Kapitulli 70
Shëron një burrë që ka lindur i verbër
KUR judenjtë përpiqen ta vrasin Jezuin me gurë, ai nuk largohet nga Jerusalemi. Më vonë, ditën e shtunë, ai dhe dishepujt e tij janë duke ecur nëpër qytet, kur ja, shikojnë një burrë që ka lindur i verbër. Dishepujt e pyesin Jezuin: «Mësues, kush ka mëkatuar, ai apo prindërit e tij, që ai ka lindur i verbër?»
Ndoshta dishepujt besojnë, ashtu si bëjnë disa rabinë, se njeriu mund të mëkatojë në barkun e nënës. Por Jezui përgjigjet: «As ai, as prindërit e tij s’kanë mëkatuar, por kjo ndodhi që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë.» Ai njeri nuk është i verbër për pasojë të ndonjë gabimi apo mëkati specifik të kryer prej tij ose prej prindërve të tij. Mëkati i njeriut të parë, Adamit, bëri që të gjithë njerëzit të jenë të papërsosur dhe si të tillë, të jenë të prirur ndaj të metave fizike, siç është edhe verbëria e lindur. Kjo e metë që ka ky njeri i jep tani Jezuit një mundësi për të bërë të dukshme veprat e Perëndisë.
Jezui thekson se bërja e këtyre veprave është urgjente. «Unë duhet t’i kryej veprat e atij që më ka dërguar sa është ditë,—thotë ai.—Vjen nata kur askush nuk mund të veprojë. Derisa jam në botë, unë jam drita e botës.» Së shpejti, vdekja do ta zhytë Jezuin në errësirën e varrit, vend në të cilin ai nuk mund të bëjë më asgjë. Ndërkohë ai është një burim drite për botën.
Pasi thotë këto gjëra, Jezui pështyn për tokë dhe me pështymën e tij bën pak baltë. Ia vendos mbi sy burrit të verbër dhe i thotë: «Shko, lahu në pellgun e Siloamit.» Burri bindet dhe kur vepron kështu, ai mund të shikojë! Sa i gëzuar është ai gjatë kthimit, pasi për herë të parë në jetën e tij mund të shikojë!
Fqinjët dhe të tjerë që e njohin, mbeten të mahnitur. «A s’është ky ai që rrinte ulur dhe lypte?»—pyesin ata. «Ai është»,—përgjigjen disa. Por disa të tjerë nuk mund ta besojnë këtë dhe thonë: «I përngjan atij.» Megjithatë, burri thotë: «Unë jam.»
«Si të janë hapur sytë?»—duan të dinë njerëzit.
«Një njeri, që quhet Jezus, ka bërë baltë, m’i leu sytë dhe më tha: ‘Shko te pellgu i Siloamit dhe lahu.’ Dhe unë shkova atje, u lava dhe më erdhi drita e syve.»
«Ku është ai»,—e pyesin ata.
«Nuk e di»,—përgjigjet ai.
Tani, njerëzit e çojnë njeriun që më parë ishte i verbër, te krerët e tyre fetarë, farisenjtë. Edhe këta fillojnë ta pyesin se si e kishte fituar shikimin. «Më vuri baltë mbi sy, u lava dhe shoh»,—shpjegon burri.
Farisenjtë, natyrisht duhet të gëzoheshin për lypësin e shëruar. Por në vend të kësaj, ata akuzojnë Jezuin. «Ky njeri nuk është nga Perëndia»,—pohojnë ata. Po pse e thonë këtë? «Sepse nuk e respekton të shtunën.» Ndërsa disa farisenj të tjerë, pyesin veten: «Si mund të kryejë shenja të tilla një njeri mëkatar?» Pra midis tyre krijohet një ndarje.
Për këtë arsye, ata pyesin burrin: «Po ti, ç’thua për atë, për faktin që t’i ka hapur sytë?»
«Është një profet»,—përgjigjet ai.
Farisenjtë nuk pranojnë ta besojnë një gjë të tillë. Ata janë të bindur se Jezui dhe ky burrë duhet të kenë bërë ndonjë marrëveshje të fshehtë, për të mashtruar popullin. Prandaj, për të zgjidhur çështjen, ata thërrasin prindërit e lypësit për t’i marrë në pyetje. Gjoni 8:59; 9:1-18.
▪ Nga çfarë është shkaktuar verbëria e burrit dhe nga çfarë jo?
▪ Çfarë është nata kur nuk mund të punojë askush?
▪ Cili është reagimi i atyre që e njohin burrin e verbër, kur ai shërohet?
▪ Çfarë ndarje ka shkaktuar midis farisenjve shërimi i burrit të verbër?