Të veprojmë në përputhje me lutjen e përzemërt të Jezuit
«O Atë . . . Jepi lavdi birit tënd, që edhe ai të të japë lavdi.»—GJONI 17:1.
1, 2. Shpjegoni çfarë bëri Jezui me apostujt besnikë pas kremtimit të Pashkës më 33 të e.s.
JANË orët e vona të 14 nisanit të vitit 33 të e.s. Jezui dhe miqtë tashmë kanë kremtuar Pashkën, e cila u kujtoi si i kishte çliruar Perëndia paraardhësit e tyre nga skllavëria në Egjipt. Mirëpo, dishepujt e tij besnikë i pret një çlirim edhe më i madh, ‘çlirimi i përhershëm’. Të nesërmen udhëheqësin e tyre pa mëkat do ta vritnin armiqtë. Por, ky veprim i pashpirt do të kthehej në bekim. Gjaku i derdhur i Jezuit do të siguronte bazën për çlirimin e njerëzimit nga mëkati dhe vdekja.—Hebr. 9:12-14.
2 Që të mos e harronim këtë masë të dashur, Jezui themeloi një kremtim të ri të përvitshëm që zëvendësoi Pashkën. Ai e bëri këtë kur theu një bukë të ndorme dhe ua kaloi secilit prej 11 apostujve besnikë, duke thënë: «Kjo përfaqëson trupin tim, që do të jepet për ju. Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» Po njësoj u kaloi një kupë vere të kuqe, dhe tha: «Kjo kupë përfaqëson besëlidhjen e re në bazë të gjakut tim, që do të derdhet për ju.»—Luka 22:19, 20.
3. (a) Ç’ndryshim i madh ndodhi pas vdekjes së Jezuit? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë për lutjen e Jezuit te kapitulli i 17-të i Gjonit?
3 Besëlidhjes së vjetër të Ligjit mes Perëndisë dhe izraelitëve natyrorë po i vinte fundi. Atë do ta zëvendësonte një besëlidhje e re mes Jehovait dhe dishepujve të mirosur të Krishtit. Jezui kishte shumë merak për mirëqenien e këtij kombi të ri frymor. Izraeli natyror kishte përçarje të mëdha fetare dhe shoqërore që i sillnin shumë sharje emrit të shenjtë të Perëndisë. (Gjoni 7:45-49; Vep. 23:6-9) Ndryshe nga kjo Jezui donte që dishepujt e tij të vazhdonin të bashkëpunonin sup më sup që t’i sillnin lavdi emrit të Perëndisë. Kështu, çfarë bëri? Jezui bëri lutjen më të bukur që dikush ka pasur privilegjin të lexojë ndonjëherë. (Gjoni 17:1-26; shih figurën pranë titullit.) Tani mund të kthejmë kokën pas dhe të pyesim: «A i është përgjigjur Perëndia lutjes së Jezuit?» Gjithashtu, bëjmë mirë të shqyrtojmë veten dhe të pyesim: «A po veproj unë në përputhje me të?»
PËRPARËSITË E JEZUIT
4, 5. (a) Çfarë mësojmë nga hyrja e lutjes së Jezuit? (b) Si iu përgjigj Jehovai kërkesës së Jezuit për të ardhmen e tij?
4 Deri natën vonë Jezui ndau me dishepujt njohurinë e çmuar nga Perëndia. Pastaj ngriti sytë nga qielli dhe u lut: «O Atë, erdhi ora. Jepi lavdi birit tënd, që edhe ai të të japë lavdi, meqë i ke dhënë autoritet mbi çdo mish, që t’u japë jetë të përhershme të gjithë atyre që i ke dhënë. . . . Unë të kam dhënë lavdi në tokë, duke e mbaruar veprën që më dhe për të bërë. Tani, o Atë, jepmë lavdi, që të jem pranë teje e të kem atë lavdi që kisha pranë teje para se të ishte bota.»—Gjoni 17:1-5.
