Le ‘të mbetemi në fjalën e Jezuit’
«Nëse mbeteni në fjalën time, jeni vërtet dishepujt e mi.»—GJONI 8:31.
1. (a) Çfarë la pas në tokë Jezui kur u kthye në qiell? (b) Çfarë pyetjesh do të shqyrtojmë?
KUR u kthye në qiell, Jezu Krishti, Themeluesi i krishterimit, nuk la pas në tokë libra të shkruar me dorën e tij, monumente të ndërtuara ose pasuri të grumbulluara prej tij. Përkundrazi ai la pas dishepuj, si dhe kërkesa të veçanta për të qenë dishepull. Në fakt, tek ungjilli i Gjonit shohim se Jezui përmendi tri kërkesa të rëndësishme që duhet t’i përmbushë kushdo që dëshiron të jetë ithtar i tij. Cilat janë këto tri kërkesa? Çfarë mund të bëjmë për t’i përmbushur ato? Si mund të sigurohemi se ne vetë kualifikohemi sot si dishepuj të Krishtit?a
2. Cila është një kërkesë e rëndësishme për të qenë dishepull, siç është dokumentuar në ungjillin e Gjonit?
2 Rreth gjashtë muaj para se të vdiste, Jezui u ngjit në Jerusalem dhe u predikoi turmave që ishin mbledhur për të kremtuar Festën njëjavore të Kasolleve. Si rezultat, kur kishte kaluar gjysma e festës, «shumë veta nga turma treguan besim tek ai». Jezui vazhdoi të predikonte dhe, si rrjedhim, në ditën e fundit të festës, përsëri «shumë veta treguan besim tek ai». (Gjoni 7:10, 14, 31, 37; 8:30). Pastaj, siç është dokumentuar nga apostulli Gjon, Jezui e drejtoi vëmendjen te besimtarët e rinj dhe tha një kërkesë të rëndësishme për të qenë dishepull: «Nëse mbeteni në fjalën time, jeni vërtet dishepujt e mi.»—Gjoni 8:31.
3. Çfarë cilësie nevojitet ‘për të mbetur në fjalën [e Jezuit]’?
3 Me këto fjalë Jezui nuk po thoshte se besimtarët e rinj nuk kishin mjaft besim. Përkundrazi, po theksonte se ata kishin përpara tyre mundësinë që të bëheshin dishepujt e tij të vërtetë, me kusht që të mbeteshin në fjalën e tij, pra të shfaqnin qëndrueshmëri. Ata e kishin pranuar fjalën e tij, por tani duhej të vazhdonin të qëndronin në të. (Gjoni 4:34; Hebrenjve 3:14) Vërtet, Jezui e shihte qëndrueshmërinë si një cilësi kaq të rëndësishme për ithtarët e tij, saqë në bisedën e fundit me apostujt, të dokumentuar tek Ungjilli i Gjonit, ai bëri dy herë nxitjen: «Vazhdo të më ndjekësh.» (Gjoni 21:19, 22) Shumë të krishterë të hershëm bënë pikërisht këtë. (2 Gjonit 4) Çfarë i ndihmoi ata të qëndronin?
4. Çfarë u dha mundësinë të krishterëve të hershëm që të qëndronin?
4 Apostulli Gjon, një dishepull besnik i Krishtit për rreth shtatëdhjetë vjet, vuri në dukje një gjë të rëndësishme. Ai i lavdëroi të krishterët besnikë duke u thënë: «Ju jeni të fortë dhe fjala e Perëndisë qëndron te ju e ju e keni mundur të ligun.» Ata dishepuj të Krishtit qëndruan ose mbetën në fjalën e Perëndisë, sepse fjala e Perëndisë mbeti në ta. Ata kishin çmueshmëri të sinqertë për të. (1 Gjonit 2:14, 24) Po kështu edhe sot, ‘për të qëndruar deri në fund’, duhet të sigurohemi se fjala e Perëndisë mbetet te ne. (Mateu 24:13) Si mund ta bëjmë këtë? Përgjigjen na e jep një ilustrim i Jezuit.
