Libri biblik numër 40—Mateu
Shkrimtari: Mateu
Vendi ku u shkrua: Palestinë
Shkrimi përfundoi: rr. 41 të e.s.
Periudha përkatëse: 2 p.e.s.–33 të e.s.
1. (a) Ç’premtim i ka dhënë Jehovai njerëzimit nga koha e Edenit e më pas? (b) Si u bë edhe më e patundur për hebrenjtë shpresa te Mesia?
QË NGA koha e rebelimit në Eden, Jehovai i ka dhënë njerëzimit premtimin ngushëllues se do të çlirojë të gjithë ata që e duan drejtësinë, dhe këtë do ta bëjë nëpërmjet Farës së «gruas» së tij. Ai kishte si qëllim që këtë Farë, ose Mesinë, ta sillte nga kombi i Izraelit. Me kalimin e shekujve, ai i vuri shkrimtarët e frymëzuar hebrenj të dokumentonin dhjetëra profeci, që tregonin se Fara do të ishte Mbret në Mbretërinë e Perëndisë dhe do të vepronte për të shenjtëruar emrin e Jehovait, që të pastrohej një herë e mirë nga sharja që ishte grumbulluar mbi të. Këta profetë siguruan shumë hollësi lidhur me atë që do të ishte shfajësuesi i Jehovait dhe që do të sillte lirinë nga frika, shtypja, mëkati dhe vdekja. Me përfundimin e Shkrimeve Hebraike, shpresa te Mesia u bë edhe më e patundur për hebrenjtë.
2. Pse mund të thuhet se kur u shfaq Mesia, rrethanat ishin ideale për përhapjen e lajmit të mirë?
2 Ndërkohë bota ndryshonte. Nën drejtimin e Perëndisë, kombet ishin përgatitur për shfaqjen e Mesisë dhe rrethanat ishin ideale për përhapjen e këtij lajmi kudo. Fuqia e pestë botërore, Greqia, kishte siguruar një gjuhë të përbashkët, një mjet botëror komunikimi mes kombeve. Roma, fuqia e gjashtë botërore, i kishte bashkuar kombet e nënshtruara ndaj saj në një perandori botërore dhe kishte ndërtuar rrugë, nëpërmjet të cilave mund të shkohej në të gjitha pjesët e perandorisë. Shumë judenj ishin shpërndarë nëpër tërë perandorinë, e kjo kishte bërë që edhe të tjerë të mësonin se judenjtë pritnin të vinte Mesia. Dhe ja, 4.000 vjet pas premtimit që u bë në Eden, Mesia u shfaq. Fara e premtuar, që pritej nga shumë kohë, erdhi! Ngjarjet më të rëndësishme të historisë së njerëzimit deri në atë kohë po ndodhnin, ndërsa Mesia përmbushte me besnikëri këtu në tokë vullnetin e Atit të tij.
3. (a) Ç’masa mori Jehovai për dokumentimin e hollësive të jetës së Jezuit? (b) Ç’veti dalluese ka secili Ungjill dhe pse janë të nevojshëm që të katër Ungjijtë?
3 Kishte ardhur sërish koha që shkrimet e frymëzuara të dokumentonin këto ngjarje të paharrueshme. Fryma e Jehovait frymëzoi katër burra besnikë të shkruanin tregime të pavaruara, dhe kjo siguroi dëshminë e katër njerëzve se Jezui ishte Mesia, Fara dhe Mbreti i premtuar. Ata dhanë hollësi lidhur me jetën, shërbimin, vdekjen dhe ringjalljen e tij. Këto tregime quhen Ungjij, dhe fjala «ungjill» do të thotë «lajm i mirë». Megjithëse katër Ungjijtë janë paralelë dhe shpesh flasin për të njëjtat ngjarje, nuk janë aspak kopje të njëri-tjetrit. Tre të parët shpesh quhen sinoptikë, që vjen nga fjala greke sínopsis, që do të thotë «pamje e ngjashme», pasi mënyra si e tregojnë jetën e Jezuit në tokë është e ngjashme. Megjithatë, të katër shkrimtarët—Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni—tregojnë secili historinë e vet për Krishtin. Secili ka temën dhe objektivin e vet të veçantë, pasqyron personalitetin e vet dhe mban parasysh lexuesit e drejtpërdrejtë. Sa më shumë t’i shqyrtojmë shkrimet e tyre, aq më shumë i çmojmë vetitë dalluese të secilit dhe e kuptojmë se këta katër libra të frymëzuar të Biblës janë tregime të pavarura, plotësuese e të harmonishme të jetës së Jezu Krishtit.
4. Çfarë dihet për shkrimtarin e Ungjillit të parë?
4 I pari që hodhi me shkrim lajmin e mirë për Krishtin ishte Mateu. Ka të ngjarë që emri i tij të jetë një formë e shkurtuar e emrit «Matitia», që në hebraisht do të thotë «Dhuratë e Jehovait». Ai ishte një nga 12 apostujt që zgjodhi Jezui. Pati një marrëdhënie shumë të ngushtë me Zotërinë, ndërsa Ai përshkoi tokën e Palestinës duke predikuar e duke i mësuar të tjerët rreth Mbretërisë së Perëndisë. Para se të bëhej dishepull i Jezuit, Mateu kishte qenë taksambledhës, një zanat që judenjtë e urrenin mjaft, sepse u kujtonte gjithnjë se nuk gëzonin liri, por ishin nën sundimin e Perandorisë Romake. Mateu njihej ndryshe edhe si Levi dhe ishte i biri i Alfeut. Ai iu përgjigj menjëherë ftesës së Jezuit për ta ndjekur.—Mat. 9:9; Mar. 2:14; Luka 5:27-32.