5 Vëreni përparësitë e Jezuit në hyrje të lutjes. Meraku i tij kryesor është që Ati i tij qiellor të lëvdohej, dhe kjo është në përputhje me kërkesën e parë në lutjen e tij model: «Atë, u shenjtëroftë emri yt.» (Luka 11:2) Pastaj shpreh merakun për nevojat e dishepujve «që [Jehovai] t’u japë jetë të përhershme». Pas kësaj, Jezui bën një kërkesë personale: «O Atë, jepmë lavdi, që të jem pranë teje e të kem atë lavdi që kisha pranë teje para se të ishte bota.» Jehovai e shpërbleu Birin e tij besnik më shumë sesa i kërkoi, duke i dhënë «një emër më të shkëlqyer se emri» i të gjithë engjëjve.—Hebr. 1:4.
‘NJOHJA E TË VETMIT PERËNDI TË VËRTETË’
6. Çfarë duhej të bënin apostujt që të merrnin jetën e pafundme dhe si e dimë se ia dolën?
6 Jezui u lut edhe për atë që duhet të bëjmë ne si mëkatarë që të jemi të denjë për dhuratën e pamerituar të jetës së përhershme. (Lexo Gjonin 17:3.) Ai tha se duhet ‘të vazhdojmë të marrim njohuri’ për Perëndinë dhe Krishtin. Një mënyrë për ta bërë këtë është të përdorim sytë dhe veshët që të mësojmë më shumë për Jehovain dhe Birin e tij. Një mënyrë tjetër e rëndësishme për të marrë njohuri për Perëndinë është të zbatojmë atë që kemi mësuar, duke provuar gëzim falë saj. Apostujt kishin ndjekur këtë rrugë jetëdhënëse siç u lut Jezui: «Fjalët që më dhe mua, unë ua dhashë atyre. Ata i kanë pranuar.» (Gjoni 17:8) Por, që të merrnin jetën e përhershme, duhej të meditonin pareshtur për fjalët e Perëndisë dhe t’i zbatonin ditë për ditë. A ia dolën deri në fund të jetës në tokë apostujt besnikë? Patjetër që po. E dimë këtë sepse secili nga emrat e tyre është skalitur në 12 gurët e themelit të Jerusalemit të Ri qiellor.—Zbul. 21:14.
7. Ç’do të thotë të njohësh Perëndinë dhe pse është kaq e rëndësishme?
7 Sipas studiuesve të greqishtes, shprehja «të vazhdojnë të marrin njohuri [për Perëndinë]» mund të përkthehet edhe «të vazhdojnë të njohin [Perëndinë]». Këto dy kuptime plotësojnë njëri-tjetrin dhe të dy janë të rëndësishëm. Shënimi për Gjonin 17:3 te Bibla me Referime (anglisht) jep një variant tjetër, «të njohin ty». Kështu, «të vazhdojnë të marrin njohuri» nënkupton një proces pa mbarim që e bën dikë të ketë privilegjin «të njohë» Perëndinë. Megjithatë, të njohësh personin më të madh në univers përfshin shumë më tepër se të dish cilat janë cilësitë dhe qëllimi i Perëndisë. Të njohësh Jehovain nënkupton edhe një lidhje të ngushtë të bazuar në dashurinë për të dhe për bashkëbesimtarët. Bibla shpjegon: «Kush nuk ka dashuri, nuk ka arritur ta njohë Perëndinë.» (1 Gjon. 4:8) Të njohësh Perëndinë do të thotë edhe t’i bindesh. (Lexo 1 Gjonit 2:3-5.) Ç’privilegj i madh të jemi mes atyre që njohin Jehovain! Por, siç shohim nga rasti i Judë Iskariotit, kjo marrëdhënie e çmuar mund të marrë fund. Le të bëjmë çmos ta ruajmë atë. Pastaj, me kohë do të jemi të denjë për dhuratën e pamerituar të jetës së përhershme.—Mat. 24:13.
«PËR HIR TË EMRIT TËND»
8, 9. (a) Cili ishte meraku kryesor i Jezuit gjatë shërbimit në tokë? (b) Cilën traditë fetare duhet të ketë hedhur poshtë?
