Pikëpamja e krishterë për autoritetin
«Nuk ka pushtet veçse nga Perëndia.»—ROMAKËVE 13:1, BR.
1. Nga vjen fjala «autoritet» dhe përse mund të thuhet se Jehovai është Autoriteti Suprem?
AUTORITETI lidhet me aftësinë për të krijuar. Fjala «autoritet» vjen nga fjala «autor», e cila do të thotë «ai që bën të lindë, krijon apo i jep jetë diçkaje». Supremi që i dha jetë gjithë krijimit, me frymë dhe pa frymë, është Perëndia Jehova. Të krishterët e vërtetë përhapin ndjenjat e krijesave qiellore që deklarojnë: «Ti je i denjë, o Zot, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjërat dhe nëpërmjet vullnetit tënd ekzistojnë dhe u krijuan.»—Zbulesa 4:11.
2. Përse mund të thuhet se në njëfarë kuptimi sundimtarët e hershëm njerëzorë e pranonin se nuk kishin të drejtën e lindur për të sunduar mbi njerëzit e tjerë dhe çfarë i tha Jezui Poncie Pilatit?
2 Vetë fakti se shumë sundimtarë të hershëm njerëzorë e kanë përligjur autoritetin e tyre, duke deklaruar se ishin perëndi apo përfaqësuesit e një perëndie, ishte një pranim i heshtur se asnjë njeri nuk gëzon të drejtën e lindur për të sunduar mbi njerëzit e tjerë.a (Jeremia 10:23) I vetmi burim legjitim i autoritetit është Perëndia Jehova. Krishti i tha Poncie Pilatit, qeveritarit romak të Judesë: «Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi mua, po të mos të qe dhënë prej së larti.»—Gjoni 19:11.
«Nuk ka pushtet veçse nga Perëndia»
3. Çfarë tha apostulli Pavël për «autoritetet më të larta» dhe çfarë pyetjesh lindin nga deklaratat e Jezuit dhe Pavlit?
3 Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve që jetonin nën sundimin e perandorisë romake: «Çdo shpirt t’i nënshtrohet autoriteteve më të larta, sepse nuk ka pushtet veçse nga Perëndia; autoritetet e tanishme janë vënë në vendet e tyre nga Perëndia.» (Romakëve 13:1, BR) Çfarë donte të thoshte Jezui kur deklaroi se autoriteti i ishte dhënë Pilatit ‘nga lart’? Në ç’kuptim sipas Pavlit autoritetet politike të ditëve të tij ishin vendosur në pozitat e tyre nga Perëndia? Mos donin të thoshin se për emërimin e çdo qeveritari politik në botë, përgjegjësia binte personalisht mbi Jehovain?
4. Si e quajtën Satanain Jezui dhe Pavli dhe cilin pohim të Satanait Jezui nuk e mohoi?
4 Si mund të jetë kështu, kur Jezui e quajti Satanain «sundimtarin e kësaj bote» dhe apostulli Pavël i dha emrin «perëndia i këtij sistemi gjërash»? (Gjoni 12:31; 16:11; 2. Korintasve 4:4) Për më tepër, kur e tundoi Jezuin, Satanai i ofroi atij «pushtet» mbi «të gjitha mbretëritë e tokës së banuar», duke pohuar se ky autoritet i ishte dhënë atij. Jezui e hodhi poshtë ofertën e tij, por ama nuk e mohoi se Satanai kishte një autoritet të tillë.—Luka 4:5-8.
5. (a) Si duhen kuptuar fjalët e Jezuit dhe të Pavlit për autoritetet njerëzore? (b) Në ç’kuptim autoritetet më të larta «janë vënë në vendet e tyre nga Perëndia»?
5 Jehovai i lejoi Satanait të sundonte mbi këtë botë, duke i dhënë mundësi që të jetonte pas rebelimit të tij edhe pasi kishte tunduar Adamin dhe Evën, duke i nxitur ata të rebeloheshin kundër sovranitetit të Tij. (Zanafilla 3:1-6; krahaso Të Dalët 9:15, 16.) Prandaj, fjalët e Jezuit dhe të Pavlit do të thoshin se pasi çifti i parë njerëzor në Eden hodhi poshtë teokracinë apo sundimin e Perëndisë, Jehovai u lejoi njerëzve tashmë të larguar prej tij që të krijonin struktura të bazuara mbi autoritetin, që do t’u jepnin mundësi atyre të jetonin në një shoqëri të rregullt. Ndonjëherë, për të plotësuar qëllimin e tij, Jehovai ka bërë që disa sundimtarë apo qeveri të rrëzohen. (Danieli 2:19-21) Ndërsa herë të tjera i ka lejuar të qëndrojnë në pushtet. Prandaj, për sundimtarët, ekzistencën e të cilëve Jehovai e ka duruar, mund të thuhet se «janë vënë në vendet e tyre nga Perëndia».