«E dëgjojnë fjalën»
5. (a) Cilat lloje të ndryshme të tokës përmenden nga Jezui në një nga ilustrimet e tij? (b) Çfarë përfaqësojnë fara dhe toka tek ilustrimi i Jezuit?
5 Jezui tha ilustrimin e një mbjellësi që mbjell farë dhe ky ilustrim është dokumentuar tek ungjilli i Mateut, i Markut dhe i Lukës. (Mateu 13:1-9, 18-23; Marku 4:1-9, 14-20; Luka 8:4-8, 11-15) Kur lexoni tregimet do të vëreni se veçoria kryesore e ilustrimit është se e njëjta lloj fare bie në lloje të ndryshme toke, duke sjellë rezultate të ndryshme. Lloji i parë i tokës është i fortë, i dyti është i cekët dhe i treti është i mbuluar me gjemba. Lloji i katërt, ndryshe nga tri të tjerat, është ‘tokë e mirë’ dhe ‘e shkëlqyer’. Sipas vetë shpjegimit të Jezuit, fara është mesazhi i Mbretërisë që gjendet në Fjalën e Perëndisë dhe toka përfaqëson njerëz që kanë gjendje të ndryshme të zemrës. Ndonëse njerëzit që përfaqësohen nga llojet e ndryshme të tokës kanë disa gjëra të përbashkëta, ata që përfaqësohen nga toka e shkëlqyer kanë një veçori që i dallon nga gjithë të tjerët.
6. (a) Si ndryshon lloji i katërt i tokës në ilustrimin e Jezuit nga tri llojet e tjera dhe çfarë nënkupton kjo? (b) Çfarë është thelbësore për të shfaqur qëndrueshmëri si dishepuj të Krishtit?
6 Tregimi te Luka 8:12-15 tregon se në të katër rastet njerëzit «e dëgjojnë fjalën». Megjithatë ata që kanë «një zemër të shkëlqyer e të mirë» bëjnë më shumë se vetëm sa «e dëgjojnë fjalën». Ata «e mbajnë dhe japin fryt me qëndrueshmëri». Toka e shkëlqyer dhe e mirë, duke qenë e butë dhe e thellë, i lejon rrënjët e farës që të futen thellë e si rezultat fara mbin dhe prodhon fryt. (Luka 8:8) Po ashtu edhe ata që kanë një zemër të shkëlqyer e kuptojnë, e çmojnë dhe zhyten në fjalën e Perëndisë. (Romakëve 10:10; 2 Timoteut 2:7) Fjala e Perëndisë mbetet në ta. Si pasojë japin fryt me qëndrueshmëri. Pra, për të shfaqur qëndrueshmëri si dishepuj të Krishtit, është thelbësore një çmueshmëri e thellë dhe e sinqertë për Fjalën e Perëndisë. (1 Timoteut 4:15) Gjithsesi, si mund ta zhvillojmë një çmueshmëri të tillë të sinqertë për Fjalën e Perëndisë?
Gjendja e zemrës dhe meditimi domethënës
7. Cila veprimtari lidhet ngushtë me zemrën e mirë?
7 Vini re se me cilën veprimtari e lidh vazhdimisht Bibla zemrën e shkëlqyer dhe të mirë. «Zemra e të drejtit mediton para se të përgjigjet.» (Fjalët e urta [Proverbat] 15:28, BR) «Qofshin të këndshme para teje, o Jehova, fjalët e gojës sime dhe meditimi i zemrës sime.» (Psalmi 19:14, BR) «Zemra ime do të meditojë për gjëra me kuptim.»—Psalmi 49:3, BR.
8. (a) Çfarë duhet të shmangim, por çfarë duhet të bëjmë kur lexojmë Biblën? (b) Çfarë dobish marrim kur meditojmë me lutje rreth Fjalës së Perëndisë? (Përfshi kutinë ‘Të vendosur në mënyrë të patundur në të vërtetën’.)