5. Pse është e sigurt se Ungjillin e parë e shkroi Mateu?
5 Megjithëse në këtë Ungjill nuk përmendet Mateu si shkrimtar i tij, historianët e kishës së hershme japin dëshmi të qarta që tregojnë përtej çdo dyshimi se ai qe shkrimtari i tij. Ndoshta për asnjë libër tjetër të lashtë nuk ka qenë më i qartë dhe më i pranuar identiteti i shkrimtarit sesa për librin e Mateut. Që në kohën e Papiasit të Hierapolit (në fillimet e shekullit të dytë të e.s.) e më pas, kemi një sërë dëshmish të hershme që provojnë se këtë Ungjill e shkroi Mateu dhe se është një pjesë autentike e Fjalës së Perëndisë. Një enciklopedi thotë: «Fragmente nga Mateu kanë cituar Justin Martiri, autori i letrës drejtuar Diognetit (shih veprën Justin Martyr, e Otos, vëll. ii), Hegesipi, Ireneu, Taciani, Atenagora, Teofili, Klementi, Tertuliani dhe Origjeni. Libri që kemi sot në dorë nuk ka pësuar asnjë ndryshim të papritur, dhe këtë na e provon jo vetëm përmbajtja e tij, por edhe mënyra si citohet, qetësia dhe besimi me të cilin ata i referohen si një autoriteti të sigurt, si dhe mungesa e çdo hije dyshimi.»a (Cyclopedia, nga autorët Meklintok dhe Strong) Fakti që Mateu ishte një apostull dhe, si i tillë, kishte frymën e Perëndisë, na siguron se shkroi një tregim të besueshëm.
6, 7. (a) Kur dhe në ç’gjuhë u shkrua fillimisht Ungjilli i Mateut? (b) Ku duket se u shkrua duke mbajtur parasysh fillimisht hebrenjtë? (c) Sa herë e përmend Përkthimi Bota e Re emrin e Jehovait në këtë Ungjill dhe pse?
6 Mateu e shkroi librin e tij në Palestinë. Viti i saktë nuk dihet, por sipas nënshkrimeve në fund të disa dorëshkrimeve (të gjitha më të vonshme se shekulli i dhjetë i e.s.), ky vit ishte 41 i e.s. Ka prova që tregojnë se Mateu e shkroi fillimisht këtë Ungjill në hebraishten e kohës së tij dhe më vonë e përktheu në greqisht. Në veprën e tij, Mbi burrat e shquar (De viris inlustribus), në kapitullin III, Jeronimi tha: «Mateu, që është edhe Levi, dhe nga një taksambledhës u bë apostull, ishte i pari që hartoi një ungjill të Krishtit në Jude në gjuhën hebraike dhe me germa hebraike, për dobinë e atyre të rrethprerjes që kishin besuar.»b Jeronimi shton se teksti në hebraisht i këtij Ungjilli ishte ruajtur deri në kohën e tij (shekulli i katërt dhe i pestë i e.s.) në Bibliotekën që kishte krijuar Pamfili në Cezare.
7 Në fillim të shekullit të tretë, duke folur për Ungjijtë, Eusebi citoi fjalët e Origjenit, kur tha: «I pari u shkrua . . . ai sipas Mateut, . . . të cilin e botoi për besimtarët që vinin nga judaizmi, pasi e hartoi në gjuhën hebraike.»c Që u shkrua duke mbajtur parasysh fillimisht hebrenjtë, duket nga gjenealogjia që tregon pasardhjen ligjore të Jezuit që nga Abrahami, dhe nga fakti që u referohet shumë herë Shkrimeve Hebraike, për të treguar se ato e tërhiqnin vëmendjen te ardhja e Mesisë. Është e arsyeshme të besojmë se Mateu emrin hyjnor Jehova e përdori në formën e tetragramit, kur citoi pjesë nga Shkrimet Hebraike që përmendnin emrin. Ja pse libri i Mateut në Përkthimin Bota e Re e përmend 18 herë emrin e Jehovait, siç bën edhe versioni në hebraisht i Mateut, që doli fillimisht nga Franc Deliçi në shekullin e 19-të. Mateu duhet të ketë pasur të njëjtin qëndrim si Jezui në lidhje me emrin hyjnor dhe nuk duhet të jetë frenuar ta përdorte për shkak të një besëtytnie të përhapur judaike.—Mat. 6:9; Gjoni 17:6, 26.
