Të imitojmë guximin dhe aftësinë dalluese të Jezuit
«Edhe pse nuk e keni parë kurrë, ju e doni atë. Edhe pse tani për tani nuk e shihni, prapëseprapë ju tregoni besim tek ai.»—1 PJET. 1:8.
1, 2. (a) Si mund të kemi shpresën të shpëtojmë? (b) Si mund të vazhdojmë të ecim në vijë të drejtë në udhën e shpëtimit?
KUR bëhemi dishepuj të Krishtit, nisim një udhëtim, i cili mund të na çojë drejt jetës, qoftë në qiell, qoftë në tokë. Jezui tha: «Ai që qëndron deri në fund [deri në fund të jetës së tij ose deri në fund të këtij sistemi të lig], do të shpëtojë.» (Mat. 24:13) Nëse qëndrojmë në udhën e besnikërisë, kemi shpresën të shpëtojmë. Veçse gjatë udhës duhet të hapim sytë që të mos shpërqendrohemi ose të humbim. (1 Gjon. 2:15-17) Si mund të vazhdojmë të ecim në vijë të drejtë gjatë këtij udhëtimi?
2 Shembulli ynë, Jezui, na priu në këtë rrugë. Udhëtimi i tij përshkruhet në Bibël. Kur e studiojmë, mësojmë si ishte Jezui, e kështu arrijmë ta duam e të tregojmë besim tek ai. (Lexo 1 Pjetrit 1:8, 9.) Të kujtojmë fjalët e apostullit Pjetër se Jezui na la një model, që të ndjekim me kujdes gjurmët e tij. (1 Pjet. 2:21) Nëse ndjekim nga afër hapat e tij, do të arrijmë synimin e besimit tonë: shpëtimin.a Në artikullin e kaluar folëm si mund ta imitojmë shembullin e Jezuit duke qenë të përulur dhe zemërbutë. Tani le të shqyrtojmë si mund t’i ndjekim gjurmët e tij duke treguar guxim dhe aftësi dalluese.
JEZUI ËSHTË GUXIMTAR
3. Ç’është guximi, dhe si mund ta fitojmë?
3 Guximi është një lloj sigurie që mund të na japë forcë e të na mbajë në këmbë. Të jesh i guximshëm është përkufizuar si «të mos thyhesh para vështirësive», «të mbrosh atë që është e drejtë» dhe «t’u bësh ballë vuajtjeve me dinjitet ose besim». Guximi është i gërshetuar me frikën, shpresën dhe dashurinë. Si vallë? Frika nga Perëndia na jep guxim të mposhtim frikën nga njeriu. (1 Sam. 11:7; Prov. 29:25) Shpresa e vërtetë na ndihmon të shohim përtej sprovave të tanishme dhe ta presim të sigurt të ardhmen. (Psal. 27:14) Dashuria vetëmohuese na nxit të tregojmë guxim edhe nëse e kemi kokën në rrezik. (Gjoni 15:13) Kur mbështetemi te Perëndia dhe ndjekim gjurmët e Birit të tij, gjejmë guxim.—Psal. 28:7.
4. Si shfaqi guxim Jezui «mes mësuesve» në tempull? (Shih figurën hapëse.)
4 Që kur ishte 12 vjeç, Jezui mbrojti me guxim atë që ishte e drejtë. Vër re ç’ndodhi kur Jezui i vogël ishte ‘në tempull, i ulur mes mësuesve’. (Lexo Lukën 2:41-47.) Ata mësues njihnin në majë të gishtave jo vetëm Ligjin e Moisiut, por edhe traditat e sajuara nga njerëzit që i ulnin autoritetin Ligjit. Ama Jezui nuk u step dhe nuk e mbylli gojën, por u bënte pyetje. Natyrisht, ato nuk ishin pyetjet e zakonshme të një djaloshi kureshtar. Mund ta përfytyrojmë Jezuin tek bënte pyetje që i futnin në mendime mësuesit e zotë dhe i shkundnin nga plogështia. E nëse u orvatën ta ngatërronin Jezuin me pyetje që ndiznin polemika, u shkoi huq. Fundja, të gjithë ata që e dëgjonin, përfshirë edhe mësuesit, «mahniteshin me kuptueshmërinë dhe përgjigjet e tij»—përgjigje që patjetër mbështetnin të vërtetën e Fjalës së Perëndisë.
