Kapitulli 5
«Besëlidhja e Re»—Histori apo mit?
«Sot mund të thuhet se Besëlidhja e Re është libri më i shqyrtuar në botë.» Kështu shprehet Hans Kyngu në librin e tij «Të jesh i krishterë», (anglisht). Dhe ka të drejtë. Gjatë 3 shekujve të fundit, Shkrimet e Krishtere Greke jo vetëm që janë shqyrtuar më shumë se çdo libër tjetër, por u është bërë autopsia dhe janë analizuar deri në imtësi.
1, 2. (Përfshi hyrjen.) (a) Si janë trajtuar Shkrimet e Krishtere Greke gjatë 3 shekujve të kaluar? (b) Ç’përfundime të çuditshme kanë nxjerrë disa studiues?
DISA studiues kanë arritur në përfundime të çuditshme. Në shekullin e 19-të, gjermani Ludvig Noak tha se Ungjilli i Gjonit u shkrua në vitin 60 të e.s., nga dishepulli më i dashur për Jezuin, që, sipas Noakut, ishte Juda. Francezi Zhozef Rena hodhi idenë se ringjallja e Lazarit ishte një mashtrim i tij për të mbështetur Jezuin, që thoshte se bënte mrekulli; kurse teologu gjerman Gustav Folkmar këmbëngulte se ishte krejt e pamundur që Jezui, si personazh historik, të pretendonte se ishte Mesia.1
2 Nga ana tjetër, Bruno Baueri nxori përfundimin se Jezui nuk ka ekzistuar fare! «Ai thoshte se frymëzuesit e vërtetë të krishterimit të hershëm ishin Filoja, Seneka dhe gnostikët. Si përfundim, tha se Jezui nuk kishte qenë kurrë një personazh i vërtetuar nga historia . . . dhe feja e krishtere kishte zënë fill aty nga fundi i shekullit të 2-të, nga një formë e judaizmit ku mbizotëronte stoicizmi.»2
3. Ç’mendim kanë ende shumë njerëz për Biblën?
3 Sot, janë të paktë ata që mbështetin ide kaq ekstreme. Megjithatë, nëse lexon veprat e studiuesve të sotëm, kupton se ka ende shumë nga ata që besojnë se Shkrimet e Krishtere Greke përmbajnë legjenda, mite dhe tregime të ekzagjeruara. A është vërtet kështu?
Kur u shkruan?
4. (a) Pse është e rëndësishme të dimë kur u shkruan Shkrimet e Krishtere Greke? (b) Cilat mendime janë hedhur për kohën kur përfunduan Shkrimet e Krishtere Greke?
4 Mitet dhe legjendat duan kohë të krijohen, ndaj është e rëndësishme të dimë kur u shkruan Shkrimet Greke. Një historian i quajtur Majkëll Grent, thotë se pjesa historike e Shkrimeve të Krishtere Greke nisi të shkruhej «tridhjetë ose dyzet vjet pas vdekjes së Jezuit».4 Specialisti në fushën e arkeologjisë biblike, Uilliam Ollbraiti, citoi përfundimin që nxori Çarls Torreji «se Ungjijtë ishin shkruar para vitit 70 të e.s., dhe se gjithë përmbajtja e tyre mund të jetë shkruar gjatë 20 vjetëve pas kryqëzimit». Ollbraiti, nga ana e vet, mendon se ato përfunduan së shkruari «jo më vonë se viti 80 i e.s.». Të tjerë kanë dhënë ide pak më të ndryshme, por gati të gjithë pajtohen me mendimin se «Besëlidhja e Re» përfundoi aty nga fundi i shekullit të 1-rë.
5, 6. Në ç’përfundim arrijmë kur dimë se Shkrimet e Krishtere Greke u shkruan vetëm pak kohë pas ngjarjeve që përshkruajnë?