8. Si pasqyrohet zanati i Mateut si taksambledhës në Ungjillin e tij?
8 Përderisa Mateu kishte qenë taksambledhës, ishte më se e natyrshme që të ishte i saktë kur bëhej fjalë për para, shifra dhe vlera. (Mat. 17:27; 26:15; 27:3) Ai e çmonte shumë mëshirën e Perëndisë, që një njeri si ai, një taksambledhës i përbuzur, të bëhej shërbëtor i lajmit të mirë dhe shok i ngushtë i Jezuit. Ja pse Mateu është i vetmi nga shkrimtarët e Ungjijve që përmend këmbënguljen e vazhdueshme të Jezuit, se përveç flijimit kërkohet edhe mëshirë. (9:9-13; 12:7; 18:21-35) Dashamirësia e pamerituar e Jehovait i dha shumë zemër Mateut, ndaj në mënyrë shumë të përshtatshme, ai dokumentoi disa nga fjalët më ngushëlluese që tha Jezui: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin. Sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.» (11:28-30) Ç’lehtësim duhet t’i kenë sjellë këto fjalë të përzemërta këtij ish-taksambledhësi, të cilin bashkëkombësit pa dyshim veç e kishin fyer!
9. Cila temë dhe ç’stil e karakterizon librin e Mateut?
9 Mateu theksoi në mënyrë të veçantë se tema e mësimit të Jezuit ishte «mbretëria e qiejve». (4:17) Për të Jezui ishte Mbreti-Predikues. Ai e përdori aq shpesh termin «mbretëria» (më shumë se 50 herë), sa Ungjilli i tij mund të quhet Ungjilli i Mbretërisë. Mateu u përqendrua më shumë te paraqitja logjike e predikimeve dhe fjalimeve publike të Jezuit, sesa te radha e rreptë kronologjike. Për të nxjerrë në pah temën e Mbretërisë, në 18 kapitujt e parë Mateu nuk ndjek një skemë kronologjike. Megjithatë, dhjetë kapitujt e fundit (19 deri 28) përveçse vazhdojnë ta vënë theksin te Mbretëria, në përgjithësi ndjekin edhe një radhë kronologjike.
10. Sa për qind e përmbajtjes së Mateut është unike dhe cilën periudhë mbulon ky ungjill?
10 Dyzet e dy për qind e përmbajtjes së Ungjillit të Mateut nuk gjendet në asnjë nga tre Ungjijtë e tjerë.d Këtu përfshihen të paktën dhjetë shëmbëlltyra ose ilustrime: egjrat në arë (13:24-30), thesari i fshehur (13:44), margaritari me vlerë të madhe (13:45, 46), rrjeta tratë (13:47-50), skllavi i pamëshirshëm (18:23-35), punëtorët dhe denari (20:1-16), babai dhe dy bijtë (21:28-32), dasma e birit të mbretit (22:1-14), dhjetë virgjëreshat (25:1-13) dhe talentat (25:14-30). Në përgjithësi, libri mbulon periudhën nga lindja e Jezuit, në vitin 2 p.e.s., deri në mbledhjen që mbajti me dishepujt e tij pak para se të ngjitej në qiell, në vitin 33 të e.s.
PËRMBAJTJA E MATEUT
11. (a) Si fillon në mënyrë logjike Ungjilli i Mateut dhe cilat ngjarje të para tregon? (b) Te cilat përmbushje profetike na e tërheq vëmendjen Mateu?
11 Prezantimi i Jezuit dhe i lajmit të mirë për ‘mbretërinë e qiejve’ (1:1–4:25). Në mënyrë logjike, Mateu fillon me gjenealogjinë e Jezuit, për të provuar të drejtën ligjore të Tij si trashëgimtar i Abrahamit dhe i Davidit. Kjo patjetër i tërheq vëmendjen lexuesit hebre. Më pas, lexojmë tregimin për ngjizjen e Jezuit me anë të një mrekullie, lindjen e tij në Betlehem, vizitën e astrologëve, urdhrin e Herodit të zemëruar për të masakruar të gjithë djemtë nën dy vjeç në Betlehem, ikjen e Jozefit dhe të Marisë në Egjipt bashkë me djalin e vogël dhe kthimin e tyre të mëpastajshëm për të banuar në Nazaret. Mateu është i kujdesshëm të tërheqë vëmendjen te përmbushja e profecive që tregojnë se Jezui është Mesia i parathënë.—Mat. 1:23—Isa. 7:14; Mat. 2:1-6—Mik. 5:2; Mat. 2:13-18—Hoz. 11:1 dhe Jer. 31:15; Mat. 2:23—Isa. 11:1, shënimi te Bibla me referime, anglisht.
12. Çfarë ndodh në pagëzimin e Jezuit dhe menjëherë pas tij?
12 Më pas, tregimi i Mateut kapërcen një hark kohor prej rreth 30 vjetësh. Gjon Pagëzori predikon në shkretëtirën e Judesë: «Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afruar.» (Mat. 3:2) Ai pagëzon në lumin Jordan judenjtë e penduar dhe lajmëron farisenjtë dhe saducenjtë për zemërimin që do të vijë. Jezui vjen nga Galilea dhe pagëzohet. Menjëherë fryma e Perëndisë zbret mbi të dhe një zë nga qiejt thotë: «Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.» (3:17) Më pas, Jezuin e çojnë në shkretëtirë, ku pasi agjëron për 40 ditë, tundohet nga Satana Djalli. Tri herë rresht ai e kthen mbrapsht Satanain, duke cituar nga Fjala e Perëndisë dhe në fund i thotë: «Ik tutje, Satana! Sepse është shkruar: ‘Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.’»—4:10.
