Kapitulli 17
Kthimi i Krishtit: A është i dukshëm?
1. (a) Çfarë premtimi bëri Krishti? (b) Përse është e nevojshme që Krishti të kthehet?
«DO TË VIJ PËRSËRI.» (Gjoni 14:3) Jezu Krishti u bëri këtë premtim apostujve të vet, kur ishte me ta një natë para vdekjes së tij. Ndoshta edhe ti je dakort se njerëzimit sot më tepër se kurrë i nevojitet paqja, shëndeti dhe jeta, të cilat do t’ia sjellë kthimi i Krishtit në fuqinë e Mbretërisë. Por, si kthehet Krishti? Kush e sheh atë dhe në çfarë mënyre?
2. (a) Mbas kthimit të tij, ku do t’i çojë Krishti për të jetuar dishepujt e vet, përfshi edhe apostujt? (b) Çfarë lloj trupi do të kenë atje?
2 Me kthimin e tij, Krishti nuk vjen për të jetuar në Tokë. Përkundrazi, ata që duhet të qeverisin si mbretër merren për të jetuar me të në qiell. Jezui u tha apostujve të vet: «Do të kthehem që t’ju marr tek unë që të jeni edhe ju ku jam unë.» (Gjoni 14:3, St) Prandaj, kur të kthehet Krishti, ata që do të merren në qiell bëhen persona frymorë dhe e shohin Krishtin në trupin e tij të lavdëruar frymor. (1. Korintasve 15:44) Po pjesa tjetër e njerëzimit që nuk shkon në qiell, a e sheh Krishtin kur të kthehet?
PËRSE NUK MUND TË KTHEHET SI NJË NJERI
3. Cilat dëshmi biblike tregojnë se njerëzit nuk do ta shohin Krishtin kurrë më?
3 Po atë natë Jezui u tha apostujve të tij: «Edhe pak, dhe bota s’do të më shohë më.» (Gjoni 14:19, St) «Bota» i referohet njerëzimit. Pra, Jezui e tha qartë se njerëzit mbi tokë nuk mund ta shohin më pas ngjitjes së tij në qiell. Apostulli Pavël shkroi: «Nëse deri më tani e kemi njohur Jezuin trupor, tanimë të tillë nuk e njohim.»—2. Korintasve 5:16, St.
4. Ç’tregon se Krishti kthehet si person i fuqishëm dhe i padukshëm frymor?
4 Megjithatë, shumë njerëz besojnë se Krishti do të kthehet në të njëjtin trup njerëzor me të cilin vdiq dhe se do ta shohin të gjithë që jetojnë në Tokë. Por Bibla thotë, se Krishti kthehet në lavdi me të gjithë engjëjt dhe ulet «në fronin e lavdisë së tij.» (Mateu 25:31) Sikur Jezui të vinte e të ulej në një fron tokësor, do të ishte në një gjendje më të ulët sesa engjëjt. Por ai vjen si më i fuqishmi dhe më i lavdishmi i gjithë këtyre bijve frymorë të Perëndisë dhe prandaj është i padukshëm si edhe ata.—Filipianëve 2:8-11.
5. Përse Jezui nuk mund të kthehet në një trup njerëzor?
5 Përveç kësaj, para më tepër se 1.900 vjetësh ishte e nevojshme që Jezui ta ulte veten dhe të bëhej një njeri. Duhej të jepte jetën e tij të përsosur njerëzore si shpërblim për njerëzimin. Një herë Jezui e shpjegoi këtë, duke thënë: «Edhe buka qe dot’ap unë, është mishi im, të-cilinë unë dot’a ap për jetën’ e botësë.» (Gjoni 6:51, BK) Kështu Jezui e dha trupin e tij njerëzor si flijim për njerëzimin. Për sa kohë do të ishte i vlefshëm ky flijim? Apostulli Pavël përgjigjet: «Kemi qenë shenjtëruar me anë të flijimit të trupit të Jezu Krishtit njëherë e përgjithmonë.» (Hebrenjve 10:10, DSF) Pasi e ka dhënë mishin e tij për jetën e botës, Krishti nuk do të mund ta merrte përsëri për t’u bërë njeri. Për këtë arsye themelore kthimi i tij nuk do të mund të ndodhte kurrë me trup njerëzor, të cilin ai e flijoi njëherë e përgjithmonë.
TRUPI MATERIAL NUK U ÇUA NË QIELL
6. Përse shumë njerëz besojnë se Jezui shkoi në qiell me trupin e tij njerëzor?
6 Shumë njerëz, megjithatë, besojnë se Krishti e mori trupin e tij material në qiell. Ata vënë në dukje faktin, se pas ringjalljes së Jezuit, trupi i tij nuk ishte më në varr. (Marku 16:5-7) Përveç kësaj, Jezui iu shfaq pas vdekjes dishepujve të tij në një trup njerëzor, për t’u treguar atyre se ishte gjallë. Njëherë, bile, e vendosi dorën e apostullit Thoma mbi plagën në ijën e Tij, me qëllim që ky të besonte se ai ishte ringjallur me të vërtetë. (Gjoni 20:24-27) A nuk provon kjo se Jezui u ringjall në të njëjtin trup që vdiq?
