KAPITULLI 23
Jezui kryen mrekulli në Kapernaum
MATEU 8:14-17 MARKU 1:21-34 LUKA 4:31-41
JEZUI DËBON NJË DEMON
SHËRON VJEHRRËN E PJETRIT
Jezui ka ftuar katër dishepuj, Pjetrin, Andrean, Jakovin dhe Gjonin, të bëhen peshkatarë njerëzish. Në Sabat, të pestë shkojnë në një sinagogë në Kapernaum. Jezui mëson në sinagogë, dhe njerëzit që e dëgjojnë, mahniten sërish nga mësimdhënia e tij. Ai mëson si njeri me autoritet, jo si skribët.
Këtë Sabat në sinagogë është i pranishëm edhe një burrë i pushtuar nga një demon. Ai bërtet: «Ç’punë ke me ne, o Jezu nazareas? Erdhe të na shkatërrosh? Unë e di shumë mirë kush je ti: i Shenjti i Perëndisë.» Jezui e qorton demonin me fjalët: «Hesht dhe dil nga ai!»—Marku 1:24, 25.
Në atë moment, fryma e ligë e përpëlit burrin dhe bërtet me sa i ha zëri. Megjithatë del nga ai «pa i bërë asnjë dëm». (Luka 4:35) Njerëzit në sinagogë befasohen kaq shumë sa nisin të pyesin: «Ç’të jetë vallë?! . . . Ai ka autoritet madje të urdhërojë edhe frymërat e ndyra, e ato i binden.» (Marku 1:27) Kuptohet pse lajmi për këtë ngjarje të jashtëzakonshme përhapet në mbarë Galilenë.
Jezui dhe dishepujt ikin nga sinagoga dhe shkojnë në shtëpinë e Simonit, që quhet edhe Pjetër. Vjehrra e Pjetrit është e sëmurë me ethe të forta. Ata i përgjërohen Jezuit ta ndihmojë, ja pse ai shkon, e kap prej dore dhe e ngre. Ajo shërohet menjëherë e nis t’i shërbejë Jezuit dhe dishepujve, mbase duke u përgatitur një vakt.
Në perëndim, njerëz nga mbarë vendi sjellin te shtëpia e Pjetrit të afërmit e sëmurë. Shpejt duket sikur te dera është mbledhur i gjithë qyteti. Pse janë aty? Duan që Jezui t’i shërojë. Në fakt, ‘njerëzit çojnë tek ai të gjithë ata që vuajnë nga sëmundje të ndryshme. Ai vë duart mbi secilin dhe i shëron’. (Luka 4:40) Tamam siç ishte parathënë, Jezui i shëron të gjithë, pavarësisht nga sëmundja që kanë. (Isaia 53:4) Madje, ai çliron edhe ata që janë të pushtuar nga demonët. Ndërsa dalin, frymërat e liga bërtasin: «Ti je Biri i Perëndisë!» (Luka 4:41) Por Jezui i qorton dhe nuk i lejon të flasin më. Ata e dinë se Jezui është Krishti, e megjithatë Jezui nuk do që demonët të lënë përshtypjen se po i shërbejnë Perëndisë së vërtetë.