Fryma e shenjtë: forca vepruese e Perëndisë
SIPAS doktrinës së Trinitetit, fryma e shenjtë është personi i tretë i një Hyjnie, i barabartë me Atin dhe Birin. Ndërsa një libër mbi ortodoksinë thotë: «Fryma e Shenjtë është tërësisht Perëndi.»—Our Orthodox Christian Faith.
Në Shkrimet hebreje, fjala e përdorur më shpesh për «frymë» është ruʹach, që do të thotë «frymë, erë». Në Shkrimet greke fjala është pneuʹma, që ka një kuptim të ngjashëm. A tregojnë këto fjalë se fryma e shenjtë është një pjesë e Trinitetit?
Një forcë vepruese
PËRDORIMI biblik i shprehjes «fryma e shenjtë» tregon se ajo është një forcë e kontrolluar, të cilën Perëndia Jehova e përdor për të realizuar qëllimet e ndryshme të tij. Në njëfarë mënyre, ajo mund të krahasohet me elektricitetin, një forcë që mund të përshtatet për të kryer shumë operacione të ndryshme pune.
Në Zanafillën 1:2, BR, Bibla deklaron: «Forca aktive [«fryma» (hebraisht, ruʹach)] e Perëndisë lëvizte andej-këndej mbi sipërfaqen e ujërave.» Këtu, fryma e Perëndisë ishte forca e tij aktive, që vepronte për t’i dhënë formë tokës.
Perëndia e përdor frymën e tij për të ndriçuar ata që i shërbejnë atij. Davidi u lut: «Më mëso ta plotësoj vullnetin tënd, sepse ti je Perëndia im; Fryma [ruʹach] jote e mirë le të më udhëheqë në tokë të shenjtë.» (Psalmi 143:10) Kur 70 burra të aftë u caktuan për të ndihmuar Moisiun, Perëndia i tha atij: «Do të marr pastaj nga Fryma që është mbi ty dhe do t’ua kaloj atyre.»—Numrat 11:17.
Profecitë biblike u shkruan kur njerëzit e Perëndisë ‘u shtynë nga fryma [greqisht pneuʹma] e shenjtë’. (2. Pjetrit 1:20, 21) Kështu, pra, Bibla është «frymëzuar nga Perëndia», ndërsa fjala greke këtu është The·oʹpneu·stos, që do të thotë «frymë nga Perëndia». (2. Timoteut 3:16) Gjithashtu, fryma e shenjtë i udhëhoqi disa njerëz që të shohin vizione apo ëndrra profetike.—2. Samuelit 23:2; Joeli 2:28, 29; Luka 1:67; Veprat 1:16; 2:32, 33.
Fryma e shenjtë e shtyu Jezuin që pas pagëzimit të shkonte në shkretëtirë. (Marku 1:12) Fryma ishte si një zjarr brenda shërbëtorëve të Perëndisë, që i forconte dhe i aftësonte ata për të folur me guxim dhe pa u trembur.—Mikea 3:8; Veprat 7:55-60; 18:25; Romakëve 12:11; 1. Selanikasve 5:19.
Me anë të Frymës, Perëndia zbaton gjykimet e tij mbi njerëzit dhe kombet. (Isaia 30:27, 28; 59:18, 19) Fryma e Perëndisë mund të arrijë kudo, duke vepruar në favor të njerëzve ose kundër tyre.—Psalmi 139:7-12.
‘Fuqi përtej normales’
FRYMA e Perëndisë mund t’i pajisë gjithashtu ata që i shërbejnë atij, me «fuqi përtej normales». (2. Korintasve 4:7, BR) Kjo u bën atyre të mundur që të durojnë provat e besimit, apo të bëjnë gjëra që ndryshe nuk do të mund t’i bënin.
Për shembull, në lidhje me Samsonin, Gjykatësit 14:6 tregon: «Atëherë Fryma e Zotit zbriti në mënyrë të fuqishme mbi të dhe ai, pa pasur asgjë në dorë, e shqeu luanin.» A ishte në të vërtetë një person i shenjtë ai që hyri apo që mbërtheu Samsonin, duke manipuluar trupin e tij për të bërë atë që bëri? Jo, në fakt ishte «fuqia e Zotit që e bëri Samsonin të fortë».—Today English Version.
