Të mbahemi fort pas besimit tonë të çmuar!
«Atyre që kanë marrë një besim, të konsideruar të barabartë në privilegj me tonin.»—2. PJETRIT 1:1, BR.
1. Çfarë u tha Jezui apostujve të tij si paralajmërim, por si u mburr Pjetri?
MBRËMJEN para vdekjes së vet, Jezui tha se të gjithë apostujt e tij do ta braktisnin. Njëri prej tyre, Pjetri, u mburr: «Edhe sikur të gjithë të tjerët të pengohen në lidhje me ty, unë nuk do të pengohem kurrë!» (Mateu 26:33, BR) Por Jezui e dinte se do të ndodhte ndryshe. Ja sepse, në po atë rast, ai i tha Pjetrit: «Kam bërë përgjërime për ty, që besimi yt të mos lëshohet dhe ti, pasi të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu.»—Luka 22:32, BR.
2. Megjithë sigurinë e tepërt të Pjetrit, cilat veprime të tij treguan se besimi i tij ishte i dobët?
2 Pjetri, i cili ishte bërë tepër i sigurt në lidhje me besimin e tij, e mohoi Jezuin po atë natë. Tri herë ai mohoi madje edhe se e njihte Krishtin! (Mateu 26:69-75) Kur «u kthye», fjalët e Mësuesit të tij, «forco vëllezërit e tu», duhet të kenë kumbuar fort dhe qartë në veshët e tij. Pjesa tjetër e jetës së Pjetrit u ndikua thellë nga ai paralajmërim, siç dëshmohet nga dy letrat që shkroi, të cilat janë ruajtur në Bibël.
Përse i shkroi Pjetri letrat e tij?
3. Përse e shkruajti Pjetri letrën e tij të parë?
3 Rreth 30 vjet pas vdekjes së Jezuit, Pjetri shkroi letrën e tij të parë, duke ua drejtuar atë vëllezërve të tij në Pont, Galati, Kapadoki, Azi dhe Bitini, zona që tani përbëjnë Turqinë veriore dhe perëndimore. (1. Pjetrit 1:1) Judenjtë, disa prej të cilëve mund të ishin bërë të krishterë në Rrëshajët e vitit 33 të e.s, pa dyshim që përfshiheshin mes atyre të cilëve u shkroi Pavli. (Veprat 2:1, 7-9) Shumë ishin johebrenj që po vuanin sprova zjarri në duart e kundërshtarëve. (1. Pjetrit 1:6, 7; 2:12, 19, 20; 3:13-17; 4:12-14) Pra, Pjetri u shkroi këtyre vëllezërve, që t’i inkurajonte. Qëllimi i tij ishte t’i ndihmonte të merrnin «fundin e besimit [të tyre], shpëtimin e shpirtrave [të tyre]». Prandaj, në paralajmërimin e tij të fundit, ai nxiti: «Merrni qëndrimin tuaj kundër [Djallit], të fortë në besim».—1. Pjetrit 1:9; 5:8-10, BR.
4. Përse e shkruajti Pjetri letrën e tij të dytë?
4 Më vonë, Pjetri u shkroi këtyre të krishterëve një letër të dytë. (2. Pjetrit 3:1) Pse? Sepse ekzistonte një rrezik edhe më i madh. Individë imoralë do të përpiqeshin të nxitnin sjelljen e tyre të ndyrë mes besimtarëve dhe do t’i futnin në rrugë të shtrembër disa. (2. Pjetrit 2:1-3) Për më tepër, Pjetri paralajmëroi për tallësit. Në letrën e tij të parë, ai kishte shkruar se «fundi i të gjitha gjërave është afruar» dhe me sa duket tani disa po talleshin me një ide të tillë. (1. Pjetrit 4:7, BR; 2. Pjetrit 3:3, 4) Le të marrim në shqyrtim letrën e dytë të Pjetrit dhe të shohim se si i forcoi ai vëllezërit, për të mbetur të palëkundur në besim. Në këtë artikull të parë, do të marrim në shqyrtim kapitullin 1 të letrës së dytë të Pjetrit.
