Marija vizituan tempullin pranë Jeruzalemit, për të dhënë ofertën e kërkuar për pastrimin. Duke treguar gjendjen e tyre të varfër materiale, Marija ofroi dy zogj të vegjël. As ajo, as Jozefi nuk thanë se varfëria e tyre ishte një arsye e drejtë për të mos i bërë një flijim Jehovait. Përkundrazi, ata i përdorën me bindje pasuritë e tyre të pakta.—Levitiku 12:8; Luka 2:22-24.
9-11. (a) Çfarë këshille na sigurojnë në lidhje me përdorimin e parave tona, fjalët e Jezuit në Mateun 22:21? (b) Përse kontributi i vogël i vejushës nuk ishte një ofertë e kotë?
9 Më vonë, farisenjtë dhe ithtarët e partisë së Herodit u përpoqën ta mashtronin Jezuin, duke i thënë: «Na thuaj, pra: Si e mendon? A është e ligjshme t’i paguhet taksa Cezarit apo jo?» Jezui u përgjigj, duke nxjerrë në pah njohurinë e tij. Duke iu referuar monedhës që i dhanë, Jezui pyeti: «E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?» Ata ia kthyen: «E Cezarit.» Me mençuri ai përfundoi: «Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë.» (Mateu 22:17-21) Jezui e dinte se autoriteti që kishte prerë atë monedhë priste që të paguheshin taksat. Por në këtë rast, ai i ndihmoi ithtarët e tij, si edhe armiqtë, që të kuptonin se një i krishterë i vërtetë bën përpjekje që t’i kthejë edhe «Perëndisë gjërat e Perëndisë». Kjo përfshin përdorimin e duhur të të mirave materiale.
10 Këtë e ilustron edhe një ndodhi në tempull, në të cilën Jezui ishte dëshmitar. Ai sapo kishte dënuar skribët lakmitarë, të cilët ‘gllabëronin shtëpitë e të vejave’. «Pastaj Jezusi i çoi sytë dhe pa pasanikët që qitnin dhuratat e tyre në arkën e thesarit,—raporton Luka.—Dhe pa edhe një të ve të varfër që qiti dy pare të vogla dhe tha: ‘Në të vërtetë po ju them se kjo e ve e varfër ka qitur më shumë se gjithë të tjerët. Sepse të gjithë këta dhanë nga tepricat e pasurisë së tyre për shtëpinë e Perëndisë, kurse ajo, në varfërinë e vet, dha gjithçka që kishte për të jetuar.’» (Luka 20:46, 47; 21:1-4) Disa nga njerëzit thanë se tempulli ishte zbukuruar me gurë të çmuar. Jezui u përgjigj: «Nga të gjitha këto gjëra që ju admironi, do të vijnë ditët kur nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar.» (Luka 21:5, 6) A kishte qenë i kotë kontributi i vogël i vejushës? Sigurisht që jo. Ajo mbështeti rregullimet që Jehovai kishte vendosur në atë kohë.
11 Jezui u tha ithtarëve të tij të vërtetë: «Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve; njërin nuk do ta përfillë, kurse tjetrin do ta preferojë. Ndaj njërit do të jetë besnik, kurse tjetrin do ta përbuzë. Nuk mund t’i shërbeni njëkohësisht Perëndisë dhe pasurisë!» (Luka 16:13, ECM) Pra, si mund të tregojmë drejtpeshimin e duhur në përdorimin e burimeve tona materiale?
Administratorët besnikë
12-14. (a) Të krishterët janë administratorë të cilës pasuri? (b) Në cilat mënyra të jashtëzakonshme e kanë përmbushur me besnikëri shërbëtorët e sotëm të Jehovait detyrën e tyre si administratorë? (c) Nga vijnë paratë që mbështesin veprën e Perëndisë sot?
12 Kur jetën tonë ia dedikojmë Jehovait, në të vërtetë ne themi se çdo gjë që kemi, të gjitha pasuritë tona, i përkasin atij. Si duhet ta përdorim, pra, atë që kemi? Duke folur për shërbimin e krishterë në kongregacion, vëllai Rusell, kryetari i parë i Shoqatës Watch Tower, shkroi: «Secili duhet ta konsiderojë veten të emëruar nga Zotëria si administrator të kohës, të ndikimit, të parave të tij, etj., dhe secili duhet të përpiqet që t’i përdorë këto talenta në mënyrën më të mirë që mundet, në lavdi të Zotërisë.»—The New Creation, faqe 345.
13 «E tjetra që kërkohet nga administratorët, është që secili të gjendet besnik»,—pohon 1. Korintasve 4:2. Si një organizatë ndërkombëtare, Dëshmitarët e Jehovait veprojnë në përputhje me këtë përshkrim, duke e përdorur kohën e tyre sa më shumë të mundin në shërbimin e krishterë, duke kultivuar me kujdes aftësitë e tyre mësimdhënëse. Për më tepër, skuadra vullnetarësh, nën drejtimin e Komiteteve Rajonale të Ndërtimit, japin me dëshirë kohën, fuqinë dhe njohurinë e tyre për të ndërtuar salla të bukura mbledhjesh që përdoren për adhurim. Me të gjitha këto, Jehovai është mjaft i kënaqur.
