Triniteti: A është një mësim nga Bibla?
«Feja katolike është kjo: ne adhurojmë një Perëndi në Trinitet dhe Trinitetin në unitet. . . . Pra, Ati është Perëndi, Biri është Perëndi dhe Shpirti i Shenjtë është Perëndi. E megjithatë, nuk janë tri Perëndi, por një Perëndi.»
ME KËTO fjalë e përshkruan Kredoja Atanasiane doktrinën qendrore të krishterimit: Trinitetin.a Nëse je anëtar i ndonjë kishe, katolik apo protestant, mund të të jetë thënë se ky është mësimi më i rëndësishëm që duhet të besosh. Por, a mund ta shpjegosh doktrinën? Disa nga mendjet më të shquara të krishterimit kanë rrëfyer paaftësinë e tyre për të kuptuar Trinitetin.
Përse e besojnë, atëherë? Mos, ndoshta, ngaqë është një mësim biblik? Peshkopi i ndjerë anglikan, John Robinson, në librin e tij më të shitur Të ndershëm me Perëndinë (Honest to God) i dha kësaj pyetjeje një përgjigje që të vë në mendime:
«Në praktikë, predikimi dhe mësimi popullor paraqet një pamje mbinatyrore të Krishtit që nuk mund të vërtetohet prej Besëlidhjes së Re. Thuhet thjesht se Jezui ishte Perëndi, në mënyrë të tillë sikur termat ‘Jezu’ dhe ‘Perëndi’ të jenë të shkëmbyeshëm. Por në përdorimin biblik nuk është asnjë herë kështu. Besëlidhja e Re thotë se Jezui ishte Fjala e Perëndisë, thotë se Perëndia ishte në Krishtin, thotë se Jezui është Biri i Perëndisë; por ajo nuk thotë se Jezui ishte Perëndi, në mënyrë kaq të thjeshtë.»
John Robinson ishte një figurë e diskutueshme e Kishës Anglikane. Megjithatë, a kishte të drejtë kur thoshte se «Besëlidhja e Re» nuk thotë asnjëherë se «Jezui ishte Perëndi, në mënyrë kaq të thjeshtë»?
Çfarë thotë Bibla?
Disa mund t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje duke cituar vargun e parë të ungjillit të Gjonit: «Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndia.» (Gjoni 1:1, King James Version) A nuk i kundërshton kjo fjalët e peshkopit anglikan? Në të vërtetë, jo. Siç e dinte mirë edhe John Robinson, disa përkthyes modernë nuk janë dakord me mënyrën se si është bërë ky tekst në përkthimin King James. Përse? Sepse në shprehjen «Fjala ishte Perëndia», në greqishten origjinale fjala e përkthyer «Perëndia» nuk e ka mbaresën shquese «a». Një fjali më parë, pra, «Fjala ishte me Perëndinë», fjala «Perëndinë» është e shquar, pra, me mbaresën shquese. Kjo e bën të pamundur që të dy fjalët të kenë të njëjtin kuptim.
Për këtë arsye, disa përkthyes nxjerrin në pah aspektin cilësor në përkthimet e tyre. Për shembull, disa e përkthejnë shprehjen «Fjala ishte hyjnore». (An American Translation, Schonfield) Moffat e përkthen «Logosi ishte hyjnor». Megjithatë, duke treguar se «hyjnore» nuk do të ishte përkthimi më i përshtatshëm, John Robinson dhe kritiku britanik i teksteve, sir Frederick Kenyon, theksojnë që të dy se po të kishte qenë kjo pika që Gjoni donte të nxirrte në pah, ai mund të kishte përdorur fjalën greke «thei’os» (hyjnor). Përkthimi Bota e Re (The New World Translation), duke e parë saktësisht si të pashquar fjalën «Perëndi», si edhe duke nxjerrë në pah aspektin cilësor, përdor nyjën joshquese: «Fjala ishte një perëndi.»