13. Ç’fushatë që të çon peshë fillon në Galile?
13 «Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afruar.» Këto fjalë që të çojnë peshë, tani shpallen në Galile nga Jezui i mirosur. Ai thërret katër peshkatarë të lënë rrjetat e ta ndjekin për t’u bërë «peshkatarë njerëzish». Bashkë me ta, ai i bie ‘përqark mbarë Galilesë, dhe mëson në sinagogat e tyre, predikon lajmin e mirë për mbretërinë dhe shëron çdo lloj lëngate e sëmundjeje në popull’.—4:17, 19, 23.
14. Për cilat lumturi flet Jezui në Predikimin e tij në Mal dhe çfarë thotë për drejtësinë?
14 Predikimi në mal (5:1–7:29). Turmat fillojnë ta ndjekin, dhe Jezui ngjitet në mal, ulet e nis të mësojë dishepujt. Ai e nis fjalimin e tij prekës me nëntë ‘lumturitë’: Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë, ata që vajtojnë, ata që janë me natyrë të butë, ata që kanë uri dhe etje për drejtësinë, të mëshirshmit, ata me zemër të kulluar, paqebërësit, ata që përndiqen për hir të drejtësisë dhe ata që poshtërohen e kundër të cilëve thuhen gënjeshtra. «Gëzoni dhe hovni nga gëzimi, sepse i madh është shpërblimi juaj në qiej.» Ai i quan dishepujt e tij «kripa e tokës» dhe «drita e botës» e shpjegon ç’lloj drejtësie kërkohet për të hyrë në Mbretërinë e qiejve, një cilësi që është kaq e ndryshme nga formaliteti i skribëve dhe i farisenjve. «Jini të përsosur, sikurse është i përsosur Ati juaj qiellor.»—5:12-14, 48.
15. Ç’ka për të thënë Jezui për lutjen dhe Mbretërinë?
15 Jezui u thotë të kenë kujdes nga dhuratat dhe lutjet hipokrite. Ai i mëson dishepujt të luten për shenjtërimin e emrit të Atit, për ardhjen e Mbretërisë së Tij dhe si të kërkojnë gjërat që kanë nevojë përditë. Gjatë gjithë predikimit, Jezui veçon dukshëm Mbretërinë. Ai i këshillon ata që e ndjekin, të mos shqetësohen të mbledhin pasuri ose të punojnë thjesht për to, sepse Ati e di për çfarë kanë nevojë. «Vazhdoni,—thotë ai,—të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.»—6:33.
16. (a) Ç’këshillë jep Jezui për marrëdhëniet me të tjerët? Çfarë thotë për ata që i binden vullnetit të Perëndisë dhe për ata që nuk i binden? (b) Si ndikon fjalimi i tij?
16 Zotëria u jep këtë këshillë për marrëdhëniet me të tjerët: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» Ata që bëjnë vullnetin e Atit të tij, do të jenë të paktët që gjejnë rrugën që të çon në jetë. Ata që bëjnë paligjshmëri do të njihen nga frytet e tyre dhe nuk do të miratohen prej tij. Jezui e krahason atë që u bindet fjalëve të tij me ‘një njeri të matur, i cili e ndërton shtëpinë e vet në shkëmb’. Si ndikon ky fjalim tek turmat që dëgjojnë? Ata ‘mahniten nga mënyra se si mëson’, sepse ‘ai mëson si një person me autoritet dhe jo si skribët e tyre’.—7:12, 24-29.
17. Si e tregon Jezui autoritetin e tij si Mesia dhe çfarë interesi të dashur shfaq?
17 Zgjerohet predikimi i Mbretërisë (8:1–11:30). Jezui kryen shumë mrekulli: shëron të lebrosurit, paralitikët dhe të demonizuarit. Madje tregon se ka pushtet mbi erën dhe dallgët, duke qetësuar një stuhi, dhe ringjall një vajzë. Sa i dhimbsen turmat e njerëzve Jezuit, tek i sheh të keqtrajtuar e të hallakatur «si dele pa bari»! Ai u thotë dishepujve: «Të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak. Prandaj lutjuni Zotërisë të të korrave, që të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.»—9:36-38.
18. (a) Ç’udhëzime e këshilla u jep Jezui apostujve të tij? (b) Pse thuhet mjerë për «këtë brez»?
18 Jezui zgjedh 12 apostujt dhe i ngarkon me një mision. Ai u jep udhëzime të qarta si ta kryejnë veprën dhe e vë theksin te doktrina qendrore e mësimit të tyre: «Shkoni dhe predikoni: ‘Mbretëria e qiejve është afruar.’» Ai u jep këshilla të mençura dhe të dashura: «Falas morët, falas jepni.» «Jini të kujdesshëm si gjarpërinjtë, e megjithatë të pafaj si pëllumbat.» Ata do të urrehen e do të përndiqen edhe nga njerëzit e afërt, por Jezui u kujton: «Ai që e gjen shpirtin e vet, do ta humbasë, kurse ai që e humbet shpirtin për hirin tim, do ta gjejë.» (10:7, 8, 16, 39) Ata marrin rrugën për të mësuar e predikuar në qytetet që u janë caktuar. Jezui e identifikon Gjon Pagëzorin si lajmëtari që u dërgua para tij, «Elija» i premtuar, por ‘ky brez’ nuk pranon as Gjonin, as atë vetë, Birin e njeriut. (11:14, 16) Pra, mjerë ky brez dhe qytetet që nuk janë penduar, pasi kanë parë veprat e tij të fuqishme! Kurse ata që bëhen dishepujt e tij, do të gjejnë freskim për shpirtin.