Bibla thotë se kur Jezui u pagëzua, fryma e shenjtë zbriti mbi të në formën e një pëllumbi e jo në një formë njerëzore. (Marku 1:10) Kjo forcë vepruese e Perëndisë i dha mundësi Jezuit që të shëronte të sëmurët e të ngjallte të vdekurit. Sikurse thotë Luka 5:17: «Fuqia e Zotit ishte me të, që të kryente shërime.»
Fryma e Perëndisë fuqizoi edhe dishepujt e Jezuit për të bërë mrekulli. Veprat 2:1-4 tregon se në Rrëshajët, dishepujt ishin mbledhur së bashku kur «befas nga qielli erdhi një ushëtimë, si ajo e një ere që fryn furishëm. . . . Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte të shpreheshin».
Pra, fryma e shenjtë u dha Jezuit dhe shërbëtorëve të tjerë të Perëndisë fuqinë për të bërë atë që njerëzit zakonisht nuk mund ta bëjnë dot.
Jo një person
POR, a nuk ka vargje në Bibël ku fryma e shenjtë përmendet me terma personalë? Po, por vëre se çfarë thotë në lidhje me këtë teologu Edmund Fortman: «Megjithëse kjo frymë përshkruhet shpesh me terma personalë, duket fare qartë se shkrimtarët e shenjtë [të Shkrimeve Hebreje] nuk e konceptonin apo nuk e prezantonin kurrë këtë frymë si një person të dallueshëm.»—The Triune God.
Nuk është gjë e pazakonshme që mjaft gjëra në Shkrime të personifikohen. Për mençurinë thuhet se ka bij. (Luka 7:35) Mëkati dhe vdekja janë quajtur mbretër. (Romakëve 5:14, 21) The New English Bible në Zanafillën 4:7 thotë se «mëkati është një demon i mbledhur kruspull tek porta», duke e personifikuar kështu mëkatin si një frymë të ligë të mbledhur kruspull tek dera e Kainit. Por, ashtu si mëkati nuk është një person frymor, as personifikimi i frymës së shenjtë nuk e bën atë një person frymor.
Në mënyrë të ngjashme, në 1. Gjonit 5:6-8 jo vetëm fryma, por edhe «uji e gjaku» thuhet se janë «dëshmitarë». Por është e qartë se uji dhe gjaku nuk janë persona, kështu as fryma e shenjtë nuk është person.
Në harmoni me këtë, është edhe përdorimi i përgjithshëm biblik i shprehjes «fryma e shenjtë» në një mënyrë jopersonale, si p.sh., krahasimi i saj me ujin dhe zjarrin. (Mateu 3:11; Marku 1:8) Njerëzit u nxitën të mbushen me frymën e shenjtë në vend se me verë. (Efesianëve 5:18) Për ta flitet se janë mbushur me frymën e shenjtë në të njëjtën mënyrë që janë mbushur me cilësi të tilla si mençuria, besimi dhe gëzimi. (Veprat 6:3; 11:24; 13:52) Në 2. Korintasve 6:6 fryma e shenjtë përfshihet midis një numri cilësish. Shprehje të tilla nuk do të ishin kaq të zakonshme nëse fryma e shenjtë do të ishte në të vërtetë një person.
Prandaj, edhe kur disa vargje të Biblës thonë se fryma flet, tekste të tjera tregojnë se kjo gjë në të vërtetë është bërë përmes njerëzve apo engjëjve. (Mateu 10:19, 20; Veprat 4:24, 25; 28:25; Hebrenjve 2:2) Veprimi i frymës në raste të tilla, mund të krahasohet me valët e radios, që transmetojnë mesazhe nga njëri person tek tjetri në distanca të largëta.
Në Mateun 28:19 referimi bëhet «në emër të . . . frymës së shenjtë». Por fjala «emër» nuk nënkupton gjithmonë një emër personal, qoftë në greqisht apo shqip. Kur themi «në emër të ligjit», nuk po i referohemi një personi. Ne nënkuptojmë atë që ligji përfaqëson, autoritetin e tij. Një studiues shpjegon: «Këtu, përdorimi i emrit (onoma) është një formë e zakonshme për përkthimin Septuaginta dhe papiruset, në kuptimin e fuqisë dhe autoritetit.» Prandaj, pagëzimi ‘në emër të frymës së shenjtë’ do të thotë të njohësh autoritetin e frymës, të pranosh se ajo vjen nga Perëndia dhe se vepron sipas vullnetit hyjnor.
