«Ata e njohin zërin e tij»
«JEHOVAI është Bariu im.» (BR) Këto janë fjalët e para të Psalmit 23. Shkrimet përsëri e krahasojnë Perëndinë Jehova me një bari tek profecia e Isaisë, e cila thotë: «Ai do të kullosë kopenë e tij si një bari, do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij dhe do t’i mbajë në gji të tij, dhe do të udhëheqë me ëmbëlsi dhe kujdes delet që kanë të vegjëlit e tyre.»—Isaia 40:11.
Në mënyrë të ngjashme, edhe Jezu Krishti është krahasuar me një bari. Ai tha: «Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet.» (Gjoni 10:11) Jezui tha se «delet e dëgjojnë zërin e tij [të bariut], dhe ai i thërret delet e tij me emër dhe i prin jashtë». Ai shton se «delet e ndjekin [bariun], sepse njohin zërin e tij. Por nuk ndjekin asnjë të huaj, por do të ikin larg tij, sepse nuk e njohin zërin e të huajve».—Gjoni 10:2-5.
Perëndia Jehova dhe Biri i tij, Jezu Krishti, kanë vepruar në harmoni me imazhin e përshkruar në shkrimet e mësipërme. Ata i trajtojnë delet e tyre figurative me dhembshuri dhe përkujdesje. Si rezultat, ata që janë ngjashëm deleve ndihen të dashur, të sigurt dhe të mbrojtur.
Kjo marrëdhënie e krahasuar me delet literale dhe bariun e tyre, është bërë në mënyrë të përshtatshme. Në vitin 1831, Xhon Hartlei përshkruan atë që kishte vërejtur në këtë drejtim. Ai shkroi se në Greqi ishte e zakonshme që barinjtë t’u vinin emra deleve të tyre. Kur thërritej në emër, delja duhej t’i përgjigjej zërit të bariut. 51 vjet më vonë, në vitin 1882, J. L. Porter bëri vrojtime të ngjashme. Ai i dëgjoi vetë barinjtë «që lëshonin . . . një britmë të çjerrë karakteristike», së cilës delja duhej t’i përgjigjej duke u bindur dhe duke e ndjekur bariun të cilit i përkiste. Po atë vit, Uilliam M. Tomsën përshkroi eksperimentet e përsëritura, sipas së cilave delet mund të mësojnë të ndjekin bariun e tyre dhe të njohin zërin e tij.
A është vërejtur kjo marrëdhënie e jashtëzakonshme midis barinjve dhe deleve të tyre edhe në kohët e fundit? Po. Në numrin e Shtatorit të vitit 1993 të revistës National Geographic, eksploratori australian, Robin Devidson, shkroi atë që vijon më poshtë për rabarët, popullsi shtegtare e Indisë veriperëndimore që merret me rritjen e bagëtive: «Çdo bari ka thirrje që nuk ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra, në varësi të temës. Ka thirrje të mëngjesit që i thërrasin delet për të dalë, një thirrje për t’i çuar delet të pinë ujë e kështu me radhë. Çdo bari i njeh delet e tij e anasjelltas dhe në mëngjes kopeja e tij e veçantë, shkëputet vetë nga tufa e madhe dhe shkon pas tij.»
Pa dyshim, Jezui e kishte vërejtur atë që ishte përshkruar nga katër udhëtuesit e sapopërmendur. Vëzhgimet e tij, i konkretizon në ilustrimin e deleve që e njohin zërin e tij. A je ti një dele e Jezuit? A e njeh zërin e tij dhe a e dëgjon atë? Nëse njeh dhe pranon se mësimet e tij janë e vërteta, nëse u bindesh urdhrave të tij dhe ndjek udhëheqjen e tij në adhurimin e Jehovait, atëherë ti do të përjetosh kujdesin e dashur dhe të dhembshur baritor të Perëndisë Jehova dhe Birit të tij, Jezu Krishtit.—Gjoni 15:10.