5 Çfarë do të thotë kjo? Ollbraiti vazhdon mendimin e tij: «Gjithçka që mund të themi, është se 20 deri në 50 vjet janë tepër pak për të lejuar ndonjë shtrembërim të dukshëm në thelbin e përmbajtjes, e madje edhe në fjalët e veçanta të Jezuit.»5 Profesor Geri Habërmasi shton: «Ungjijtë janë shkruar vetëm pak kohë pas ngjarjeve që tregojnë, kurse historitë e lashta shpesh përshkruajnë ngjarje që kanë ndodhur shekuj më parë. Megjithatë, historianët e sotëm janë të aftë të nxjerrin një tablo të saktë të ngjarjeve të këtyre periudhave të lashta.»6
6 Me fjalë të tjera, tregimet historike të Shkrimeve të Krishtere Greke meritojnë të quhen të besueshme të paktën po aq sa edhe historitë e tjera jofetare. Sigurisht, ato pak dekada që ndajnë lindjen e krishterimit të hershëm nga hedhja me shkrim e historive të para, nuk lanë kohë që mitet e legjendat të krijoheshin e të pranoheshin nga të gjithë.
Dëshmitarë okularë
7, 8. (a) Cilët ishin ende gjallë kur u shkruan dhe nisën të qarkullonin Shkrimet e Krishtere Greke? (b) Ç’përfundim nxjerrim nga komenti i profesor Frederik Brusit?
7 Mitet e legjendat kishin më pak të ngjarë të zhvilloheshin, sidomos kur mbajmë parasysh se shumë nga tregimet kanë dëshmitarë okularë. Ai që shkroi Ungjillin e Gjonit, tha: «Ky është dishepulli [dishepulli që Jezui e donte] që jep dëshmi dhe që i shkroi këto gjëra.» (Gjoni 21:24) Ai që shkroi librin e Lukës tha: «Ashtu si na i dhanë ata që, qysh nga fillimi, ishin dëshmitarë okularë dhe shërbëtorë të lajmit.» (Luka 1:2) Për ata që ishin dëshmitarë të ringjalljes së Jezuit, apostulli Pavël tha: «Pjesa më e madhe e [tyre] rrojnë deri më tani, por disa kanë rënë në gjumin e vdekjes.»—1 Korintasve 15:6.
8 Profesor Frederik Brusi bën një vërejtje të hollë: «Ndryshe nga ç’duket se mendojnë disa shkrimtarë, s’mund të ketë qenë aspak e lehtë të sajoheshin fjalë dhe vepra për Jezuin në ato vite kur shumë nga dishepujt e tij jetonin ende, dhe mund të kujtonin çfarë kishte ndodhur e çfarë jo. . . . Dishepujt as që guxonin të shkruanin gjëra të pasakta (për të mos folur për manipulim të fakteve me vetëdije), pasi kjo do të kapej menjëherë nga ata që mezi e pritnin një gjë të tillë. Përkundrazi, një nga pikat më të forta të predikimit të hershëm të apostujve ishte se përmendte me siguri fakte të njohura nga dëgjuesit. Ata nuk thanë vetëm: ‘Ne jemi dëshmitarë të këtyre gjërave’,—por edhe,—‘siç e dini edhe ju’. (Veprat 2:22)»7
A është i besueshëm teksti?
9, 10. Për ç’gjë mund të jemi të sigurt në lidhje me tekstin e Shkrimeve të Krishtere Greke?