19. Si i dënon Jezui farisenjtë, kur ata kritikojnë sjelljen e tij në sabat?
19 Farisenjtë hidhen poshtë dhe dënohen (12:1-50). Farisenjtë përpiqen ta zënë në faj Jezuin lidhur me çështjen e Sabatit, por ai i hedh poshtë akuzat e tyre dhe dënon ashpër hipokrizinë e tyre. Ai u thotë: «Pjellë nepërkash, si mund të thoni gjëra të mira, kur jeni të ligj? Sepse goja flet nga mbushullia e zemrës.» (12:34) Atyre s’do t’u jepet asnjë shenjë tjetër, përveç shenjës së profetit Jona: Biri i njeriut do të qëndrojë në zemër të tokës tri ditë e tri net.
20. (a) Pse flet Jezui me ilustrime? (b) Cilat ilustrime jep ai për Mbretërinë?
20 Shtatë ilustrimet për Mbretërinë (13:1-58). Pse flet Jezui me ilustrime? Ai u shpjegon dishepujve: «Juve ju është lejuar të kuptoni sekretet e shenjta të mbretërisë së qiejve, por atyre nuk u është lejuar.» Ai thotë për dishepujt e tij ‘lum ata, sepse shohin dhe dëgjojnë’. Më pas, u jep një mësim vërtet freskues. Pasi shpjegon ilustrimin e mbjellësit, Jezui u thotë ilustrimin e egjrave në arë, të kokrrës së sinapit, të majasë, të thesarit të fshehur, të margaritarit me vlerë të madhe dhe të rrjetës tratë, që përfaqësojnë të gjitha diçka që ka lidhje me ‘mbretërinë e qiejve’. Megjithatë, njerëzit pengohen prej tij dhe Jezui u thotë: «Vetëm në vendin dhe në shtëpinë e vet profeti nuk nderohet.»—13:11, 57.
21. (a) Ç’mrekulli kryen Jezui dhe ç’tregojnë ato lidhur me identitetin e tij? (b) Ç’vegim jepet për ardhjen e Birit të njeriut si mbret?
21 Vazhdimi i shërbimit dhe mrekullitë e tjera të ‘Krishtit’ (14:1–17:27). Jezui hidhërohet shumë kur merr vesh se Gjon Pagëzorit i kanë prerë kokën me urdhër të Herod Antipës, një njeriu të dobët. Ai bën një mrekulli ku ushqen një turmë me më shumë se 5.000 veta; ecën mbi det; ua kthen kritikave të farisenjve, për të cilët thotë se ‘shkelin urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës së tyre’; shëron të demonizuar, «të çalë, të gjymtuar, të verbër, të pagojë dhe shumë të tjerë» dhe ushqen sërish më shumë se 4.000 veta me shtatë bukë dhe ca peshq të vegjël. (15:3, 30) Jezui i pyet nëse e dinë cili është dhe Pjetri e identifikon, duke thënë: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë.» Jezui e lavdëron Pjetrin dhe thotë: «Mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kongregacionin tim.» (16:16, 18) Më pas, Jezui nis të flasë për vdekjen që po i afrohet dhe për ringjalljen ditën e tretë. Por, gjithashtu, ai premton se disa nga dishepujt e tij «nuk do ta shijojnë fare vdekjen pa e parë më parë Birin e njeriut të vijë si mbret». (16:28) Gjashtë ditë më vonë, Jezui merr me vete Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin dhe i çon në një mal të lartë, që ta shohin të shpërfytyruar në lavdi. Në një vegim, ata shohin Moisiun dhe Elijan duke biseduar me të dhe dëgjojnë një zë nga qielli që thotë: «Ky është Biri im, i dashuri, të cilin unë e kam miratuar. Dëgjojeni.» Si zbresin nga mali, Jezui u tregon se «Elija» i premtuar kishte ardhur tashmë, dhe ata e kuptuan se po fliste për Gjon Pagëzorin.—17:5, 12.
22. Ç’këshillon Jezui për faljen?
22 Jezui këshillon dishepujt e tij (18:1-35). Gjatë kohës që është në Kapernaum, Jezui u flet dishepujve për përulësinë, për gëzimin e madh kur gjen delen që humb rrugën dhe për mënyrën si t’i zgjidhin problemet mes vëllezërve. Pjetri pyet: «Sa herë duhet ta fal tim vëlla?» Jezui i përgjigjet: «Unë po të them: jo shtatë herë, por shtatëdhjetë e shtatë herë.» Për ta bërë edhe më të qartë këtë, Jezui jep ilustrimin e skllavit, të cilit Zotëria i fali një borxh prej 60 milionë denarësh. Më vonë, ky skllav futi në burg një skllav tjetër vetëm për 100 denarë borxh, dhe si pasojë edhe skllavi i pamëshirshëm u dorëzohet rojave të burgut.e Jezui shpjegon: «Po kështu do të veprojë edhe Ati im qiellor me ju, nëse secili nuk e fal vëllanë e vet me gjithë zemër.»—18:21, 22, 35.
