Kush do të ringjallet?
«Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varret përkujtimore do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin.»—GJONI 5:28, 29.
1. Cilën deklaratë të veçantë dëgjoi Moisiu te ferrishta që digjej, e kush i përsëriti më vonë këto fjalë?
RRETH 3.500 vjet më parë, ndodhi diçka shumë e çuditshme. Moisiu po kulloste delet e Jetroit, vjehrrit të tij. Pranë malit Horeb, iu shfaq një engjëll i Jehovait në një flakë zjarri në mes të një ferrishte. «Moisiu vështroi dhe ja që ferrishtja po digjej nga zjarri, por nuk konsumohej»,—thotë tregimi i Eksodit. Pastaj një zë i thirri që nga ferrishtja. «Unë jam Perëndia i atit tënd,—tha zëri,—Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit.» (Eksodi [Dalja] 3:1-6) Më vonë, në shekullin e parë të e.s., këto fjalë i përsëriti vetë Biri i Perëndisë, Jezui.
2, 3. (a) Cila e ardhme e pret Abrahamin, Isakun dhe Jakobin? (b) Çfarë pyetjesh lindin?
2 Në atë rast, Jezui po fliste me disa saducenj, të cilët nuk besonin te ringjallja. Ai u tha: «Që të vdekurit ngrihen e bëri të ditur edhe Moisiu në tregimin për ferrën, kur e quan Jehovain ‘Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit’. Ai nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse për të, të gjithë ata jetojnë.» (Luka 20:27, 37, 38) Duke thënë kështu, Jezui vërtetoi se, sipas pikëpamjes së Perëndisë, Abrahami, Isaku dhe Jakobi, që kishin vdekur para shumë kohësh, ishin të gjallë në kujtesën e Tij. Ashtu si Jobi, ata presin fundin e ‘shërbimit të tyre të rëndë’, pra të gjumit të vdekjes. (Jobi 14:14) Do të ringjallen në botën e re të Perëndisë.
3 Por, ç’të themi për miliarda të tjerët që kanë vdekur gjatë gjithë historisë njerëzore? A do të ringjallen edhe ata? Para se të marrim një përgjigje të kënaqshme për këtë pyetje, le të zbulojmë me anë të Fjalës së Perëndisë se ku shkojnë njerëzit kur vdesin.
Ku janë të vdekurit?
4. (a) Ku shkojnë njerëzit kur vdesin? (b) Çfarë është Sheoli?
4 Bibla thotë se të vdekurit «nuk dinë asgjë». Vdekja nuk nënkupton tortura në ndonjë ferr të zjarrtë ose një pritje agonike në purgator, por thjesht kthimin në pluhur. Prandaj, Fjala e Perëndisë u jep këtë këshillë të gjallëve: «Tërë ato që dora jote gjen për të bërë, bëji me gjithë forcën tënde, sepse në Sheol ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri.» (Predikuesi [Eklisiastiu] 9:5, 10; Zanafilla 3:19) Për shumë veta, «Sheol» është fjalë e panjohur. Në fakt është një fjalë hebraike që nuk dihet me siguri se nga e ka origjinën. Në shumë fe mësohet se të vdekurit jetojnë ende, por siç tregon Fjala e frymëzuar e Perëndisë, ata që janë në Sheol janë të vdekur, të pavetëdijshëm. Sheoli i referohet varrit të përbashkët të njerëzimit.
5, 6. Ku shkoi Jakobi kur vdiq e me kë u bashkua atje?
