‘Kemi bërë atë që duhej të bënim’
TREGUAR NGA XHORXH KAUÇ
Pasi kishim kaluar mëngjesin në shërbimin shtëpi më shtëpi, shoku im i shërbimit nxori dy sanduiçe. Kur mbaruam së ngrëni, nxora një cigare për ta pirë. «Nga sa kohë je në të vërtetën?»—pyeti ai. «Mbrëmjen e kaluar ndoqa mbledhjen time të parë»,—i thashë.
LINDA më 3 mars 1917, në një fermë rreth 50 kilometra në lindje të Pitsburgut, Pensilvani, SHBA, afër qytetit të vogël Avënmor. Atje prindërit e mi rritën katër vëllezërit e mi, një motër dhe mua.
Nuk morëm shumë stërvitje fetare. Një kohë prindërit e mi shkonin në kishë, por pushuan së shkuari kur ne ishim ende të vegjël. Gjithsesi ne e besonim Krijuesin dhe jeta jonë familjare ndoqi parimet bazë që gjenden në Bibël.
Stërvitja më e mirë që mora nga prindërit e mi ishte në lidhje me përgjegjësinë, si ta merrja atë mbi supe dhe si ta përmbushja. Ja, kështu ishte jeta në fermë. Por jeta jonë nuk ishte vetëm punë. Gëzonim zbavitje të shëndetshme, si lojëra basketbolli dhe bejzbolli, kalërimi dhe notimi. Paratë ishin të pakta ato kohë, por jeta në fermë ishte e këndshme. Shkollën fillore e bëmë në një shtëpi-shkollë vetëm me një dhomë dhe shkuam në shkollën në qytet gjatë viteve të shkollës së mesme.
Një natë po shëtitja nëpër qytet me një mikun tim. Një vajzë e bukur doli nga shtëpia e saj për të përshëndetur mikun tim. Ai më prezantoi me Fërn Pru. Fakti që ajo jetonte në rrugën ku gjendej shkolla e mesme ishte i leverdisshëm. Shpesh kur kaloja nga shtëpia e saj, Fërn ishte përjashta duke bërë punët e shtëpisë. Sigurisht, ajo ishte një punëtore e zellshme, gjë që më la mbresa. Zhvilluam një miqësi të ngushtë e dashuri për njëri-tjetrin dhe u martuam në prill të vitit 1936.
Kontakti me të vërtetën biblike
Para se të lindja unë, në qytet gjendej një grua plakë, të cilën njerëzit e keqtrajtonin për shkak të fesë së saj. Mamaja ime e vizitonte atë të shtunën, kur shkonte në qytet për të bërë pazarin. Mamaja i pastronte shtëpinë dhe e ndihmonte gruan me porositë, duke bërë kështu derisa gruaja vdiq. Besoj se Jehovai e bekoi mamanë time për faktin që u tregua kaq e dashur me këtë grua, e cila ishte një Studente e Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait
Pak kohë pas kësaj, vajza e re e hallës sime vdiq papritur. Kisha nuk i dha hallës shumë ngushëllim, por një fqinje e hallës që ishte Studente e Biblës siguroi ngushëllimin e duhur. Studentja e Biblës i shpjegoi asaj se çfarë ndodh kur një person vdes. (Jobi 14:13-15; Predikuesi 9:5, 10) Kjo gjë ishte burim i një ngushëllimi të madh. Nga ana e saj, halla i foli mamasë sime për shpresën e ringjalljes. Kjo e nxiti interesin e mamasë, meqë prindërit i kishin vdekur kur ajo ishte e re dhe ishte e paduruar për të ditur se çfarë i ndodh një personi kur vdes. Ajo përvojë më nguliti rëndësinë e përfitimit gjithnjë nga mundësitë për të dhënë dëshmi joformale.
Në vitet 30, mamaja filloi të dëgjonte transmetimet në radio të dielën në mëngjes të Joseph F. Rutherford, atëherë presidenti i Shoqatës Watch Tower Bible and Tract. Gjatë atyre viteve, Dëshmitarët filluan edhe veprën shtëpi më shtëpi aty ku jetonim ne. Ata vendosnin një gramafon portativ në oborrin tonë nën një pemë me hije dhe vinin fjalimet e regjistruara të vëllait Rutherford. Këto regjistrime dhe revistat Kulla e Rojës e Epoka e artë (tani Zgjohuni!) e mbajtën të gjallë interesin e mamasë.