7. Ç’provon se Krishti shkoi në qiell si një person frymor?
7 Jo. Bibla thotë shumë qartë: «Krishti një herë pësoj për fajetë, . . . dyke vdekur pas mishit, po dyke ungjallurë me anë të Frymësë.» (1. Pjetrit 3:18, BK) Njerëzit me trup prej mishi dhe gjaku nuk mund të jetojnë në qiell. Në lidhje me ringjalljen në jetë qiellore, Bibla thotë: «Mbillet trup tokësor e ngjallet trup frymor. . . . Trupi e gjaku nuk mund të trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë.» (1. Korintasve 15:44-50, St) Vetëm personat frymorë me trup frymor mund të jetojnë në qiell.
8. Çfarë ndodhi me trupin njerëzor të Krishtit?
8 Mirë, po çfarë ndodhi me trupin material të Jezuit? A nuk e gjetën, vallë, dishepujt varrin të zbrazët? Po, sepse Perëndia e largoi trupin e Jezuit. Përse e bëri këtë? Që të plotësohej ajo që ishte shkruar në Bibël. (Psalmi 16:10; Veprat 2:31) Kështu, Jehovai e pa më të udhës që ta largonte trupin e Jezuit, ashtu siç kishte vepruar edhe me trupin e Moisiut. (Ligji i përtërirë 34:5, 6) Përveç kësaj, sikur trupi të mbetej në varr, dishepujt e Jezuit nuk do të mund të kuptonin se ai ishte ringjallur, sepse në atë kohë nuk i kuptonin plotësisht gjërat frymore.
9. Si mundi Thomai të vinte dorën mbi plagën e trupit të materializuar të Jezuit pas ringjalljes?
9 Por, fakti që apostulli Thoma ka vënë dorën mbi plagën në ijën e Jezuit, a nuk tregon se Jezui u ringjall në të njëjtin trup me të cilin u gozhdua në shtyllë? Jo, sepse Jezui vetëm sa u materializua, d.m.th. mori një trup prej mishi, siç kishin bërë në të kaluarën disa engjëj! Për ta bindur Thomain se ishte vetë ai, Jezui përdori një trup me plagë. U paraqit, apo dukej njeri i plotë, në gjendje për të ngrënë e për të pirë, siç kishin bërë një herë engjëjt kur Abrahami i mikpriti.—Zanafilla 18:8; Hebrenjve 13:2.
10. Ç’tregon se Jezui mori trupa të ndryshëm fizikë?
10 Dhe ndërsa Thomait iu paraqit me një trup të ngjashëm me atë që vdiq, Jezui iu paraqit ithtarëve të tij duke marrë edhe trupa të tjerë. Në fakt, Marija Magdalena e mori fillimisht Jezuin për një kopshtar. Herë të tjera dishepujt e tij nuk e njohën që në fillim. Në rrethana të tilla e njohën jo nga pamja e tij personale, por nga diçka që ai tha apo bëri.—Gjoni 20:14-16; 21:6, 7; Luka 24:30, 31.
11, 12. (a) Në ç’mënyrë e la Jezui Tokën? (b) Në ç’mënyrë, pra, duhet ta presim kthimin e Krishtit?
11 Për 40 ditë pas ringjalljes së tij, Jezui iu shfaq me një trup prej mishi dishepujve të tij. (Veprat 1:3) Pastaj u ngjit në qiell. Por dikush mund të pyesë: A nuk u thanë engjëjt e pranishëm apostujve, se do të kthehej «në të njëjtën mënyrë» që e kishin parë të shkonte në qiell? (Veprat 1:11) Po, por vë re se thanë «në të njëjtën mënyrë», e jo me të njëjtin trup. Dhe në çfarë mënyre iku Jezui? Në heshtje, pa shfaqje publike. Vetëm apostujt e tij ishin në dijeni të kësaj dhe jo bota.
12 Ja, si e përshkruan Bibla mënyrën në të cilën Jezui i la apostujt për t’u ngjitur në qiell: «Ndërsa ata po shikonin, u ngrit dhe një re e fshehu nga pamja e tyre.» (Veprat 1:9) Pra, ndërsa Jezui ngjitej, një re e fshehu nga pamja fizike e apostujve të tij. Duke ikur, pra, u bë për ta i padukshëm. Nuk mund ta shihnin më. Pra, ai u ngjit në qiell me trupin e tij frymor. (1. Pjetrit 3:18) Si rrjedhim, edhe kthimi i tij do të ishte i padukshëm, me një trup frymor.