5 Në Bibël, fjalën «Sheol» e gjejmë për herë të parë te Zanafilla 37:35. Patriarku Jakob e pandehte të vdekur Jozefin, birin e tij të dashur. Duke qenë se nuk gjente ngushëllim, tha: «Do të zbres në Sheol pranë birit tim.» Ngaqë mendonte se i biri kishte vdekur, Jakobi dëshironte të vdiste edhe ai e të shkonte në Sheol. Më vonë, nëntë djemtë e mëdhenj të Jakobit donin të merrnin me vete në Egjipt Beniaminin, vëllanë e tyre të vogël, që të siguronin ushqim, për shkak të zisë së bukës. Por Jakobi s’donte ta linte, pasi thoshte: «Biri im nuk ka për të zbritur me ju, sepse vëllai i tij vdiq dhe mbeti vetëm ky; po t’i ndodhte ndonjë fatkeqësi gjatë udhëtimit, do të kallnit në varr [Sheol, BR] pleqërinë time të dhembshme.» (Zanafilla 42:36, 38) Këto dy raste e lidhin Sheolin me vdekjen, jo me ndonjë lloj jete pas vdekjes.
6 Më tej në librin e Zanafillës tregohet se Jozefi ishte bërë administratori i ushqimit në Egjipt. Kështu që Jakobi udhëtoi deri në Egjipt dhe atje u ribashkua plot përmallim me Jozefin. Pas kësaj, Jakobi banoi në atë vend deri sa vdiq, në moshën e shkuar 147-vjeçare. Sipas amanetit që la para se të vdiste, të bijtë e çuan trupin e tij për ta varrosur në shpellën e Makpelahut, në vendin e Kanaanit. (Zanafilla 47:28; 49:29-31; 50:12, 13) Kështu, Jakobi u bashkua me të atin, Isakun, dhe me gjyshin, Abrahamin.
‘U bashkuan me etërit e tyre’
7, 8. (a) Ku shkoi Abrahami kur vdiq? Shpjegoni. (b) Nga e kuptojmë se edhe të tjerë, kur vdiqën, shkuan në Sheol?
7 Më parë, kur Jehovai ripohoi besëlidhjen e tij me Abrahamin dhe i premtoi se fara e tij do të bëhej shumë, tha edhe çfarë do të ndodhte me Abrahamin. «Sa për ty,—i tha Jehovai,—do të shkosh në paqe pranë prindërve të tu dhe do të varrosesh pasi të kesh arritur një pleqëri të bukur.» (Zanafilla 15:15) E pikërisht kështu ndodhi. Te Zanafilla 25:8 thuhet: «Pastaj Abrahami dha frymën e fundit dhe vdiq në pleqëri të mbarë, i shtyrë në moshë dhe i ngopur me ditë dhe u bashkua me popullin e tij.» Me cilët u bashkua? Te Zanafilla 11:10-26 janë renditur paraardhësit e tij deri te Semi, djali i Noesë. Pra, kur vdiq, Abrahami u bashkua me këta të tjerë që tashmë ishin në gjumin e vdekjes në Sheol.
8 Shprehja «u bashkua me popullin e tij» përsëritet shpesh në Shkrimet Hebraike. Prandaj, është logjike të nxjerrim përfundimin se Ismaeli, djali i Abrahamit, dhe Aaroni, vëllai i Moisiut, shkuan në Sheol kur vdiqën, duke pritur aty ringjalljen. (Zanafilla 25:17; Numrat 20:23-29) Rrjedhimisht, edhe Moisiu shkoi në Sheol, ndonëse askush nuk e dinte me saktësi ku ishte varri i tij. (Numrat 27:13; Ligji i përtërirë 34:5, 6) Po ashtu, Josiu, pasuesi i Moisiut si udhëheqës i Izraelit, si edhe një brez i tërë njerëzish, shkuan në Sheol, kur vdiqën.—Gjyqtarët 2:8-10.
9. (a) Si tregon Bibla se fjala hebraike «Sheol» dhe fjala greke «Hades» i referohen të njëjtit vend? (b) Çfarë shprese kanë ata që janë në Sheol ose Hades?