Disa vite më vonë, në vitin 1938, të pajtuarve në Kullën e Rojës iu dërgua një kartolinë për t’i ftuar në një mbledhje speciale në një shtëpi private rreth 25 kilometra larg. Mamaja donte të merrte pjesë, prandaj unë, Fërni dhe dy nga vëllezërit e mi e shoqëruam. John Booth dhe Çarls Hesler, mbikëqyrës qarkorë Dëshmitarë të Jehovait mbajtën fjalime para një dyzine prej nesh. Pas kësaj, ata filluan të organizonin një grup për të marrë pjesë në shërbim mëngjesin vijues. Asnjë nuk doli vullnetar për të shkuar me ta, kështu që vëllai Hesler më zgjodhi mua dhe më pyeti: «Pse nuk vjen me ne?» Nuk e dija saktësisht se çfarë do të bënin, por nuk mund të mendoja ndonjë arsye se përse nuk duhej t’i ndihmoja.
Shkuam shtëpi më shtëpi deri në mesditë dhe pastaj vëllai Hesler nxori dy sanduiçe. U ulëm te shkallët e kishës dhe filluam të hanim. Vetëm pasi nxora cigaren vëllai Hesler e mori vesh se kisha ndjekur vetëm një mbledhje. Ai u vetëftua për darkë po atë natë dhe na kërkoi të ftonim fqinjët tanë për një diskutim biblik. Pas darkës, ai mbajti një studim biblik me ne dhe i bëri një fjalim grupit prej dhjetë vetash që kishin ardhur. Ai na tha se duhet të bënim një studim biblik çdo javë. Edhe pse fqinjët tanë nuk pranuan, unë dhe Fërni rregulluam që të kishim një studim biblik javor në shtëpi.
Përparim në të vërtetën
Nuk kaloi shumë kohë dhe unë e Fërni dolëm në shërbimin në fushë. Ishim ulur në ndenjëset e pasme të makinës dhe sapo kishim ndezur cigaret, kur vëllai im më i madh u kthye nga ne dhe tha: «Sapo kam zbuluar se Dëshmitarët nuk pinë duhan.» Menjëherë Fërni e hodhi cigaren e vet nga dritarja, kurse unë e mbarova timen. Edhe pse na kishte pëlqyer duhani, nuk morëm kurrë më në dorë një cigare.
Pas pagëzimit tonë në vitin 1940, unë dhe Fërni ishim në një mbledhje ku studiuam një artikull që inkurajonte veprën e pionierit, siç quhet vepra e predikimit në kohë të plotë. Rrugës për në shtëpi, një vëlla Dëshmitar pyeti: «Pse ti dhe Fërni nuk bëheni pionierë? Ju nuk keni asgjë që t’ju pengojë.» Nuk mundëm të mos binim dakord me të, kështu që e vumë veten në dispozicion. Bëra një njoftim në punën time se do të qëndroja akoma për 30 ditë dhe të dy bëmë rregullimet për pionierë.
U këshilluam me Shoqatën Watch Tower se ku duhej të shërbenim dhe pastaj u transferuam në Baltimorë, Merilend. Atje kishte një shtëpi për pionierët dhe kostoja për fjetje dhe ushqim ishte 10 dollarë në muaj. Kishim disa kursime, me të cilat mendonim se do të mund t’ia dilnim me lehtësi deri në Harmagedon. (Zbulesa 16:14, 16) Në fund të fundit mendonim se Harmagedoni ishte tamam aty pas derës. Kështu që, kur filluam veprën e pionierit, e lamë shtëpinë dhe u shkëputëm nga çdo punë tjetër.
Shërbyem si pionierë në Baltimorë nga viti 1942 deri në vitin 1947. Gjatë atyre viteve kundërshtimi ndaj veprës së Dëshmitarëve të Jehovait ishte intensiv. Disa herë, në vend se të vinim me makinën tonë deri te shtëpia e studentëve tanë biblikë, i thoshim dikujt tjetër që të na shoqëronte e të na linte atje. Në atë mënyrë gomat e makinës sonë nuk çaheshin siç e kishin zakon atëherë të bënin me gomat e makinave të atyre që ishin Dëshmitarë. Asnjërit nuk i pëlqen një kundërshtim i tillë, por mund të them se gjithnjë kënaqeshim në shërbimin në fushë. Në fakt, mezi pritnim diçka disi emocionuese në bërjen e veprës së Zotërisë.