«Ndihmësi»
JEZUI foli për frymën e shenjtë si për një «ndihmës» dhe tha se ajo do të mësonte, drejtonte dhe fliste. (Gjoni 14:16, 26; 16:13, ECM) Fjala greke që ai përdori për ndihmës (pa·raʹkle·tos) është në gjininë mashkullore. Prandaj, kur iu referua asaj që do të bënte ndihmësi, Jezui përdori përemrat vetorë mashkullorë. (Gjoni 16:7, 8) Ndërsa, kur përdor për frymë fjalën asnjanëse greke (pneuʹma), me të drejtë përdor përemra vetorë asnjanës.
Shumica e përkthyesve trinitarë e fshehin këtë fakt, siç pohon një përkthim katolik në lidhje me Gjonin 14:17: «Fjala greke e përdorur për ‘frymë’ është asnjanëse dhe ndërsa në anglisht përdoren përemrat vetorë [hi, his, him], shumica e dorëshkrimeve greke përdorin përemrin vetor asnjanës ‘it’.»—New American Bible.
Prandaj, kur Bibla përdor përemrat vetorë mashkullorë në lidhje me pa·raʹkle·tos tek Gjoni 16:7, 8, ajo i përmbahet rregullave gramatikore dhe nuk shpreh ndonjë doktrinë.
Nuk është pjesë e një Triniteti
BURIME të ndryshme pohojnë se Bibla nuk e mbështet idenë që fryma e shenjtë është personi i tretë i një Triniteti. Për shembull:
«Në asnjë vend në Besëlidhjen e Vjetër nuk gjejmë ndonjë tregues të qartë të një Personi të Tretë.»—The Catholic Encyclopedia.
«Hebrenjtë nuk e konsideruan kurrë frymën si një person dhe as ka ndonjë provë të qëndrueshme që të paktën vetëm ndonjëri nga shkrimtarët e Besëlidhjes së Vjetër, të ketë pasur një pikëpamje të tillë . . . Në Përmbledhjet, [Ungjijtë] dhe në Veprat, fryma e shenjtë paraqitet thjesht si një forcë ose fuqi hyjnore.»—Fortman, teolog katolik.
«Në mënyrë të qartë, B[esëlidhja] e V[jetër] nuk e konsideron frymën e Perëndisë si një person. . . . Fryma e Perëndisë është thjesht fuqia e Perëndisë. Nëse ndonjëherë paraqitet si të ishte e ndarë nga Perëndia, kjo bëhet sepse fryma e Jahves vepron jashtë tij.» (The New Catholic Encyclopedia) Më tej, kjo enciklopedi thotë: «Pjesa më e madhe e teksteve të B[esëlidhjes] së R[e] e zbulojnë frymën e Perëndisë si të jetë diçka dhe jo dikush; kjo shihet veçanërisht në paralelizmin midis frymës dhe fuqisë së Perëndisë.»—Kursivi është yni.
«Në tërësi, si Besëlidhja e Re ashtu dhe e Vjetra, flasin për frymën si për një energji apo fuqi hyjnore.»—A Catholic Dictionary.
Kështu, as hebrenjtë dhe as të krishterët e shekullit të parë, nuk e shihnin frymën e shenjtë si pjesë të një Triniteti. Ky mësim doli shekuj më vonë. Fjalori i mësipërm vëren se «Personi i tretë u shpall në Këshillin e Aleksandrisë në vitin 362 . . . dhe përfundimisht në Këshillin e Kostandinopojës në 381-shin», afërsisht tre shekuj e gjysmë pas Rrëshajëve ku dishepujt u mbushën me frymën e shenjtë!
Jo, fryma e shenjtë nuk është një person dhe nuk është pjesë e një Triniteti. Fryma e shenjtë është forca vepruese e Perëndisë, të cilën ai e përdor për të kryer vullnetin e tij. Nuk është e barabartë me Perëndinë, por është gjithmonë në dispozicion të tij dhe e nënshtruar ndaj tij.
[Diçitura në faqen 22]
«Në tërësi, Besëlidhja e Re, sikurse dhe e Vjetra, flasin për frymën si për një energji apo fuqi hyjnore.»—A Catholic Dictionary
[Figurat në faqen 21]
Në një rast fryma e shenjtë u shfaq në formën e një pëllumbi. Në një rast tjetër u shfaq në formën e gjuhëve të flakës, por kurrë si një person