Të krishterët e hershëm dhe autoritetet romake
6. Si i konsideronin të krishterët e parë autoritetet romake dhe përse?
6 Të krishterët e hershëm nuk u bashkuan me sektet judaike që komplotonin dhe luftonin kundër romakëve që pushtuan Izraelin. Në atë masë që autoritetet romake me sistemin e tyre ligjor të kodifikuar, mbanin rregullin në tokë dhe në det; ndërtonin ujësjellës të nevojshëm, rrugë dhe ura; dhe në përgjithësi i bënin për të mirën e të gjithëve, të krishterët i konsideronin si ‘të dërguarit [ose «shërbëtorët», shënimi] e Perëndisë për të mirën e tyre’. (Romakëve 13:3, 4) Ligji dhe rregulli krijonin një ambient të tillë që u jepte mundësi të krishterëve të predikonin lajmin e mirë gjithandej, siç urdhëroi Jezui. (Mateu 28:19, 20) Me ndërgjegje të pastër, ata mund të paguanin taksat e vëna nga romakët, madje edhe kur paraja përdorej për qëllime të pamiratuara nga Perëndia.—Romakëve 13:5-7.
7, 8. (a) Çfarë zbulon një lexim i vëmendshëm i Romakëve 13:1-7 dhe çfarë tregon konteksti? (b) Në cilat kushte autoritetet romake nuk vepruan si «shërbëtorë të Perëndisë» dhe çfarë qëndrimi morën në këtë rast të krishterët e hershëm?
7 Një lexim i kujdesshëm i shtatë vargjeve të para të kapitullit të 13 të Romakëve, nxjerr në pah se «pushtetet më të larta» politike ishin «shërbëtorë të Perëndisë», për të lavdëruar ata që bënin të mirën dhe për të ndëshkuar ata që bënin të keqen. Konteksti tregon se Perëndia vendoste se çfarë ishte e mirë e çfarë ishte e keqe dhe jo autoritetet e larta. Prandaj, në qoftë se perandori romak apo autoritetet e tjera politike kërkonin gjëra që Perëndia i ndalonte apo në të kundërtën ndalonin gjëra që Perëndia i kërkonte, nuk vepronin më si shërbëtorë të Perëndisë. Jezui tha: «Jepini . . . Çesarit gjërat e Çesarit, ndërsa Perëndisë gjërat e Perëndisë.» (Mateu 22:21, BR) Në qoftë se shteti romak kërkonte gjëra që i përkisnin Perëndisë, të tilla si adhurimi apo jeta e dikujt, të krishterët e vërtetë ndiqnin këshillën apostolike: «Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve.»—Veprat 5:29.
8 Mospranimi nga të krishterët e hershëm për të marrë pjesë në adhurimin e perandorit dhe në idhujtari, për të hequr dorë nga mbledhjet e krishtere dhe për të ndaluar predikimin e lajmit të mirë solli mbi ta persekutime. Në përgjithësi, mendohet se apostulli Pavël u ekzekutua me urdhër të perandorit Neron. Edhe perandorët e tjerë, veçanërisht Domiciani, Marko Aurelio, Septimius Severus, Decius dhe Dioklecian i persekutuan të krishterët e hershëm. Kur këta perandorë dhe autoritetet e tyre vartëse persekutonin të krishterët, ata me siguri nuk vepronin si «shërbëtorë të Perëndisë».
9. (a) Cila e vërtetë nuk ndryshon lidhur me autoritetet e larta politike dhe nga kush e merr fuqinë dhe autoritetin bisha politike? (b) Çfarë mund të thuhet logjikisht për nënshtrimin e krishterë ndaj autoriteteve më të larta?