9 Po sikur këto dëshmi okulare të jenë regjistruar saktë, por më vonë të jenë shtrembëruar? Me fjalë të tjera, mos ndoshta pasi u shkrua, teksti origjinal u shartua me mite e legjenda? Deri tani kemi parë se teksti i Shkrimeve të Krishtere Greke është ruajtur më mirë se çdo literaturë tjetër e lashtë. Kërt dhe Barbara Ëlandi, studiues të tekstit të Biblës në greqisht, renditin gati 5.000 dorëshkrime të lashtësisë që kanë mbërritur deri në ditët tona, disa prej të cilëve datojnë që nga shekulli i 2-të i e.s.8 Gjithë ky mal me prova dëshmon se thelbi i tekstit është i pacenuar. Veç kësaj, ekzistojnë shumë përkthime të lashta—më të hershmet datojnë rreth vitit 180 të e.s.—që mund të provojnë se teksti është i saktë.9
10 Pra, mund të thuhet me bindje të plotë se mitet dhe legjendat nuk kanë depërtuar në Shkrimet e Krishtere Greke pasi shkrimtarët i përfunduan. Teksti që kemi, është në thelb i njëjtë me atë që shkroi pena e tyre, dhe saktësia e tij vërtetohet nga fakti që vetë të krishterët e asaj kohe e pranuan. Por, a mund ta vërtetojmë saktësinë historike të Biblës, duke e krahasuar me histori të tjera të lashta? Deri në njëfarë mase, po.
Dëshmitë jobiblike
11. Deri në ç’masë i mbështetin dëshmitë jobiblike tregimet historike të Shkrimeve të Krishtere Greke?
11 Duam ta bëjmë të qartë që në fillim se, përveç Biblës, nuk ekzistojnë shumë dëshmi të dokumentuara për ngjarje nga jeta e Jezuit dhe e apostujve të tij. Kjo gjë pritej, pasi në shekullin e 1-rë, të krishterët ishin një grup relativisht i vogël që nuk u përfshi në politikë. Megjithatë, dëshmitë që siguron historia, pajtohen me atë që lexojmë në Bibël.
12. Çfarë thotë Jozefi për Gjon Pagëzorin?
12 Për shembull, ja çfarë shkroi në vitin 93 të e.s. Jozefi, një historian jude, kur foli për humbjen e bujshme që pësoi Herod Antipa: «Disa judenjve, shpartallimi i trupave të Herodit iu duk një ndëshkim nga Perëndia, dhe patjetër një hakmarrje e drejtë për mënyrën si e kishte trajtuar Gjonin, të mbiquajtur Pagëzori. Herodi e kishte dënuar me vdekje, megjithëse Gjoni ishte njeri i mirë dhe i këshillonte judenjtë të jetonin me ndershmëri, të ishin të drejtë me të tjerët dhe t’i përkushtoheshin Perëndisë.»10 Kështu, Jozefi vërteton tregimin e Biblës që e paraqit Gjon Pagëzorin si një njeri të drejtë, i cili u predikonte njerëzve të pendoheshin, por që u ekzekutua nga Herodi.—Mateu 3:1-12; 14:11.
13. Si tregon Jozefi se Jakovi dhe Jezui kanë ekzistuar vërtet?
13 Jozefi përmend edhe Jakovin, gjysmëvëllanë e Jezuit, i cili, sipas Biblës, fillimisht nuk e ndoqi Jezuin, por më vonë u bë një plak i mirënjohur në Jerusalem. (Gjoni 7:3-5; Galatasve 1:18, 19) Ja si e dokumenton ai arrestimin e Jakovit: «[Anani, kryeprifti] mblodhi gjykatësit e Sinedrit dhe solli para tyre një njeri që quhej Jakov, vëllanë e Jezuit që e thërritnin Krisht, bashkë me disa të tjerë.»11 Me këto fjalë, Jozefi vërteton, gjithashtu, se ‘Jezui që e thërritnin Krisht’, ishte një njeri që ka ekzistuar vërtet.
14, 15. Si e mbështet Taciti tregimin e Biblës?