Qëllimi i kapitullit 1
5. Si i përgatit Pjetri lexuesit e tij për një trajtim të problemeve?
5 Pjetri nuk trajton menjëherë problemet serioze. Përkundrazi, ai përgatit rrugën për trajtimin e këtyre problemeve, duke rritur çmueshmërinë e lexuesve të tij për atë që kishin marrë kur u bënë të krishterë. Ai u kujton atyre premtimet e mrekullueshme të Perëndisë dhe besueshmërinë e profecive biblike. Ai e bën këtë, duke u treguar për shpërfytyrimin, vizionin që pati personalisht: atë të Krishtit në fuqinë e Mbretërisë.—Mateu 17:1-8; 2. Pjetrit 1:3, 4, 11, 16-21.
6, 7. (a) Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga hyrja e letrës së Pjetrit? (b) Nëse japim këshilla, ç’lloj pranimi për ne vetë mund të jetë e dobishme të bëjmë hera-herës?
6 A mund të nxjerrim një mësim nga hyrja që bëri Pjetri? A nuk është më e pranueshme këshilla, nëse në fillim rishikojmë bashkë me ata që e dëgjojnë, tiparet e shpresës së madhe të Mbretërisë, që e çmojmë si ne, ashtu dhe ata? Ç’të themi për përdorimin e një përvoje personale? Ngjashëm, pas vdekjes së Jezuit, Pjetri tregoi shpesh për atë që pa në vizionin e Krishtit në lavdinë e Mbretërisë.—Mateu 17:9.
7 Mos harro, gjithashtu, se ka shumë mundësi që në kohën kur Pjetri shkroi letrën e tij të dytë, ungjilli i Mateut dhe letra e apostullit Pavël drejtuar galatasve, të kenë qenë të shpërndara gjerësisht. Kështu që të metat njerëzore të Pjetrit, si dhe historia e besimit të tij, mund të kenë qenë të njohura mirë nga bashkëkohësit e tij. (Mateu 16:21-23; Galatasve 2:11-14) Megjithatë, kjo nuk i hoqi atij lirinë e fjalës. Në të vërtetë, kjo gjë mund ta ketë bërë letrën e tij më tërheqëse për ata që ishin të ndërgjegjshëm për dobësitë e veta. Prandaj, kur ndihmojmë ata që kanë probleme, a nuk do të ishte e efektshme të pranonim se edhe ne jemi të prirur për të gabuar?—Romakëve 3:23; Galatasve 6:1.
Një përshëndetje forcuese
8. Në çfarë kuptimi ka të ngjarë ta ketë përdorur Pjetri fjalën «besim»?
8 Të shqyrtojmë tani përshëndetjen e Pjetrit. Ai preku menjëherë temën e besimit, duke iu drejtuar lexuesve të tij si «atyre që kanë marrë një besim, të konsideruar të barabartë në privilegj me tonin». (2. Pjetrit 1:1, BR) Këtu shprehja «një besim» ka të ngjarë se do të thotë «bindje e fortë» dhe i referohet tërësisë së bindjeve apo mësimeve të krishtere, e cila në Shkrime disa herë është quajtur «e vërteta». (Galatasve 5:7; 2. Pjetrit 2:2; 2. Gjonit 1) Fjala «besim» është përdorur shpesh në këtë kuptim, në vend se në kuptimin e përgjithshëm të zënies besë apo dhënies së besimit të plotë dikujt apo diçkaje.—Veprat 6:7; 2. Korintasve 13:5; Galatasve 6:10; Efesianëve 4:5; Juda 3.
9. Përse përshëndetja e Pjetrit duhet të ketë tingëlluar veçanërisht e ngrohtë për johebrenjtë?
9 Përshëndetja e Pjetrit duhet t’u ketë tingëlluar veçanërisht e ngrohtë lexuesve johebrenj. Hebrenjtë nuk kishin asnjë marrëdhënie me johebrenjtë, madje i përbuznin ata dhe paragjykimi kundër johebrenjve vazhdoi të ekzistonte edhe mes hebrenjve që ishin bërë të krishterë. (Luka 10:29-37; Gjoni 4:9; Veprat 10:28) Megjithatë, Pjetri, një hebre nga lindja dhe apostull i Jezu Krishtit, tha se lexuesit e tij, hebrenj dhe johebrenj, ndanë të njëjtin besim dhe gëzuan një privilegj të barabartë me të.
10. Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga përshëndetja e Pjetrit?
10 Mendo për mësimet e shkëlqyera që na mëson sot përshëndetja e Pjetrit. Perëndia nuk është i anshëm; ai nuk favorizon një racë apo kombësi ndaj një tjetre. (Veprat 10:34, 35; 11:1, 17; 15:3-9) Siç mësoi vetë Jezui, të gjithë të krishterët janë vëllezër dhe asnjë prej nesh nuk duhet të ndihet superior. Më tej, përshëndetja e Pavlit thekson se në të vërtetë ne jemi një vëllazëri mbarëbotërore, që mban «të barabartë në privilegj», po atë besim që kishin Pjetri dhe bashkapostujt e tij.—Mateu 23:8; 1. Pjetrit 5:9.
Njohuria dhe premtimet e Perëndisë
11. Pas përshëndetjes së vet, cilat gjëra jetësore theksoi Pjetri?
11 Në vijim të përshëndetjes së tij, Pjetri shkruan: «Dashamirësia e pameritur dhe paqja qofshin të rritura tek ju.» Si duhet të rriten tek ne dashamirësia e pamerituar dhe paqja? «Me anë të një njohurie të saktë të Perëndisë dhe Jezuit, Zotërisë sonë»,—përgjigjet Pjetri. Më pas, ai thotë: «Fuqia hyjnore na ka dhënë pa kursim të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me jetën dhe devotshmërinë hyjnore.» Por si i marrim këto gjëra jetësore? «Me anë të njohurisë së saktë të atij që na thirri përmes lavdisë dhe virtytit.» Pra, Pjetri thekson dy herë që një njohuri e saktë e Perëndisë dhe e Birit të tij, është thelbësore.—2. Pjetrit 1:2, 3, BR; Gjoni 17:3.
12. (a) Përse e theksoi Pjetri rëndësinë e njohurisë së saktë? (b) Çfarë duhet të kemi bërë në radhë të parë, që të gëzojmë premtimet e Perëndisë?
12 «Mësuesit e rremë», për të cilët Pjetri paralajmëron në kapitullin 2, përdorin «fjalë të falsifikuara», për të mashtruar të krishterët. Në këtë mënyrë, ata përpiqen t’i joshin të krishterët, që të kthehen në imoralitetin prej të cilit u çliruan. Për këdo që është shpëtuar me anë të «një njohurie të saktë të Zotërisë dhe të Shpëtimtarit Jezu Krisht» dhe që më vonë dorëzohet para një mashtrimi të tillë, rezultatet janë shkatërrimtare. (2. Pjetrit 2:1-3, 20, BR) Me sa duket, para se të trajtonte më vonë këtë problem, Pjetri theksoi pikërisht në fillim të letrës së tij rolin e një njohurie të saktë në mbajtjen e një qëndrimi të pastër para Perëndisë. Pjetri vëren se Perëndia «na ka dhënë pa kursim premtimet e çmuara dhe shumë të mëdha, që nëpërmjet këtyre të mund të bëheni pjesëmarrës të natyrës hyjnore». Por, për të gëzuar këto premtime, të cilat janë pjesë përbërëse e besimit tonë, thotë Pjetri, së pari duhet t’ia kemi «mbathur nga korruptimi që është në botë nëpërmjet epshit».—2. Pjetrit 1:4, BR.
13. Pas kujt janë të vendosur të mbahen fort, si të krishterët e mirosur, ashtu dhe «delet e tjera»?
13 Si i konsideron ti premtimet e Perëndisë? Në atë mënyrë që i konsideron mbetja e të krishterëve të mirosur? Në vitin 1991, Frederick Franz, atëherë president i Shoqatës Watch Tower Bible and Tract, që kishte ndjekur shërbimin e plotë kohor për më shumë se 75 vjet, përmblodhi ndjenjat e atyre që shpresojnë të mbretërojnë me Krishtin: «Ne po mbahemi fort pikërisht deri në këtë orë dhe do të mbahemi fort derisa Perëndia të ketë provuar faktikisht se është i vërtetë ndaj ‘premtimeve të çmuara dhe shumë të mëdha’ të tij.» Vëllai Franz mbeti me besim të plotë tek premtimi i Perëndisë për një ringjallje qiellore, duke u mbajtur fort pas besimit, deri në vdekjen e tij në moshën 99-vjeçare. (1. Korintasve 15:42-44; Filipianëve 3:13, 14; 2. Timoteut 2:10-12) Ngjashëm, me miliona persona po mbahen fort pas besimit, duke qenë të përqendruar tek premtimi i Perëndisë për një parajsë tokësore, në të cilën njerëzit do të jetojnë përgjithmonë në lumturi. A je një prej tyre?—Luka 23:43; 2. Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:3, 4.