9 Shekuj më vonë, mbret i 12 fiseve të Izraelit u bë Davidi. Kur vdiq, atë «e zuri gjumi me etërit e tij». (1 Mbretërve 2:10) A shkoi edhe ai në Sheol? Është interesante që, në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., apostulli Pjetër foli për vdekjen e Davidit dhe citoi Psalmin 16:10: «Ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Sheol.» Pasi tha që Davidi ishte ende në varr, Pjetri i zbatoi për Jezuin fjalët e psalmit dhe tregoi se Davidi «pa që më përpara dhe foli për ringjalljen e Krishtit, se ai as nuk u braktis në Hades e as mishi i tij nuk pa prishje. Këtë Jezu, Perëndia e ringjalli, fakt për të cilin të gjithë ne jemi dëshmitarë». (Veprat 2:29-32) Pjetri përdori këtu fjalën greke «Hades», që është ekuivalenti i fjalës hebraike «Sheol». Pra, ata që thuhet se janë në Hades, janë në të njëjtën gjendje si ata që thuhet se janë në Sheol. Janë në gjumin e vdekjes, duke pritur ringjalljen.
A ka të padrejtë në Sheol?
10, 11. Pse mund të themi që disa të padrejtë shkojnë në Sheol ose Hades, kur vdesin?
10 Kur ishin në shkretëtirë, pasi Moisiu e kishte nxjerrë kombin e Izraelit nga Egjipti, disa individë u rebeluan. Moisiu i tha popullit të largohej nga krerët e rebelimit, që ishin Korahu, Datani dhe Abirami. Këta do të pësonin një vdekje të tmerrshme. Moisiu shpjegoi: «Në qoftë se këta njerëz vdesin si vdesin gjithë njerëzit, në qoftë se fati i tyre është fati i përbashkët i të gjithë njerëzve, Zoti nuk më ka dërguar; por në qoftë se Zoti bën diçka të re, në qoftë se toka hap gojën e saj dhe gëlltit ata dhe çdo gjë që ata kanë dhe ata zbresin të gjallë në Sheol, atëherë do të pranoni që këta njerëz kanë përçmuar Zotin.» (Numrat 16:29, 30) Kështu, si ata që përpiu toka, si ata që i konsumoi zjarri (në rastin e Korahut dhe të 250 levitëve që morën anën e tij), përfunduan në Sheol ose Hades.—Numrat 26:10.
11 Shimei, i cili kishte mallkuar mbretin David, e mori shpagimin nga Solomoni, që erdhi në fron pas Davidit. «Mos e lër të pandëshkuar,—urdhëroi Davidi,—sepse ti je njeri i urtë dhe di atë që duhet të bësh. Bëj që flokët e tij të bardha të zbresin të lyera me gjak në Sheol.» Solomoni urdhëroi Benajahun që të ekzekutonte këtë ndëshkim. (1 Mbretërve 2:8, 9, 44-46) Një tjetër që u ekzekutua nga Benajahu ishte Joabi, ish-komandanti ushtarak i Izraelit. Flokët e tij të thinjur nuk ‘zbritën në paqe në Sheol’. (1 Mbretërve 2:5, 6, 28-34) Të dy këta shembuj tregojnë se fjalët që tha Davidi në këngën e tij të frymëzuar janë të vërteta: «Të pabesët do të zbresin në Sheol; po, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë.»—Psalmi 9:17.
12. Kush ishte Ahithofeli e ku shkoi kur vdiq?
12 Ahithofeli ishte këshilltar personal i Davidit. Këshilla e tij vlerësohej sikur të vinte nga vetë Jehovai. (2 Samuelit 16:23) Por, mjerisht, ky shërbëtor i besuar u bë tradhtar dhe mori pjesë në një grusht shteti të organizuar nga Absalomi, i biri i Davidit. Me sa duket, Davidi e kishte fjalën për këtë tradhti kur shkroi: «Nuk ka qenë një armiku im që tallej me mua, përndryshe do ta kisha duruar; nuk ka qenë një që më urrente ai që u ngrit kundër meje, ndryshe do t’i isha fshehur atij.» Davidi vazhdoi: «I zëntë befas vdekja, u ulshin të gjallë në Sheol, sepse në banesat e tyre dhe në mes tyre nuk ka veçse ligësi.» (Psalmi 55:12-15) Kur vdiqën, Ahithofeli me shokë, shkuan në Sheol.