14 Edhe shkrimtarë të tjerë të hershëm u referohen fakteve të përmendura në Shkrimet Greke. Për shembull, sipas Ungjijve, predikimi i Jezuit u prit shumë mirë në Palestinë. Kur Ponc Pilati e dënoi me vdekje, ithtarët e tij u pështjelluan dhe u shkurajuan. Pak më pas, po këta dishepuj shpallën me guxim në Jerusalem se Zotëria i tyre ishte ringjallur. Vetëm brenda pak vjetëve, krishterimi u përhap në të gjithë Perandorinë Romake.—Mateu 4:25; 26:31; 27:24-26; Veprat 2:23, 24, 36; 5:28; 17:6.
15 Për këtë të vërtetë jep dëshmi historiani romak Taciti, që nuk i kishte aspak për zemër të krishterët. Pak pas vitit 100 të e.s., ai shkroi se si Neroni i përndoqi mizorisht të krishterët. Ndër të tjera ai tha: «Emrin e kanë marrë nga Krishti, i cili, nën mbretërimin e Tiberit, u dënua me vdekje nga guvernatori Ponc Pilati. Kjo kolerë e keqe e mbështetur në besëtytni, u mbajt nën kontroll për një moment, por më pas shpërtheu sërish jo vetëm në Jude, që ishte çerdhja e së keqes, por edhe në kryeqytet [në Romë].»12
16. Cilën ngjarje historike të dokumentuar në Bibël përmend edhe Suetoni?
16 Shkrimtari i librit të Veprave tregon në vargun Ve 18:2 se «Klaudi [perandori romak] kishte dhënë urdhër që të gjithë judenjtë të iknin nga Roma». Këtë dëbim e përmend edhe historiani romak i shekullit të 2-të, Suetoni. Në një vepër të tij, ai shkruan: «Përderisa judenjtë krijonin vazhdimisht trazira, të provokuar nga Krishti [‘Krestus’ në tekstin në latinisht], ai [Klaudi] i dëboi nga Roma.»13 (The Deified Claudius) Nëse Krishti këtu i referohej Jezu Krishtit dhe nëse Roma ndoqi shembullin e qyteteve të tjera, atëherë trazirat për të cilat flet Suetoni, nuk ishin provokuar nga Krishti (domethënë, nga dishepujt e tij). Përkundrazi, ato ishin reagimi i dhunshëm i judenjve ndaj predikimit të pareshtur të të krishterëve.
17. Cilat burime që kishte në dispozicion Justin Martiri në shekullin e 2-të, mbështetnin tregimin biblik për mrekullitë dhe vdekjen e Jezuit?
17 Në mes të shekullit të 2-të, Justin Martiri shkroi këto fjalë për vdekjen e Jezuit: «Që të siguroheni se këto gjëra ndodhën vërtet, mund të lexoni Veprat e Ponc Pilatit.»14 Madje, sipas tij, po atje përmendeshin edhe mrekullitë e Jezuit, për të cilat ai tha: «Veprat e Ponc Pilatit dëshmojnë se Ai i bëri vërtet këto gjëra.»15 Vërtet, këto «vepra» ose dokumente zyrtare nuk ekzistojnë më. Por ka të ngjarë që ekzistonin në shekullin e 2-të, dhe Justin Martiri, me bindje të plotë, i sfidoi lexuesit t’i kontrollonin që të vërtetonin fjalët e tij.
Provat arkeologjike
18. Si e vërteton arkeologjia ekzistencën e Ponc Pilatit?
18 Edhe gjetjet arkeologjike kanë qartësuar ose vërtetuar fjalët që lexojmë në Shkrimet Greke. Kështu, në vitin 1961, në rrënojat e një teatri romak në Cezare, u gjet i gdhendur emri i Ponc Pilatit.16 Para këtij zbulimi, përveç Biblës, nuk kishte shumë prova që dëshmonin për ekzistencën e këtij sundimtari romak.
19, 20. Cilët personazhe biblike të përmendur nga Luka (te Luka dhe te Veprat) janë vërtetuar nga arkeologjia?