5. Në cilat mënyra tregoi guxim Jezui gjatë shërbimit të tij?
5 Gjatë shërbimit të tij, Jezui tregoi guxim në lloj-lloj mënyrash. Demaskoi pa u trembur krerët fetarë që mashtronin popullin me mësime të rreme. (Mat. 23:13-36) Qëndroi i palëkundur para ndikimit helmues të botës. (Gjoni 16:33) Vazhdoi të predikonte pavarësisht nga presioni i kundërshtarëve. (Gjoni 5:15-18; 7:14) E pastroi dy herë tempullin pa iu dridhur qerpiku, duke dëbuar ata që ndotnin adhurimin e pastër atje.—Mat. 21:12, 13; Gjoni 2:14-17.
6. Si tregoi guxim Jezui ditën e fundit të jetës në tokë?
6 Na forcohet besimi kur gjurmojmë hapat e guximshëm të Jezuit përballë vuajtjeve. Mendo për kurajën që tregoi ditën e fundit të jetës në tokë. E dinte mirë rrjedhën e ngjarjeve që do të vinte në lëvizje tradhtari i tij. Prapëseprapë, gjatë vaktit të Pashkës, Jezui i tha Judës: «Atë që po bën, bëje më shpejt.» (Gjoni 13:21-27) Në kopshtin e Getsemanisë, Jezui u tha pa u trembur ushtarëve se ishte ai që po kërkonin të arrestonin. Edhe pse e kishte kokën në rrezik, foli hapur për të mbrojtur dishepujt. (Gjoni 18:1-8) Kur e morën në pyetje para Sinedrit, pranoi se ishte edhe Krishti, edhe Biri i Perëndisë, ndonëse e dinte se kryeprifti po kërkonte ndonjë pretekst për ta dënuar me vdekje. (Mar. 14:60-65) Mbajti integritetin i paepur derisa vdiq në shtyllën e ekzekutimit. Para se të jepte frymën e fundit mes dhembjesh të tmerrshme, thirri triumfues: «U krye!»—Gjoni 19:28-30.
TË IMITOJMË GUXIMIN E JEZUIT
7. Fëmijë e të rinj, si ndiheni që mbani emrin e Jehovait dhe si mund të tregoheni të guximshëm?
7 Si mund ta imitojmë Jezuin duke treguar guxim? Në shkollë. Ju fëmijë e të rinj shfaqni guxim kur tregoni pa ngurruar se jeni Dëshmitarë të Jehovait, edhe nëse kjo sjell tallje nga shokët e shkollës a nga të tjerë. Kështu tregoni se e mbani me krenari emrin e Jehovait. (Lexo Psalmin 86:12.) Ose mbase ju bëjnë presion ta pranoni evolucionin si fakt. Por keni arsye të forta të mos dyshoni aspak te krijimi për të cilin flet Bibla. Mund të përdorni broshurën Origjina e jetës: Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh për t’iu dhënë përgjigje bindëse atyre që kërkojnë «arsye për shpresën tuaj». (1 Pjet. 3:15) Atëherë do të kënaqeni ngaqë e dini se keni përkrahur të vërtetën e Fjalës së Perëndisë.
8. Ç’arsye kemi të predikojmë me guxim?
8 Në shërbim. Si të krishterë të vërtetë, duhet të vazhdojmë ‘të flasim me guxim me anë të autoritetit që na ka dhënë Jehovai’. (Vep. 14:3) Ç’arsye kemi të predikojmë me guxim ose kurajë? E dimë se ajo që predikojmë është e vërteta sepse bazohet në Bibël. (Gjoni 17:17) E kemi të qartë se «jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë» dhe se ai na mbështet me frymën e tij të shenjtë. (1 Kor. 3:9; Vep. 4:31) E dimë mirë se, kur dëshmojmë me zell, tregojmë përkushtimin ndaj Jehovait dhe dashurinë për të tjerët. (Mat. 22:37-39) Plot kurajë, ne nuk do të heshtim. Përkundrazi, jemi të vendosur të demaskojmë gënjeshtrat fetare që i kanë verbuar njerëzit aq sa nuk e dallojnë të vërtetën. (2 Kor. 4:4) E nuk do të heqim dorë nga predikimi i lajmit të mirë, edhe nëse të tjerët janë indiferentë, na tallin ose na kundërshtojnë.—1 Sel. 2:1, 2.
9. Si mund të tregojmë guxim përballë vuajtjeve?
9 Përballë vuajtjeve. Besimi dhe guximi përballë vështirësive vijnë kur mbështetemi te Perëndia. Kur na vdes një njeri i dashur, pikëllohemi, por nuk e humbim shpresën. Plot besim, i kërkojmë forcë ‘Perëndisë së çdo ngushëllimi’. (2 Kor. 1:3, 4; 1 Sel. 4:13) Nëse sëmuremi a plagosemi rëndë, mund të heqim dhembje, por nuk bëjmë kompromis. Nuk pranojmë asnjë trajtim mjekësor që bie ndesh me parimet biblike. (Vep. 15:28, 29) Në rast se ndihemi përtokë, «zemra mund të na dënojë», por prapë nuk dorëzohemi, sepse mbështetemi te Perëndia që «u rri pranë zemërthyerve».b—1 Gjon. 3:19, 20; Psal. 34:18.
