Kapitulli 67
Nuk arrijnë ta arrestojnë
NDËRSA Festa e Tabernakujve vazhdon, krerët fetarë dërgojnë roje për të arrestuar Jezuin. Ai nuk përpiqet të fshihet. Përkundrazi, vazhdon të mësojë publikisht, duke thënë: «Unë jam edhe për pak kohë me ju, pastaj do të shkoj tek ai që më ka dërguar. Do të më kërkoni dhe nuk do të më gjeni; dhe atje ku do të jem unë, ju nuk do të mund të vini.»
Judenjtë nuk e kuptojnë këtë, prandaj pyesin njëri-tjetrin: «Ku do të shkojë ky që ne nuk mund ta gjejmë? Mos do të shkojë tek ata që janë shpërndarë midis grekëve dhe të mësojë grekët? Çfarë deshi të thoshte kur tha: ‘Ju do të më kërkoni dhe nuk do të më gjeni dhe atje ku do të jem unë ju nuk mund të vini’?» Jezui, sigurisht, është duke folur për vdekjen e tij që po afrohet dhe për ringjalljen në jetë, në qiell, vend në të cilin armiqtë e tij nuk mund ta ndjekin.
Vjen dita e shtatë dhe e fundit e festës. Gjatë gjithë festës, çdo mëngjes, një prift ka mbushur ujë në pellgun e Siloamit dhe e ka derdhur duke e lënë të rrjedhë deri në bazën e altarit. Ndoshta duke u rikujtuar njerëzve këtë ceremoni të përditshme, Jezui thërret: «Nëse dikush ka etje le të vijë tek unë e të pijë. Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, ‘nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë’.»
Faktikisht, Jezui këtu po flet për rezultatet madhështore që do të vijnë, kur do të derdhet fryma e shenjtë. Kjo derdhje e frymës së shenjtë ndodh një vit më vonë, në kohën e Rrëshajëve. Në atë rast, kur 120 dishepujt nisin shërbimin e tyre publik, fillojnë të rrjedhin lumenj uji të gjallë. Por deri në atë moment, nuk do të ketë frymë të shenjtë, në kuptimin që asnjë nga dishepujt e Krishtit nuk do të miroset me frymën e shenjtë dhe nuk do të thirret në jetën qiellore.
Duke reaguar ndaj mësimit të Jezuit, disa thonë se «ky është me të vërtetë Profeti», duke iu referuar, me sa duket, profetit më të madh se Moisiu që ishte premtuar se do të vinte. Të tjerë thonë: «Ky është Krishti.» Por disa të tjerë kundërshtojnë, duke thënë: «Vallë nga Galilea vjen Krishti? A nuk thotë Shkrimi se Krishti vjen nga pasardhja e Davidit dhe nga Bethlehemi, fshati ku jetonte Davidi?»
Kështu, midis njerëzve shkaktohet një ndarje. Disa duan që Jezui të arrestohet, por asnjë nuk vë dorë mbi të. Kur rojet kthehen pa Jezuin, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë i pyesin: «Pse nuk e sollët?»
«Asnjeri nuk ka folur kurrë si ai»,—përgjigjen rojet.
Atëherë, të fryrë nga inati, krerët fetarë tregohen të ulët duke i tallur, duke shtrembëruar faktet dhe duke i ofenduar. Ata thonë me përçmim: «Mos u gënjyet edhe ju? Mos vallë ndonjë nga krerët ose nga farisenjtë besoi në të? Por kjo turmë që nuk e njeh ligjin, është e mallkuar.»
Në këtë moment, Nikodemi, një farise dhe sundimtar i judenjve (domethënë, anëtar i Sinedrit), merr guximin të flasë në mbrojtje të Jezuit. Ndoshta e mbani mend se dy vjet e gjysmë më parë, Nikodemi shkoi gjatë natës te Jezui dhe shfaqi besim tek ai. Tani Nikodemi thotë: «Ligji ynë e dënon vallë një njeri para se ta ketë dëgjuar dhe [para se] ta dijë se ç’ka bërë?»
Por farisenjtë inatosen akoma më shumë, kur shohin që një njeriu i tyre del në mbrojtje të Jezuit. «Mos je edhe ti nga Galilea?»—thonë ata me një ton sarkastik. «Kërko dhe shiko se nga Galilea nuk duhet të dalë asnjë profet.»—BR.
Edhe pse shkrimet nuk thonë në mënyrë të drejtpërdrejtë se nga Galilea do të dilte një profet, ato tregojnë se Krishti do të vinte prej andej, kur thonë se banorët e asaj zone do të shihnin «një dritë të madhe». Për më tepër, Jezui ka lindur në Bethlehem dhe është një pasardhës i Davidit. Megjithëse farisenjtë janë ndoshta në dijeni të kësaj, ka të ngjarë që ata vetë të jenë përgjegjës për përhapjen e ideve të gabuara që qarkullojnë mbi Jezuin. Gjoni 7:32-52; Isaia 9:1, 2, BR; Mateu 4:13-17.
▪ Çfarë ndodh çdo mëngjes gjatë festës dhe në ç’mënyrë, Jezui, mund të jetë duke tërhequr vëmendjen mbi këtë gjë?
▪ Përse rojet nuk arrijnë ta arrestojnë Jezuin dhe si reagojnë krerët fetarë?
▪ Kush është Nikodemi, çfarë qëndrimi mban ai ndaj Jezuit dhe si e trajtojnë farisenjtë e tjerë?
▪ Çfarë dëshmie ekziston se Krishti do të vinte nga Galilea?