8 Pasi kemi lexuar lutjen e Jezuit te kapitulli i 17-të i Gjonit, kush mund të dyshojë për dashurinë e tij të thellë për apostujt që kishte pranë, por edhe për dishepujt e ardhshëm? (Gjoni 17:20) Prapëseprapë, duhet kuptuar se meraku më i madh i Jezuit nuk ishte shpëtimi ynë. Nga fillimi deri në fund të shërbimit në tokë, qëllimi i tij kryesor ishte të punonte për shenjtërimin dhe lavdinë e emrit të të Atit. Për shembull, kur shpalli caktimin e tij në sinagogën e Nazaretit, Jezui lexoi nga rrotulla e Isaisë: «Fryma e Jehovait është mbi mua, sepse ai më mirosi që t’u shpall lajmin e mirë të varfërve.» Pa dyshim që Jezui e shqiptoi qartë emrin e Perëndisë kur lexoi për këtë caktim.—Luka 4:16-21.
9 Sipas traditës gojore judaike, shumë kohë para se Jezui të vinte në tokë, krerët fetarë e pengonin popullin që të përdorte emrin e Perëndisë. Jemi të sigurt se Jezui e hodhi poshtë prerazi këtë traditë të pabazuar në Shkrime. Ai u tha kundërshtarëve: «Unë erdha në emër të Atit tim, por ju nuk po më pranoni. Sikur dikush tjetër të kishte ardhur në emër të vet, do ta kishit pranuar.» (Gjoni 5:43) Pastaj, pak ditë para se të vdiste, Jezui shprehu merakun e tij kryesor kur u lut: «O Atë, jepi lavdi emrit tënd!» (Gjoni 12:28) Prandaj, s’është për t’u habitur që shqetësimi i thellë i Jezuit për emrin e të Atit del kudo në lutjen që po shqyrtojmë.
10, 11. (a) Ç’do të thoshte për Jezuin të bënte të njohur emrin e Atit të tij? (b) Ç’synim duhet të kenë dishepujt e Jezuit?
10 Jezui u lut: «Unë ua kam shfaqur emrin tënd njerëzve që më dhe nga bota. Ata ishin të tutë e ti m’i dhe mua, dhe ata e kanë zbatuar fjalën tënde. . . . Unë nuk jam më në botë, por ata janë në botë, kurse unë po vij te ti. Atë i shenjtë, ruaji për hir të emrit tënd që më ke dhënë, që të jenë një ashtu siç jemi ne.»—Gjoni 17:6, 11.
11 Që t’ua bënte të njohur dishepujve emrin e të Atit, nuk mjaftonte vetëm shqiptimi i tij. Jezui i ndihmoi të kuptonin edhe ç’përfaqësonte ky emër, domethënë, cilësitë e mrekullueshme të Perëndisë dhe mënyrën si na trajton. (Dal. 34:5-7) Tani, nga pozita e tij e lartësuar në qiell, Jezui vazhdon t’i ndihmojë dishepujt që ta bëjnë të njohur emrin e Jehovait në mbarë botën. Me çfarë synimi? Që sa më shumë veta të bëhen dishepuj para se të vijë fundi i këtij sistemi të lig. Ç’emër të mrekullueshëm do t’i bëjë vetes Jehovai kur të çlirojë dëshmitarët e tij besnikë!—Ezek. 36:23.
«QË BOTA TË BESOJË»
12. Cilat janë tri gjëra të domosdoshme nëse duam t’ia dalim mbanë në veprën tonë jetëshpëtuese?
12 Ndërsa ishte në tokë Jezui punoi fort që t’i ndihmonte dishepujt të kapërcenin dobësitë. Kjo u duhej që të mbaronin veprën që kishte nisur vetë. Ai u lut: «Ashtu si ti më dërgove mua në botë, edhe unë i dërgoj ata në botë.» Që t’ia dilnin mbanë në këtë vepër jetëshpëtuese, Jezui theksoi tri gjëra të domosdoshme. Së pari, u lut që dishepujt të mos ishin pjesë e botës së paperëndishme të Satanait. Së dyti, u lut që të shenjtëroheshin, ose të mbeteshin të shenjtë, duke zbatuar të vërtetën e Fjalës së Perëndisë. Së treti, Jezui u përgjërua disa herë që dishepujt të bashkoheshin me të njëjtën lidhje dashurie që ka ai me të Atin. Kjo kërkon vetëshqyrtim, prandaj, secili duhet të pyesë veten: «A po veproj në përputhje me këto tri kërkesa të Jezuit?» I sigurt se dishepujt do të vepronin kështu, Jezui u shpreh: «Që bota të besojë se më dërgove ti.»—Lexo Gjonin 17:15-21.