JEZUI KA AFTËSI DALLUESE
10. Ç’është aftësia dalluese, dhe si flet e vepron një adhurues i Jehovait që ka këtë aftësi?
10 Aftësia dalluese është gjykim i shëndoshë, pra aftësia për shquar të drejtën nga e gabuara e për të zgjedhur pastaj rrugën e mençur. (Hebr. 5:14) Është përkufizuar si «aftësia për t’i gjykuar me maturi çështjet frymore». Një adhurues me aftësi dalluese flet dhe vepron në një mënyrë që i pëlqen Perëndisë. Zgjedh fjalë që i ndihmojnë të tjerët, jo që i lëndojnë. (Prov. 11:12, 13) «Nuk zemërohet shpejt.» (Prov. 14:29) «Shkon drejt përpara» duke mbajtur drejtimin e duhur në udhën e jetës. (Prov. 15:21) Si mund të fitojmë aftësi dalluese? Duhet të studiojmë Fjalën e Perëndisë dhe ta zbatojmë atë që mësojmë. (Prov. 2:1-5, 10, 11) Një ndihmë e madhe është shqyrtimi i shembullit të Jezuit, njeriut me më shumë aftësi dalluese në historinë njerëzore.
11. Si tregoi Jezui aftësi dalluese në mënyrën si fliste?
11 Jezui tregoi aftësi dalluese në gjithë sa tha e bëri. Në mënyrën si fliste. Ai përdorte gjykim të shëndoshë kur predikonte lajmin e mirë, duke zgjedhur ‘fjalë plot hir’ që i mahnitnin dëgjuesit. (Luka 4:22; Mat. 7:28) Shpesh linte të fliste vetë Fjala e Perëndisë, duke lexuar, cituar ose përmendur shkrimet e goditura për të dalë aty ku donte. (Mat. 4:4, 7, 10; 12:1-5; Luka 4:16-21) Po ashtu, Jezui i shpjegonte Shkrimet në një mënyrë që u prekte zemrën dëgjuesve. Pas ringjalljes, teksa u fliste dy dishepujve që po udhëtonin për në Emaus, «u shpjegoi në të gjitha Shkrimet gjërat që kishin të bënin me të». Më vonë dishepujt thanë: «A nuk na digjej zemra kur . . . na i zbërthente plotësisht Shkrimet?!»—Luka 24:27, 32.
12, 13. Cilët shembuj tregojnë se Jezui nuk zemërohej shpejt dhe se ishte i arsyeshëm?
12 Në temperamentin dhe në qëndrimin e tij. Aftësia dalluese e ndihmonte Jezuin të mbante nën kontroll veten, e kështu ‘nuk zemërohej shpejt’. (Prov. 16:32) Ai ishte «me natyrë të butë». (Mat. 11:29) Gjithmonë tregohej i duruar me dishepujt, pavarësisht nga të metat e tyre. (Mar. 14:34-38; Luka 22:24-27) Nuk e humbte gjakftohtësinë edhe kur e trajtonin padrejtësisht.—1 Pjet. 2:23.
13 Aftësia dalluese e ndihmoi Jezuin edhe të ishte i arsyeshëm. Ai shihte përtej asaj që shkruhej në Ligjin e Moisiut; dallonte frymën e Ligjit dhe vepronte në harmoni me të. Le të marrim për shembull tregimin te Marku 5:25-34. (Lexoje.) Një grua me rrjedhje gjaku çau rrugën mes një turme, preku rrobat e Jezuit dhe u shërua. Sipas Ligjit, ajo ishte e papastër, ndaj nuk duhej të kishte prekur askënd. (Lev. 15:25-27) Por Jezui—që dallonte «çështjet më me peshë të Ligjit», ku përfshihej ‘mëshira dhe besnikëria’—nuk e qortoi pse i preku rrobat. (Mat. 23:23) Në vend të kësaj, i tha me dashamirësi: «Bijë, besimi yt të shëroi. Shko në paqe dhe qofsh shëndoshë, sepse sëmundja jote e rëndë kaloi!» Sa prekëse që aftësia dalluese e nxiti Jezuin të shfaqte aq dashamirësi!
14. Çfarë zgjodhi të bënte Jezui, dhe si qëndroi në këtë udhë?
