Të përndjekur për hir të drejtësisë
«Lum ata që janë persekutuar për hir të drejtësisë.»—MATEU 5:10.
1. Pse ishte Jezui përpara Ponc Pilatit dhe çfarë tha Jezui?
«PËR këtë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë, që të jap dëshmi për të vërtetën.» (Gjoni 18:37) Kur Jezui i tha këto fjalë, ishte përpara Ponc Pilatit, guvernatorit romak të Judesë. Jezui nuk ndodhej atje me dëshirën e tij, as me ftesë të Pilatit. Përkundrazi, ishte atje, sepse udhëheqësit fetarë judenj e akuzuan në mënyrë të rreme si një keqbërës që meritonte vdekjen.—Gjoni 18:29-31.
2. Çfarë bëri Jezui dhe në cilin përfundim çoi kjo gjë?
2 Jezui e dinte shumë mirë se Pilati kishte autoritetin për ta liruar ose për ta vrarë. (Gjoni 19:10) Por kjo nuk e ndaloi që të mos i fliste me guxim Pilatit për Mbretërinë. Edhe pse jeta e Jezuit ishte në rrezik, ai shfrytëzoi rastin për t’i dhënë dëshmi autoritetit më të lartë qeveritar të rajonit. Pavarësisht nga dëshmia që dha, Jezui u dënua dhe u ekzekutua, duke vdekur në agoni si martir në një shtyllë torture.—Mateu 27:24-26; Marku 15:15; Luka 23:24, 25; Gjoni 19:13-16.
Dëshmitar apo martir?
3. Çfarë kuptimi kishte në kohët biblike fjala «martir», por çfarë do të thotë në shumë vende sot?
3 Sot për njerëzit e shumë vendeve, një martir është në njëfarë mënyre njësoj me një njeri fanatik, një ekstremist. Ata që janë të gatshëm të vdesin për bindjet e tyre, sidomos për bindjet fetare, shpesh dyshohet se janë terroristë ose të paktën një rrezik për shoqërinë. Megjithatë fjala martir vjen nga një term në gjuhën greke (martys) që në Bibël ka kuptimin «dëshmitar», një njeri që jep dëshmi për të vërtetën e asaj që beson, ndoshta në një proces gjyqësor. Vetëm më vonë kjo fjalë mori kuptimin «ai që jep jetën për shkak se ka dhënë dëshmi» ose edhe të japësh dëshmi duke dhënë jetën.
4. Kryesisht në ç’kuptim ishte martir Jezui?
4 Jezui ishte martir kryesisht sipas kuptimit më të hershëm të fjalës. Siç i tha Pilatit, ai erdhi ‘që të jepte dëshmi për të vërtetën’. Dëshmia e tij shkaktoi reagime shumë të ndryshme te njerëzit. Disa njerëz të thjeshtë u prekën thellë nga ajo që dëgjuan e panë, dhe treguan besim te Jezui. (Gjoni 2:23; 8:30) Edhe turmat në përgjithësi, bashkë me udhëheqësit fetarë në veçanti, reaguan me zjarr, por negativisht. Jezui u tha të afërmve të tij që nuk besonin: «Bota nuk ka arsye për t’ju urryer ju, por më urren mua, sepse jap dëshmi për të se veprat e saj janë të liga.» (Gjoni 7:7) Meqenëse dha dëshmi për të vërtetën, Jezui ngjalli zemërimin e udhëheqësve të kombit, dhe kjo çoi në vdekjen e tij. Vërtet, ai ishte «dëshmitari (martys) i besueshëm dhe i vërtetë».—Zbulesa 3:14.
«Do të jeni objekt urrejtjeje»
5. Çfarë tha Jezui për përndjekjen në fillim të shërbimit të tij?