9 E gjithë kjo shërben për të ilustruar se ndërkohë që autoritetet më të larta politike shërbejnë në disa aspekte si «rregullime të Perëndisë», për të mbajtur një shoqëri të rregullt njerëzore, përsëri mbeten pjesë e sistemit botëror të gjërave, perëndi i të cilit është Satanai. (1. Gjonit 5:19) Ata i përkasin organizatës politike mbarëbotërore që në Zbulesën 13:1, 2 simbolizohet nga «bisha e egër». Kjo bishë merr fuqi dhe autoritet nga «kuçedra e madhe», Satana Djalli. (Zbulesa 12:9) Prandaj, është e logjikshme që nënshtrimi i krishterë ndaj këtyre autoriteteve është relativ dhe jo absolut.—Krahaso Danieli 3:16-18.
Respekt i duhur për autoritetet
10, 11. (a) Si tregoi Pavli se duhet të kemi respekt ndaj njerëzve që ushtrojnë autoritet? (b) Si dhe pse mund të bëhen lutje «lidhur me mbretërit dhe të gjithë ata që janë në pozita të larta»?
10 Megjithatë, kjo nuk do të thotë se të krishterët duhet të adoptojnë qëndrime të pacipa e mospërfillëse ndaj autoriteteve të larta politike. Vërtet, duke parë jetën e tyre private apo publike, shumë prej këtyre njerëzve nuk janë të denjë për respekt. Megjithatë, me anë të shembullit dhe këshillave të tyre, apostujt treguan se për njerëzit që ushtrojnë autoritet duhet të tregojmë respekt. Kur Pavli doli para mbretit gjaknxehtë, Herod Agripa II, ai iu drejtua atij me respektin e duhur.—Veprat 26:2, 3, 25.
11 Madje Pavli tha se është e përshtatshme t’i përmendim autoritetet botërore në lutjet tona, veçanërisht kur duhet të marrin vendime që ndikojnë mbi jetën dhe aktivitetin tonë të krishterë. Ai shkroi: «Të bëj thirrje, pra, para së gjithash, që të bëhen përgjërime, lutje, ndërhyrje dhe falënderime për të gjithë njerëzit, për mbretërit e për ata që janë në pushtet, që të mund të shkojnë një jetë të qetë dhe të paqtë me çdo perëndishmëri dhe nder. Sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyer përpara Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, i cili dëshiron që të gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës.» (1. Timoteut 2:1-4) Falë qëndrimit tonë të respektueshëm, këto autoritete mund të na lejojnë ta kryejmë më lirshëm veprën tonë për të shpëtuar «të gjithë njerëzit».
12, 13. (a) Çfarë këshille të ekuilibruar dha Pjetri për autoritetet? (b) Si mund të kundërveprojmë ndaj «paditurisë së njerëzve të pamend» që kanë paragjykime kundër Dëshmitarëve të Jehovait?
12 Apostulli Pjetër shkroi: «Nënshtrohuni, pra, për hir të Zotit, çdo pushteti njerëzor, qoftë mbretit, si më të lartit, qoftë qeveritarëve, si të dërguar prej tij për të ndëshkuar keqbërësit dhe për të lavdëruar ata që bëjnë të mirën, sepse ky është vullneti i Perëndisë, që ju, duke bërë mirë, t’ia mbyllni gojën paditurisë së njerëzve të pamend. Silluni si njerëz të lirë, por jo duke përdorur lirinë si një pretekst për të mbuluar ligësinë, por si shërbëtorë të Perëndisë. Nderoni të gjithë, doni vëllazërinë, druani Perëndinë, nderoni mbretin.» (1. Pjetrit 2:13-17) Këshillë vërtet e drejtpeshuar! Duhet të tregojmë nënshtrim absolut ndaj Perëndisë si skllevërit e tij dhe nënshtrim të respektueshëm e relativ ndaj autoriteteve politike të dërguara për të ndëshkuar keqbërësit.
13 Është zbuluar se shumë autoritete të botës kanë konceptet më të çuditshme dhe më të gabuara për Dëshmitarët e Jehovait. Zakonisht kjo ndodh, sepse janë keqinformuar nga armiqtë e ligj të popullit të Perëndisë. Ndoshta gjithçka që dinë për ne, e kanë mësuar nga mjetet informative, që nuk janë gjithmonë asnjanëse. Shpesh, mund të fitojmë mbi këto paragjykime me qëndrimin tonë të respektueshëm dhe nëse është e mundur, duke u bërë këtyre autoriteteve një përshkrim të saktë të veprës dhe bindjeve të Dëshmitarëve të Jehovait. Për zyrtarët që janë shumë të zënë, broshura Dëshmitarët e Jehovait në shekullin e njëzetë (angl.) siguron shpjegime të përmbledhura. Për informacione më të plota mund të jepet libri Dëshmitarët e Jehovait—Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë (angl.), një mjet i shkëlqyeshëm që meriton të ketë një vend në bibliotekat publike, lokale e kombëtare.
