Kapitulli 124
E dorëzojnë dhe e çojnë larg
KUR Pilati, i prekur nga dinjiteti i qetë i Jezuit të torturuar, përpiqet përsëri ta lirojë atë, krerët e priftërinjve inatosen edhe më shumë. Ata janë të vendosur të mos lejojnë asnjë gjë që t’i pengojë në qëllimin e tyre të lig. Prandaj fillojnë përsëri të bërtasin: «Vëre në shtyllë! Vëre në shtyllë!»—BR.
«Merreni vetë dhe vëreni në shtyllë»,—përgjigjet Pilati. (BR) (Ndryshe nga sa kanë pohuar më parë, judenjtë mund të kenë autoritet për të ekzekutuar fajtorët për krime me natyrë fetare që janë mjaft të rënda.) Pastaj, të paktën për të pestën herë, Pilati e deklaron Jezuin të pafajshëm, duke thënë: «Unë nuk gjej në të asnjë faj.»
Kur shohin se akuzat e tyre politike nuk kanë dhënë rezultat, judenjtë i rikthehen akuzës fetare për blasfemi, të cilën e përdorën disa orë më parë gjatë gjykimit të Jezuit para Sinedrit. «Ne kemi një ligj,—thonë ata,—dhe sipas ligjit tonë ai duhet të vdesë, sepse e bëri veten Bir të Perëndisë.»
Kjo akuzë është e re për Pilatin dhe bën që ai të frikësohet edhe më tepër. Tani, ai e kupton se Jezui nuk është një njeri i zakonshëm, ashtu siç tregojnë edhe ëndrra e gruas së tij dhe forca e jashtëzakonshme e personalitetit të Jezuit. Por, ‘Biri i Perëndisë’? Pilati di se Jezui është nga Galilea. Megjithatë, a është e mundur që të ketë jetuar edhe më parë? Pasi e merr Jezuin përsëri në pallat, Pilati e pyet: «Nga je ti?»
Jezui qëndron i heshtur. Pak më parë ai i kishte thënë Pilatit se është mbret, por i një Mbretërie që nuk është pjesë e kësaj bote. Tani, çdo shpjegim tjetër do të ishte i kotë. Mirëpo, refuzimi i Jezuit për t’u përgjigjur prek krenarinë e Pilatit dhe ai shpërthen me zemërim ndaj Jezuit duke i thënë: «Nuk po më flet? A nuk e di ti se unë kam autoritet të të liroj dhe kam autoritet të të vë në shtyllë?»—BR.
«Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi mua, po të mos të qe dhënë prej së larti»,—përgjigjet Jezui me respekt. Ai i referohet autoritetit që Perëndia u jep sundimtarëve njerëzorë për të administruar çështjet tokësore. Jezui shton: «Prandaj, ai që më dorëzoi tek ti ka faj më të madh.» Në të vërtetë, kryeprifti Kajafa dhe bashkëfajtorët e tij, si dhe Judë Iskarioti, mbajnë të gjithë një përgjegjësi më të madhe sesa Pilati për trajtimin e padrejtë të Jezuit.
I prekur akoma më shumë nga Jezui dhe me frikën se mos Jezui ka origjinë hyjnore, Pilati bën edhe një herë përpjekje për ta liruar Jezuin. Por judenjtë e kundërshtojnë Pilatin. Ata përsëritin akuzën e tyre politike, duke kërcënuar me dinakëri: «Po e lirove këtë, nuk je mik i Cezarit; kush e bën veten mbret i kundërvihet Cezarit.»
Pavarësisht nga pasojat e rënda të mundshme, Pilati e nxjerr jashtë Jezuin edhe një herë. «Ja mbreti juaj»,—thotë ai duke bërë thirrje përsëri.
«Hiqe prej këtej! Hiqe prej këtej! Vëre në shtyllë!»—BR.
«Ta vë në shtyllë mbretin tuaj?»—pyet i dëshpëruar Pilati.—BR.
Judenjtë janë të acaruar nën sundimin e romakëve. Në të vërtetë ata e urrejnë zgjedhën romake! Megjithatë, me hipokrizi, krerët e priftërinjve thonë: «Ne s’kemi mbret tjetër përveç Cezarit!»
Duke pasur frikë për reputacionin dhe pozitën e tij politike, Pilati kapitullon përpara kërkesave të vazhdueshme të judenjve. Ai e dorëzon Jezuin. Ushtarët ia heqin mantelin ngjyrë vjollcë Jezuit dhe i veshin rrobat e tij. Ndërsa e marrin për ta vënë në shtyllë, ata e detyrojnë të bartë shtyllën e vet të mundimeve.
Tani ka kaluar mëngjesi i së premtes, 14 nisan e ndoshta po afrohet mesdita. Jezui nuk ka fjetur që prej mëngjesit të së enjtes dhe ka kaluar një sërë përvojash të mundimshme njëra pas tjetrës. Është e kuptueshme që nën peshën e shtyllës, Jezuin shpejt e lënë fuqitë. Prandaj, një kalimtar, njëfarë Simoni nga Kirena e Afrikës, detyrohet të bartë shtyllën në vend të tij. Ndërsa ata vazhdojnë rrugën, shumë njerëz, përfshirë edhe gra, u shkojnë pas duke goditur veten nga dhimbja e duke vajtuar për Jezuin.
Atëherë, Jezui u drejtohet grave dhe u thotë: «Bija të Jerusalemit, pushoni së qari për mua. Përkundrazi, qani për veten dhe për fëmijët tuaj, sepse ja, po vijnë ditët në të cilat njerëzit do të thonë: ‘Të lumtura janë gratë shterpa dhe barqet që nuk lindën, dhe gjinjtë që nuk mëndën! . . . Sepse nëse i bëjnë këto gjëra kur pema është e njomë, çfarë do të ndodhë kur të jetë e tharë?»—BR.
Jezui i referohet pemës së kombit jude, e cila ka akoma pak njomësi jete në vetvete, për shkak të pranisë së Jezuit dhe të ekzistencës së një mbetjeje njerëzish që beson në të. Por, kur këta të veçohen nga kombi, do të mbetet veçse një pemë e vdekur frymësisht, po, një organizatë kombëtare e tharë. Oh, çfarë shkaku për vajtim që do të ketë, kur ushtritë romake, duke shërbyer si ekzekutuesit e Perëndisë, të shkretojnë kombin jude! Gjoni 19:6-17; 18:31; Luka 23:24-31; Mateu 27:31, 32; Marku 15:20, 21.
▪ Çfarë akuze ngrenë krerët fetarë kundër Jezuit kur akuzat e tyre politike nuk japin rezultat?
▪ Përse frikësohet akoma më tepër Pilati?
▪ Cilët janë më shumë fajtorë për atë që i ndodh Jezuit?
▪ Si arrijnë më në fund priftërinjtë ta detyrojnë Pilatin që të dorëzojë Jezuin për t’u ekzekutuar?
▪ Çfarë u thotë Jezui grave që vajtojnë për të dhe çfarë do të thotë ai kur i referohet pemës njëherë si «e njomë», pastaj si «e tharë»?