5 Vetë Jezuin e përndoqën egërsisht. Ai i paralajmëroi ithtarët e tij se edhe atyre do t’u ndodhte e njëjta gjë. Në fillim të shërbimit të tij, Jezui u tha atyre që dëgjuan Predikimin në Mal: «Lum ata që janë persekutuar për hir të drejtësisë, pasi atyre u përket mbretëria e qiejve! Të lumtur jeni ju, kur njerëzit ju poshtërojnë e ju persekutojnë dhe duke gënjyer thonë çdo lloj gjëje të ligë kundër jush për shkakun tim. Gëzoni dhe hovni nga gëzimi, pasi i madh është shpërblimi juaj në qiej.»—Mateu 5:10-12.
6. Çfarë paralajmërimi u dha Jezui 12 apostujve kur i dërgoi për të predikuar?
6 Më vonë, kur po i dërgonte 12 apostujt për të predikuar, Jezui u tha atyre: «Ruhuni prej njerëzve; sepse do t’ju dorëzojnë në gjykatat lokale dhe do t’ju fshikullojnë nëpër sinagogat e tyre. Po, për shkakun tim do t’ju detyrojnë të shkoni përpara guvernatorëve dhe mbretërve, për një dëshmi para tyre dhe kombeve.» Por autoritetet fetare nuk do të ishin të vetmet që do t’i përndiqnin dishepujt. Jezui tha gjithashtu: «Vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje, babai fëmijën e tij dhe fëmijët do të ngrihen kundër prindërve e do të bëjnë që ata të vriten. Dhe do të jeni objekt urrejtjeje për të gjithë njerëzit për shkak të emrit tim; por ai që ka qëndruar deri në fund, është ai që do të shpëtojë.» (Mateu 10:17, 18, 21, 22) Historia e të krishterëve të shekullit të parë dëshmon për vërtetësinë e këtyre fjalëve.
Një dokumentim i qëndrueshmërisë me besnikëri
7. Si u bë martir Stefani?
7 Shumë shpejt pas vdekjes së Jezuit, Stefani ishte i krishteri i parë që vdiq sepse dha dëshmi për të vërtetën. Ai ishte «plot hir dhe fuqi [dhe] po kryente çudira dhe shenja të mëdha mes popullit». Armiqtë e tij fetarë «nuk mundën t’i bënin ballë mençurisë dhe frymës me të cilën po fliste ai». (Veprat 6:8, 10) Plot xhelozi e tërhoqën zvarrë Stefanin përpara Sinedrit, gjykatës së lartë judaike, ku u gjend ballë për ballë me akuzuesit e rremë dhe dha një dëshmi të fuqishme. Megjithatë, në fund, armiqtë e Stefanit e vranë këtë dëshmitar besnik.—Veprat 7:59, 60.
8. Si reaguan dishepujt në Jerusalem ndaj përndjekjes që hasën pas vdekjes së Stefanit?
8 Pas vdekjes së Stefanit, «u bë persekutim i madh kundër kongregacionit që ishte në Jerusalem; të gjithë përveç apostujve u shpërndanë në mbarë viset e Judesë dhe të Samarisë». (Veprat 8:1) A e ndali përndjekja dhënien e dëshmisë së krishterë? Përkundrazi, tregimi thotë se «ata që ishin shpërndarë, kaluan nëpër vend, duke shpallur lajmin e mirë të fjalës». (Veprat 8:4) Ata duhet të kenë menduar njësoj si apostulli Pjetër që kishte thënë më parë: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar në vend të njerëzve.» (Veprat 5:29) Me gjithë përndjekjen, këta dishepuj besnikë e të guximshëm ngulmuan në veprën e dhënies së dëshmisë për të vërtetën, ndonëse e dinin që kjo do të çonte në vështirësi të tjera.—Veprat 11:19-21.
9. Çfarë përndjekjeje vazhduan të hasnin ithtarët e Jezuit?