Shpejt i kishim harxhuar të gjitha paratë që kishim kursyer. Gomat e makinës sonë u konsumuan e po kështu edhe rrobat e këpucët. U sëmurëm dy a tri herë për periudha të gjata. Nuk ishte e lehtë të vazhdonim, por asnjëherë nuk e çuam nëpër mend të pushonim së shërbyeri si pionierë. Madje nuk folëm kurrë për një gjë të tillë. Sakrifikuam disa gjëra të tjera në jetë që të mund të vazhdonim në veprën e pionierit.
Ndryshime caktimi
Në vitin 1947 shkuam në kongres në Los Anxhelos, Kaliforni. Kur ishim atje, vëllait tim më të madh Uilliamit dhe mua na u dha një letër që na caktonte në veprën udhëtuese për të vizituar dhe për të ndihmuar kongregacionet. Në atë kohë nuk morëm ndonjë stërvitje të veçantë për atë vepër. Ne thjesht shkuam atje. Gjatë shtatë vjetëve që pasuan, unë dhe Fërni shërbyem në Ohaio, Miçigan, Indiana, Ilinois dhe Nju Jork. Në vitin 1954 u ftuam të merrnim pjesë në klasën e 24-t të Galaadit, një shkollë për stërvitjen e misionarëve. Kur ishim atje, Fërni mori poliomielitin. Lumturisht e mori veten mirë dhe u caktuam në veprën udhëtuese në Nju Jork dhe Kënektikat.
Ndërsa ishim duke shërbyer në Stamford, Kënektikat, Nathan H. Knorr, atëherë presidenti i Shoqatës Watch Tower, na ftoi të kalonim një fundjavë me të dhe gruan e tij, Odrein. Na përgatitën një biftek të shijshëm me të gjithë garniturën. Ishim njohur me këtë çift më përpara dhe unë e njihja vëllain Knorr aq mirë sa të kuptoja se kishte pasur diçka ndër mend përveç shoqërisë dhe darkës që kaluam bashkë. Më vonë atë mbrëmje, ai më pyeti: «A do të pëlqente të vije në Bethel?»
«Nuk jam vërtet i sigurt, nuk di shumë për jetën në Bethel»,—u përgjigja unë.
Pasi u menduam për këtë për disa javë, i thamë vëllait Knorr se do të vinim nëse ai dëshironte ashtu. Javën tjetër, morëm një letër për t’u paraqitur në Bethel më 27 prill 1957, në përvjetorin e 21-të të martesës sonë.
Ditën e parë në Bethel, vëllai Knorr më dha direktiva të qarta mbi atë që pritej nga ne. Ai më tha: «Ti nuk je më mbikëqyrës qarkor, je këtu për të punuar në Bethel. Kjo është puna më e rëndësishme që ke për të bërë dhe duam që të vësh të gjithë kohën dhe energjitë e tua në kushtimin dhe stërvitjen që merr këtu në Bethel. Ne dëshirojmë që ti të qëndrosh këtu.»
Jeta në Bethel është domethënëse
Caktimi i parë që pata ishte në Repartin e Revistave dhe të Pajtimeve. Më vonë, pothuaj pas tri vjetësh, vëllai Knorr kërkoi që të paraqitesha në zyrën e tij. Ai më informoi se arsyeja e vërtetë për të cilën më kishin marrë në Bethel ishte për të punuar në shtëpi. Udhëzimet e tij ishin shumë të drejtpërdrejta: «Je këtu për të administruar shtëpinë Bethel.»
Administrimi i shtëpisë Bethel më rikujtoi mësimet që më kishin dhënë prindërit e mi kur isha duke u rritur në fermë. Një shtëpi Bethel i ngjan shumë një familjeje të rregullt. Duhen pastruar rrobat, duhen përgatitur vaktet, duhen larë pjatat, duhen rregulluar shtretërit e kështu me radhë. Organizimi i shtëpisë përpiqet ta bëjë shtëpinë Bethel një vend të rehatshëm për të jetuar, një vend që një person të mund ta quajë shtëpinë e vet.
Besoj se ka shumë mësime që familjet mund të nxjerrin nga mënyra se si veprohet në Bethel. Ne zgjohemi herët në mëngjes dhe e fillojmë ditën me mendime frymore, duke shqyrtuar shkrimin e ditës. Nga ne pritet të punojmë shumë dhe të bëjmë një jetë të ekuilibruar, por të zënë me punë. Betheli nuk është si një manastir, siç mund të mendojnë disa. Ne arrijmë të kryejmë shumë gjëra, për shkak të mënyrës së programuar të jetës sonë. Shumë kanë thënë se stërvitja që morën këtu i ndihmoi më vonë për të pranuar përgjegjësitë në familjet e tyre dhe në kongregacionin e krishterë.
