KAPITULLI 84
Përgjegjësitë që vijnë si dishepull i Krishtit
ÇMIMI QË DUHET PAGUAR QË TË JESH DISHEPULL
Kur ishte mysafir në shtëpinë e një prej krerëve të farisenjve, Jezui dha mësime tepër me vlerë. Gjatë rrugës për në Jerusalem, e shoqërojnë turma të mëdha. Pse? A janë vërtet të interesuar të bëhen dishepuj të tij, pavarësisht nga sa mund t’u kushtojë?
Gjatë udhëtimit, Jezui u thotë diçka që mbase i trondit disa: «Nëse dikush vjen tek unë dhe nuk urren babanë, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, po, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im.» (Luka 14:26) Ku e ka fjalën?
Jezui nuk po thotë se ata që bëhen dishepuj të tij, duhet t’i urrejnë në kuptimin e mirëfilltë familjarët, por po thotë që t’i duan më pak se Jezuin. Nuk duhet të jenë si burri në ilustrimin për banketin, i cili refuzoi një ftesë aq të rëndësishme, sepse sapo ishte martuar. (Luka 14:20) Në Shkrime thuhet se Jakobi, paraardhësi i judenjve, «e urrente» Lean dhe e donte Rakelën. Kjo nënkuptonte se Lean e donte më pak se motrën e saj, Rakelën.—Zanafilla 29:31; shënimi.
Vlen të përmendet se Jezui tha se një dishepull duhet të urrejë «madje edhe jetën e vet». Kjo do të thotë se një dishepull i vërtetë duhet ta dojë Jezuin më shumë se jetën e tij, duke qenë i gatshëm të japë edhe jetën nëse është e nevojshme. Pra është e qartë se, të bëhesh dishepull i Krishtit, sjell përgjegjësi serioze dhe nuk duhet marrë lehtë.
Të jesh dishepull mund të sjellë sprova e përndjekje, pasi Jezui tha: «Ai që nuk e mban shtyllën e vet të torturës dhe nuk vjen pas meje, nuk mund të jetë dishepulli im.» (Luka 14:27) Po, dishepujt e vërtetë duhet të jenë gati të vuajnë ashtu si Jezui. Madje ai tha se do të vdiste nga dora e armiqve.
Turma që po e shoqëron, duhet të shqyrtojë me shumë kujdes se çfarë përfshin të jesh dishepull i Krishtit. Për të nxjerrë në pah pikën, Jezui bën një ilustrim: «Për shembull, kush nga ju, kur dëshiron të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë që të llogaritë shpenzimet për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta përfunduar? Përndryshe mund t’i hedhë themelet, por mund të mos jetë në gjendje ta mbarojë.» (Luka 14:28, 29) Ja pse, para se të bëhen dishepuj të Krishtit, ata që udhëtojnë me të drejt Jerusalemit, duhet të jenë plotësisht të vendosur ta mbajnë këtë përgjegjësi deri në fund.
Jezui e thekson këtë me një ilustrim tjetër: «Kush është ai mbret që, kur është në luftë, nuk ulet më parë me këshilltarët e vet për të parë nëse është në gjendje t’i bëjë ballë me 10.000 trupa mbretit kundërshtar që marshon me 20.000 trupa? Në të vërtetë, nëse nuk i bën dot ballë, ai dërgon një delegacion ambasadorësh dhe kërkon paqe ndërkohë që tjetri është ende larg.» Që ta bëjë më të qartë mësimin, Jezui thotë: «Po njësoj, të jeni të sigurt se asnjë nga ju që nuk ndahet nga gjithë zotërimet e veta, nuk mund të jetë dishepulli im.»—Luka 14:31-33.
Patjetër, Jezui nuk i tha këto fjalë vetëm për turmat që po e ndiqnin. Të gjithë ata që mësojnë për Krishtin, duhet të jenë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka—zotërimet materiale, madje edhe jetën—nëse duan të jenë dishepuj të tij. Kjo është një çështje për të cilën duhet të mendojmë thellë e të lutemi.
Tani Jezui nis të flasë për një argument që e ka përmendur më parë në Predikimin në Mal, kur i quajti dishepujt e tij «kripa e tokës». (Mateu 5:13) Me shumë mundësi ka ndër mend vetitë ruajtëse të kripës. Ashtu si kripa e mirëfilltë, dishepujt kanë ndikim të mirë te të tjerët, ngaqë i ndihmojnë të ruajnë marrëdhënien me Perëndinë dhe vlerat morale. Ndërsa shërbimit të Jezuit i afrohet fundi, ai thotë: «Sigurisht që kripa është e mirë. Mirëpo, nëse ajo e humbet kripësinë, si do t’i ndreqet shija?» (Luka 14:34) Dëgjuesit e dinë se në disa raste kripa është e papastër, e përzier me dhé, e si rrjedhojë e papërdorshme.
Pra, Jezui po tregon se edhe ata që janë dishepuj prej kohësh, duhet të përpiqen fort të mos u dobësohet vendosmëria. Në rast të kundërt, do të bëheshin të papërdorshëm, njësoj si kripa që humb kripësinë. Njerëzit do t’i tallnin dhe ç’është më e keqja do të humbnin miratimin e Perëndisë, e do t’i sillnin çnderim emrit të Tij. Jezui thekson sa e rëndësishme është të shmangim diçka të tillë, me fjalët: «Kush ka veshë, le të dëgjojë.»—Luka 14:35.