Kapitulli 83
Mysafir te një farise
JEZUI është akoma në shtëpinë e një fariseu të shquar dhe sapo ka shëruar një njeri që vuante nga hidropizia. Ndërsa shikon të ftuarit e tjerë që zgjedhin vendet më të rëndësishme në tavolinë, ai u jep të pranishmëve një mësim mbi përulësinë.
«Kur je ftuar në dasmë,—shpjegon Jezui,—mos u ul në krye të vendit, sepse ai njeri mund të ketë ftuar një tjetër që është më i rëndësishëm se ti dhe ai që të ftoi ty dhe atë, të mos vijë e të të thotë: ‘Lëshoja vendin këtij.’ Dhe atëherë ti, plot turp, do të shkosh të zësh vendin e fundit.»
Prandaj, Jezui këshillon: «Por, kur je ftuar, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka ftuar, të thotë: ‘O mik, ngjitu më lart.’ Atëherë do të jesh i nderuar përpara atyre që janë në tryezë bashkë me ty.» Duke përfunduar, Jezui thotë: «Sepse kushdo që e larton veten do të poshtërohet dhe kush e poshtëron veten do të lartohet.»
Pastaj, Jezui i drejtohet fariseut që e ka ftuar dhe tregon se si mund të ofrohet një drekë që ka me të vërtetë vlerë përpara Perëndisë. «Kur shtron drekë a darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, se mos ata njëherë të ftojnë ty dhe kështu ta kthejnë shpërblimin. Por kur të bësh një gosti, thirr lypësit, sakatët, të çalët, të verbërit; dhe do të jesh i lum, sepse ata nuk kanë se si të ta kthejnë shpërblimin.»
Kush i siguron një vakt të tillë, njerëzve të mjerë, gjen shumë lumturi nga bërja e kësaj, sepse siç i shpjegon Jezui të zotit të shtëpisë, ‘shpërblimi do t’i jepet në ringjallje të të drejtëve’. Përshkrimi i Jezuit për këtë vakt që meriton vlerësim, sjell në mendjen e njërit prej të ftuarve, një lloj tjetër ushqimi. «Lum kush do të hajë bukë në mbretërinë e Perëndisë»,—thotë ky i ftuar. E megjithatë, jo të gjithë e çmojnë sa duhet këtë perspektivë të lumtur, siç tregon më tej Jezui me anë të një ilustrimi.
«Një njeri përgatiti një darkë të madhe dhe ftoi shumë veta; dhe . . . dërgoi shërbëtorin e vet t’u thotë të ftuarve: ‘Ejani, sepse gjithçka tashmë është gati.’ Por të gjithë, pa përjashtim, filluan të kërkojnë ndjesë. I pari i tha: ‘Bleva një arë dhe më duhet të shkoj ta shoh; të lutem, të më falësh.’ Dhe një tjetër tha: ‘Bleva pesë pendë qe dhe po shkoj t’i provoj; të lutem, të më falësh.’ Dhe një tjetër akoma tha: ‘Mora grua e prandaj nuk mund të vij.’»
Çfarë justifikimesh të kota! Toka ose bagëtia, normalisht kontrollohen para se të blihen, prandaj, nuk ka asnjë nevojë vërtet urgjente për t’i parë edhe më pas. Në mënyrë të ngjashme, martesa nuk duhet ta pengojë një person, të pranojë një ftesë kaq të rëndësishme. Prandaj, me të dëgjuar për këto justifikime, zotëria zemërohet dhe e urdhëron shërbëtorin e tij:
«‘Shpejt, shko nëpër sheshet dhe nëpër rrugët e qytetit e sill këtu lypës, sakatë, të çalë dhe të verbër.’ Pastaj shërbëtori i tha: ‘Zot, u bë ashtu siç urdhërove ti, por ka vend edhe më.’ Atëherë zoti i tha shërbëtorit: ‘Dil nëpër udhë dhe përgjatë gardheve dhe detyroji të hyjnë që të mbushet shtëpia ime. . . . Asnjë nga ata njerëz që ishin të ftuar, nuk do ta shijojë darkën time.’»
Çfarë situate përshkruhet nga ky ilustrim? Mira pra, «zoti» që ofron darkën përfaqëson Perëndinë Jehova, «shërbëtori» që bën ftesën, Jezu Krishtin dhe ‘darka e madhe’, mundësitë për të hyrë në Mbretërinë e qiejve.
Të parët që morën ftesën për të hyrë në Mbretëri, ishin në radhë të parë, krerët fetarë judenj të kohës së Jezuit. Megjithatë, ata e refuzuan ftesën. Për këtë arsye, duke filluar veçanërisht nga Rrëshajët e vitit 33 të e.s., një ftesë e dytë u shtri përpara të përçmuarve dhe të përulurve të kombit jude. Por ata që iu përgjigjën ftesës, nuk mjaftonin për të plotësuar të 144.000 vendet në Mbretërinë qiellore të Perëndisë. Prandaj, në vitin 36 të e.s., tre vjet e gjysmë më vonë, një ftesë e tretë dhe e fundit u shtri përpara jojudenjve të parrethprerë dhe mbledhja e tyre ka vazhduar deri në ditët tona. Luka 14:1-24.
▪ Çfarë mësimi jep Jezui mbi përulësinë?
▪ Si mund të ofrojë një zot shtëpie, një vakt që të ketë vlerë para Perëndisë dhe përse kjo do t’i sjellë lumturi?
▪ Përse justifikimet e të ftuarve janë të kota?
▪ Çfarë është përfaqësuar në ilustrimin që bën Jezui mbi ‘darkën e madhe’?