8 Ashtu si këta shkrimtarë të Biblës, edhe ne duhet të meditojmë me çmueshmëri dhe me lutje rreth Fjalës së Perëndisë dhe rreth veprave të tij. Kur lexojmë Biblën ose botimet e bazuara në të, nuk duhet të veprojmë si të thuash, si turistët e nxituar që vrapojnë nga një vend piktoresk në tjetrin që të filmojnë gjithçka, por duke mos e soditur peizazhin. Përkundrazi, kur studiojmë Biblën, si të thuash, duhet të marrim kohë për t’u ndalur dhe për të soditur peizazhin.b Teksa meditojmë me qetësi për atë që lexojmë, fjala e Perëndisë ndikon në zemër. Na prek emocionet dhe na modelon mënyrën e të menduarit. Gjithashtu, na nxit që t’i ndajmë me Perëndinë në lutje mendimet tona më të fshehta. Si rrjedhim, lidhja jonë me Jehovain forcohet dhe dashuria për Perëndinë na shtyn të vazhdojmë ta ndjekim Jezuin edhe nën rrethana të vështira. (Mateu 10:22) Është e qartë se meditimi për atë që thotë Perëndia është thelbësor nëse duam të qëndrojmë besnikë deri në fund.—Luka 21:19.
9. Si mund të sigurohemi që zemra jonë të mbetet e ndjeshme ndaj fjalës së Perëndisë?
9 Gjithashtu ilustrimi i Jezuit tregon se ka pengesa për rritjen e farës, fjalës së Perëndisë. Prandaj për të mbetur dishepuj besnikë bëjmë mirë që: (1) të identifikojmë pengesat që përfaqësohen nga kushtet e pafavorshme të tokës që përmenden në ilustrim, (2) të marrim masa për t’i hequr ose për t’i shmangur ato. Në këtë mënyrë do të sigurohemi se zemra jonë mbetet e ndjeshme ndaj farës së Mbretërisë dhe vazhdon të japë fryt.
Toka «përgjatë rrugës»—Ata që janë të shpërqendruar
10. Përshkruani llojin e parë të tokës në ilustrimin e Jezuit dhe shpjegoni domethënien e këtij lloji.
10 Lloji i parë i parë i tokës mbi të cilën bie fara është «përgjatë rrugës», ku fara ‘shkelet’. (Luka 8:5) Toka përgjatë rrugës që kalon përmes një are me grurë është e ngjeshur fort nga lëvizjet e vazhdueshme të kalimtarëve. (Marku 2:23) Në mënyrë të ngjashme, ata që lejojnë që veprimtaritë e ethshme të botës t’u marrin tepër kohë dhe energji shohin se janë aq të shpërqendruar, saqë nuk arrijnë të zhvillojnë çmueshmëri të sinqertë për fjalën e Perëndisë. Ata e dëgjojnë atë, por nuk meditojnë rreth saj. Prandaj zemra e tyre mbetet në një gjendje të pandjeshme. Përpara se të zhvillojnë dashuri për të, «vjen Djalli dhe ua merr fjalën nga zemra e tyre, që të mos besojnë e të shpëtojnë». (Luka 8:12) A mund të parandalohet kjo?
11. Në ç’mënyrë mund ta parandalojmë që gjendja e zemrës sonë të bëhet si tokë e fortë?
11 Ka shumë gjëra që mund të bëhen për të parandaluar që zemra të bëhet si një tokë joprodhuese përgjatë rrugës. Toka e shkelur dhe e fortë mund të bëhet e butë dhe prodhuese nëse lërohet dhe nuk kalojnë më njerëz mbi të. Ngjashëm, kur gjejmë kohë për të studiuar dhe për të medituar rreth Fjalës së Perëndisë zemra mund të bëhet si rrjedhim një tokë e shkëlqyer dhe prodhuese. Çelësi është të mos shqetësohemi tepër për gjërat e zakonshme të jetës. (Luka 12:13-15) Përkundrazi, të sigurohemi që të lëmë kohë mënjanë për të medituar rreth ‘gjërave më të rëndësishme’ të jetës.—Filipianëve 1:9-11.