19 Në Ungjillin e Lukës lexojmë se Gjon Pagëzori e nisi shërbimin «kur . . . Lisania ishte qeveritar i krahinës së Abilenës». (Luka 3:1) Disa e vunë në dyshim këtë pohim, sepse Jozefi përmendte një Lisania që kishte qeverisur në Abilenë, por që kishte vdekur në vitin 34 p.e.s., shumë kohë para se të lindte Gjoni. Mirëpo arkeologët zbuluan në Abilenë një mbishkrim që përmendte një Lisania tjetër, i cili kishte qenë tetrark (qeveritar krahine) gjatë mbretërimit të Tiberit Cezar, perandorit që sundonte në Romë kur Gjoni filloi të predikonte.17 Ky mund të ketë qenë fare mirë Lisania që përmendi Luka.
20 Në librin e Veprave lexojmë se Pavli dhe Barnaba ishin dërguar në Qipro për të kryer veprën e tyre misionare, dhe atje takuan prokonsullin Sergj Pali, «një burrë i zgjuar». (Veprat 13:7) Në mes të shekullit të 19-të, nga gërmimet në Qipro u zbulua një mbishkrim që datonte në vitin 55 të e.s., ku përmendej emri i këtij njeriu. Arkeologu Xhorxh Rait tha: «Ky është i vetmi rast që ky prokonsull përmendet jashtë Biblës dhe të bën përshtypje që Luka tregon me saktësi emrin dhe titullin e tij.»18
21, 22. Cilat praktika fetare të përshkruara në Bibël janë vërtetuar nga gjetjet arkeologjike?
21 Kur ishte në Athinë, Pavli tha se kishte parë një altar kushtuar «Një Perëndie të Panjohur». (Veprat 17:23) Altarët kushtuar perëndive pa emër, të mbishkruar me germa latine, janë gjetur në disa pjesë të territorit të Perandorisë Romake. Një që u gjet në Pergam, ishte mbishkruar në greqisht, si ai i Athinës.
22 Më vonë, kur ishte në Efes, Pavlin e kundërshtuan me forcë argjendarët, që i nxirrnin të ardhurat duke bërë faltore dhe shëmbëlltyra të perëndeshës Artemisë. Efesi mbahej si qyteti që ‘vigjilonte mbi tempullin e Artemisës së madhe’. (Veprat 19:35) Në përputhje me këto të dhëna, atje ku ishte Efesi i lashtë, janë gjetur disa statujëza të Artemisës të bëra me baltë të pjekur ose mermer. Gjatë shekullit të 20-të, dolën në dritë edhe rrënojat e atij tempulli të stërmadh.
Tingulli i së vërtetës
23, 24. (a) Ku e gjejmë provën më bindëse për vërtetësinë e Shkrimeve të Krishtere Greke? (b) Cila karakteristikë e tregimeve të Biblës dëshmon për vërtetësinë e tyre? Jep shembuj.
23 Pra, historia dhe arkeologjia qartësojnë e, deri në njëfarë mase, vërtetojnë tregimet historike të Shkrimeve të Krishtere Greke. Por prapëseprapë, prova më bindëse për vërtetësinë e këtyre shkrimeve gjendet në vetë përmbajtjen e tyre. Kur i lexon, nuk të japin përshtypjen e miteve, përkundrazi, në to ndihet tingulli i së vërtetës.
24 Së pari, karakterizohen nga sinqeriteti. Mendo çfarë është shkruar për Pjetrin. Bibla na tregon me hollësi ndodhinë e sikletshme të tij kur donte të ecte mbi ujë, por nuk ia doli dot. Në një rast tjetër, Jezui i tha këtij apostulli shumë të respektuar: «Largohu nga unë, Satana!» (Mateu 14:28-31; 16:23) Po ashtu, në Shkrime tregohet se, pasi u betua se ai nuk do ta braktiste kurrë Jezuin, edhe sikur të gjithë të tjerët ta braktisnin, Pjetrin e zuri gjumi natën kur duhej të vigjilonte, dhe më vonë, e mohoi tri herë Zotërinë e tij.—Mateu 26:31-35, 37-45, 73-75.
