Kapitulli 113
Mësim përulësie gjatë Pashkës së fundit
PJETRI dhe Gjoni, sipas udhëzimeve të Jezuit, tashmë kanë mbërritur në Jerusalem për të bërë përgatitjet e Pashkës. Jezui, me sa duket bashkë me dhjetë apostujt e tjerë, mbërrin më vonë në pasdite. Ndërsa Jezui dhe ata që e shoqërojnë zbresin nga Mali i Ullinjve, dielli ulet poshtë në horizont. Kjo është hera e fundit që Jezui e shikon qytetin gjatë ditës nga ky mal, deri pas ringjalljes së tij.
Shpejt, Jezui dhe ata që e shoqërojnë mbërrijnë në qytet dhe drejtohen për në shtëpinë ku do të kremtojnë Pashkën. Ata ngjitin shkallët dhe shkojnë në dhomën e madhe të sipërme, ku gjejnë të gjitha gjërat e përgatitura enkas për kremtimin e tyre privat të Pashkës. Jezui mezi e ka pritur këtë rast, prandaj thotë: «Kam pasur dëshirë të madhe ta ha këtë Pashkë bashkë me ju, para se të vuaj.»
Sipas traditës, pjesëmarrësit e Pashkës pijnë katër kupa me verë. Pasi merr siç duket kupën e tretë, Jezui falënderon dhe thotë: «Merreni këtë dhe kalojeni midis jush nga njëri te tjetri; sepse po ju them: Tani e tutje unë nuk do të pi përsëri nga produkti i hardhisë deri sa të vijë mbretëria e Perëndisë.»—BR.
Në një moment gjatë darkës, Jezui çohet, lë mënjanë rrobat e tij të jashtme, merr një peshqir dhe mbush një legen me ujë. Zakonisht, i zoti i shtëpisë kujdeset që mysafirëve t’u lahen këmbët. Por, meqenëse në këtë rast i zoti i shtëpisë nuk është i pranishëm, për këtë shërbim personal kujdeset Jezui. Kushdo nga apostujt mund ta shfrytëzonte rastin për ta bërë këtë, por me sa duket, meqenëse ekziston akoma njëfarë rivaliteti midis tyre, asnjëri nuk e bën. Tani, ndërsa Jezui fillon t’u lajë këmbët, ata ndihen të turpëruar.
Kur Jezui vjen te Pjetri, ky kundërshton: «Ti kurrë nuk do të m’i lash këmbët.»
«Po nuk të lava, ti nuk do të kesh pjesë me mua»,—i thotë Jezui.
«Zot,—përgjigjet Pjetri,—jo vetëm këmbët, por edhe duart dhe kokën.»
«Ai që është i larë,—përgjigjet Jezui,—s’ka nevojë veçse të lajë vetëm këmbët dhe është krejt i larë; edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë.» Ai thotë kështu sepse e di, që Judë Iskarioti po bën plane për ta tradhëtuar.
Pasi ua ka larë këmbët të 12-ve, duke përfshirë edhe këmbët e Judës, tradhëtarit të tij, Jezui vesh rrobat e tij të jashtme dhe shtrihet përsëri në tavolinë. Pastaj ai pyet: «A e kuptoni këtë që ju kam bërë? Ju më quani Mësues dhe Zot dhe mirë thoni, sepse jam. Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit. Unë, në fakt, ju kam dhënë shembullin, që ashtu siç kam bërë unë, [të] bëni edhe ju. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: ‘Shërbëtori nuk është më i madh se padroni i tij, as i dërguari më i madh se ai që e ka dërguar’. Po t’i dini këto gjëra, të lumtur jeni ju nëse do t’i bëni.»
Çfarë mësimi i shkëlqyer në lidhje me shërbimin e përulur! Apostujt nuk duhet të kërkojnë të jenë të parët, duke menduar se janë kaq të rëndësishëm, sa të tjerët duhet t’u shërbejnë. Ata duhet të ndjekin modelin e lënë nga Jezui. Ky model nuk nënkupton një pastrim ritual të këmbëve. Jo, në vend të kësaj, ai do të thotë gatishmëri për t’u shërbyer të tjerëve me paanësi, pavarësisht se sa e ulët apo e pakëndshme mund të jetë detyra. Mateu 26:20, 21; Marku 14:17, 18; Luka 22:14-18; 7:44; Gjoni 13:1-17.
▪ Ç’ka të veçantë kur Jezui sheh Jerusalemin, ndërsa hyn në qytet për të kremtuar Pashkën?
▪ Gjatë Pashkës, me sa duket cilën kupë u kalon Jezui 12 apostujve pas falënderimit?
▪ Kur Jezui ishte në tokë, çfarë shërbimi personal u bëhej mysafirëve sipas traditës dhe përse nuk u bë ai shërbim gjatë Pashkës që kremtuan Jezui dhe apostujt?
▪ Cili ishte qëllimi i Jezuit kur kreu shërbimin e ulët të larjes së këmbëve të apostujve të tij?