Cilët janë në Gehenë?
13. Pse Juda është quajtur ‘biri i shkatërrimit’?
13 Le ta krahasojmë situatën ku u gjend Davidi me atë që kaloi Davidi më i Madh, Jezui. Njëri nga 12 apostujt e tij, Juda Iskarioti, u bë tradhtar, si Ahithofeli. Por tradhtia e Judës ishte shumë më e rëndë se ajo e Ahithofelit, sepse ishte kundër Birit të vetëmlindur të Perëndisë. Në një lutje që bëri në fund të shërbimit të tij në tokë, Biri i Perëndisë tha për ithtarët e tij: «Kur isha me ta, i ruaja për hir të emrit tënd që më ke dhënë; dhe i kam ruajtur, e asnjëri prej tyre nuk është shkatërruar, përveç birit të shkatërrimit, me qëllim që të përmbushej shkrimi.» (Gjoni 17:12) Duke e quajtur ‘biri i shkatërrimit’, Jezui bëri të qartë se kur Juda vdiq, për të nuk kishte asnjë shpresë për t’u rikthyer. Ai nuk mbeti në kujtesën e Perëndisë. Nuk shkoi në Sheol, por në Gehenë. Çfarë është Gehena?
14. Çfarë përfaqëson Gehena?
14 Jezui i dënoi udhëheqësit fetarë të ditëve të tij, sepse bënin që dishepujt e tyre ‘të meritonin Gehenën’. (Mateu 23:15) Në atë kohë, njerëzit e njihnin luginën e Hinomit, një zonë që përdorej si vend për grumbullimin e plehrave e ku hidheshin trupat e kriminelëve të vrarë, që nuk konsideroheshin të denjë për një varrim normal. Edhe më parë Jezui e kishte përmendur Gehenën, në Predikimin në Mal. (Mateu 5:29, 30) Për dëgjuesit e tij, kuptimi simbolik i këtij emri ishte shumë i qartë. Gehena përfaqësonte shkatërrimin e plotë, pa shpresë për ringjallje. A ka të tjerë, përveç Judë Iskariotit nga koha e Jezuit, që, kur vdiqën, shkuan në Gehenë e jo në Sheol ose Hades?
15, 16. Cilët shkuan në Gehenë kur vdiqën, dhe përse shkuan atje?
15 Njerëzit e parë, Adami dhe Eva, u krijuan të përsosur. Kishin para tyre dy mundësi: jetën e përhershme ose vdekjen. Ata mëkatuan me dashje, duke shkelur urdhrin e Perëndisë e duke marrë anën e Satanait. Prandaj, kur vdiqën, nuk kishin shpresë të përfitonin nga flijimi shpërblyes i Krishtit. Ata shkuan në Gehenë.
16 Kaini, djali i parë i Adamit, vrau vëllanë e vet, Abelin, dhe më pas jetoi gjithë jetën si ikanak. Apostulli Gjon e përshkroi Kainin si ai «që vinte nga i ligu». (1 Gjonit 3:12) Është e arsyeshme të mendojmë se, ashtu si prindërit e vet, edhe ai shkoi në Gehenë kur vdiq. (Mateu 23:33, 35) Sa ndryshe është kjo me situatën e Abelit të drejtë! «Me anë të besimit Abeli i ofroi Perëndisë një flijim me vlerë më të madhe se ai i Kainit, besim nëpërmjet të cilit për të u dha dëshmi se ishte i drejtë, duke qenë se Perëndia dha dëshmi për dhuratat e tij,—shpjegoi Pavli, e shtoi,—dhe nëpërmjet tij, edhe pse vdiq, ai ende flet.» (Hebrenjve 11:4) Pra, tani Abeli është në Sheol, duke pritur ringjalljen.