14 Prej nga vijnë paratë për të mbështetur këtë fushatë të madhe mësimi dhe këtë vepër ndërtimi? Nga persona me zemër bujare, ashtu si edhe në ditët e ndërtimit të tabernakullit. Individualisht, a po bëjmë edhe ne pjesën tonë? A tregon mënyra në të cilën i përdorim mjetet tona financiare se shërbimi i Jehovait ka një rëndësi kryesore për ne? Në lidhje me paratë, le të jemi administratorë besnikë.
Një shembull bujarie
15, 16. (a) Si treguan bujari të krishterët në ditët e Palit? (b) Si duhet ta konsiderojmë diskutimin e sotëm?
15 Apostulli Pavël shkroi mbi frymën bujare të të krishterëve në Maqedoni dhe Akai. (Romakëve 15:26) Edhe pse kishin hallet e tyre, ata kontribuan të gatshëm për të ndihmuar vëllezërit e tyre. Pavli i inkurajoi të krishterët e Korintit që në mënyrë të ngjashme të jepnin me bujari, duke dhuruar tepricat e tyre për të mbushur mungesat e të tjerëve. Askush nuk mund ta akuzojë me të drejtë Pavlin për marrje me forcë. Ai shkroi: «Ai që mbjell me kursim, do të korrë po me kursim; dhe ai që mbjell dorëhapur edhe do të korrë dorëhapur. Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën, as me keqardhje as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar.»—2. Korintasve 8:1-3, 14; 9:5-7, 13.
16 Kontributet bujare që bëjnë sot vëllezërit tanë dhe personat e interesuar për veprën ndërkombëtare të Mbretërisë, dëshmojnë se sa shumë e çmojnë ata këtë privilegj. Por, ashtu siç u kujtoi Pavli korintasve, edhe ne bëjmë mirë ta konsiderojmë këtë diskutim si një përkujtues.
17. Çfarë modeli inkurajoi Pavli në lidhje me dhënien dhe a mund të zbatohet ai sot?
17 Pavli i nxiti vëllezërit që të ndiqnin një model në dhënien e dhuratave të tyre: «Të parën ditë të çdo jave, secili nga ju le të vërë mënjanë aq sa mundet sipas të ardhurave të tij.» (1. Korintasve 16:1, 2) Kjo mund të shërbejë si shembull edhe për ne dhe për fëmijët tanë në kontributet që japim, në çfarëdolloj mënyre, nëpërmjet kongregacionit ose drejtpërdrejtë në zyrën e degës më të afërt të Shoqatës Watch Tower. Një çift misionarësh të caktuar për të predikuar në një qytet në Afrikën Lindore, i ftuan të interesuarit që të bashkoheshin me ta për një studim biblik. Në fund të mbledhjes së parë, misionarët hodhën me lezet disa monedha në një kuti ku shkruhej «Kontribute për veprën e Mbretërisë». Edhe disa pjesëmarrës të tjerë vepruan po njësoj. Më vonë, pasi këta persona të rinj të interesuar u organizuan në një kongregacion të krishterë, mbikëqyrësi qarkor i vizitoi dhe i bëri përshtypje rregullsia e kontributeve të tyre.—Psalmi 50:10, 14, 23.
18. Si mund t’i ndihmojmë vëllezërit tanë në vështirësi?
18 Kemi, gjithashtu, privilegjin që t’i përdorim pasuritë tona për të ndihmuar viktimat e shkatërrimeve natyrore dhe ata që jetojnë në zona ku ziejnë luftërat. Sa të emocionuar jemi kur lexojmë për ndihmat e dërguara në Evropën Lindore, në një kohë që trazirat ekonomike dhe politike kanë përfshirë atë pjesë të botës! Kontributet me gjëra të domosdoshme dhe me para treguan bujarinë dhe solidaritetin e vëllezërve tanë me të krishterët që ndodhen në kushte jo të favorshme.b—2. Korintasve 8:13, 14.
19. Çfarë gjërash praktike mund të bëjmë për të ndihmuar ata që janë në shërbim të plotë kohor?
