Kapitulli 12
Pagëzimi i Jezuit
RRETH gjashtë muaj pas fillimit të predikimit të Gjonit, Jezui tashmë 30-vjeçar, paraqitet para tij në Jordan. Për cilën arsye? Mos vallë për një vizitë? A vjen ai, thjesht, për t’u interesuar se si po shkon vepra e Gjonit? Jo, Jezui i kërkon Gjonit që të pagëzohet.
Menjëherë Gjoni kundërshton: «Mua më duhet të pagëzohem prej teje dhe ti po vjen tek unë?» Gjoni e di se kushëriri i tij, Jezui, është Biri i veçantë i Perëndisë. Në fakt, kur i vizitoi Maria shtatzënë me Jezuin, Gjoni kërceu nga gëzimi në barkun e nënës! Pa dyshim, më vonë, mamaja e tij, Elizabeta, duhet t’i ketë folur për këtë. Gjithashtu, ajo do t’i ketë folur edhe për lajmërimin që engjëlli i bëri lindjes së Jezuit, si dhe për atë që ndodhi natën në të cilën lindi Jezui, kur engjëjt iu shfaqën disa barinjve.
Prandaj, Gjoni e njeh mirë Jezuin dhe e di se pagëzimi që po bën, nuk është për të. Ai, në fakt, pagëzon ata që pendohen për mëkatet e kryera, por Jezui nuk ka mëkate. Por, megjithë kundërshtimin e Gjonit, Jezui këmbëngul duke thënë: «Lejo të bëhet këtë radhë, sepse në këtë mënyrë është e përshtatshme për ne që të përmbushim çdo gjë që është e drejtë.»—BR.
Përse është e drejtë që Jezui të pagëzohet? Sepse pagëzimi i tij nuk është simbol i pendimit për mëkatet, por i paraqitjes së vetvetes për të bërë vullnetin e Atit të tij. Deri tani Jezui ka qenë një zdrukthëtar, por tashmë ka ardhur koha që ai të fillojë shërbimin për të cilën e ka dërguar në tokë Perëndia Jehova. A mendoni se Gjoni pret që të ndodhë ndonjë gjë e pazakontë kur të pagëzojë Jezuin?
Vetë Gjoni, më vonë, tregon: «Ai që më dërgoi të pagëzoj në ujë më tha: ‘Ai mbi të cilin shikon frymën se zbret dhe qëndron, është ai që pagëzon me frymën e shenjtë’.» (BR) Kështu, Gjoni pret që fryma e shenjtë të zbresë mbi ndonjë nga ata që pagëzon. Për këtë arsye, ndoshta nuk çuditet shumë, kur shikon Jezuin tek del nga uji dhe ‘frymën e Perëndisë duke zbritur mbi të si një pëllumb’.—BR.
Por, gjatë pagëzimit të Jezuit ndodh edhe diçka tjetër. «Qiejt iu hapën.» Ç’do të thotë kjo? Me sa duket, kjo do të thotë se, ndërsa Jezui po pagëzohej, atij iu kujtua ekzistenca paranjerëzore që kishte pasur në qiell. Prandaj, që nga ai moment, Jezui kujton plotësisht, çdo gjë nga jeta e tij si bir frymor i Perëndisë Jehova, duke përfshirë të gjitha gjërat që i kishte thënë Perëndia në qiell para se të bëhej njeri.
Për më tepër, në momentin e pagëzimit të tij, një zë nga qielli deklaron: «Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam miratuar.» (BR) I kujt është ai zë? I vetë Jezuit? Patjetër që jo! Është zëri i Perëndisë. E pra, Jezui është Biri i Perëndisë dhe jo vetë Perëndia, siç pohojnë disa.
Megjithatë, Jezui është një bir njerëzor i Perëndisë, ashtu siç ishte edhe njeriu i parë, Adami. Pasi përshkruan pagëzimin e Jezuit, dishepulli Luka, shkruan: «Dhe Jezui ishte rreth tridhjetë vjeç dhe e pandehnin se ishte bir i Jozefit, bir i Elit, . . . bir i Davidit, . . . bir i Abrahamit, . . . bir i Noeut, . . . bir i Adamit, [bir] i Perëndisë.»
Ashtu si Adami ishte një «bir i Perëndisë» njerëzor, ashtu është edhe Jezui. Ai është njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë, dhe kjo bëhet e qartë, ndërsa shqyrtojmë jetën e tij. Megjithatë, pagëzimi i Jezuit shënon fillimin e një marrëdhënieje të re midis tij dhe Perëndisë; ai bëhet, gjithashtu, edhe bir frymor i Perëndisë. Në një farë kuptimi, tani Perëndia e thërret përsëri në qiell, duke e bërë kështu të ndërmarrë një rrugë që do ta çojë drejt dhënies së jetës së tij njerëzore përgjithmonë, si flijim në dobi të njerëzimit të dënuar. Mateu 3:13-17; Luka 3:21-38; 1:34-36, 44; 2:10-14; Gjoni 1:32-34; Hebrenjve 10:5-9.
▪ Pse Gjoni e njeh mirë Jezuin?
▪ Pse pagëzohet Jezui, kur nuk ka kryer mëkate?
▪ Duke pasur parasysh atë që di Gjoni për Jezuin, pse mund të mos jetë çuditur kur fryma e Perëndisë zbriti mbi Jezuin?