13. Si mori përgjigje lutja e Jezuit në shekullin e parë të e.s.?
13 Lutja e Jezuit mori përgjigje, dhe kjo duket qartë kur studiojmë Veprat e apostujve, librin biblik që vjen pas katër ungjijve. Mendo për përçarjen e mundshme mes të krishterëve të hershëm të cilët ishin judenj e jojudenj, të pasur e të varfër, skllevër e pronarë. Megjithatë, të gjithë u lidhën aq ngushtë me njëri-tjetrin, sa mund të krahasoheshin me gjymtyrët e një trupi, me Jezuin si kreu. (Efes. 4:15, 16) Ç’arritje e mrekullueshme në botën e përçarë të Satanait! Gjithë merita i takon Jehovait, i cili e arriti këtë me anë të frymës së tij të shenjtë e të fuqishme.—1 Kor. 3:5-7.
14. Si mori përgjigje lutja e Jezuit në kohën tonë?
14 Mjerisht, ky unitet i mrekullueshëm mori fund pas vdekjes së apostujve. Siç ishte parathënë, në vend të kësaj filloi një apostazi e madhe që solli sekte të ndara të krishterimit të rremë. (Vep. 20:29, 30) Por, në vitin 1919 Jezui i çliroi dishepujt e tij të mirosur nga robëria e fesë së rreme dhe i mblodhi në ‘një lidhje të përsosur bashkimi’. (Kolos. 3:14) Si ka ndikuar predikimi i tyre te të tjerët? Më shumë se shtatë milionë «dele të tjera» nga «të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët» janë mbledhur në një kope të vetme me të mirosurit e Perëndisë. (Gjoni 10:16; Zbul. 7:9) Ç’përgjigje e paparë e lutjes së Jezuit: «Që bota ta dijë se më dërgove ti [Jehova] dhe se i deshe ata, siç më deshe mua.»—Gjoni 17:23.
NJË MBYLLJE QË TË NGROH ZEMRËN
15. Cilën kërkesë të veçantë bëri Jezui për dishepujt e mirosur?
15 Më herët, në mbrëmjen e 14 nisanit, Jezui u dha lavdi a nder apostujve kur bëri me ta një besëlidhje që të sundonin bashkë me të në Mbretërinë e tij. (Luka 22:28-30; Gjoni 17:22) Tani Jezui lutet për të gjithë ata që do të bëheshin dishepuj të mirosur: «O Atë, dëshiroj që ata që më ke dhënë, të jenë me mua aty ku jam unë, që të shohin lavdinë që ma ke dhënë ti, sepse më deshe para themelimit të botës.» (Gjoni 17:24) Kjo ngjall gëzim e jo zili mes deleve të tjera, provë tjetër e unitetit që ekziston mes gjithë të krishterëve të vërtetë sot në tokë.
16, 17. (a) Për çfarë ishte i vendosur Jezui sipas fjalëve mbyllëse të lutjes? (b) Për çfarë duhet të jemi të vendosur?
16 Të ndikuar nga krerët e tyre fetarë, shumica e njerëzve e shpërfillin me dashje dëshminë e qartë se Jehovai ka një popull të bashkuar që e njeh vërtet Atë. Po njësoj ndodhi në ditët e Jezuit. Ai përfundon me këto fjalë që të ngrohin zemrën: «O Atë i drejtë, vërtet bota nuk të njeh kush je, por unë të njoh, dhe këta e kanë kuptuar se ti më dërgove. Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd dhe do ta bëj të njohur, që ata të shfaqin atë dashuri që ti ke treguar për mua, dhe unë të jem në unitet me ta.»—Gjoni 17:25, 26.
17 Kush guxon të mohojë se Jezui ka vepruar në përputhje me lutjen e tij? Si Kreu i kongregacionit, ai vazhdon të na ndihmojë të bëjmë të njohur emrin dhe qëllimin e të Atit. Le të vazhdojmë t’i nënshtrohemi kryesisë së tij, duke iu bindur me zell urdhrit për të predikuar dhe për të bërë dishepuj. (Mat. 28:19, 20; Vep. 10:42) Le të bëjmë çmos të ruajmë edhe unitetin tonë të vyer! Kështu po veprojmë në harmoni me lutjen e Jezuit, duke i sjellë lavdi emrit të Jehovait dhe duke jetuar të lumtur në përjetësi.