23. Çfarë shpjegon Jezui për divorcin dhe se ç’duhet bërë për të marrë jetën e përhershme?
23 Ditët e fundit të shërbimit të Jezuit (19:1–22:46). Ngjarjet ndjekin shpejt njëra-tjetrën dhe tensioni rritet, ndërsa skribët dhe farisenjtë zemërohen gjithnjë e më shumë me shërbimin e Jezuit. Ata mundohen ta zënë në gabim për çështjen e divorcit, por s’ia dalin. Jezui u tregon se baza e vetme biblike për divorc është kurvëria. Një i ri pasanik vjen te Jezui dhe e pyet se ç’duhet të bëjë që të marrë jetën e përhershme, por ikën i hidhëruar, kur kupton se duhet të shesë gjithçka e të bëhet ithtar i Jezuit. Pasi bën ilustrimin e punëtorëve dhe të denarit, Jezui flet sërish për vdekjen dhe ringjalljen e tij, dhe thotë: «Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë dhe të japë shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz.»—20:28.
24. Cilat përballje ka Jezui me kundërshtarët fetarë në fillim të javës së fundit të jetës së tij njerëzore dhe si iu përgjigjet pyetjeve të tyre?
24 Më pas fillon java e fundit e jetës njerëzore për Jezuin. Ai hyn në mënyrë triumfuese në Jerusalem si ‘Mbreti që ka hipur në një kërriç gomari’. (21:4, 5) Pastron tempullin nga këmbyesit e parave dhe matrapazët e tjerë dhe urrejtja e armiqve të tij rritet, kur u thotë: «Taksambledhësit dhe prostitutat hyjnë përpara jush në mbretërinë e Perëndisë.» (21:31) Ilustrimet e tij me vend për vreshtin dhe ftesën në dasmë godasin në shenjë. I përgjigjet me mjeshtëri pyetjes së farisenjve për taksat, duke u thënë: «Paguajini pra, Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.» (22:21) Po ashtu, ai ua mbyll gojën saducenjve që duan ta zënë në grackë me pyetjen e tyre dhe ripohon edhe një herë shpresën për ringjallje. Farisenjtë shkojnë përsëri tek ai me një pyetje për Ligjin, dhe Jezui u thotë se urdhërimi më i madh është të duash Jehovain me tërë qenien tënde, dhe i dyti është të duash të afërmin si veten. Pastaj, Jezui i pyet: ‘Si mund të jetë Krishti edhe biri i Davidit, edhe Zotëria i tij?’ Askush s’është në gjendje të përgjigjet, e pas kësaj, asnjë s’guxon më ta pyesë.—22:45, 46.
25. Ç’dënim të ashpër jep Jezui për skribët dhe farisenjtë?
25 ‘Mjerë ju, hipokritë’ (23:1–24:2). Tek u flet turmave në tempull, Jezui u jep një tjetër dënim të ashpër skribëve dhe farisenjve. Ata jo vetëm që nuk janë të denjë të hyjnë vetë në Mbretërinë e qiejve, por me dinakërinë e tyre bëjnë të pamundurën të pengojnë edhe të tjerët për të hyrë. Njësoj si varret e zbardhura me gëlqere, ata duken bukur nga jashtë, por përbrenda janë plot prishje e kalbësirë. Jezui përfundon me këtë gjykim kundër Jerusalemit: «Shtëpia juaj është braktisur.» (23:38) Duke lënë pas tempullin, ai profetizon shkatërrimin e tij.
26. Cilën shenjë profetike jep Jezui për praninë e tij në lavdinë e Mbretërisë?
26 Jezui jep ‘shenjën e pranisë së tij’ (24:3–25:46). Në Malin e Ullinjve, dishepujt e pyesin për ‘shenjën e pranisë së tij dhe të përfundimit të sistemit’. Jezui përgjigjet duke thënë se do të jetë një kohë plot luftëra, «komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie», do të ketë mungesë ushqimi, tërmete, rritje të paligjshmërisë, do të bëhet predikimi i ‘lajmit të mirë për mbretërinë’ në të gjithë tokën, do të emërohet «skllavi i besueshëm dhe i matur . . . mbi gjithë zotërimet e veta», dhe shumë aspekte të tjera të shenjës së përbërë. (24:3, 7, 14, 45-47) Jezui e përfundon këtë profeci të rëndësishme me ilustrimet e dhjetë virgjëreshave dhe të talentave, të cilat u ofrojnë shpërblime të gëzueshme atyre që qëndrojnë syçelë e besnikë, dhe ilustrimin e deleve dhe të cjepve, që tregon se njerëzit që krahasohen me cjeptë «do të përfundojnë në vdekjen e përhershme, kurse të drejtët do të marrin jetën e përhershme».—25:46.
