Mund ta përmirësosh kujtesën
PERËNDIA JEHOVA e krijoi trurin njerëzor me aftësinë e mrekullueshme për të mbajtur mend. E projektoi që të ishte një rezervuar nga i cili mund të merrnim, por pa i humbur gjërat e çmuara që ishin futur në të. Truri është ndërtuar pikërisht në përputhje me qëllimin e Perëndisë që njerëzit të jetojnë përgjithmonë.—Psal. 139:14; Gjoni 17:3.
Por ty mund të të duket sikur shumë nga gjërat që fut në tru humbasin. Kur i kërkon, duket se nuk i gjen dot më. Çfarë mund të bësh për ta përmirësuar kujtesën?
Trego interes
Interesimi është një faktor i rëndësishëm për ta përmirësuar kujtesën. Nëse e bëjmë zakon që të jemi vëzhgues, të interesohemi për njerëzit dhe për atë që po ndodh përreth nesh, mendja jonë do të vihet në punë. Atëherë do ta kemi më të lehtë të reagojmë me të njëjtin interes kur lexojmë ose dëgjojmë diçka me vlerë të qëndrueshme.
Vështirësia për të mbajtur mend emrat e njerëzve nuk është e pazakontë. Megjithatë, si të krishterë e dimë që njerëzit janë të rëndësishëm—të bashkëkrishterët, ata të cilëve u japim dëshmi dhe të tjerët me të cilët kemi të bëjmë për gjërat e nevojshme të jetës. Çfarë mund të na ndihmojë t’i kujtojmë emrat që vërtet s’duhet t’i harrojmë? Apostulli Pavël përmendi me emër 26 pjesëtarë të një kongregacioni, të cilit i shkroi. Interesi që tregonte për ta duket nga fakti që jo vetëm ua dinte emrin, por përmendi edhe hollësi specifike për shumë prej tyre. (Rom. 16:3-16) Disa Dëshmitarë të Jehovait që shërbejnë si mbikëqyrës udhëtues sot janë shumë të zotë për të mbajtur mend emrat, megjithëse çdo javë lëvizin nga njëri kongregacion në tjetrin. Çfarë i ndihmon? Ata e bëjnë zakon që kur takohen për herë të parë me dikë ta përdorin disa herë emrin e tij. Bëjnë përpjekje për ta lidhur emrin e atij njeriu me fytyrën. Veç kësaj, kalojnë kohë me vëllezër e motra në shërbimin në fushë, si edhe duke ngrënë së bashku. A dëshiron t’ia mbash mend emrin dikujt, kur ta takosh? Fillo duke i dhënë vetes një arsye të fortë për ta kujtuar atë emër, pastaj provo disa nga sugjerimet e mësipërme.
E rëndësishme është edhe të mbash mend atë që lexon. Çfarë mund të të ndihmojë që të përmirësohesh në këtë drejtim? Interesimi dhe kuptueshmëria luajnë që të dyja një rol të rëndësishëm. Që ta përqendrosh plotësisht vëmendjen tek ajo që po lexon, duhet të jesh mjaft i interesuar për të. Nuk ke për ta mbajtur mend informacionin, po qe se e ke mendjen diku tjetër kur përpiqesh të lexosh. Kuptueshmëria përmirësohet kur e lidh informacionin me gjëra me të cilat je i familjarizuar ose me njohurinë që tashmë ke. Pyet veten: ‘Si dhe kur mund ta zbatoj këtë informacion në jetën time? Si mund ta përdor për të ndihmuar dikë tjetër?’ Gjithashtu, kuptueshmëria përmirësohet nëse fjalët i lexon në grup dhe jo një nga një. Në këtë mënyrë, do t’i kapësh idetë dhe do t’i dallosh mendimet kryesore më shpejt, e kështu do ta kesh më të lehtë për t’i mbajtur mend.
