KAPITULLI 127
Pasi e gjykon Sinedri, e çojnë te Pilati
MATEU 27:1-11 MARKU 15:1 LUKA 22:66–23:3 GJONI 18:28-35
GJYQ NË MËNGJES PARA SINEDRIT
JUDË ISKARIOTI TENTON TË VARË VETEN
JEZUIN E ÇOJNË TE PILATI PËR TA DËNUAR
Është gati mëngjes kur Pjetri mohon Jezuin për të tretën herë. Anëtarët e Sinedrit kanë përfunduar me gjyqin farsë dhe janë shpërndarë. Sapo agon e premtja, mblidhen sërish dhe Jezuin e çojnë para tyre. Shpresojnë që, nën petkun e Ligjit, të fshehin gjyqin e tyre të paligjshëm të zhvilluar natën e kaluar.
Edhe një herë e pyesin: «Nëse je Krishti, na e thuaj.» Jezui përgjigjet: «Edhe po t’jua thosha, s’do ta besonit kurrsesi. Edhe po t’ju bëja ndonjë pyetje, ju nuk do të më përgjigjeshit.» Megjithatë, plot guxim Jezui u tregon se është ai për të cilin parathuhej te Danieli 7:13. Ai thotë: «Që tani e tutje, Biri i njeriut do të ulet në të djathtën e fuqishme të Perëndisë.»—Luka 22:67-69; Mateu 26:63.
Ata këmbëngulin: «A je ti Biri i Perëndisë, pra?» Jezui ua kthen: «Ju vetë po thoni se jam.» Për ta, kjo sikur përligj vrasjen e Jezuit me akuzën për blasfemi. «Ç’na duhen dëshmi të tjera?!»—pyesin ata. (Luka 22:70, 71; Marku 14:64) Kështu, e vënë Jezuin në vargonj dhe e çojnë te guvernatori romak, Ponc Pilati.
Ka të ngjarë që Judë Iskarioti të shohë që Jezuin e çojnë te Pilati. Kur kupton se Jezuin e kanë shpallur fajtor, e bren disi ndërgjegjja dhe dëshpërohet. Mirëpo, në vend që t’i lutet Perëndisë për të treguar se është penduar nga zemra, shkon e u kthen 30 monedhat e argjendit krerëve të priftërinjve dhe u thotë: «Mëkatova, sepse tradhtova një njeri të pafajshëm.» Por, pa pikë dhembshurie, ata i përgjigjen: «Ç’na duhet neve? Punë për ty!»—Mateu 27:4.
Juda hedh 30 monedhat e argjendit në tempull dhe pastaj i shton mëkatet duke tentuar të vrasë veten. Ndërsa përpiqet të varë veten, me sa duket dega ku lidh litarin thyhet. Bie në shkëmbinjtë poshtë dhe bëhet copa-copa.—Veprat 1:17, 18.
Kur Jezuin e çojnë në pallatin e Ponc Pilatit, është akoma mëngjes herët. Judenjtë që e çojnë, refuzojnë të hyjnë se mendojnë që ky kontakt me jojudenjtë do t’i ndotë, dhe një i ndotur nuk lejohet të hajë darkën më 15 nisan, dita e parë e Festës së Bukëve Pa Maja, që konsiderohet pjesë e periudhës së Festës së Kalimit.
Pilati del përjashta tek ata dhe i pyet: «Ç’akuzë keni kundër këtij njeriu?» Ata përgjigjen: «Po të mos ishte kriminel ky njeri, nuk do të ta kishim dorëzuar.» Mbase Pilati e kupton që po përpiqen t’i bëjnë presion, prandaj thotë: «Merreni ju dhe gjykojeni sipas ligjit tuaj.» Tani judenjtë zbulojnë qëllimin e tyre vrastar kur i thonë: «Për ne nuk është e ligjshme të vrasim njeri.»—Gjoni 18:29-31.
E dinë mirë se, po ta vrasin Jezuin gjatë Festës së Kalimit, me shumë mundësi do të shkaktojnë trazirë në popull. Por në qoftë se ia dalin t’i shtyjnë romakët ta ekzekutojnë Jezuin për arsye politike, gjë që romakët kanë autoritet ta bëjnë, në sytë e njerëzve këta judenj do të jenë të larë nga çdo akuzë.
Krerët fetarë nuk i kanë treguar Pilatit se e kanë shpallur Jezuin fajtor për blasfemi, por tani sajojnë akuza të ndryshme: «Këtë njeri e gjetëm [1] duke kthyer përmbys kombin tonë, [2] duke ndaluar njerëzit që t’i paguajnë taksat Cezarit dhe [3] duke u vetëquajtur mbret, Krishti.»—Luka 23:2.
Si përfaqësues i Romës, Pilatin me të drejtë e shqetëson akuza që Jezui e shpall veten mbret. Prandaj hyn sërish në pallat, thërret Jezuin dhe e pyet: «A je ti Mbreti i judenjve?» Me fjalë të tjera, po e pyet: «A ke shkelur ligjin e perandorisë duke e shpallur veten mbret kundër Cezarit?» Ndoshta për të kuptuar sa di Pilati për të, Jezui i thotë: «Po e thua këtë nga vetja, apo të treguan të tjerët për mua?»—Gjoni 18:33, 34.
Pilati tregon se nuk është i informuar për Jezuin, por i intereson të dijë më shumë për të kur thotë: «Mos jam jude unë? Kombi yt dhe krerët e priftërinjve të dorëzuan tek unë. Çfarë ke bërë?»—Gjoni 18:35.
Jezui nuk mundohet t’i bëjë bisht çështjes thelbësore—Mbretërisë. Ai përgjigjet në një mënyrë që pa diskutim e habit jashtë mase guvernatorin Pilat.