19 Ne e vlerësojmë shumë punën e vëllezërve tanë që janë të angazhuar në shërbimin e plotë kohor si pionierë, mbikëqyrës udhëtues, misionarë dhe vullnetarë në Bethel, apo jo? Aq sa na lejojnë rrethanat, ne mund t’u sigurojmë atyre ndihmë materiale të drejtpërdrejtë. Për shembull, kur mbikëqyrësi qarkor viziton kongregacionin tuaj, mund t’i siguroni atij shtëpi, ushqim apo ndihmë për të përballuar shpenzimet e tij të udhëtimit. Një bujari e tillë nuk do të kalojë pa u vërejtur nga Ati ynë qiellor, i cili dëshiron që shërbëtorët e tij të kujdesen për këto gjëra. (Psalmi 37:25) Disa vite më parë, një vëlla që kishte mundësi të pakta për të ofruar, ftoi në shtëpinë e vet mbikëqyrësin udhëtues dhe gruan e tij. Kur familja doli në mbrëmje për shërbimin në fushë, vëllai u dha vizitorëve një zarf. Brenda ndodhej një bankënotë (e barazvlefshme me një dollar) bashkë me një shënim: «Për një filxhan çaji ose për pak benzinë për makinën.» Çfarë vlerësimi të shkëlqyer shprehu, edhe pse në një mënyrë të përulur!
20. Çfarë privilegji dhe përgjegjësie nuk duhet të lëmë pas dore?
20 Në mënyrë frymore, populli i Jehovait është i bekuar! Ne gëzojmë bankete frymore në asambletë dhe në kongreset tona, ku marrim botime të reja, mësime të shkëlqyera dhe këshilla praktike. Me zemrat plot çmueshmëri për bekimet tona frymore, ne nuk harrojmë privilegjin dhe përgjegjësinë tonë për të kontribuar fonde që do të përdoren për të çuar përpara në mbarë botën interesat e Mbretërisë së Perëndisë.
‘Bëjini miqtë me pasuri të padrejta’
21, 22. Çfarë do të ndodhë së shpejti me «pasuritë e padrejta» dhe çfarë veprimi i drejtë kërkohet që të bëjmë tani?
21 Vërtet, ka shumë mënyra në të cilat mund të tregojmë se adhurimi i Jehovait është i pari në jetën tonë dhe një aspekt veçanërisht i rëndësishëm në këtë drejtim përfshin edhe ndjekjen e këshillës së Jezuit: «Bëjini miqtë me pasuri të padrejta sepse, kur këto do t’ju mungojnë, t’ju pranojnë në banesat e përjetshme.»—Luka 16:9.
22 Vërej se Jezui foli për mungesën e pasurive të padrejta. Po, do të vijë dita kur paratë e këtij sistemi nuk do të kenë më vlerë. «Do të hedhin argjendin e tyre nëpër rrugë dhe ari i tyre do të bëhet një ndyrësi,—profetizoi Ezekieli.—Argjendi i tyre dhe ari i tyre nuk do të mund t’i shpëtojnë ditën e zemërimi të Zotit.» (Ezekieli 7:19) Derisa të ndodhë kjo, mund të ushtrojmë dituri dhe mençuri në mënyrën në të cilën i përdorim pasuritë tona materiale. Kështu, nuk do të shohim me keqardhje se mund të kemi dështuar në ndjekjen e paralajmërimit të Jezuit: «Nëse nuk e keni provuar veten besnikë në lidhje me pasuritë e padrejta, kush do t’jua besojë atë që është e vërtetë? . . . Nuk mund të jeni edhe skllevër të Perëndisë edhe të pasurive.»—Luka 16:11-13, BR.
23. Çfarë duhet të përdorim me mençuri dhe cili do të jetë shpërblimi ynë?
23 Me besnikëri, pra, të gjithë ne le t’u vëmë veshin këtyre përkujtuesve, për të vënë adhurimin e Jehovait në vend të parë në jetën tonë dhe t’i përdorim me mençuri të gjitha pasuritë tona. Në këtë mënyrë, mund të ruajmë miqësinë me Jehovain dhe Jezuin, të cilët na premtojnë se kur paratë të dështojnë, ata do të na pranojnë «në banesat e përjetshme», me perspektivën e jetës së përhershme, qoftë në Mbretërinë qiellore, qoftë në një tokë parajsore.—Luka 16:9.
[Shënimet]
a Fjala hebreje e përkthyer ‘ofertë’ apo «kontribut», vjen nga një folje që fjalë për fjalë do të thotë «të jesh i lartë», «të jesh i lavdëruar», «ngre».
b Shiko Dëshmitarët e Jehovait—Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, faqe 307-315, angl., botuar në 1993 nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
A të kujtohet?
◻ Si iu përgjigj Izraeli ftesës së Jehovait për të kontribuar në ndërtimin e tabernakullit?
◻ Përse kontributi i vejushës nuk ishte i kotë?
◻ Çfarë përgjegjësie kanë të krishterët për mënyrën se si i përdorin pasuritë e tyre?
◻ Si duhet të veprojmë për të mos u penduar në lidhje me përdorimin e parave tona?
[Figura në faqen 5]
Kontributi i vejushës, edhe pse i vogël, nuk ishte i kotë
[Figurat në faqet 16, 17]
Kontributet tona mbështesin veprën ndërkombëtare të Mbretërisë