Lër kohë për të bërë një rishikim
Specialistët në fushën e arsimit i japin shumë rëndësi rishikimit. Në një studim, një profesor universiteti tregoi se 1 minutë rishikim menjëherë pas leximit e dyfishon sasinë e informacionit që mbahet mend. Prandaj, menjëherë sapo mbaron së lexuari materialin ose një pjesë të mirë të tij, rishiko me mendje idetë kryesore, për t’i ngulitur më mirë. Mendo se si do t’i shpjegoje me fjalët e tua gjërat e reja që ke mësuar. Duke e rifreskuar kujtesën menjëherë pasi të kesh lexuar një mendim të shprehur, do të arrish ta mbash mend për një kohë më të gjatë atë pikë.
Pastaj, pas disa ditëve, kërko mundësinë për ta rishikuar atë që lexove, duke folur për informacionin me dikë tjetër. Mund ta bësh këtë me një pjesëtar të familjes, me dikë në kongregacion, me një shok pune, me një shok shkolle, me një fqinj ose me dikë që takon në shërbimin në fushë. Përpiqu të mos përsëritësh vetëm faktet kryesore, por edhe arsyetimin që ishte bërë në bazë të Shkrimeve. Kjo do të të sjellë dobi ty, duke të ndihmuar që t’i regjistrosh në kujtesë gjërat e rëndësishme, e nga ana tjetër, do t’u sjellë dobi edhe të tjerëve.
Medito për gjërat e rëndësishme
Përveçse ta rishikosh atë që ke lexuar dhe të flasësh për të me të tjerët, do të jetë i dobishëm edhe meditimi rreth gjërave të rëndësishme që ke mësuar. Asafi dhe Davidi, shkrimtarë të Biblës, vepruan kështu. Asafi tha: «Do të kujtoj mënyrën se si vepron Jah, sepse do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve më parë. Do të përsiatem për tërë veprat e tua, dhe për mënyrën se si vepron do të mendoj.» (Psal. 77:11, 12) Po ashtu Davidi shkroi: «Gjatë ndërresave të natës përsiatem për ty» dhe «kam kujtuar ditët e shumë kohëve më parë; kam medituar për gjithë veprimtarinë tënde». (Psal. 63:6; 143:5) Po ti, a vepron kështu?
Një proces i tillë i thellë e i përqendruar meditimi, gjatë të cilit bluan në mendje veprat e Jehovait, cilësitë e tij dhe mënyrat në të cilat është shprehur vullneti i tij, nuk të ndihmon vetëm për të kujtuar disa fakte. Nëse e bën shprehi këtë lloj meditimi, ai do të të ndihmojë që të ngulitësh në zemër gjëra vërtet jetësore. Do të modelojë llojin e njeriut që je brenda. Gjërat që regjistron në kujtesë do të paraqesin mendimet e tua më të thella.—Psal. 119:16.
Roli i frymës së Perëndisë
Kur përpiqemi të kujtojmë të vërtetat që kanë të bëjnë me veprat e Jehovait dhe me gjërat që tha Jezu Krishti, nuk jemi vetëm. Natën para se të vdiste, Jezui u tha ithtarëve të tij: «Ndërsa qëndroja me ju, ju kam thënë këto gjëra. Por ndihmësi, fryma e shenjtë, të cilën Ati do ta dërgojë në emrin tim, ai do t’ju mësojë gjithçka dhe do t’ju sjellë ndër mend të gjitha gjërat që ju thashë.» (Gjoni 14:25, 26) Mateu dhe Gjoni ishin ndër të pranishmit. A ishte vërtet fryma e shenjtë një ndihmës i tillë për ta? Patjetër! Rreth tetë vjet më vonë, Mateu përfundoi së shkruari tregimin e parë të hollësishëm të jetës së Krishtit, duke përfshirë kujtime të çmuara, si Predikimin në Mal dhe shenjën e hollësishme të pranisë së Krishtit dhe të përfundimit të sistemit. Gjashtëdhjetë e pesë vjet pas vdekjes së Jezuit, apostulli Gjon shkroi Ungjillin e tij. Në të ai dha hollësira për atë që tha Jezui natën e fundit që apostujt kaluan me Zotërinë para se të jepte jetën. Pa dyshim, si Mateu, ashtu edhe Gjoni kishin kujtime të gjalla të gjërave që kishte thënë dhe bërë Jezui kur ishin me të. Por fryma e shenjtë luajti një rol kryesor që ata të mos harronin hollësi të rëndësishme, të cilat Jehovai donte që të ishin në Fjalën e tij të shkruar.