Përgjigje ndaj premtimeve të Perëndisë
14. Përse Pjetri e rendit virtytin si cilësinë e parë me të cilën duhet pajisur besimi?
14 A i jemi mirënjohës Perëndisë për atë që na ka premtuar? Nëse po, Pjetri argumenton se duhet ta tregojmë atë. «Po, pikërisht për këtë arsye» (se Perëndia na ka dhënë premtime shumë të çmuara), duhet të bëjmë një përpjekje të vërtetë për të vepruar. Ne nuk mund të kënaqemi me të qenët thjesht në besim apo thjesht se njohim të vërtetën biblike. Kjo nuk mjafton! Ndoshta në kohën e Pjetrit, disa persona nëpër kongregacione folën shumë për besimin, por u përfshinë në një sjellje imorale. Sjellja e tyre duhej të ishte e virtytshme, prandaj Pjetri nxiti: «Pajiseni besimin tuaj me virtytin.»—2. Pjetrit 1:5, BR; Jakovit 2:14-17.
15. (a) Përse njohuria është renditur pas virtytit, si një cilësi me të cilën duhet pajisur besimi? (b) Cilat cilësi të tjera do të na pajisin për t’u mbajtur fort pas besimit?
15 Pasi përmendi virtytin, Pjetri renditi gjashtë cilësi të tjera me të cilat duhet pajisur, apo që i duhen shtuar besimit tonë. Nëse duam të «qëndrojmë të vendosur në besim», nevojitet secila prej këtyre. (1. Korintasve 16:13, BR) Për shkak se apostatët po ‘shtrembëronin Shkrimet’ dhe po propagandonin «mësime mashtruese», më pas Pjetri renditi si jetësore njohurinë, duke thënë: «Virtytin tuaj [pajiseni me] njohurinë.» Pastaj vazhdon: «Njohurisë suaj [shtojini] vetëkontrollin, vetëkontrollit tuaj qëndrueshmërinë, qëndrueshmërisë suaj devotshmërinë hyjnore, devotshmërisë suaj hyjnore përzemërsinë vëllazërore dhe përzemërsisë vëllazërore, dashurinë.»—2. Pjetrit 1:5-7, BR; 2Pj 2:12, 13, BR; 2Pj 3:16, BR.
16. Çfarë do të ndodhë nëse besimi pajiset me cilësitë që renditi Pjetri këtu dhe çfarë do të ndodhë nëse nuk pajiset me to?
16 Çfarë do të ndodhë nëse besimi ynë pajiset me këto shtatë gjëra? «Nëse këto gjëra ekzistojnë tek ju dhe vërshojnë,—përgjigjet Pjetri,—do t’ju pengojnë të jeni joaktivë apo të pafrytshëm në lidhje me njohurinë e saktë të Zotërisë sonë Jezu Krisht.» (2. Pjetrit 1:8, BR) Nga ana tjetër, Pjetri thotë: «Nëse këto gjëra nuk janë të pranishme tek ndonjë, ai është i verbër, që i mbyll sytë para dritës, dhe ka lënë në harresë pastrimin e tij nga mëkatet e shumë kohëve më parë.» (2. Pjetrit 1:9, BR) Vëre se Pjetri bën ndryshimin nga «ju» dhe «tonë» në «ndonjë», «ai» dhe «tij». Megjithëse, mjerisht disa janë të verbër, i lënë gjërat në harresë dhe janë të papastër, Pjetri me dashamirësi nuk lë të kuptohet se lexuesi është një prej këtyre.—2. Pjetrit 2:2, BR.