Autoriteti në familjet e krishtere
14, 15. (a) Cila është baza e autoritetit në një familje të krishterë? (b) Cili duhet të jetë qëndrimi i bashkëshorteve të krishtere kundrejt burrave të tyre dhe përse?
14 Është e dukshme se nëse Perëndia kërkon që të krishterët të tregojnë respektin e duhur për autoritetet botërore, ngjashëm ata duhet të respektojnë strukturën e autoritetit të vendosur nga Perëndia brenda familjeve të krishtere. Apostulli Pavël theksoi me pak fjalë parimin e autoritetit që është në veprim mes popullit të Jehovait. Ai shkroi: «Dua që të dini se kreu i çdo njeriu është Krishti, edhe kreu i gruas është burri; edhe kreu i Krishtit është Perëndia.» (1. Korintasve 11:3) Ky është parimi i teokracisë apo i sundimit të Perëndisë. Çfarë përfshin ai?
15 Respekti për teokracinë fillon në familje. Një bashkëshorte e krishterë që nuk tregon respektin e duhur për autoritetin e burrit të saj—qoftë besimtar apo jo—nuk është teokratike. Pavli i këshilloi të krishterët: «Nënshtrojuni njëri-tjetrit nën frikën e Krishtit. Gratë t’u jenë të nënshtruara burrave të tyre si Zotërisë, sepse burri është kreu i gruas ashtu si Krishti është kreu i kongregacionit, pasi ai është shpëtimtari i këtij trupi. Në fakt, ashtu si kongregacioni i është nënshtruar Krishtit, të jenë edhe gratë ndaj burrave të tyre në çdo gjë.» (Efesianëve 5:21-24, BR) Ashtu si burrat e krishterë duhet t’i nënshtrohen autoritetit të Krishtit, edhe gratë e krishtere duhet të njohin mençurinë e nënshtrimit ndaj autoritetit të burrave të tyre dhënë nga Perëndia. Kjo do t’u sjellë kënaqësi të madhe dhe ajo që vlen më shumë, do të marrin bekimet e Jehovait.
16, 17. (a) Si mund ta ndajnë veten fëmijët e rritur në familjet e krishtere nga shumë të rinj sot dhe çfarë nxitje kanë ata? (b) Si ishte Jezui një shembull i shkëlqyer për të rinjtë sot dhe çfarë janë të inkurajuar të bëjnë?
16 Fëmijët teokratikë janë të lumtur kur tregojnë respektin e duhur për prindërit e tyre. Për gjeneratën e re gjatë ditëve të fundit, ishte parathënë se do të ishin «të pabindur ndaj prindërve». (2. Timoteut 3:1, 2) Por Fjala e frymëzuar e Perëndisë thotë për fëmijët e krishterë: «Ju bij, binduni prindërve në çdo gjë, sepse kjo është e pranueshme për Zotin.» (Kolosianëve 3:20) Respekti për autoritetin prindëror i pëlqen Jehovait dhe sjell bekimet e tij.
17 Rasti i Jezuit është një shembull. Tregimi i Lukës deklaron: «Ai zbriti me ta [prindërit e tij] dhe u kthye në Nazaret, ku vazhdoi t’u bindej atyre. . . . Jezui vazhdoi të rritej në mençuri, në shtat dhe në favor me Perëndinë dhe njerëzit.» (Luka 2:51, 52, BR) Në atë kohë Jezui ishte 12 vjeç dhe forma foljore greke e përdorur këtu, thekson se ai «vazhdoi t’u bindej» prindërve të tij. Prandaj, vazhdoi të ishte i bindur edhe kur ishte adoleshent. Nëse ju të rinj dëshironi të rriteni frymësisht dhe në favor me Perëndinë dhe njerëzit e devotshëm, tregoni respekt për autoritetin brenda dhe jashtë familjes.
Autoriteti brenda kongregacionit
18. Kush është Kreu i kongregacionit të krishterë dhe kujt i ka dhënë autoritet?
18 Duke folur për nevojën e rregullit në kongregacionin e krishterë, Pavli shkroi: «Perëndia nuk është shkaktues çrregullimi, por i paqes. . . . Të bëhet gjithçka me ndershmëri dhe në rregull.» (1. Korintasve 14:33, 40, ECM) Që të gjitha gjërat të vendosen me rregull, Krishti, Kreu i kongregacionit të krishterë, u ka besuar autoritet njerëzve besnikë. Për këtë lexojmë: «Dhe ai vetë i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues, për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit . . . por, duke thënë të vërtetën me dashuri të rritemi në çdo gjë drejt atij që është kreu, Krishti.»—Efesianëve 4:11, 12, 15.