9 Në të vërtetë vështirësitë nuk u pakësuan. Së pari mësojmë që Sauli, njeriu që ishte dëshmitar i vrasjes me gurë të Stefanit dhe që e miratoi atë vrasje, «duke shfryrë akoma kërcënim dhe vrasje kundër dishepujve të Zotërisë, shkoi te kryeprifiti dhe i kërkoi letra për sinagogat në Damask, me qëllim që këdo që të gjente nga ata që i përkitnin Udhës, t’i sillte të lidhur në Jerusalem, qoftë burra, qoftë gra». (Veprat 9:1, 2) Pastaj, rreth vitit 44 të e.s., «mbreti Herod vuri dorë që të keqtrajtonte disa nga kongregacioni. Ai vrau me shpatë Jakovin, vëllanë e Gjonit».—Veprat 12:1, 2.
10. Çfarë dokumentimi për përndjekjen gjejmë te libri i Veprave dhe i Zbulesës?
10 Pjesa tjetër e librit të Veprave përmban një dokumentim të paharrueshëm të sprovave, burgosjeve dhe të përndjekjes që hasën njerëz besnikë si Pavli, ish-përndjekësi i bërë apostull, i cili ka të ngjarë që të jetë vrarë si martir nga perandori romak Neroni rreth vitit 65 të e.s. (2 Korintasve 11:23-27; 2 Timoteut 4:6-8) Së fundi, në librin e Zbulesës, që u shkrua nga fundi i shekullit të parë, shohim se apostulli i moshuar, Gjoni, është i burgosur në ishullin-burg të Patmosit ‘sepse kishte folur për Perëndinë dhe kishte dhënë dëshmi për Jezuin’. Zbulesa përmend edhe ‘Antipën, dëshmitarin, të besueshmin, i cili u vra’ në Pergam.—Zbulesa 1:9; 2:13.
11. Si i vërtetoi historia e të krishterëve të hershëm fjalët që tha Jezui për përndjekjen?
11 E gjithë kjo vërtetoi fjalët e Jezuit drejtuar dishepujve: «Nëse më kanë persekutuar mua, do t’ju persekutojnë edhe ju.» (Gjoni 15:20) Të krishterët e hershëm besnikë ishin të përgatitur të përballonin provën përfundimtare, vdekjen—nëpërmjet torturave, duke i hedhur te bishat e egra ose në çdo mënyrë tjetër—me qëllim që të përmbushnin detyrën që u kishte ngarkuar Zotëria Jezu Krisht: «Do të jeni dëshmitarët e mi si në Jerusalem, ashtu edhe në mbarë Judenë, Samarinë e deri në skajin më të largët të tokës.»—Veprat 1:8.
12. Pse përndjekja e të krishterëve nuk është vetëm diçka e së kaluarës?
12 Nëse dikush do të mendonte se një trajtim i tillë mizor ndaj ithtarëve të Jezuit ndodhi vetëm në të kaluarën, do ta kishte tërësisht gabim. Pavli, që siç e kemi parë duroi shumë vështirësi, shkroi: «Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me devocion hyjnor në shoqëri me Krishtin Jezu, edhe do të persekutohen.» (2 Timoteut 3:12) Në lidhje me përndjekjen, Pjetri tha: «Në fakt, në këtë udhë u thirrët, sepse edhe Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.» (1 Pjetrit 2:21) Që atëherë e deri në këto ‘ditë të fundit’ të këtij sistemi, populli i Jehovait vazhdon të jetë objekt urrejtjeje dhe armiqësie. (2 Timoteut 3:1) Në çdo cep të tokës, nën regjimet diktatoriale dhe në vendet demokratike, Dëshmitarët e Jehovait, në një kohë a në një tjetër, kanë pësuar përndjekje si individë dhe si grup.
Pse i urrejnë e i përndjekin?
13. Çfarë duhet të mbajnë në mendje shërbëtorët e Jehovait të ditëve të sotme në lidhje me përndjekjen?