Toka «mbi shkëmb»—Ata që kanë frikë
12. Cila është arsyeja e vërtetë që filizi thahet në llojin e dytë të tokës të përmendur në ilustrimin e Jezuit?
12 Kur fara bie në llojin e dytë të tokës, ajo nuk mbetet thjesht mbi të, si në rastin e parë. Përkundrazi lëshon rrënjë dhe mbin. Por, kur del dielli, filizi zhuritet nga nxehtësia e tij dhe thahet. Megjithatë vini re këtë hollësi domethënëse. Arsyeja e vërtetë që filizi thahet nuk është nxehtësia. Në fund të fundit, edhe bima që mbin në një tokë të shkëlqyer është në diell, por nuk thahet, përkundrazi lulëzon. Ku qëndron ndryshimi? Jezui shpjegon se ky filiz thahet ‘pasi s’ka thellësi toke’ dhe as «lagështi». (Mateu 13:5, 6; Luka 8:6) ‘Shkëmbi’ ose shtresa shkëmbore që ndodhet nën sipërfaqen e punueshme të tokës nuk e lë farën që t’i shtrijë rrënjët aq thellë, sa të gjejë lagështi dhe qëndrueshmëri. Filizi thahet, sepse toka nuk është e thellë.
13. Cilat lloje individësh janë si toka e cekët dhe cila është arsyeja e vërtetë e mënyrës se si reagojnë?
13 Kjo pjesë e ilustrimit bën fjalë për individët që «e pranojnë fjalën me gëzim» dhe e ndjekin Jezuin me zell «për një periudhë». (Luka 8:13) Kur janë nën diellin përvëlues të ‘shtrëngimeve ose të persekutimeve’, ata kanë kaq frikë, sa e humbin gëzimin dhe forcën e nuk e ndjekin më Krishtin. (Mateu 13:21) Megjithatë arsyeja e vërtetë e frikës së tyre nuk është kundërshtimi. Në fund të fundit, miliona dishepuj të Krishtit durojnë forma të ndryshme shtrëngimi, e prapëseprapë qëndrojnë besnikë. (2 Korintasve 2:4; 7:5) Arsyeja e vërtetë përse disa kanë frikë dhe largohen nga e vërteta është se gjendja e zemrës së tyre ngjashëm shkëmbit nuk i lë të meditojnë mjaft thellë për gjërat pozitive dhe frymore. Si pasojë, çmueshmëria që zhvillojnë ata për Jehovain dhe për fjalën e tij është tepër sipërfaqësore dhe e paktë për t’i bërë ballë kundërshtimit. Si mund të parandalohet një përfundim i tillë?
14. Cilat hapa duhet të marrë një individ për të mos e lejuar gjendjen e zemrës që të bëhet si tokë e cekët?
14 Një individ duhet të sigurohet se asnjë pengesë ngjashëm shkëmbit të tilla, si: vreri i brendshëm, egoizmi i fshehur ose ndjenja të ngjashme të forta, por të fshehura, të mos zënë vend në zemër. Nëse tashmë ekziston një pengesë e tillë, fuqia e ushtruar nga fjala e Perëndisë mund ta çajë këtë pengesë. (Jeremia 23:29; Efesianëve 4:22; Hebrenjve 4:12) Pastaj meditimi në lutje do të nxitë «rrënjosjen e fjalës» thellë në zemrën e individit. (Jakovit 1:21) Ai do të sigurojë forcën për të përballuar kohët shkurajuese dhe guximin për të qëndruar besnikë pavarësisht nga sprovat.
Toka «mes gjembave»—Ata me zemër të ndarë
15. (a) Pse lloji i tretë i tokës i përmendur nga Jezui meriton sidomos vëmendjen tonë? (b) Çfarë ndodh së fundi me llojin e tretë të tokës dhe përse?