25. Cilat dobësi të apostujve zbulohen me sinqeritet nga shkrimtarët e Biblës?
25 Megjithatë, në Shkrime nuk zbulohen vetëm dobësitë e Pjetrit. Këto tregime të sinqerta nuk e mbulojnë zënkën mes apostujve se kush ishte më i madhi. (Mateu 18:1; Marku 9:34; Luka 22:24) As na e fshehin se nëna e apostujve Jakov dhe Gjon i kërkoi Jezuit t’u jepte bijve të saj postet më të mira në mbretërinë e tij. (Mateu 20:20-23) Edhe ‘shpërthimi i madh i zemërimit’ mes Barnabës dhe Pavlit tregohet me besnikëri.—Veprat 15:36-39.
26. Cila hollësi për ringjalljen e Jezuit nuk do të jepej, po të mos ishte e vërtetë?
26 Gjithashtu të bën përshtypje libri i Lukës kur thotë se të parat që e morën vesh ringjalljen e Jezuit, ishin «gratë që kishin ardhur me të nga Galilea». Kjo është një hollësi krejt e pazakontë për shoqërinë e shekullit të 1-rë, ku zotëronin burrat. Dhe në fakt, tregimi thotë se fjalët e grave «iu dukën gjepura» apostujve. (Luka 23:55–24:11) Nëse kjo histori në Shkrimet Greke nuk është e vërtetë, dikujt i është dashur ta sajonte. Por, pse do të sajonte një histori të tillë ku personazhe kaq të respektuara të paraqiteshin pa i zbukuruar sadopak? Pra, nëse këto hollësi u paraqitën, kjo u bë vetëm sepse ishin të vërteta.
Jezui—Një person real
27. Çfarë thotë një historian për të treguar se Jezui ka ekzistuar vërtet?
27 Shumë e shohin figurën e Jezuit të përshkruar në Bibël, si një person imagjinar të idealizuar. Por historiani Majkëll Grent thotë: «Nëse e studiojmë Besëlidhjen e Re siç duhet, duke zbatuar të njëjtat kritere që zbatojmë edhe për shkrime të tjera historike të lashtësisë, nuk mund ta mohojmë ekzistencën e Jezuit, ashtu si nuk mund të mohojmë një sërë personazhesh paganë, vërtetësia historike e të cilëve nuk vihet kurrë në dyshim.»19
28, 29. Pse është domethënëse që katër Ungjijtë paraqitin të njëjtin portret me tipare të qarta të personalitetit të Jezuit?
28 Në Bibël ndihet qartë tingulli i së vërtetës si për ekzistencën e Jezuit, ashtu edhe për personalitetin e tij. S’është kollaj të trillohet një personazh i pazakontë, e më pas të paraqitet një portret koherent i tij nga fillimi deri në fund të librit. Është gati e pamundur që katër shkrimtarë të ndryshëm të shkruajnë për të njëjtin personazh dhe të japin në mënyrë koherente të njëjtin portret të tij, nëse ai nuk ka ekzistuar vërtet. Të katër tregimet e përshkruajnë Jezuin njësoj, dhe kjo është dëshmi bindëse se Ungjijtë janë të vërtetë.
29 Majkëll Grenti ngre një pyetje me vend: «Si ka mundësi që të gjithë Ungjijtë pa përjashtim, paraqitin portretin shumë të qartë të një të riu tërheqës, që është i çlirët me gra të çdo lloji, madje edhe me ato me një nam mjaft të keq, pa pasur asnjë grimë sentimentalizmi, shtirjeje ose gjoja turpi, e megjithatë, mbetet gjithnjë i virtytshëm?»20 Përgjigjja e vetme është se ky njeri ka ekzistuar vërtet dhe ka vepruar pikërisht ashtu siç thotë Bibla.