Profesori C. H. Dodd, drejtor i projektit të New English Bible, komenton në lidhje me këtë: «Një përkthim i mundshëm . . . do të ishte ‘Fjala ishte një perëndi’. Si një përkthim fjalë për fjalë në të nuk do të gjeje asnjë kleçkë. The New English Bible nuk e përkthen këtë varg kështu. Në këtë version, Gjoni 1:1 përkthehet kështu: ‘Kur çdo gjë filloi, tashmë ishte Fjala. Fjala banonte me Perëndinë dhe ashtu si ishte Perëndia ishte edhe Fjala.’» Përse nuk zgjodhi përkthimin më të lehtë komiteti i përkthimit? Profesori Dodd përgjigjet: «Ajo është e papranueshme, sepse shkon kundër mënyrës së të menduarit të Joanit dhe në fakt, kundër mënyrës së krishterë të të menduarit në përgjithësi.»—Technical Papers for the Bible Translator, Volumi 28, janar 1977.
Kuptimi i qartë i Shkrimit
A do të thoshim se ideja që Jezui ishte një perëndi dhe jo vetë Perëndia Krijuesi është në kundërshtim me mënyrën e të menduarit të Joanit (të apostullit Gjon, pra), si edhe me mënyrën e krishterë të të menduarit në përgjithësi? Le të shqyrtojmë disa tekste nga Bibla që kanë të bëjnë me Jezuin dhe Perëndinë dhe do të shohim se si mendonin mbi këto tekste disa komentues që kanë jetuar para se të formulohej Kredoja Atanasiane.
«Unë dhe Ati jemi një»—GJONI 10:30.
Novaciani (a. 200-258 e.s) komenton: «Pasi Ai thotë ‘një’ gjë,[b] le të kuptojnë heretikët se Ai nuk thotë ‘një’ person. Sepse një në gjininë asnjanëse, tregon pajtim shoqëror dhe jo unitet personash. . . . Për më tepër, që Ai thotë një i referohet përputhjes dhe identitetit të gjykimit, si edhe vetë shoqërimit të dashur, ashtu siç është e arsyeshme që Ati dhe Biri të jenë një në përputhje, në dashuri dhe në dashuri të përzemërt.»—Treatise Concerning the Trinity, kapitulli 27.
«Ati është më i madh se unë.»—GJONI 14:28.
Ireneu (a. 130-200 e.s.): «Nëpërmjet Tij [Krishtit] ne mund të mësojmë se Ati është mbi çdo gjë. Sepse ‘Ati,-thotë Ai,-është më i madh se unë’. Zotëria ynë, pra, ka deklaruar se Ati e kalon në lidhje me njohurinë.»—Kundër herezive, Libri II, kapitulli 28.8.
«E kjo është jeta e pasosur: që të njohin ty, Një të vetmin Hyun e vërtetë, dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin.»—GJONI 17:3.
Klementi i Aleksandrisë (a. 150-215 e.s.): «Ta njohim Perëndinë e përjetshëm, dhënësin e asaj që është e përjetshme, dhe nëpërmjet njohurisë dhe kuptueshmërisë ta zotërojmë Perëndinë, që është i pari, më i larti, një dhe i mirë. . . . Ai, pra, që do të dëshirojë jetën e vërtetë duhet që së pari të njohë Atë që ‘askush s’mund ta njohë, përveç . . . atij kujt do Biri t’ia zbulojë’. (Mat. 11:27) Në vazhdim, duhet të mësojë madhështinë e Shpëtimtarit pas Tij.»—Kush është i pasuri që do të shpëtojë? VII, VIII.
«Një Hy të vetëm, Atin e të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë.»—EFESIANËVE 4:6.
Ireneu: «Dhe kështu na është deklaruar Perëndia Ati, që është mbi të gjithë, nëpër të gjithë dhe në të gjithë. Ati, në fakt, është mbi të gjithë dhe Ai është Kreu i Krishtit.»—Kundër herezive, Libri V, kapitulli 18.2.
Këta shkrimtarë të lashtë e kuptuan qartësisht se këto vargje e përshkruajnë Atin si suprem, mbi çdo gjë dhe çdokënd, duke përfshirë edhe Jezu Krishtin. Komentet e tyre nuk lënë asnjë aluzion se ata besonin në një Trinitet.
