KAPITULLI 21
Në sinagogën e Nazaretit
JEZUI LEXON NGA RROTULLA E ISAISË
BANORËT E NAZARETIT PËRPIQEN TA VRASIN JEZUIN
Në Nazaret atmosfera është emocionuese. Jezui ka punuar këtu si zdrukthëtar para se të largohej për t’u pagëzuar nga Gjoni, afro një vit më parë. Por tani njihet si burrë që kryen vepra të fuqishme. Banorët mezi presin të shohin disa nga mrekullitë e tij.
Pritshmëritë shtohen ndërsa Jezui shkon në sinagogë, siç e ka zakon. Aty bëhen lutje dhe lexohen pjesë nga librat e Moisiut, siç bëhet «çdo sabat nëpër sinagoga». (Veprat 15:21) Lexohen edhe pjesë nga librat profetikë. Kur Jezui ngrihet për të lexuar, ka të ngjarë që njeh shumë të pranishëm, sepse ka shkuar për shumë vite në këtë sinagogë. Atëherë i japin rrotullën e profetit Isaia. Ai e hap dhe gjen fragmentin ku flitet për të Mirosurin nga fryma e Jehovait, pjesë që sot e gjejmë tek Isaia 61:1, 2.
Jezui lexon profecinë ku thuhet se ky i Mirosur do t’u shpallë lirinë robërve, do t’u kthejë shikimin të verbërve dhe do të predikojë vitin e miratimit nga Jehovai. Pastaj i kthen rrotullën shërbëtorit dhe ulet. Të gjithë i kanë ngulur sytë Jezuit. Ai flet edhe ca, e në fund bën këtë koment domethënës: «Sot, ky shkrim që sapo dëgjuat, u përmbush.»—Luka 4:21.
Njerëzit mrekullohen nga ‘fjalët e hijshme që i dalin nga goja e thonë: «Ky është biri i Jozefit, apo jo?»’ Meqë Jezui e kupton se ata duan të shohin vepra të mrekullueshme si ato që kanë dëgjuar, vazhdon: «Pa dyshim që do të ma përmendni këtë thënie: ‘Mjek, shëro veten’, dhe do të thoni: ‘Bëji edhe këtu në vendin tënd gjërat që dëgjuam se bëre në Kapernaum.’» (Luka 4:22, 23) Me sa duket fqinjët e mëparshëm të Jezuit mendojnë se në fillim duhet të shërojë bashkëqytetarët e tij. Prandaj mund të ndihen të lënë pas dore.
Duke kuptuar se çfarë kanë në mendje, Jezui përmend disa ngjarje nga historia e Izraelit. Për shembull, Izraeli kishte shumë vejusha në ditët e Elijas, e megjithatë Elija nuk u dërgua tek asnjëra prej tyre. Përkundrazi, kreu një mrekulli jetëshpëtuese për një vejushë jo izraelite në Zarefat, qytezë pranë Sidonit. (1 Mbretërve 17:8-16) Edhe në kohën e Eliseut kishte shumë të lebrosur në Izrael, por profeti pastroi vetëm Namanin nga Siria.—2 Mbretërve 5:1, 8-14.
Si reagojnë nazareasit ndaj këtyre krahasimeve historike që i demaskojnë dhe që nxjerrin sheshit egoizmin dhe mungesën e tyre të besimit? Plot zemërim, ata që janë në sinagogë ngrihen dhe rrëmbimthi e nxjerrin Jezuin jashtë qytetit. E çojnë buzë malit ku ishte ndërtuar Nazareti dhe përpiqen ta hedhin që andej. Por Jezui u ikën nga duart dhe vazhdon rrugën. Ai drejtohet për në Kapernaum, në veriperëndim të detit të Galilesë.