Forcimi i vëllezërve të tij
17. Ç’gjë mund të ketë nxitur thirrja e butë e Pjetrit për të praktikuar «këto gjëra»?
17 Ndoshta duke e ditur se veçanërisht të rinjtë në të vërtetën mund të mashtrohen lehtë, Pjetri i inkurajoi me butësi: «Vëllezër, aq më tepër bëni të pamundurën për ta bërë thirrjen dhe zgjedhjen tuaj të sigurt për veten, sepse nëse vazhdoni të bëni këto gjëra, patjetër që nuk do të dështoni kurrë.» (2. Pjetrit 1:10, BR; 2Pj 2:18, BR) Të krishterët e mirosur, të cilët e pajisin besimin e tyre me këto shtatë gjëra, do të gëzojnë një shpërblim të madh, siç thotë Pjetri: «Do t’ju jepet në mënyrë të pasur hyrja në mbretërinë e përhershme të Zotërisë dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krisht.» (2. Pjetrit 1:11, BR) «Delet e tjera» do të marrin një trashëgimi të përhershme në sferën tokësore të Mbretërisë së Perëndisë.—Gjoni 10:16; Mateu 25:33, 34.
18. Përse Pjetri është gati që «gjithmonë t’i kujtojë» vëllezërit e tij?
18 Pjetri e dëshiron sinqerisht një shpërblim të tillë të madh për vëllezërit e tij. «Për këtë arsye,—shkruan ai,—do të jem i gatshëm për t’ju kujtuar gjithmonë këto gjëra, megjithëse i njihni dhe jeni të vendosur fort në të vërtetën.» (2. Pjetrit 1:12, BR) Pjetri përdor fjalën greke ste·riʹzo, që këtu është përkthyer «jeni të vendosur fort», por që është përkthyer «të forcuar» në rastin e paralajmërimit të mëparshëm që Jezui i bëri Pjetrit: «Forco vëllezërit e tu.» (Luka 22:32, BR) Përdorimi i kësaj fjale, mund të sugjerojë idenë se Pjetrit iu kujtua paralajmërimi i fuqishëm që mori nga Zotëria i tij. Tani, Pjetri thotë: «E konsideroj të drejtë, për sa kohë jam në këtë tabernakull [trupin njerëzor], t’ju zgjoj duke ju kujtuar, duke e ditur se së shpejti do të ndodhë heqja e tabernakullit tim.»—2. Pjetrit 1:13, 14, BR.
19. Për çfarë ndihmash kemi nevojë ne sot?
19 Megjithëse Pjetri tha me dashamirësi se lexuesit e tij janë «të vendosur fort në të vërtetën», ai e kupton se besimi i tyre mund të përjetojë fundosje. (1. Timoteut 1:19) Meqenëse e di se së shpejti do të vdesë, ai i forcon vëllezërit e tij, duke u përmendur gjëra që më vonë mund t’u vijnë ndër mend për t’u mbajtur të fortë frymësisht. (2. Pjetrit 1:15, BR; 3:12, 13) Ngjashëm, sot ne kemi nevojë për përkujtues të vazhdueshëm, që të qëndrojmë të vendosur në besim. Pavarësisht se cilët jemi dhe se sa kohë kemi në të vërtetën, nuk mund të lëmë pas dore leximin e rregullt të Biblës, studimin personal dhe pjesëmarrjen në mbledhjet e kongregacionit. Disa nxjerrin justifikime për mosmarrjen pjesë, duke thënë se janë tepër të lodhur, apo se mbledhjet përsëritin njëra-tjetrën dhe nuk të tërheqin, por Pjetri e dinte se sa shpejt mund ta humbasë besimin kushdo prej nesh, nëse bëhemi tepër të sigurt tek vetja.—Marku 14:66-72; 1. Korintasve 10:12; Hebrenjve 10:25.
Bazë e qëndrueshme për besimin tonë
20, 21. Si e forcoi shpërfytyrimi besimin e Pjetrit dhe të lexuesve të letrës së tij, duke na përfshirë edhe ne sot?