Të rinjtë e të rejat që vijnë në Bethel mund të caktohen për të pastruar, në lavanderi ose të punojnë në fabrikë. Bota mund të na bëjë të besojmë se një punë e tillë fizike na poshtëron dhe ul dinjitetin tonë. Megjithatë, të rinjtë në Bethel arrijnë të kuptojnë se këto caktime pune janë të nevojshme që familja jonë të funksionojë si duhet dhe të ketë lumturi.
Bota mund të nxitë edhe mendimin se ti ke nevojë për një pozitë dhe prestigj për të qenë vërtet i lumtur. Kjo është e gabuar. Kur kryejmë atë për të cilën jemi caktuar, po ‘bëjmë atë që duhej të bënim’ dhe marrim bekimin e Jehovait. (Luka 17:10) Mund të kemi kënaqësi dhe lumturi të vërtetë vetëm nëse kujtojmë qëllimin e punës sonë, bërjen e vullnetit të Jehovait dhe çuarjen përpara të interesave të Mbretërisë. Po të mbajmë këtë në mendje, çdo caktim mund të jetë i këndshëm dhe i kënaqshëm.
Një pjesëmarrje e privilegjuar në zgjerim
Në kongresin e vitit 1942 në Klivlend, Ohaio, më shumë se një dekadë para se të vinim në Bethel, vëllai Knorr mbajti fjalimin «Paqja: A mund të zgjatë?» Ai e bëri të qartë se Lufta II Botërore që atëherë ishte ende e nxehtë, do të mbaronte dhe do të kishte një kohë paqeje që do të siguronte mundësi për një fushatë të zgjeruar predikimi. Shkolla e Galaadit për stërvitjen e misionarëve dhe Shkolla e Shërbimit Teokratik për të përmirësuar aftësitë e të folurit të vëllezërve në publik, u hapën në vitin 1943. U organizuan edhe kongrese të mëdha. Veçanërisht të spikatshme gjatë viteve 50 ishin kongreset e mbajtura në Stadiumin Jenki, Nju Jork. Në lidhje me kongreset e mbajtura atje në vitet 1950 dhe 1953, pata rastin për të ndihmuar në rregullimin e kampit të stërmadh me rulota, i cili shërbeu si vend strehimi për mijëra veta gjatë tetë ditëve të çdo kongresi.
Pas atyre kongreseve, duke përfshirë edhe më të madhin nga të gjithë në vitin 1958, u vu re një rritje e madhe në lajmëtarët e Mbretërisë. Kjo ndikoi drejtpërdrejt në punën tonë në Bethel. Në fund të viteve 60 dhe në fillim të viteve 70 u gjendëm gati në një gjendje të dëshpëruar për hapësirë dhe për dhoma për punëtorët. Për t’u kujdesur për familjen tonë gjithnjë në rritje, na u desh të kishim më shumë dhoma gjumi, kuzhina dhe dhoma ngrënieje.
Vëllai Knorr më kërkoi mua dhe vëllait Maks Larson, mbikëqyrësit të fabrikës që të gjenim prona të përshtatshme për t’u zgjeruar. Në vitin 1957, kur erdha në Bethel, familja jonë prej rreth 500 vetash banonte në një ndërtesë të madhe banimi. Por, përgjatë viteve Shoqata bleu dhe rinovoi tre hotele të mëdha aty afër: Towers, Standish dhe Bosërt, si edhe shumë ndërtesa më të vogla me apartamente. Në vitin 1986, Shoqata bleu pronën ku ndodhej më parë hoteli Margaret dhe e ktheu ndërtesën e bukur të re që ishte atje në një shtëpi për rreth 250 persona. Pastaj, në fillim të viteve 90 u ndërtua një ndërtesë 30-katëshe për të strehuar 1.000 punëtorë të tjerë. Betheli i Bruklinit tani mund të mbajë e të ushqejë më shumë se 3.300 anëtarë të familjes sonë.