Pse nuk besojnë?
30, 31. Pse shumë njerëz nuk i pranojnë Shkrimet e Krishtere Greke si të sakta historikisht, pavarësisht nga të gjitha faktet?
30 Përderisa ka prova bindëse se Shkrimet Greke përmbajnë histori të vërteta, pse disa e mohojnë këtë gjë? Pse shumë nga ata që i pranojnë disa pjesë si të vërteta, nuk pranojnë çdo gjë që thuhet në to? Kryesisht sepse Bibla jep fakte që intelektualët e sotëm nuk duan t’i besojnë. Për shembull, ajo tregon se Jezui përmbushi dhe tha profeci. Gjithashtu, thotë se bëri mrekulli dhe se u ringjall pas vdekjes.
31 Në kohën tonë, ku mbizotëron skepticizmi, këto gjëra janë të pabesueshme. Profesor Ezra Guldi thotë për mrekullitë: «Justifikimi i vetëm tek i cili mbahen disa kritikë, është . . . se mrekullitë nuk ndodhin.»21 Disa e pranojnë se Jezui mund të ketë bërë shërime, por ato duhet të kenë qenë psikosomatike (të sëmundjeve që vinin nga çrregullime mendore a emocionale). Mrekullitë e tjera, shumica i shpjegon si trille ose si ngjarje të vërteta, por të shtrembëruara me kalimin e kohës.
32, 33. Si janë munduar të shpjegojnë disa se mrekullia që bëri Jezui kur ushqeu një turmë të madhe, nuk ka ndodhur vërtet? Pse nuk ka logjikë ky shpjegim?
32 Për shembull, le të marrim rastin kur Jezui ushqeu një turmë prej më shumë se 5.000 vetash me disa bukë dhe dy peshq. (Mateu 14:14-22) Studiuesi i shekullit të 19-të, Hajnrih Pali, tha se në të vërtetë kishte ndodhur kështu: Jezui dhe apostujt e tij u gjendën të rrethuar nga një turmë e madhe që po e merrte uria. Kështu, ai vendosi të linte shembullin për të pasurit mes turmës. Mori atë pak ushqim që ai dhe apostujt kishin, dhe e ndau me turmën. Më pas, edhe të tjerët ndoqën shembullin e tij, duke ndarë me njëri-tjetrin ushqimin që kishin marrë me vete. Kështu hëngri e gjithë turma.22
33 Nëse ndodhi vërtet kështu, kjo është një provë e pathyeshme se shembulli i tij pati efekt. Por atëherë, pse një histori kaq interesante dhe me kuptim, duhej shtrembëruar që të dukej si mrekulli e mbinatyrshme? Vërtet, të gjitha këto përçapje për të treguar se mrekullitë s’ishin aspak të tilla, ngjallin më shumë pyetje nga sa sqarojnë. Ato bazohen të gjitha në një hipotezë që të fut në një udhë pa krye. Nisin nga supozimi se mrekullitë janë të pamundura. Por, pse të mos jetë e kundërta?
34. Çfarë provohet, nëse Bibla përmban vërtet profeci të sakta dhe tregime për mrekulli që kanë ndodhur vërtet?
34 Si Shkrimet Hebraike, ashtu edhe ato Greke përmbushin kriteret e duhura për t’u quajtur histori e vërtetë. Mirëpo, që të dyja përmbajnë profeci dhe mrekulli. (Krahaso 2 Mbretërve 4:42-44.) Po sikur profecitë të jenë të vërteta? Po sikur mrekullitë të kenë ndodhur vërtet? Atëherë do të ishin prova se autori i vërtetë i Biblës është Perëndia, dhe se ajo është vërtet fjala e tij dhe jo e njerëzve. Në një nga kapitujt e ardhshëm do të trajtojmë profecitë, por së pari, le të shqyrtojmë mrekullitë. A është e arsyeshme që në shekullin e 21-të të besojmë se shekuj më parë kanë ndodhur mrekulli?