14 Në udhën që ndoqi në jetë. Jezui tregoi aftësi dalluese duke zgjedhur udhën e duhur e duke qëndruar në të. U dha pas predikimit të lajmit të mirë, duke e bërë boshtin e jetës së tij. (Luka 4:43) Falë vendimeve që e ndihmuan të mbetej i përqendruar te vepra dhe ta çonte deri në fund, ai nuk devijoi nga udha. Me mençuri zgjodhi një jetë të thjeshtë që t’ia kushtonte kohën dhe energjitë shërbimit. (Luka 9:58) Dalloi sa e nevojshme ishte të stërviste të tjerë që ta çonin para veprën pas vdekjes së tij. (Luka 10:1-12; Gjoni 14:12) U dha fjalën dishepujve se do të vazhdonte të përfshihej në këtë vepër «deri në përfundimin e sistemit».—Mat. 28:19, 20.
TË IMITOJMË AFTËSINË DALLUESE TË JEZUIT
15. Si mund të tregojmë aftësi dalluese në mënyrën si flasim?
15 Të shohim një mënyrë tjetër si ta imitojmë Jezuin. Në mënyrën si flasim. Kur bisedojmë me vëllezër e motra, përdorim fjalë që i ndërtojnë, jo që i rrëzojnë. (Efes. 4:29) Ndërsa u flasim të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë, i lezetojmë fjalët tona «me kripë». (Kolos. 4:6) Përpiqemi të dallojmë çfarë u nevojitet dhe çfarë u intereson njerëzve në territor e pastaj zgjedhim fjalët e përshtatshme. Nuk harrojmë se fjalët e hijshme mund të hapin dyert, madje edhe zemrat. Dhe kur shpjegojmë bindjet tona, lëmë të flasë vetë Bibla. Prandaj e përmendim si autoritet dhe lexojmë prej saj sa herë mundemi. E dimë mirë se mesazhi i Biblës është ku e ku më i fuqishëm se çdo gjë që mund të themi ne vetë.—Hebr. 4:12.
16, 17. (a) Si e tregojmë se nuk zemërohemi shpejt dhe se jemi të arsyeshëm? (b) Si mund të mos shpërqendrohemi nga shërbimi?
16 Në temperamentin dhe në qëndrimin tonë. Aftësia dalluese na ndihmon të mbajmë nën kontroll veten, e kështu ‘nuk zemërohemi shpejt’. (Jak. 1:19) Kur dikush na fyen, përpiqemi të kuptojmë pse foli ose veproi ashtu. Ky gjykim i thellë mund të na e shuajë inatin dhe mund të na ndihmojë ‘të kapërcejmë shkeljen’. (Prov. 19:11) Aftësia dalluese na ndihmon edhe të jemi të arsyeshëm. Ndaj përpiqemi të jemi realistë në atë që presim nga bashkëbesimtarët, duke mbajtur parasysh se ndoshta po kalojnë probleme që ne s’i kuptojmë plotësisht. Jemi të gatshëm t’i dëgjojmë opinionet e tyre dhe kur është e përshtatshme, të hapim rrugë e të heqim dorë nga pikëpamja jonë.—Filip. 4:5.
17 Në udhën që ndjekim në jetë. Si dishepuj të Jezuit, e kuptojmë se s’ka privilegj më të madh se të marrim pjesë në veprën e predikimit të lajmit të mirë. Nuk devijojmë nga udha kur marrim vendime që na ndihmojnë të mbetemi të përqendruar te shërbimi. Zgjedhim të mbajmë në vend të parë gjërat frymore dhe të bëjmë një jetë të thjeshtë, që të jepemi pas veprës jetësore të predikimit para se të vijë fundi.—Mat. 6:33; 24:14.
18. Si mund të ecim në vijë të drejtë në udhën e shpëtimit, dhe për çfarë je i vendosur?
18 A nuk u kënaqëm duke soditur më nga afër disa cilësi tërheqëse të Jezuit? Përfytyro sa dobi do të nxjerrim po të studiojmë edhe cilësi të tjera të tij e të mësojmë si t’i ngjajmë më shumë. Pra, le të jemi të vendosur të ndjekim me kujdes gjurmët e tij. Kështu do të vazhdojmë të ecim në vijë të drejtë në udhën që na çon në shpëtim e do t’i afrohemi më shumë Jehovait, Atij që Jezui e imitoi përsosmërisht.
a 1 Pjetrit 1:8, 9 iu drejtua të krishterëve me shpresë qiellore. Por, në parim, këto fjalë vlejnë edhe për ata që kanë shpresë tokësore.
b Për shembuj guximi përballë vuajtjeve shih Kullën e Rojës të 1 dhjetorit 2000, faqet 24-28; Zgjohuni! të 22 prillit 2003, faqet 18-21 dhe të 22 janarit 1995, faqet 11-15 (anglisht).