15 Lloji i tretë i tokës, ai me gjemba, meriton sidomos vëmendjen tonë, sepse në disa mënyra ai është i ngjashëm me tokën e shkëlqyer. Ashtu si toka e shkëlqyer, toka me gjemba i krijon farës mundësinë të lëshojë rrënjë dhe të mbijë. Në fillim rritja e bimës së re në këto dy lloje tokash nuk ndryshon. Sidoqoftë, me kalimin e kohës krijohet një gjendje e cila së fundi e mbyt bimën. Ndryshe nga toka e shkëlqyer, kjo tokë mbulohet nga gjembat. Teksa bima e re rritet në këtë tokë, ajo has rivalitetin e ‘gjembave që rriten bashkë me të’. Për një farë kohe që të dy luftojnë për të pasur ushqim, dritë dhe hapësirë, por, së fundi, gjembat e mbulojnë bimën dhe ‘e mbytin’.—Luka 8:7.
16. (a) Cilët individë i ngjajnë tokës me gjemba? (b) Sipas tregimeve të tre ungjijve kë përfaqësojnë gjembat?—Shih shënimin në fund të faqes.
16 Cilat lloje individësh i ngjajnë tokës me gjemba? Jezui shpjegon: «Këto janë ata që kanë dëgjuar, por duke u rrëmbyer nga ankthet, pasuria dhe kënaqësitë e kësaj jete, mbyten plotësisht dhe nuk çojnë asgjë në përsosmëri.» (Luka 8:14) Ashtu si fara e mbjellësit, edhe gjembat rriten njëkohësisht në tokë, po kështu disa individë përpiqen njëkohësisht të jepen edhe pas fjalës së Perëndisë, edhe pas ‘kënaqësive të kësaj jete’. E vërteta e fjalës së Perëndisë mbillet në zemrën e tyre, por vëmendja e individëve shpërqendrohet nga aktivitetet e tjera. Zemra e tyre figurative është e ndarë. (Luka 9:57-62) Kjo i pengon ata që t’i kushtojnë kohë të mjaftueshme meditimit me lutje dhe domethënës rreth fjalës së Perëndisë. Ata nuk arrijnë të zhyten plotësisht në fjalën e Perëndisë, dhe kështu u mungon çmueshmëria e sinqertë që nevojitet për të qëndruar. Pak nga pak aktivitetet jofrymore mbizotërojnë deri në atë pikë sa interesat e tyre frymore «mbyten plotësisht».c Çfarë fundi i trishtueshëm për ata që nuk e duan Jehovain me gjithë zemër!—Mateu 6:24; 22:37.
17. Çfarë zgjedhjesh duhet të bëjmë në jetë që të mos na mbytin gjembat figurativë të përmendur në ilustrimin e Jezuit?
17 Kur u japim përparësi gjërave frymore ndaj gjërave materiale, shmangim mbytjen nga dhembjet dhe kënaqësitë e kësaj bote. (Mateu 6:31-33; Luka 21:34-36) Leximi i Biblës dhe meditimi rreth asaj që lexojmë nuk duhet lënë kurrë pas dore. Do të gjejmë më shumë kohë për meditim me lutje e të përqendruar, nëse e thjeshtojmë jetën tonë sa më shumë që të jetë e mundur. (1 Timoteut 6:6-8) Shërbëtorët e Perëndisë që kanë vepruar kështu, si të thuash i kanë shkulur gjembat nga toka për t’i dhënë bimës frytdhënëse më shumë ushqim, dritë dhe hapësirë, po përjetojnë bekimin e Jehovait. Sandra 26-vjeçare thotë: «Kur meditoj për bekimet që kam marrë në të vërtetën, kuptoj se bota nuk mund të më ofrojë asgjë që mund të krahasohet me të vërtetën.»—Psalmi 84:11.
18. Si mund të mbetemi në fjalën e Perëndisë dhe të qëndrojmë si të krishterë?
18 Është e qartë atëherë se të gjithë ne, të rinj e të moshuar, do të mbetemi në fjalën e Perëndisë dhe do të qëndrojmë si dishepuj të Krishtit për aq kohë sa fjala e Perëndisë të mbetet te ne. Prandaj, le të sigurohemi që toka e zemrës sonë figurative të mos bëhet kurrë e fortë, e cekët ose e mbuluar nga bimët e këqija, por të mbetet e butë dhe e thellë. Në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të zhytemi plotësisht në fjalën e Perëndisë dhe ‘të japim fryt me qëndrueshmëri’.—Luka 8:15.