27. Cilat ngjarje shënojnë ditën e fundit të Jezuit në tokë?
27 Ngjarjet e ditës së fundit të Jezuit (26:1–27:66). Pas Pashkës, Jezui themelon diçka të re me apostujt e tij besnikë, duke i ftuar të marrin nga buka e ndorme dhe nga vera, që simbolizojnë trupin dhe gjakun e tij. Më pas, shkojnë në Getsemani, ku Jezui lutet. Atje vjen Juda me një turmë të armatosur dhe e tradhton Jezuin me një puthje të shtirur. Jezuin e çojnë te kryeprifti, ku krerët e priftërinjve dhe tërë Sinedri kërkojnë të gjejnë dëshmitarë të rremë kundër tij. Siç kishte profetizuar Jezui, Pjetri e mohon, kur gjendet para sprovës. Juda, të cilin e bren ndërgjegjja, i hedh paratë e tradhtisë në tempull dhe shkon e var veten. Në mëngjes, Jezuin e çojnë para guvernatorit romak, Pilatit, i cili, nën presionin e turmës së nxitur nga priftërinjtë që thërriste: «Gjaku i tij rëntë mbi ne dhe mbi fëmijët tanë», jep urdhër të varet në shtyllë. Ushtarët e guvernatorit tallen me pushtetin e tij mbretëror dhe më pas e nisin për në një vend të quajtur Gólgotha, ku e vënë në shtyllë mes dy kusarëve, me një shkrim mbi kokë që thotë: «Ky është Jezui, mbreti i judenjve.» (27:25, 37) Pas orësh të tëra torture, Jezui në fund vdes aty nga ora tre e pasdites dhe më pas e futin në një varr të ri, pronë e Jozefit nga Arimatea. Kjo ishte dita me më shumë ndodhi në tërë historinë!
28. Cili lajm është pika kulmore e tregimit të Mateut dhe me cilën detyrë e përfundon ai tregimin e tij?
28 Ringjallja e Jezuit dhe udhëzimet e fundit (28:1-20). Pika kulmore e tregimit të Mateut është ajo që përbën lajmin e të gjitha lajmeve. Jezui që kishte vdekur, është ringjallur, po, ai është sërish gjallë! Ditën e parë të javës, në të zbardhur, Maria-Magdalena dhe «Maria tjetër» shkojnë te varri dhe dëgjojnë nga engjëlli këtë lajm të gëzueshëm. (28:1) Për ta vërtetuar, Jezui shfaqet para tyre. Kundërshtarët ç’nuk bëjnë për të hedhur poshtë ringjalljen e tij, madje u japin ryshfet ushtarëve që kishin qenë roje te varri, që të thonë: «Dishepujt e tij erdhën natën dhe e vodhën, kur ne po flinim.» Më vonë, në Galile, Jezui mban një mbledhje tjetër me dishepujt e tij. Cilat janë udhëzimet e tij të fundit për ta? «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë.» Kush do t’i drejtonte në këtë vepër predikimi? Fjalët e fundit të Jezuit, të dokumentuara nga Mateu, japin këtë siguri: «Ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.»—28:13, 19, 20.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
29. (a) Në ç’kuptim libri i Mateut shërben si urë për të kaluar nga Shkrimet Hebraike te Shkrimet Greke? (b) Cilin privilegj të Jezuit mund të gëzojnë sot të krishterët?
29 Libri i Mateut, i pari nga katër Ungjijtë, është vërtet një urë e shkëlqyer për të kaluar nga Shkrimet Hebraike në Shkrimet e Krishtere Greke. Ai tregon në mënyrë të pakundërshtueshme se kush është Mesia dhe Mbreti i Mbretërisë së premtuar të Perëndisë, bën të njohur kërkesat për t’u bërë ithtarë të tij dhe paraqit veprën që kanë përpara ithtarët e tij në tokë. Në fillim Gjon Pagëzori, më pas Jezui e në fund dishepujt e tij predikuan: «Mbretëria e qiejve është afruar.» Veç kësaj, urdhri i Jezuit gjen zbatim deri në përfundim të sistemit: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» Vërtet, ka qenë dhe ende është një privilegj i madh e i mrekullueshëm pjesëmarrja në këtë vepër të Mbretërisë, që përfshin ‘të bësh dishepuj njerëz nga të gjitha kombet’, duke ndjekur modelin e Zotërisë.—3:2; 4:17; 10:7; 24:14; 28:19.
30. Cila pjesë e Mateut në veçanti është e mirënjohur për vlerën praktike të saj?
30 Ungjilli i Mateut është vërtet «lajm i mirë». Mesazhi i tij i frymëzuar ishte «lajm i mirë» për ata që ia vunë veshin në shekullin e parë të erës sonë, dhe Perëndia Jehova është kujdesur që të ruhet si «lajm i mirë» deri në ditët tona. Edhe ata që nuk janë të krishterë janë detyruar të pranojnë fuqinë e këtij Ungjilli, si për shembull, udhëheqësi hinduist Mohandas (Mahatma) Gandi, që thuhet se i ka thënë lordit Iruin, ish-mëkëmbësit të mbretit të Indisë: «Kur vendi yt dhe imi të kuptohen së bashku në bazë të mësimeve që dha Krishti në Predikimin e tij në Mal, ne do të zgjidhim jo vetëm problemet midis vendeve tona, por edhe ato të botës mbarë.»f Në një rast tjetër, Gandi tha: «Mos ngurroni të pini nga burimet që ju janë dhënë në Predikimin në Mal. . . . Sepse mësimet që gjejmë në atë Predikim i drejtohen gjithsecilit prej nesh.»g
