KAPITULLI 123
Lutjet e Jezuit kur i dhemb shpirti
MATEU 26:30, 36-46 MARKU 14:26, 32-42 LUKA 22:39-46 GJONI 18:1
JEZUI NË KOPSHTIN E GETSEMANISË
DJERSA I BËHET SI PIKA GJAKU
Jezui përfundon lutjen bashkë me apostujt e tij besnikë e, ‘pasi këndojnë lavde, dalin dhe shkojnë në Malin e Ullinjve’. (Marku 14:26) Marrin rrugën drejt lindjes për në një kopsht që quhet Getsemani, një vend ku Jezui shkon shpesh.
Kur mbërrijnë në këtë ambient të këndshëm mes pemëve të ullirit, Jezui lë pas tetë apostuj. Mbase ata qëndrojnë pranë hyrjes së kopshtit, sepse Jezui u thotë: «Uluni këtu, kurse unë po shkoj pak më tutje që të lutem.» Merr me vete tre apostuj, Pjetrin, Jakovin e Gjonin, dhe shkon pak më në brendësi të kopshtit. Fillon të ndiejë ankth të madh dhe u thotë këtyre të treve: «Më dhemb shpirti, madje për vdekje. Rrini këtu dhe qëndroni vigjilentë bashkë me mua.»—Mateu 26:36-38.
Pastaj largohet njëfarë distance prej tyre e ‘përkulet me fytyrë përtokë dhe nis të lutet’. Për çfarë i lutet Perëndisë në këtë moment kaq kritik? «O Atë, gjithçka është e mundur për ty. Le të mos pi nga kjo kupë. Megjithatë, jo si dëshiroj unë, por si dëshiron ti.» (Marku 14:35, 36) Çfarë do të thotë me këto fjalë? Mos po heq dorë nga roli i tij si Shpërblyesi? Aspak!
Nga qielli, Jezui ka parë vuajtjet therëse të atyre që kanë ekzekutuar romakët. Tani si njeri prej mishi e gjaku mund të provojë ankth e frikë dhe të ndiejë dhembjen fizike, ndaj kuptohet që Jezui nuk e pret me padurim atë që do t’i ndodhë. Por arsyeja kryesore pse ndihet tmerrësisht i shqetësuar është që vdekja si një kriminel i urryer mund të hedhë baltë mbi emrin e Atit të tij. Pas pak orësh, do ta vënë në shtyllë si të ishte një blasfemues kundër Perëndisë.
Pasi është lutur gjatë, Jezui kthehet te tre apostujt dhe i gjen duke fjetur. I thotë Pjetrit: «Nuk mundët të qëndronit vigjilentë me mua as edhe një orë? Qëndroni vigjilentë dhe lutuni vazhdimisht, që të mos tundoheni.» Jezui e kupton se edhe apostujt po kalojnë stres të madh dhe tashmë është bërë vonë. Prandaj shton: «Sigurisht, zemra është gati, por trupi është i dobët.»—Mateu 26:40, 41.
Pastaj Jezui shkëputet prej tyre për herë të dytë dhe i lutet Perëndisë të mos pijë nga «kjo kupë». Kur kthehet, i gjen tre apostujt përsëri duke fjetur, në vend që të luteshin për të mos u tunduar. Kur Jezui u flet, ata ‘nuk dinë si t’i përgjigjen’. (Marku 14:40) Ai largohet për herë të tretë dhe ulet në gjunjë për t’u lutur.
Jezui është tej mase i shqetësuar për baltën që do të hedhë mbi emrin e Atit të tij vdekja si kriminel. Ama Jehovai po i dëgjon lutjet e Birit të tij dhe dërgon një engjëll për ta forcuar. Prapëseprapë, Jezui nuk resht së përgjëruari Atit të tij, përkundrazi lutet «edhe më me ngulm». Stresi që përjeton është i papërshkrueshëm. Ç’përgjegjësi të rëndë ka mbi shpatulla Jezui! Është në lojë vetë jeta e tij e përhershme dhe ajo e njerëzve që do të besojnë tek ai. Në fakt, ‘djersa i bëhet si pika gjaku që bien përtokë’.—Luka 22:44.
Kur Jezui kthehet për herë të tretë tek apostujt, i gjen përsëri duke fjetur. «Në një kohë si kjo,—thotë ai,—ju flini dhe pushoni?! Ja, është afruar ora që Birin e njeriut ta tradhtojnë dhe ta dorëzojnë në duart e mëkatarëve. Ngrihuni, le të shkojmë. Tradhtari im është afër.»—Mateu 26:45, 46.