Kultivo frymën e mirënjohjes
NJË mjek në shtetin e Nju Jorkut i shpëtoi jetën Merit në një situatë të rrezikshme urgjente. Por Meri 50-vjeçare as e falënderoi mjekun dhe as pagoi atë që i detyrohej. Ç’rast tipik mosmirënjohjeje!
Bibla tregon se njëherë, sapo hyri në një fshat, Jezui hasi dhjetë burra që kishin sëmundjen e tmerrshme të lebrës. Ata i thërritnin me zë të lartë: «Jezu, mjeshtër, ki mëshirë për ne!» Jezui urdhëroi: «Shkoni e paraqituni te priftërinjtë.» Lebrozët pranuan drejtimin e tij dhe ndërsa ishin në rrugë, filluan të shihnin dhe të ndjenin shëndetin e tyre të ripërtërirë.
Nëntë prej lebrozëve të shëruar vazhduan rrugën. Por lebrozi tjetër, një samaritan, u kthye të kërkonte Jezuin. Ky ish-lebroz lavdëroi Perëndinë dhe sapo e gjeti Jezuin, ra në këmbët e tij, duke e falënderuar. Në përgjigje, Jezui tha: «A nuk u shëruan që të dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët? A nuk u gjet asnjë që të kthehet për t’i dhënë lavdi Perëndisë, përveç këtij të huaji?»—Luka 17:11-19.
Një mësim i rëndësishëm përfshihet në pyetjen: «Ku janë nëntë të tjerët?» Ashtu si Meri, nëntë lebrozët patën një mangësi serioze: ata nuk treguan mirënjohje. Një mosmirënjohje e tillë është shumë mbizotëruese sot. Cila është arsyeja e saj?
Shkaku bazë i mosmirënjohjes
Në thelb, mosmirënjohja buron nga egoizmi. Merr rastin e prindërve tanë të parë njerëzorë, Adamit dhe Evës. Jehovai i krijoi ata me atribute hyjnore dhe siguroi çdo gjë për lumturinë e tyre, përfshirë edhe një shtëpi-kopsht të bukur, mjedis të përsosur dhe një punë kuptimplotë dhe të kënaqshme. (Zanafilla 1:26-29; 2:16, 17) Por megjithatë, nën presionin e thirrjes që i bëri Satanai interesit të tyre vetjak, si çift ata i dhanë rrugë mosbindjes dhe iu përgjigjën me përçmim bamirësisë së Jehovait.—Zanafilla 3:1-5; Zbulesa 12:9.
Merr edhe rastin e popullit të Izraelit të lashtë, të cilin Perëndia e kishte zgjedhur që të ishte prona e tij e veçantë. Sa mirënjohës duhet të kenë qenë të gjithë prindërit izraelitë natën e 14 nisanit të vitit 1513 p.e.s.! Atë natë shumë të rëndësishme, engjëlli i Perëndisë solli vdekjen mbi «çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit», por kaloi pa e bërë këtë në shtëpitë izraelite, që ishin shënuar siç duhej. (Eksodi 12:12, 21-24, 30) Sapo u çliruan nga ushtria e faraonit në Detin e Kuq, me zemrat plot mirënjohje, ‘Moisiu dhe bijtë e Izraelit i kënduan Zotit’.—Eksodi 14:19-28; 15:1-21.
Megjithatë, vetëm pak javë pas largimit nga Egjipti, «tërë asambleja e bijve të Izraelit murmuriti». Sa shpejt ranë viktimë e mosmirënjohjes! Ata i mori malli ‘të uleshin pranë tenxhereve me mish dhe të hanin bukë sa të ngopeshin’, gjëra që i kishin gëzuar në Egjipt, në vendin e skllavërisë së tyre. (Eksodi 16:1-3) Qartë, egoizmi vepron kundër kultivimit dhe manifestimit të mirënjohjes.
Si pasardhës të Adamit mëkatar, të gjithë njerëzit lindin me një gjurmë egoizmi dhe me një tendencë për nga mosmirënjohja. (Romakëve 5:12) Mosmirënjohja është, gjithashtu, pjesë e frymës egoiste që sundon njerëzit e kësaj bote. Ashtu si ajri që thithim, kjo frymë ndodhet kudo dhe ndikon te ne. (Efesianëve 2:1, 2) Ne, pra, duhet të kultivojmë një natyrë mirënjohëse. Si mund ta bëjmë këtë?