Një ringjallje «e parë» dhe një ‘më e mirë’
17. (a) Cilët shkojnë në Sheol gjatë kësaj ‘kohe të fundit’? (b) Çfarë të ardhme ka për ata që janë në Sheol e për ata në Gehenë?
17 Me siguri, shumë veta që lexojnë këtë informacion, do të pyesin ç’ndodh me ata që vdesin gjatë kësaj ‘kohe të fundit’. (Danieli 8:19) Kapitulli i gjashtë i Zbulesës përshkruan katër kalorës që kalërojnë gjatë kësaj periudhe kohe. Është interesant se i fundit prej tyre ka emrin Vdekje, dhe ndiqet nga Hadesi. Kështu, shumë njerëz që vdesin para kohe nga veprimtaria e kalorësve të mëparshëm, përfundojnë në Hades, ku presin ringjalljen në botën e re të Perëndisë. (Zbulesa 6:8) Atëherë, çfarë të ardhme ka për ata që janë në Sheol (Hades) dhe për ata që janë në Gehenë? E thënë me dy fjalë: ringjallje për të parët dhe shkatërrim të përhershëm për të dytët, pra mosekzistencë.
18. Cilën mundësi ofron ‘ringjallja e parë’?
18 Apostulli Gjon shkroi: «I lum dhe i shenjtë është kushdo që ka pjesë në ringjalljen e parë; vdekja e dytë nuk ka asnjë autoritet mbi këta, por ata do të jenë priftërinj të Perëndisë dhe të Krishtit dhe do të sundojnë si mbretër me të për një mijë vjetët.» Ata që do të jenë bashkësundimtarë me Krishtin marrin pjesë në «ringjalljen e parë». Po për pjesën tjetër të njerëzimit, çfarë shprese ka?—Zbulesa 20:6.
19. Si do të nxjerrin dobi disa njerëz nga ‘një ringjallje më e mirë’?
19 Që në ditët e Elijas dhe Eliseut, shërbëtorë të Perëndisë, me anë të mrekullisë së ringjalljes, u kthyen në jetë disa njerëz. «Gratë morën të vdekurit e tyre me anë të ringjalljes,—tha Pavli,—por të tjerë u torturuan, sepse nuk pranonin çlirim nëpërmjet ndonjë shpërblese, me qëllim që të fitonin një ringjallje më të mirë.» Pra, këta njerëz besnikë që mbajtën integritetin, prisnin ringjalljen që do t’u ofronte jo vetëm ca vjet jetë më shumë, që pastaj të vdisnin prapë, por mundësinë e jetës së përhershme! Kjo do të jetë vërtet ‘një ringjallje më e mirë’.—Hebrenjve 11:35.
20. Çfarë do të shqyrtohet në artikullin vijues?
20 Në qoftë se vdesim besnikë para se Jehovai të ketë sjellë fundin e këtij sistemi të lig, kemi shpresën e sigurt për «një ringjallje më të mirë». Është më e mirë në kuptimin që të ofron jetën e përhershme. Jezui premtoi: «Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varret përkujtimore do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin.» (Gjoni 5:28, 29) Në artikullin vijues do të shqyrtohet më tej se cili është qëllimi i ringjalljes. Do të kuptojmë se si shpresa e ringjalljes na jep forcë që të mbajmë integritetin dhe na ndihmon që të kemi frymën e vetëmohimit.
A ju kujtohet?
• Pse Jehovai është quajtur Perëndia «i të gjallëve»?
• Cila është gjendja e atyre që janë në Sheol?
• Çfarë të ardhme kanë ata që janë në Gehenë?
• Si do të nxjerrin dobi disa veta nga «një ringjallje më e mirë»?
[Figura në faqen 15]
Ashtu si Abrahami, ata që shkojnë në Sheol presin ringjalljen
[Figurat në faqen 16]
Pse Adami, Eva, Kaini dhe Judë Iskarioti përfunduan në Gehenë?