20 A është i bazuar besimi ynë thjesht në mite të shpikura me zgjuarsi? «Jo,—përgjigjet Pjetri në mënyrë emfatike,—nuk ishte se duke ndjekur historira fallso të trilluara me mjeshtëri, ju bëmë të njohur fuqinë dhe praninë e Zotërisë sonë Jezu Krisht, por ishte duke u bërë dëshmitarë okularë të madhështisë së tij.» Pjetri, Jakovi dhe Gjoni, ishin të pranishëm me Jezuin kur panë një vizion të tij në fuqinë e Mbretërisë. Pjetri shpjegon: «Ai mori prej Perëndisë Atë nderim dhe lavdi, kur fjalë të tilla si këto u çuan tek ai, me anë të lavdisë së madhërishme: ‘Ky është biri im, i dashuri im, të cilin unë vetë e kam miratuar.’ Po, këto fjalë që dëgjuam, u dërguan nga qielli kur ishim me të në malin e shenjtë.»—2. Pjetrit 1:16-18, BR.
21 Kur Pjetri, Jakovi dhe Gjoni panë atë vizion, sigurisht që për ta Mbretëria u bë reale! «Për pasojë,—vëren Pjetri,—ne kemi fjalën profetike të bërë më të sigurt dhe ju bëni mirë që po i kushtoni vëmendje.» Po, lexuesit e letrës së Pjetrit, ku përfshihemi edhe ne sot, kanë arsye të fuqishme për t’i kushtuar vëmendje profecive mbi Mbretërinë e Perëndisë. Në ç’mënyrë duhet t’u kushtojmë vëmendje? Pjetri përgjigjet: «Si një llambë që ndriçon në një vend të errët, derisa të agojë dita dhe të lindë ylli i mëngjesit në zemrat tuaja.»—2. Pjetrit 1:19, BR; Danieli 7:13, 14; Isaia 9:6, 7.
22. (a) Ndaj ç’gjëje duhet të mbahen zgjuar zemrat tona? (b) Si i kushtojmë vëmendje fjalës profetike?
22 Pa ndriçimin e fjalës profetike, zemrat tona do të ishin të errëta. Por duke i kushtuar vëmendje asaj, zemrat e të krishterëve janë mbajtur zgjuar ndaj agimit të ditës, kur «ylli i mëngjesit», Jezu Krishti, ngrihet në lavdinë e Mbretërisë. (Zbulesa 22:16) Si i kushtojmë sot vëmendje fjalës profetike? Me anë të studimit të Biblës, përgatitjes dhe pjesëmarrjes në mbledhje, si dhe duke ‘u përsiatur mbi këto gjëra e duke u zhytur në to’. (1. Timoteut 4:15, BR) Nëse fjala profetike duhet të jetë si një llambë që ndriçon në një «vend të errët» (zemrat tona), duhet ta lejojmë të ndikojë thellë mbi ne: në dëshirat, emocionet, motivimet dhe synimet tona. Ne duhet të jemi studiues të Biblës, sepse Pjetri e përfundon kështu kapitullin e parë: «Asnjë profeci e Shkrimit nuk buron nga ndonjë interpretim privat. Sepse në asnjë kohë profecia nuk u soll nga vullneti i njeriut, por njerëzit folën prej Perëndisë, siç ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë.»—2. Pjetrit 1:20, 21, BR.
23. Për çfarë i ka përgatitur lexuesit kapitulli i parë i letrës së dytë të Pjetrit?
23 Në kapitullin 1 që hap letrën e tij të dytë, Pjetri siguroi një motivim të fuqishëm për ne, që të mbahemi fort pas besimit tonë të çmuar. Tani jemi të përgatitur për shqyrtimin e çështjeve serioze që vijojnë. Artikulli vijues do të trajtojë kapitullin 2 të letrës së dytë të Pjetrit, ku apostulli merret me sfidën e ndikimeve imorale që kishin depërtuar nëpër kongregacione.
A të kujtohet?
◻ Përse Pjetri thekson rëndësinë e njohurisë së saktë?
◻ Cila mund të jetë arsyeja që virtyti është renditur si cilësia e parë që i duhet shtuar besimit?
◻ Përse Pjetri është gati që gjithmonë t’u japë përkujtues vëllezërve të tij?
◻ Çfarë baze të qëndrueshme siguron Pjetri për besimin tonë?
[Figura në faqen 9]
Mangësitë e Pjetrit nuk e bënë të braktiste besimin e tij