Fryma e shenjtë zbulon çdo të vërtetë
Jezui u premtoi dishepujve të tij se pas vdekjes dhe ringjalljes së tij, fryma e shenjtë do t’u jepej atyre si një ndihmës. Ai premtoi: «E kur të vijë ai—Shpirti i së Vërtetës—Ai do t’ ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën. . . . dhe do t’ ju zbulojë të ardhmen.»—Gjoni 14:16, 17; 15:26; 16:13.
Pas vdekjes së Jezuit, ky premtim u përmbush. Bibla tregon se si iu zbuluan apo iu qartësuan doktrinat e reja kongregacionit të krishterë, me anë të ndihmës së frymës së shenjtë. Këto mësime të reja u shkruan nëpër librat që më vonë u bënë pjesa e dytë e Biblës, Shkrimet Greke të Krishtere, apo «Besëlidhja e Re». Në këtë vërshim të dritës së re, a gjendet ndokund ndonjë zbulim i ekzistencës së një Triniteti? Jo. Fryma e shenjtë zbuloi diçka krejt të kundërt mbi Perëndinë dhe Jezuin.
Për shembull, në Rrëshajat e vitit 33 të e.s., pasi fryma e shenjtë zbriti mbi dishepujt që ishin mbledhur në Jeruzalem, apostulli Pjetër i dha dëshmi mbi Jezuin turmës që ndodhej jashtë. A foli ai për ndonjë Trinitet? Shqyrto disa prej deklaratave të tij dhe gjyko ti vetë: «Jezusin . . . njeri që Hyu e përforcoi para jush me vepra të madhërueshme, me mrekulli dhe me shenja, që siç e dini—me anë të tij i bëri ndër ju.» «Po këtë Jezus Hyu e ngjalli! Të gjithë neve e dëshmojmë këtë gjë!» «Këtë Jezus, që ju e kryqëzuat, Hyu e bëri Zotëri e Mesi.» (Veprat 2:22, 32, 36) Duke mos mësuar aspak një Trinitet, këto shprehje të Pjetrit të mbushur me frymë nënvizojnë vartësinë e Jezuit ndaj Atit të tij, tregojnë se ai është një mjet për përmbushjen e vullnetit të Perëndisë.
Pak më vonë, një tjetër i krishterë besnik foli mbi Jezuin. Stefanin e çuan para Sanhedrinit për t’iu përgjigjur akuzuesve të tij. Përkundrazi, Stefani e përmbysi situatën, duke i paditur akuzuesit e tij se ishin bërë njësoj si të parët e tyre rebelë. Më në fund, tregimi thotë: «Por Shtjefni, i mbushur me Shpirtin e shenjtë, i drejtoi sytë nga qielli, pa Perëndinë në madhështinë e Tij dhe Jezusin duke i qëndruar në të djathtë. ‘Shikoni,-thirri ai,-po e shoh qiellin e hapur dhe në të djathtë të Perëndisë qëndron Biri i njeriut.’» (Veprat 7:55, 56, ECM) Përse fryma e shenjtë e zbuloi Jezuin si «Biri i njeriut», duke qëndruar në të djathtë të Perëndisë dhe jo si pjesë të një hyjnie të barabartë me Atin e tij? Është e qartë, Stefani as që e konceptonte një Trinitet.
Kur Pjetri i dha lajmin e mirë mbi Jezuin Kornelit, u paraqit një tjetër rast për të zbuluar doktrinën e Trinitetit. Çfarë ndodhi? Pjetri shpjegoi se Jezui është «Zoti i të gjithëve». Por ai vazhdoi të shpjegonte se kjo gjë iu dha nga një burim më i lartë. Jezui ishte «ai që Perëndia e ka caktuar për të qenë Gjyqtar i të gjallëve dhe i të vdekurve». Pas ringjalljes së Jezuit, Ati i tij «e bëri [i dha leje] të shfaqej» para ithtarëve të tij. Po fryma e shenjtë? Edhe ajo shfaqet në bisedë, por jo si personi i tretë i një Triniteti. Përkundrazi, «Perëndia e . . . mbushi [Jezuin] me Shpirtin dhe me fuqinë e tij». Prandaj, fryma e shenjtë nuk është aspak një person, por shfaqet si diçka pavetore, si edhe «fuqia» që përmendet në këtë varg. (Veprat 10:36, 38, 40, 42, ECM) Kontrolloje me kujdes Biblën dhe do të gjesh dëshmi të tjera se fryma e shenjtë nuk është një person, por një forcë aktive që mund t’i mbushë njerëzit, t’i nxitë ata, t’i bëjë që të përflaken dhe të derdhet mbi ta.