[Shënimet]
a Në këtë artikull do të shqyrtojmë kërkesën e parë. Dy të tjerat do të trajtohen në artikujt vijues.
b Për të medituar me lutje rreth një pjese të Biblës që keni lexuar, ju për shembull mund të pyetni veten: ‘A zbulon ajo një ose më shumë cilësi të Jehovait? Si lidhet me temën e Biblës? Si mund ta zbatoj në jetën time ose ta përdor për të ndihmuar të tjerët?’
c Sipas tregimeve të tre ungjijve për shëmbëlltyrën e Jezuit fara mbytet nga dhembjet dhe nga kënaqësitë e kësaj bote: «Ankthet e këtij sistemi», «fuqia mashtruese e pasurisë», «dëshirat për gjërat e tjera» dhe «kënaqësitë e kësaj jete».—Marku 4:19; Mateu 13:22; Luka 8:14; Jeremia 4:3, 4.
Si do të përgjigjeshit?
• Pse duhet ‘të mbetemi në fjalën e Jezuit’?
• Si mund ta lejojmë fjalën e Perëndisë që të mbetet në zemrën tonë?
• Cilat lloje individësh përfaqësojnë katër llojet e ndryshme të tokës të përmendura nga Jezui?
• Si mund të gjejmë kohë për të medituar rreth fjalës së Perëndisë?
[Kutia dhe figura në faqen 10]
‘TË VENDOSUR NË MËNYRË TË PATUNDUR NË TË VËRTETËN’
SHUMË individë që janë prej një kohe të gjatë dishepuj të Krishtit tregojnë vit pas viti se janë «vendosur në mënyrë të patundur në të vërtetën». (2 Pjetrit 1:12) Çfarë i ndihmon ata të qëndrojnë? Le të shqyrtojmë disa nga komentet e tyre.
«E përfundoj çdo ditë duke lexuar një pjesë nga Bibla dhe duke bërë një lutje. Pastaj mendoj rreth asaj që kam lexuar.»—Xhina, e pagëzuar në vitin 1939.
«Meditimi se si Jehovai, një person kaq i lartë, na do shumë më jep ndjenjën e sigurisë dhe forcën për të mbetur besnike.»—Patrisha, e pagëzuar në vitin 1946.
«Duke iu përmbajtur zakoneve të mira të studimit të Biblës dhe duke u zhytur në ‘gjërat e thella të Perëndisë’, kam qenë në gjendje të vazhdoj t’i shërbej Jehovait.»—1 Korintasve 2:10; Ana, e pagëzuar në vitin 1939.
«E lexoj Biblën dhe botimet e bazuara në të, me synimin që të shqyrtoj zemrën dhe motivet e mia.»—Zelda, e pagëzuar në vitin 1943.
«Çastet e mia më të bukura janë kur mund të bëj një shëtitje dhe të flas me Jehovain në lutje, thjesht për t’i thënë se si ndihem në të vërtetë.»—Ralfi, i pagëzuar në vitin 1947.
«E filloj ditën duke shqyrtuar shkrimin e ditës dhe duke lexuar një pjesë nga Bibla. Kjo më jep diçka të re për të medituar gjatë ditës.»—Maria, e pagëzuar në vitin 1935.
«Për mua shqyrtimi varg pas vargu i një libri biblik është tamam si një ilaç që më përtërin.»—Danieli, i pagëzuar në vitin 1946.
Kur merrni kohë për të medituar në lutje rreth fjalës së Perëndisë?—Danieli 6:10b; Marku 1:35; Veprat 10:9.
[Figura në faqen 13]
Kur u japim përparësi gjërave frymore, mund ‘të japim fryt me qëndrueshmëri’