A vepron sot fryma e shenjtë si ndihmës për shërbëtorët e Perëndisë? Pa dyshim! Natyrisht që fryma e shenjtë nuk na vë në mendje gjëra që nuk i kemi mësuar kurrë, por vepron si ndihmës për të na i risjellë ndër mend gjërat e rëndësishme që kemi studiuar në të kaluarën. (Luka 11:13; 1 Gjon. 5:14) Pastaj, kur lind nevoja, aftësitë tona për të menduar nxiten ‘për të kujtuar fjalët e thëna që më përpara nga profetët e shenjtë, si dhe urdhërimin e Zotërisë e të Shpëtimtarit’.—2 Pjet. 3:1, 2.
‘Nuk duhet të harrosh’
Jehovai e paralajmëronte vazhdimisht Izraelin: ‘Nuk duhet të harrosh.’ Jo se ai priste që izraelitët t’i kujtonin të gjitha gjërat në mënyrë të përsosur. Por nga ana tjetër as nuk duhej të zhyteshin aq shumë në çështjet personale, saqë të linin në harresë veprat e Jehovait. Ata duhej t’i mbanin të gjalla kujtimet e çlirimit që kishte kryer Jehovai kur engjëlli i tij vrau të gjithë të parëlindurit e Egjiptit, si edhe kur Ai hapi Detin e Kuq e më pas e mbylli, duke mbytur faraonin dhe ushtrinë e tij. Izraelitët duhej të kujtonin se Perëndia u dha Ligjin e tij në malin Sinai, i udhëhoqi nëpër shkretëtirë dhe i futi në Tokën e Premtuar. Ata nuk duhej të harronin, në kuptimin që kujtimet e këtyre gjërave duhej të vazhdonin të ndikonin thellë në jetën e tyre të përditshme.—Ligj. 4:9, 10; 8:10-18; Dal. 12:24-27; Psal. 136:15.
Edhe ne duhet të bëjmë kujdes që të mos harrojmë. Ndërkohë që përballojmë presionet e jetës, duhet ta kujtojmë Jehovain, duke mbajtur parasysh se ç’lloj Perëndie është. Gjithashtu, duhet të mbajmë parasysh dashurinë që tregoi duke na dhënë si dhuratë Birin e tij, i cili siguroi shpërblesën për mëkatet tona, me qëllim që ne të kemi jetën e përsosur përgjithmonë. (Psal. 103:2, 8; 106:7, 13; Gjoni 3:16; Rom. 6:23) Leximi i rregullt i Biblës, bashkë me pjesëmarrjen aktive në mbledhjet e kongregacionit dhe në shërbimin në fushë, do t’i mbajë të gjalla te ne këto të vërteta të çmuara.
Kur të të duhet të marrësh vendime, të rëndësishme ose jo, silli ndër mend këto të vërteta jetësore dhe lëri të ndikojnë në mënyrën tënde të të menduarit. Mos harro. Drejtoju Jehovait për udhëheqje. Në vend që t’i shohësh gjërat thjesht nga një pikëpamje njerëzore ose t’i besosh nxitjes së çastit, të shkaktuar nga zemra e papërsosur, pyet veten: ‘Çfarë këshille ose parimi nga Fjala e Perëndisë duhet të ndikojë në vendimin tim?’ (Prov. 3:5-7; 28:26) Nuk mund të kujtosh gjëra që nuk i ke lexuar ose dëgjuar kurrë. Por teksa e shton njohurinë e saktë dhe dashurinë për Jehovain, do të rritet edhe sasia e njohurisë që fryma e Perëndisë mund të të ndihmojë të kujtosh. Dashuria jote gjithnjë e më e madhe për Jehovain do të të shtyjë gjithashtu të veprosh në harmoni me këtë njohuri.