Meditimi, një domosdoshmëri!
Fjalori Webster’s Third New International Dictionary e përkufizon mirënjohjen si «gjendjen e të qenit mirënjohës: ndjenjë e ngrohtë dhe miqësore ndaj një bamirësi, që e shtyn një person të shpërblejë një të mirë që i është bërë». Një ndjenjë nuk mund të ndizet dhe të fiket mekanikisht; ajo duhet të burojë vetvetiu nga brendësia e një personi. Mirënjohja është më shumë sesa thjesht një shfaqje e edukatës së mirë apo një formë etikete; ajo buron nga zemra.
Si mund të mësojmë të ndihemi mirënjohës nga zemra? Bibla ia atribuon një pjesë të madhe të asaj që ndiejmë, zgjedhjes që u bëjmë mendimeve tona. (Efesianëve 4:22-24) Të mësuarit për t’u ndier mirënjohës nis me meditimin me çmueshmëri mbi dashamirësinë që marrim. Në harmoni me këtë, dr. Uan U. Diër, i cili punon në fushën e shëndetit mendor, thotë: «Nuk mund të kesh një ndjenjë (emocion) pa përjetuar së pari një mendim.»
Merr, për shembull, çështjen e mirënjohjes për krijimin që na rrethon. Kur shikon një qiell plot yje në një natë pa re, si ndihesh në lidhje me atë që po përjeton? Mbreti David e shprehu kështu frikën nderuese që ndiente: «Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur, çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh [të kujdesesh, BR]?» Në qetësinë e natës, yjet i folën Davidit, duke e shtyrë të shkruante: «Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.» Pse qiejtë e yjëzuar e prekën kaq thellë Davidin? Ai vetë përgjigjet: «Kam medituar mbi tërë aktivitetin tënd; vullnetarisht e mbajta veten time të zënë me veprat e duarve të tua.»—Psalmi 8:3, 4; 19:1; 143:5, BR.
Edhe biri i Davidit, Solomoni, çmoi vlerën e të menduarit rreth mrekullive të krijimit. Për shembull, në lidhje me rolin që luajnë retë me shi në freskimin e tokës sonë, ai shkroi: «Gjithë lumenjtë derdhen në det, por deti nuk mbushet kurrë; nga vendi prej të cilit lumenjtë vijnë, aty kthehen përsëri.» (Predikuesi 1:7) Kështu ndodh që pasi shirat dhe lumenjtë kanë freskuar tokën, ujërat e tyre riqarkullohen nga oqeanet në re. Si do të ishte kjo tokë pa këtë pastrim dhe riqarkullim të ujit? Sa mirënjohës duhet të jetë ndierë Solomoni, kur është ndalur në këto mendime!
Një person mirënjohës vlerëson, gjithashtu, marrëdhëniet e tij me pjesëtarët e familjes, me miqtë dhe me të njohurit. Veprat e tyre të dashamirësisë tërheqin vëmendjen e tij. Ndërsa shqyrton me çmueshmëri të mirat që i kanë bërë, ai ndihet mirënjohës nga zemra.
Të shprehim mirënjohje
Sa e thjeshtë është fjala «faleminderit»! Është kaq e lehtë ta thuash një shprehje të tillë dhe mundësitë për ta bërë këtë janë të bollshme. Sa freskues është një ‘faleminderit’ i ngrohtë dhe i sinqertë drejtuar një personi që e mban derën hapur për ne, apo që ngre diçka që na ka rënë! Dëgjimi i një shprehjeje të tillë mund ta bëjë punën e një shitësi dyqani, të një kamariereje në restorant apo të një postieri, më të lehtë dhe më shpërblyese.
Dërgimi i kartolinave që përmbajnë shprehje falënderimi, është një mënyrë e volitshme për të shprehur mirënjohjen për vepra dashamirësie. Shumë prej kartolinave që ndodhen nëpër dyqane i shprehin bukur ndjenjat. Por a nuk do të ishte një shprehje e dashur personale të shtoje fjalë çmueshmërie me shkrimin tënd? Madje disa preferojnë të mos përdorin një kartolinë që shitet, por të dërgojnë në vend të saj një letër të shkurtër personale.—Krahaso Fjalët e urta 25:11.