[Diçitura në faqen 66]
Pse duhej të thoshte Bibla se ringjalljen e Jezuit e morën vesh në fillim gratë, nëse kjo nuk ishte e vërtetë?
[Kutia në faqen 56]
Kritika moderne del me të meta
Vërejtjet e Rajmond Braunit për Ungjillin e Gjonit nxjerrin në pah pasaktësitë e kritikës moderne të Biblës. Ai shkroi: «Në fund të shekullit të 19-të dhe në vitet e para të shekullit të 20-të, studiuesit u treguan më skeptikë se kurrë për këtë Ungjill. Ata e datuan të një periudhe shumë të mëvonshme, madje, të gjysmës së dytë të shekullit të 2-të. Duke e konsideruar këtë Ungjill si vepër të botës helenistike, i mohuan çdo vlerë historike, dhe thanë se lidhej fare pak me Palestinën, ku kishte lindur e jetuar Jezui i Nazaretit. . . .
Që të gjitha këto qëndrime bien ndesh me një sërë zbulimesh të papritura arkeologjike, dokumentare dhe që kanë të bëjnë me tekstin. Këto zbulime na shtyjnë t’i hedhim poshtë me të drejtë pikëpamjet e kritikëve, që ishin bërë gati të shenjta. Veç kësaj, na është dashur të pranojmë se analiza jashtëzakonisht skeptike e Ungjillit të Gjonit, mbështetej në baza shumë të brishta. . . .
Data e shkrimit të këtij Ungjilli është zhvendosur në fund të shekullit të 1-rë ose edhe më herët. . . . Por ajo që të çudit më tepër, është se tani disa studiues guxojnë prapë të thonë që në shkrimin e këtij Ungjilli ka mundësi të ketë pasur gisht Gjoni, biri i Zebedeut!»3
Pse duket kaq e çuditshme që Gjoni të ketë shkruar librin, që pranohet gjerësisht se e shkroi ai? Vetëm sepse nuk pajtohet me paragjykimet e kritikëve.
[Kutia në faqen 70]
Edhe një sulm tjetër kundër Biblës
Timoti Ueberi shkruan: «Tezat e kritikës së lartë kanë bërë që shumë laikë të dyshojnë tek aftësia e tyre për të kuptuar ndonjë gjë [në Bibël]. . . . Artur Piersoni shprehu zhgënjimin e mjaft evangjelistëve kur tha se ‘njësoj si katolicizmi, [kritika e lartë] ua mohon Fjalën e Perëndisë njerëzve të thjeshtë, pasi sipas saj vetëm studiuesit janë në gjendje ta interpretojnë. Nëse Kisha vë një prift si ndërmjetës mes njeriut dhe Fjalës [së Perëndisë], kritika vë një komentues të arsimuar mes besimtarit dhe Biblës së tij’.»23 Në këtë mënyrë, kritika e lartë zbulon fytyrën e saj të vërtetë, pra, se është veç një armë tjetër për të sulmuar Biblën.
[Figura në faqen 62]
Ky altar i gjetur në Pergam, ka të ngjarë t’u jetë kushtuar «perëndive të panjohura»
[Figura në faqen 63]
Rrënojat e tempullit madhështor të Artemisës, për të cilin efesianët ishin krenarë
[Figura në faqen 64]
Bibla tregon me ndershmëri rastin kur Pjetri mohoi se e njihte Jezuin
[Figura në faqen 67]
Bibla tregon me sinqeritet ‘shpërthimin e madh të zemërimit’ mes Pavlit dhe Barnabës
[Figura në faqen 68]
Portreti koherent i Jezuit në të katër Ungjijtë, është një provë bindëse për vërtetësinë e tyre
[Figura në faqen 69]
Shumica e kritikëve të sotëm janë të bindur se mrekullitë nuk ndodhin