Së fundi, apostulli Pavël pati një rast të shkëlqyer për të shpjeguar Trinitetin—nëse kjo do të ishte një doktrinë e vërtetë—kur ishte duke u predikuar athinasve. Në fjalimin e tij, ai iu referua altarit të «Perëndisë së panjohur» dhe tha: «Këtë Perëndi që ju e nderoni pa e njohur, do t’jua shpall unë tani.» A shpalli ai ndonjë Trinitet? Jo. Ai e përshkroi si «Perëndia që krijoi botën dhe gjithçka që është në të. Si Zot mbi qiellin e tokën . . . » Por, çfarë tha mbi Jezuin? «[Perëndia] caktoi një ditë, kur do ta gjykojë me drejtësi botën nëpërmjet një Njeriu, të cilin e ngarkoi me këtë detyrë.» (Veprat 17:23, 24, 31, ECM) Këtu nuk bëhet asnjë aluzion për ndonjë Trinitet!
Në fakt, Pavli shpjegoi diçka mbi qëllimet e Perëndisë që e bëri të pamundur që Jezui dhe Ati i tij të jenë pjesë të barabarta të një Triniteti. Ai shkroi: «Perëndia i ka nënshtruar gjithçka [Jezuit]. Tani është e qartë se fjala ‘gjithçka’ nuk përfshin Atë që i nënshtroi të gjitha këto. E kur Biri i Perëndisë t’i ketë nënshtruar gjithçka, atëherë ai vetë do t’i nënshtrohet Atij që e emëroi Zot të të gjithave. Atëherë Perëndia do të jetë i vetmi Zot.» (1. Korintasve 15:27, 28, ECM) Pra, Perëndia do të vazhdojë të jetë mbi të gjithë, përfshi edhe Jezuin.
A është, pra, Triniteti një mësim nga Bibla? Jo. John Robinson kishte të drejtë. Ai nuk gjendet në Bibël, dhe as që nuk është pjesë e «mënyrës së krishterë të të menduarit». A të duket se është i rëndësishëm në adhurimin tënd? Duhet të jetë. Jezui tha: «E jeta e përjetshme përbëhet nga njohja jote, njohja e Perëndisë së vetëm dhe së vërtetë si dhe e atij që dërgove, Jezusit, Mesisë.» (Gjoni 17:3, ECM) Nëse e marrim seriozisht adhurimin e Perëndisë, është jetësore që ta njohim atë ashtu siç është në të vërtetë, ashtu siç na është zbuluar. Vetëm atëherë mund të themi se jemi midis «adhuruesve të vërtetë» që «e adhurojnë Atin me frymë dhe të vërtetë».—Gjoni 4:23, BR.
[Shënimet]
a Sipas The Catholic Encyclopedia, botim i 1907-ës, volumi 2, faqe 33.
b Novaciani i referohet faktit se fjala e përkthyer «një» në këtë varg është në gjininë asnjanëse. Prandaj, kuptimi i saj i natyrshëm është «një gjë». Krahasoje me Gjonin 17:21, ku fjala greke e përkthyer «një» është përdorur saktësisht në një mënyrë paralele. Fakt interesant, New Catholic Encyclopedia (botim i 1967-ës) në përgjithësi është dakord me veprën e Novacianit De Trinitate, edhe pse vëren se në të «fryma e shenjtë nuk është konsideruar si një Person hyjnor».
[Diçitura në faqen 28]
Kuptimi i qartë i Shkrimit, tregon qartë se Jezui dhe Ati i tij nuk janë një person
[Diçitura në faqen 29]
Përse nuk zbuloi fryma e shenjtë se Jezui ishte Perëndia, pas Rrëshajave të vitit 33 e.s.?