13 Ndonëse shumica prej nesh sot gëzojmë njëfarë lirie për të predikuar dhe për t’u mbledhur paqësisht, duhet t’ia vëmë veshin përkujtuesit biblik që «skena e kësaj bote po ndryshon». (1 Korintasve 7:31) Gjërat mund të ndryshojnë kaq shpejt, saqë nëse nuk jemi të përgatitur mendërisht, emocionalisht dhe frymësisht, mund të pengohemi lehtë. Atëherë, çfarë mund të bëjmë për t’u mbrojtur? Mbrojtja më e mirë është të mbajmë qartë në mendje pse i urrejnë dhe i përndjekin të krishterët paqedashës e që i binden ligjit.
14. Çfarë tha Pjetri për arsyen pse përndiqeshin të krishterët?
14 Apostulli Pjetër komentoi për këtë çështje në letrën e tij të parë, që e shkroi rreth viteve 62-64 të e.s., kur të krishterët anembanë Perandorisë Romake po hasnin sprova dhe përndjekje. Ai tha: «Të dashur, mos t’ju vijë çudi për zjarrin që djeg mes jush, i cili po ju ndodh si sprovë, thua se po ju ngjet një gjë e çuditshme.» Për të shpjeguar se për çfarë e kishte fjalën, Pjetri tha më tej: «Askush nga ju le të mos vuajë si vrasës, a hajdut, a keqbërës, a si dikush që fut hundët në punët e të tjerëve. Por nëse vuan si i krishterë, le të mos e ketë për turp, por le të vazhdojë t’i japë lavdi Perëndisë në këtë emër.» Pjetri tregoi se ata po vuanin, jo sepse kishin kryer ndonjë keqbërje, por sepse ishin të krishterë. Po të ishin zhytur në ‘të njëjtin batak shfrenimi’ si njerëzit përreth tyre, ata do t’i kishin mirëpritur dhe pranuar. Por në të vërtetë vuanin, sepse përpiqeshin të përmbushnin rolin e tyre si ithtarë të Krishtit. Gjendja është e njëjtë për të krishterët e vërtetë sot.—1 Pjetrit 4:4, 12, 15, 16.
15. Çfarë kontradikte shihet në mënyrën si trajtohen Dëshmitarët e Jehovait sot?
15 Në shumë vende të botës Dëshmitarët e Jehovait i lavdërojnë publikisht për unitetin dhe bashkëpunimin që shfaqin gjatë kongreseve dhe ndërtimit të objekteve të adhurimit, për ndershmërinë dhe zellin, për sjelljen morale shembullore e për jetën familjare, si edhe për paraqitjen dhe sjelljen e shëndoshë.a Nga ana tjetër, në kohën kur po shkruhej ky artikull, vepra e tyre ishte e ndaluar ose e kufizuar në të paktën 28 vende. Gjithashtu shumë Dëshmitarë pësojnë keqtrajtime fizike e humbje materiale për shkak të besimit. Pse ekziston një kontradiktë e tillë e dukshme? Dhe pse e lejon Perëndia këtë?
16. Cila është arsyeja kryesore që Perëndia e lejon popullin e tij të përndiqet?
16 Para së gjithash duhet të mbajmë në mendje atë që thuhet te Fjalët e urta 27:11: «Biri im, ji i urtë dhe gëzo zemrën time, kështu do të mund t’i përgjigjem atij që përflet kundër meje.» Po, është për shkak të çështjes së lashtë të sovranitetit universal. Edhe pse ka një mal me dëshmi të siguruara nga ata që e kanë treguar integritetin ndaj Jehovait gjatë shekujve, Satanai nuk ka pushuar së talluri Jehovain, siç bëri në ditët e njeriut të drejtë Job. (Jobi 1:9-11; 2:4, 5) Pa dyshim, në orvatjet e fundit për të provuar pretendimin e tij, Satanai është bërë më i tërbuar tani që Mbretëria e Perëndisë është vendosur patundshmërisht me nënshtetasit dhe përfaqësuesit e saj besnikë anembanë tokës. A do të qëndrojnë besnikë ndaj Perëndisë këta, pavarësisht se çfarë mundimesh dhe vështirësish mund të hasin? Kjo është një pyetje së cilës çdo shërbëtor i Jehovait duhet t’i përgjigjet personalisht.—Zbulesa 12:12, 17.