Prona u blenë edhe në Uallkill, Nju Jork, afro 160 kilometra larg Bethelit në Bruklin. Përgjatë viteve, duke filluar në fund të viteve 60, atje u ndërtuan ndërtesa banimi dhe një shtypshkronjë e madhe. Tani, atje jetojnë dhe punojnë rreth 1.200 anëtarë të familjes sonë Bethel. Në vitin 1980 filloi kërkimi për një pjesë toke prej afro 250 hektarësh afër Nju Jork Sitit me mundësi të mira për t’u lidhur me autostradat. Agjenti i pasurisë së patundshme qeshi dhe tha: «Ku do ta gjeni këtë lloj prone? Thjesht nuk është e mundur.» Por mëngjesin vijues, ai mori në telefon dhe tha: «Kam gjetur pronë për ju.» Sot, ajo është e njohur si Qendra e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju Jork. Atje zhvillohen shkolla të ndryshme dhe ka një familje prej më shumë se 1.300 shërbëtorësh.
Mësime që kam nxjerrë
Kam mësuar se një mbikëqyrës i mirë është ai që mund të nxjerrë informacione të vlefshme nga të tjerët. Shumica e ideve, të cilat kam pasur privilegjin t’i vë në zbatim si mbikëqyrës i Bethelit, kanë ardhur nga të tjerët.
Kur erdha në Bethel, shumë ishin të moshuar, siç jam unë sot. Shumica prej tyre tani kanë vdekur. Kush i zëvendëson ata që plaken e vdesin? Nuk janë gjithnjë ata që kanë më shumë aftësi, por ata që janë këtu duke punuar plot besim në punë, duke e vënë veten në dispozicion.
Një gjë tjetër e rëndësishme për t’u mbajtur mend është vlera e një gruaje të mirë. Mbështetja e gruas sime të dashur, Fërnit, ka qenë një ndihmë e madhe për mua në përmbushjen e caktimeve teokratike. Burrat kanë përgjegjësinë për t’u siguruar se gratë e tyre gjejnë kënaqësi në caktimet. Përpiqem të kem diçka të këndshme të programuar për të bërë bashkë me Fërnin. Nuk duhet të jetë medoemos e kushtueshme, mjaft që të jetë një ndryshim rutine. I përket burrit të bëjë gjëra që do ta bëjnë të lumtur gruan e tij. Koha që ai kalon me të është e çmuar dhe ikën shpejt, prandaj ai duhet të nxjerrë më të mirën prej kësaj kohe.
Jam i gëzuar që jetoj në ditët e fundit për të cilat foli Jezui. Kjo është koha më magjepsëse nga të gjitha kohërat e historisë njerëzore. Jemi në gjendje të shohim e të vëzhgojmë me sytë tanë të besimit se si Zotëria e zhvillon organizatën e tij në përgatitje për mbërritjen e botës së re të premtuar. Kur shoh në retrospektivë jetën time në shërbim të Jehovait, mund të kuptoj se Jehovai është ai që po e drejton këtë organizatë, e jo njerëzit. Ne jemi thjesht shërbëtorët e tij. Si të tillë, duhet t’i drejtohemi gjithnjë atij për drejtim. Pasi ai bën të qartë atë që duhet të bëjmë ne, duhet thjesht t’i bindemi e ta bëjmë këtë gjë së bashku.
Bashkëpunoni plotësisht me organizatën dhe jeni të garantuar se do të keni një jetë të plotë e të lumtur. Çfarëdo gjëje të jeni duke bërë: shërbimin si pionier, veprën e qarkut, shërbimin me një kongregacion si lajmëtar, shërbimin në Bethel ose veprën misionare, ndiqni drejtimin e theksuar dhe vlerësoni caktimin tuaj. Bëni më të mirën tuaj për të gëzuar çdo caktim dhe çdo ditë pune në shërbim të Jehovait. Do të lodheni e ndonjëherë mund të punoni tepër ose të shkurajoheni. Ajo është koha kur duhet të kujtoni qëllimin për të cilin ia keni dedikuar jetën Jehovait. Qëllimi është të bëni vullnetin e tij, jo tuajin.
Nuk ka pasur një ditë që të kem ardhur në punë dhe të mos më ketë pëlqyer ajo që kam bërë. Pse? Sepse kur e japim veten me gjithë shpirt ndaj Jehovait, kemi kënaqësinë e dijenisë se ‘kemi bërë atë që duhej të bënim’.
[Figura në faqen 19]
Reparti i Revistave
[Figura në faqen 19]
Kampi me rulota, viti 1950
[Figura në faqen 19]
Duke shërbyer si pionierë në Baltimorë, viti 1946
[Figura në faqen 19]
Në kampin me rulota me Fërnin, viti 1950
[Figura në faqen 22]
Me Odrei dhe Nathan Knorr
[Figura në faqen 23]
Qendra e Arsimimit Watch Tower afër Patersonit, Nju Jork
[Figura në faqen 24]
Me Fërnin sot