19. (a) Cilin ka caktuar Krishti mbi gjithë pasurinë e tij tokësore dhe kujt i ka dhënë autoritet të veçantë? (b) Si jepet autoriteti në kongregacionin e krishterë dhe çfarë kërkon kjo nga ana jonë?
19 Në këtë kohë të fundit, Krishti ka caktuar klasën e «skllavit besnik dhe të matur» mbi «të gjithë pasurinë e tij» apo interesat e Mbretërisë në tokë. (Mateu 24:45-47) Ashtu si në shekullin e parë, ky skllav është përfaqësuar nga trupi udhëheqës i të krishterëve të mirosur, të cilëve Jezui u kishte dhënë autoritet për të marrë vendime dhe për të emëruar mbikëqyrës të tjerë. (Veprat 6:2, 3; 15:2) Nga ana e tij, Trupi Udhëheqës i jep autoritet Komitetit të degës, mbikëqyrësve krahinorë e qarkorë dhe pleqve në secilin nga më shumë se 73.000 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait në të gjithë tokën. Të gjithë këta të krishterë të devotshëm meritojnë mbështetjen dhe respektin tonë.—1. Timoteut 5:17.
20. Cili shembull tregon se Jehovai është i pakënaqur nga ata që tregojnë mungesë respekti ndaj bashkë të krishterëve që ushtrojnë autoritet?
20 Lidhur me respektin që duhet të tregojmë ndaj atyre që ushtrojnë autoritet brenda kongregacionit të krishterë, mund të bëhet një krahasim interesant me nënshtrimin që duhet të tregojmë ndaj autoriteteve botërore. Kur dikush shkel një ligj njerëzor që Jehovai e miraton, ndëshkimi i marrë nga «ata që qeverisin» është në fakt një shprehje indirekte e zemërimit të Perëndisë «mbi atë që bën të keqen». (Romakëve 13:3, 4) Nëse Jehovai zemërohet kur dikush thyen ligjet njerëzore dhe nuk tregon respektin e duhur ndaj autoriteteve të botës, sa më shumë do të ndiejë pakënaqësi, nëse një i krishterë i dedikuar shkel parimet biblike dhe nuk tregon respekt për bashkë të krishterët që ushtrojnë autoritet!
21. Cilën këshillë nga Shkrimet jemi të gëzuar të ndjekim dhe çfarë do të shqyrtohet në artikullin vijues?
21 Në vend që të ngjallim pakënaqësi tek Perëndia duke adoptuar një qëndrim rebel dhe të pavarur, ne ndjekim këshillën e Pavlit drejtuar të krishterëve në Filipi: «Prandaj, të dashurit e mi, ashtu sikur keni qenë gjithnjë të bindur jo vetëm kur isha i pranishëm, por edhe më shumë tani që jam larg, punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje, sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij. Bëni çdo gjë pa u ankuar dhe pa kundërshtime, që të jeni të paqortueshëm dhe të pastër, bij të Perëndisë pa të meta në mes të një brezi të padrejtë dhe të çoroditur, në mes të të cilit ju ndriçoni si pishtarë në botë.» (Filipianëve 2:12-15) Në dallim me gjeneratën e tanishme të pandershme dhe të çoroditur që ka vënë në diskutim konceptin e autoritetit, populli i Jehovait me gatishmëri i nënshtrohet autoritetit. Në këtë mënyrë, ata marrin bekime të mëdha, siç do të shohim në artikullin vijues.
[Shënimi]
a Shiko artikullin e mëparshëm.
Pyetje për t’u rishikuar
◻ Kush është Autoriteti Suprem dhe përse autoriteti i tij është legjitim?
◻ Në ç’kuptim autoritetet më të larta «janë vënë në vendet e tyre nga Perëndia»?
◻ Kur autoritetet më të larta nuk janë më «shërbëtorë të Perëndisë»?
◻ Çfarë strukture e bazuar mbi autoritetin ekziston brenda familjeve të krishtere?
◻ Si jepet autoriteti në kongregacionet e krishtere?
[Figurat në faqen 18]
Jezui tha: «Jepini Çesarit gjërat e Çesarit.»