Ka të ngjarë që ata, të cilët meritojnë më shumë mirënjohjen tonë, janë personat më të afërt të familjes sonë. Për një grua të zonjën, Bibla thotë: «Burri i saj e lëvdon.» (Fjalët e urta 31:28) A nuk çojnë shprehjet e falënderimit të ndjera nga zemra, që një burrë ia drejton gruas së tij, në një ambient familjar paqeje dhe kënaqësie? A nuk kënaqet edhe burri që kur vjen në shtëpi e pret një përshëndetje e ngrohtë dhe me çmueshmëri prej gruas së tij? Në këto ditë, presionet mbi martesën janë të shumta dhe kur shtohen presionet, të kërcen lehtë damari. Ai që ka prirje të jetë mirënjohës, është i gatshëm të hapë rrugë dhe i shpejtë për të kaluar pa vënë re e për të falur.
Edhe të rinjtë duhet të jenë të vetëdijshëm për t’u ofruar prindërve të tyre shprehje çmueshmërie të ndjera nga zemra. Sigurisht që prindërit nuk janë të përsosur, por kjo nuk përbën aspak një arsye për të qenë mosmirënjohës për atë që kanë bërë për ty. Dashuria dhe kujdesi që të kanë kushtuar që kur ke lindur, nuk ka të paguar. Nëse të kanë mësuar njohurinë mbi Perëndinë, ke një arsye më tepër për të qenë mirënjohës.
«Bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti»,—deklaron Psalmi 127:3. Kështu që prindërit duhet të kërkojnë mundësitë për t’i lavdëruar fëmijët e tyre, në vend se t’u bien më qafë për gjëra të vogla. (Efesianëve 6:4) Çfarë privilegji kanë ata t’i ndihmojnë të rinjtë, që janë nën kujdesin e tyre, për të kultivuar frymën e mirënjohjes!—Krahaso Fjalët e urta 29:21.
Mirënjohës Perëndisë
Perëndia Jehova është Dhënësi i ‘çdo gjëje të mirë dhe i çdo dhurate të përsosur’. (Jakovit 1:17) E rëndësishme është veçanërisht dhurata e jetës, sepse çdo gjë që kemi ose që mund të planifikojmë do të bëhet e pavlefshme nëse humbasim jetën. Shkrimet na nxitin të mos harrojmë se «pranë [Perëndisë Jehova] është burimi i jetës». (Psalmi 36:5, 7, 9; Veprat 17:28) Për të kultivuar një frymë mirënjohjeje ndaj Perëndisë, ne duhet të meditojmë mbi sigurimet e tij bujare, të cilat mbështetin jetën tonë fizike dhe frymore. (Psalmi 1:1-3; 77:11, 12) Një zemër e tillë do të na shtyjë të tregojmë çmueshmëri me fjalë dhe me vepra.
Lutja është një mënyrë e dukshme për t’i shprehur mirënjohjen tonë Perëndisë. Psalmisti David deklaroi: «O Zot, Perëndia im, të shumta janë mrekullitë që ke bërë dhe askush nuk mund të numërojë gjërat që ke menduar për ne. Po të doja t’i shpallja dhe t’i tregoja, do të ishin tepër për t’i radhitur.» (Psalmi 40:5) Qofshim edhe ne të nxitur në mënyrë të ngjashme!
Davidi ishte, gjithashtu, i vendosur t’ia tregonte çmueshmërinë e tij Perëndisë, me anë të fjalëve që u tha të tjerëve. Ai tha: «Unë do të të kremtoj, o Zot, me gjithë zemër, do të tregoj tërë mrekullitë e tua.» (Psalmi 9:1) T’u flasim të tjerëve për Perëndinë, të shprehemi, duke ndarë me ta të vërtetën e Fjalës së tij, është ndoshta mënyra më e shkëlqyer për t’i treguar atij mirënjohjen tonë. Kjo do të na ndihmojë për të qenë më mirënjohës në aspekte të tjera të jetës.
«Ai që ofron flijime lëvdimi, më përlëvdon dhe atij që sillet drejt, do t’i tregoj shpëtimin e Perëndisë»,—thotë Jehovai. Përjetofsh gëzimin që vjen, kur i tregon atij mirënjohjen tënde nga zemra!—Psalmi 50:23; 100:2.
[Figura në faqen 7]
Jeta është një dhuratë nga Perëndia. Sigurohu që të shtosh diçka nga vetja