31. Kush i çmon vërtet këshillat e Mateut dhe pse është e dobishme ta studiojmë herë pas here këtë Ungjill?
31 Por prapëseprapë, tërë bota, duke përfshirë edhe atë pjesë që thotë se është e krishterë, vazhdon të ketë probleme. Vetëm një pakice fare të vogël, të krishterëve të vërtetë, i ka mbetur të çmojë, studiojë dhe zbatojë Predikimin në Mal dhe tërë këshillat e tjera të shëndetshme të lajmit të mirë sipas Mateut, duke nxjerrë dobi pa fund. Është e dobishme të studiojmë herë pas here këshillat e shkëlqyera të Jezuit se si të gjejmë lumturi të vërtetë, dhe këshillat për moralin, martesën, fuqinë e dashurisë, lutjen e pranueshme, vlerat frymore përkundër atyre materiale, të kërkojmë në radhë të parë Mbretërinë, të kemi respekt për gjërat e shenjta dhe të jemi syçelë e të bindur. Në kapitullin 10 të Mateut gjejmë udhëzimet e shërbimit që dha Jezui për ata që fillojnë të predikojnë lajmin e mirë të ‘mbretërisë së qiejve’. Në shëmbëlltyrat e shumta të Jezuit gjejmë mësime jetësore për të gjithë ata që ‘kanë veshë për të dëgjuar’. Veç kësaj, profecitë e Jezuit, si ajo që parathotë me hollësi ‘shenjën e pranisë së tij’, na forcojnë shpresën dhe besimin tek e ardhmja.—5:1–7:29; 10:5-42; 13:1-58; 18:1–20:16; 21:28–22:40; 24:3–25:46.
32. (a) Ilustro si japin prova profecitë e përmbushura se Jezui është Mesia. (b) Ç’siguri të madhe na japin sot këto përmbushje?
32 Në Ungjillin e Mateut gjenden shumë e shumë profeci që janë përmbushur. Shumë citime të tij nga Shkrimet e frymëzuara Hebraike kishin për qëllim të bënin të qartë përmbushjen e tyre. Ato japin prova të padiskutueshme se Jezui është Mesia, pasi do të kishte qenë krejt e pamundur të planifikohej zbatimi i gjithë këtyre hollësive. Krahaso, për shembull, Mateun 13:14, 15 me Isainë 6:9, 10; Mateun 21:42 me Psalmin 118:22, 23 dhe Mateun 26:31, 56 me Zakarinë 13:7. Gjithashtu, këto përmbushje na japin siguri të madhe se të gjitha profecitë e thëna nga Jezui e të dokumentuara nga Mateu, do të përmbushen në kohën e caktuar, ndërsa bëhen realitet qëllimet e lavdishme të Jehovait në lidhje me ‘mbretërinë e qiejve’.
33. Për cilën njohuri dhe shpresë mund të jenë të gëzuar ata që duan drejtësinë?
33 Sa me saktësi e paratha Perëndia jetën e Mbretit të Mbretërisë, deri në hollësitë më të vogla! Sa me saktësi e besnikëri e dokumentoi Mateu i frymëzuar përmbushjen e këtyre profecive! Tek meditojnë mbi tërë këto përmbushje dhe premtime profetike që gjejmë në librin e Mateut, ata që duan drejtësinë mund të jenë vërtet të gëzuar që kanë njohurinë dhe shpresën e ‘mbretërisë së qiejve’, që Jehovai t’i përdorë për të shenjtëruar emrin e tij. Kjo Mbretëri e drejtuar nga Jezu Krishti do t’u sjellë bekime të patregueshme në jetë si dhe lumturi atyre që janë me natyrë të butë e të etur frymësisht, «në përtëritjen e krijimit, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e tij të lavdishëm». (Mat. 19:28) E gjithë kjo gjendet në lajmin e mirë nxitës «sipas Mateut».
[Shënimet]
a Ribotim i vitit 1981, vëll. V, faqja 895.
b Përkthim i tekstit latin nga E. Riçardson dhe botuar në serinë «Texte und Untersuchungen zur Geschichte der altchristlichen Literatur», Lajpcig, 1896, vëll. 14, faqet 8, 9.
c Histori kishtare, vëll. VI, kap. XXV, par. 3-6.
d Introduction to the Study of the Gospels, 1896, nga B. F. Uestkot, faqja 201.
e Në kohën e Jezuit, një denar ishte baraz me pagën e një dite. Kështu, 100 denarë ishin baraz me pagën e rreth një të tretës së vitit. Për të mbledhur 60 milionë denarë do të duheshin mijëra jetë.—Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 614, anglisht.
f Treasury of the Christian Faith, 1949, botuar nga S. I. Stabër dhe T. K. Klark, faqja 43.
g Mahatma Gandhi’s Ideas, 1930, nga Ç. F. Endrjus, faqja 96.