SI DO TË JETË I DUKSHËM NGA ÇDO SY
13. Si duhet ta kuptojmë pohimin se Krishtin «do ta shohë çdo sy» kur të vijë me re?
13 Por, si duhet t’i kuptojmë fjalët nga Zbulesa 1:7. Këtu apostulli Gjon shkruan: «Ja, po vjen me re dhe do ta shohë çdo sy edhe ata që e shporuan [shpuan, NW] dhe të gjitha fiset e tokës do të vajtojnë për shkak të Tij.» (DSF) Bibla flet këtu për të parë jo me sytë fizikë, por në kuptimin dalloj apo shquaj. Kur ndokush dallon apo kupton një çështje, mund të thotë: «E shoh.» Në fakt, Bibla flet për «syt’ e mëndjesë s’uaj». (Efesianëve 1:18, BK) Prandaj, shprehja «do ta shohë çdo sy» do të thotë se atëherë të gjithë do ta kuptojnë apo do të njohin se Krishti është i pranishëm.
14. (a) Cilët përfaqësojnë «ata që e shpuan»? (b) Përse do të ketë dhembje të madhe, kur më në fund të gjithë do të njohin praninë e Krishtit?
14 Ata që e «shpuan» me të vërtetë Jezuin nuk jetojnë më mbi tokë. Kështu, ata përfaqësojnë ata që, duke u bërë dëm ithtarëve të tanishëm të Jezuit, imitojnë sjelljen e atyre njerëzve të shekullit të parë. (Mateu 25:40, 45) Së shpejti do të vijë koha, kur Krishti do t’i shkatërrojë këta të ligj. Për këtë ata janë paralajmëruar me kohë. Kur të ndodhë dënimi, ata do të «shohin» apo do të kuptojnë se ç’po ndodh. Dhe dhembja e tyre do të jetë me të vërtetë e madhe.
A DO TË KTHEHET KRISHTI PRAPË NË TOKË?
15. Me ç’kuptim përdoret shpesh fjala «kthehem»?
15 Kthehem nuk do të thotë gjithmonë shkoj në ndonjë vend të vërtetë. Kështu, për një njeri të sëmurë themi se i «kthehet shëndeti». Për një ish-qeveritar mund të themi se «kthehet në pushtet». Në një mënyrë të ngjashme, Perëndia i tha Abrahamit: «Do të kthehem tek ty, vitin tjetër në këtë kohë, dhe Sara do të ketë një djalë.» (Zanafilla 18:14; 21:1) Kthimi i Jehovait nuk qe një kthim në kuptimin e vërtetë, por një kthim i vëmendjes së tij nga Sara për të përmbushur atë që premtoi.
16. (a) Në çfarë mënyre u kthye Jezui në Tokë? (b) Kur u kthye Krishti dhe ç’ndodhi atëherë?
16 Në të njëjtën mënyrë, kthimi i Krishtit nuk do të thotë se duhet të kthehet me të vërtetë mbi tokë. Do të thotë se ai merr pushtetin mbretëror mbi tokën dhe kthen ndaj saj vëmendjen e tij. Për këtë nuk ka nevojë të lërë fronin e tij qiellor e të zbresë me të vërtetë në tokë. Siç kemi parë në kapitullin paraprak, provat biblike tregojnë se në vitin 1914 e.s. erdhi koha e caktuar nga Perëndia që Krishti të kthehej për të mbretëruar. Në atë kohë në qiell u dëgjua britma: «Tashi ubë shpëtimi edhe fuqia edhe mbretëria e Perëndisë t’ ënë, edhe pushteti i Krishtit t’ ati.»—Zbulesa 12:10, BK.
17. Pasi kthimi i tij është i padukshëm, çfarë dha Krishti që ne të mund të dimë se ai është kthyer?
17 Pasi kthimi i Krishtit është i padukshëm, a ka ndonjë mënyrë për të vërtetuar se ky ka ndodhur me të vërtetë? Po, ka. Vetë Krishti dha një «shenjë» të dukshme, sipas së cilës mund të kuptojmë se ai është i pranishëm në mënyrë të padukshme dhe se fundi i botës është afër. Le ta shqyrtojmë këtë «shenjë».
[Figura në faqen 142]
Krishti e dha trupin e tij si një flijim. Nuk mund ta marrë atë përsëri e të bëhet sërish një njeri
[Figurat në faqet 144, 145]
Përse Marija Magdalena e mori gabimisht Jezuin, pas ringjalljes së tij, për një kopshtar?
Cilin trup njerëzor preku Thomai, pas kërkesës së Jezuit?
[Figura në faqen 147]
Krishti duhej të kthehej në të njëjtën mënyrë që e la Tokën. Në çfarë mënyre shkoi?