Kapitulli 118
Tradhtohet dhe arrestohet
KA KOHË që ka kaluar mesnata kur Juda sjell në kopshtin e Gjetsemanisë një turmë të madhe me ushtarë, krerë priftërinjsh, farisenj dhe njerëz të tjerë. Priftërinjtë kanë rënë dakord ta paguajnë Judën me 30 pjesë argjendi, me kusht që të tradhtojë Jezuin.
Duket se pak më parë, kur është dëbuar nga darka e Pashkës, Juda ka shkuar drejtpërdrejt te krerët e priftërinjve. Këta kanë mbledhur menjëherë oficerët e tyre si dhe një grup ushtarësh. Ka të ngjarë që Juda t’i ketë çuar ata së pari në vendin ku Jezui dhe apostujt e tij kanë kremtuar Pashkën. Pasi kanë parë se ata kanë ikur, turma e madhe e armatosur dhe e pajisur me llamba e pishtarë, duke ndjekur Judën, ka dalë jashtë Jerusalemit dhe ka përshkuar luginën e Kidronit.
Ndërsa udhëheq turmën që ngjitet në Malin e Ullinjve, Juda është i sigurt se e di ku ta gjejë Jezuin. Gjatë javës së kaluar, ndërsa udhëtonin vajtje-ardhje midis Betanisë dhe Jerusalemit, Jezui dhe apostujt kanë ndaluar shpesh në kopshtin e Gjetsemanisë për të pushuar dhe për të biseduar. Por, si do ta identifikojnë ushtarët Jezuin, tani që ndoshta nuk duket nga errësira e natës nën pemët e ullinjve? Ata mund të mos e kenë parë kurrë më parë. Për këtë arsye Juda siguron një shenjë, duke thënë: «Kë do të puth, ai është. Kapeni dhe çojeni me shoqërim të sigurt.»
Juda e çon turmën në kopsht, shikon Jezuin me apostujt e tij dhe shkon drejt e tek ai. «Tungjatjeta, Mësues!»—thotë dhe e puth me shumë përzemërsi.
«Mik, çfarë ke ardhur të bësh?»—ia kthen Jezui. Pastaj, duke iu përgjigjur pyetjes së vet, thotë: «Judë, ti po e tradhton Birin e njeriut me një puthje?» Por mjaft me këtë tradhtar! Jezui bën disa hapa përpara dhe duke dalë nën dritën e pishtarëve që digjen dhe të llambave, pyet: «Kë kërkoni?»
«Jezusin Nazareas»,—përgjigjen.
«Unë jam»,—ua kthen Jezui, ndërsa qëndron me guxim përpara tyre. Të habitur nga guximi i tij dhe duke mos e ditur se çfarë mund të ndodhë, njerëzit tërhiqen dhe bien përdhe.
«Ju kam thënë se unë jam,—vazhdon Jezui me qetësi,—prandaj nëse më kërkoni mua, i lini këta të shkojnë.» Pak më parë, në dhomën e sipërme, Jezui i kishte thënë Atit të tij në lutje, se i kishte ruajtur apostujt e tij besnikë dhe se asnjëri prej tyre nuk kishte humbur, «përveç birit të shkatërrimit» (BR). Prandaj, në mënyrë që fjala e tij të mund të përmbushet, ai kërkon që ithtarët e tij të lihen të shkojnë.
Ndërsa ushtarët e marrin veten dhe ngrihen e fillojnë të lidhin Jezuin, apostujt e kuptojnë se çfarë ka për të ndodhur. «Zot, a t’u biem me shpatë?»—pyesin ata. Përpara se Jezui të përgjigjet, Pjetri, duke vringëlluar një nga dy shpatat që kanë marrë apostujt me vete, sulmon një skllav të kryepriftit, i cili quhet Malk. Pjetri nuk arrin ta godasë skllavin në kokë, por i pret atij veshin e djathtë.
«Lëreni, mjaft kështu»,—ndërhyn Jezui dhe duke prekur veshin e Malkut ia shëron plagën. Pastaj, jep një mësim të rëndësishëm, duke urdhëruar Pjetrin: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin. A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t’i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?»
Jezui është i gatshëm të arrestohet, sepse ai shpjegon: «Atëherë si do të përmbusheshin shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?» Dhe shton: «A nuk do ta pi unë kupën që më ka dhënë Ati?» Ai është plotësisht dakord me vullnetin e Perëndisë në lidhje me të!
Pastaj, Jezui i drejtohet turmës. «Ju dolët të më zini mua me shpata dhe me shkopinj, si kundër një kusari,—thotë ai.—E pra, çdo ditë isha ulur midis jush duke mësuar në tempull dhe ju nuk më kapët. Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen shkrimet e profetëve.»
Në këtë moment, grupi i ushtarëve, komandanti i ushtrisë, si dhe oficerët e judenjve, e kapin Jezuin dhe e lidhin. Kur e shohin këtë, apostujt e braktisin Jezuin dhe ia mbathin. Megjithatë, një i ri, ndoshta dishepulli Mark, qëndron në mes të turmës. Ai mund të ketë qenë në shtëpinë ku kremtoi Pashkën Jezui dhe më pas, prej andej, të ketë ndjekur turmën. Sidoqoftë, tani atë e vënë re dhe bëjnë një përpjekje për ta kapur. Por ai u ikën duke lënë pas rrobën e tij prej liri. Mateu 26:47-56; Marku 14:43-52; Luka 22:47-53; Gjoni 17:12; 18:3-12.
▪ Përse është i sigurt Juda se do ta gjejë Jezuin në kopshtin e Gjetsemanisë?
▪ Në ç’mënyrë tregon kujdes Jezui për apostujt e tij?
▪ Çfarë veprimi ndërmerr Pjetri në mbrojtje të Jezuit, por çfarë i thotë Jezui në lidhje me të?
▪ Si e tregon Jezui se është plotësisht dakord me vullnetin e Perëndisë në lidhje me të?
▪ Kur apostujt e braktisin Jezuin, kush qëndron dhe çfarë i ndodh atij?