17. Çfarë donte të thoshte Jezui me fjalët «kjo do të dalë si dëshmi nga ana juaj»?
17 Kur po u fliste dishepujve për ngjarjet që do të ndodhnin gjatë «përfundimit të sistemit», Jezui tregoi një arsye tjetër pse Jehovai lejon që shërbëtorët e tij të hasin përndjekje. Ai u tha atyre: «Do t’ju detyrojnë të shkoni përpara mbretërve dhe guvernatorëve për hir të emrit tim. Kjo do të dalë si dëshmi nga ana juaj.» (Mateu 24:3, 9; Luka 21:12, 13) Vetë Jezui dha dëshmi përpara Herodit dhe Ponc Pilatit. Edhe apostullin Pavël ‘e detyruan të shkonte përpara mbretërve dhe guvernatorëve’. I drejtuar nga Zotëria Jezu Krisht, Pavli u përpoq t’i jepte dëshmi sundimtarit më të fuqishëm të kohës, kur tha: «Unë i apelohem Cezarit!» (Veprat 23:11; 25:8-12) Po kështu edhe sot, situatat me sprova shpesh kanë çuar në dhënien e një dëshmie të shkëlqyer qeveritarëve dhe publikut.b
18, 19. (a) Si nxjerrim dobi kur përballojmë përndjekje? (b) Cilat pyetje do të shqyrtohen në artikullin vijues?
18 Së fundi, kur përballojmë sprova dhe shtrëngime, kjo mund t’i sjellë dobi secilit prej nesh. Në ç’mënyrë? Dishepulli Jakov u kujtoi të bashkëkrishterëve: «Konsiderojeni veçse gëzim, vëllezërit e mi, kur hasni sprova të ndryshme, duke e ditur se kjo cilësi e sprovuar e besimit tuaj prodhon qëndrueshmëri.» Po, përndjekja mund të na rafinojë besimin dhe të na forcojë qëndrueshmërinë. Prandaj nuk i frikësohemi përndjekjes, dhe as nuk kërkojmë mjete jobiblike për t’iu shmangur ose për t’i dhënë fund asaj. Përkundrazi, i vëmë veshin këshillës së Jakovit: «Qëndrueshmëria le ta kryejë plotësisht punën e saj, që ju të jeni të plotë dhe të përkryer në çdo aspekt, duke mos ju munguar asgjë.»—Jakovit 1:2-4.
19 Edhe pse Fjala e Perëndisë na ndihmon të kuptojmë pse përndiqen shërbëtorët besnikë të Perëndisë dhe pse e lejon këtë Jehovai, kjo gjë nuk e bën medoemos më të lehtë për ta duruar përndjekjen. Çfarë mund të na forcojë për t’i bërë ballë asaj? Çfarë mund të bëjmë kur hasim përndjekje? Këto çështje të rëndësishme do t’i shqyrtojmë në artikullin vijues.
[Shënimet]
a Shih Kullën e Rojës 15 dhjetor 1995, faqet 27-29; 15 korrik 1994, faqet 16-17 dhe Zgjohuni! 22 dhjetor 1993, faqet 6-13, anglisht.
b Shih Zgjohuni! 8 janar 2003, faqet 3-11.
A mund të shpjegoni?
• Kryesisht në ç’kuptim ishte martir Jezui?
• Çfarë ndikimi pati përndjekja te të krishterët e shekullit të parë?
• Pse përndiqeshin të krishterët e hershëm, siç shpjegohet nga Pjetri?
• Për cilat arsye Jehovai lejon që shërbëtorët e tij të hasin përndjekje?
[Figurat në faqet 10, 11]
Të krishterët e shekullit të parë vuajtën, jo sepse kishin kryer ndonjë keqbërje, por ngaqë ishin të krishterë
PAVLI
GJONI
ANTIPA
JAKOVI
STEFANI