Gjyqi më famëkeq që është mbajtur ndonjëherë
PAK raste gjyqësore që nga lashtësia, për të mos thënë asnjë, janë kaq të njohura. Katër tregime biblike të ndara, të quajtura ungjij, tregojnë hollësi për arrestimin, gjyqin dhe ekzekutimin e Jezu Krishtit. Pse duhet të të interesojë kjo? Sepse Jezui u tha dishepujve të kremtonin vdekjen e tij, dhe kjo e bën mjaft të rëndësishëm gjyqin që çoi drejt saj; sepse duhet të dimë nëse akuzat kundër Jezuit ishin të vërteta dhe sepse sakrifica e Jezuit, duke ofruar vullnetarisht jetën, ka rëndësi jetësore për ne dhe për të ardhmen tonë.—Luka 22:19; Gjoni 6:40.
Në kohën e gjyqit të Jezuit, Palestina qeverisej nga Roma. Romakët i linin autoritetet fetare judaike të vendit të zbatonin drejtësinë midis judenjve sipas ligjeve të tyre, por me sa duket nuk u jepej autoritet ligjor të ekzekutonin kriminelët. Prandaj, Jezuin e arrestuan armiqtë fetarë judenj, por e ekzekutuan romakët. Predikimi i tij i sikletosi kaq shumë udhëheqësit fetarë të asaj kohe, sa vendosën ta vritnin. Megjithatë donin që ekzekutimi i tij të dukej i ligjshëm. Duke shqyrtuar përpjekjet e tyre që të arrinin këtë përfundim, një profesor i Ligjit u nxit ta quante të gjithë atë që bënë «krimi më i errët në historinë e jurisprudencës».a
Njëra parregullsi pas tjetrës
Ligji që Moisiu i dha Izraelit është quajtur «sistemi më i madh dhe më i përparuar i jurisprudencës që është dekretuar ndonjëherë». Megjithatë, në ditët e Jezuit, rabinët fanatikë pas hollësive të ligjit i kishin shtuar atij një sërë rregullash jobiblike, shumë prej të cilave më vonë u dokumentuan te Talmudi, një vepër shpjeguese fetare për judenjtë. (Shih kutinë «Ligjet judaike në shekujt e parë» në faqen 20.) A përputhej gjyqi i Jezuit me këto kritere biblike dhe jobiblike?
A u arrestua Jezui nga dëshmia e ligjshme e dy dëshmitarëve para një gjykate, siç kërkohej për një krim të caktuar? Kështu duhej të veprohej, që arrestimi të ishte i ligjshëm. Në Palestinën e shekullit të parë, një jude që besonte se ishte thyer një ligj, e paraqiste akuzën në gjykatë gjatë seancave të rregullta. Gjykatat nuk mund të akuzonin vetë, por hetonin akuzat që u paraqiteshin. Procesi gjyqësor hapej vetëm me iniciativën e dëshmitarëve që mendonin se kishte ndodhur një krim. Procedurat ligjore fillonin kur dëshmitë e të paktën dy dëshmitarëve përputheshin për të njëjtin krim. Dëshmia e tyre përbënte akuzën, e cila çonte në arrestim. Nuk pranohej dëshmia e një dëshmitari të vetëm. (Ligji i përtërirë 19:15) Por në rastin e Jezuit, autoritetet judaike vetëm sa kërkuan një «mënyrë të efektshme» se si ta hiqnin qafe. E arrestuan kur u erdhi ‘një rast i volitshëm’—natën dhe «pa pasur turmë rreth e qark».—Luka 22:2, 5, 6, 53.
Kur e arrestuan Jezuin, nuk kishte asnjë akuzë kundër tij. Priftërinjtë dhe Sinedri, gjykata e lartë judaike, filluan të kërkonin dëshmitarë vetëm pasi e kishin arrestuar. (Mateu 26:59) Por nuk gjetën dot dy veta që u përputheshin dëshmitë. Megjithatë, nuk ishte detyra e gjykatës të kërkonte dëshmitarët. Dhe sipas avokatit dhe autorit A. Tejlor Ines, «të gjykosh dikë, veçanërisht me dënim me vdekje, pa e specifikuar më parë krimin për të cilin gjykohet, me të drejtë konsiderohet dhunim i ligjit».
Turma që arrestoi Jezuin, e çoi në shtëpinë e ish-kryepriftit, Hanait, i cili filloi ta pyeste. (Luka 22:54; Gjoni 18:12, 13) Mënyra si veproi Hanai shpërfilli rregullin për akuzat e dënimeve kapitale që duhej të trajtoheshin ditën, jo natën. Për më tepër, shqyrtimi i çështjes duhej të ndodhte në gjykatë me dyer të hapura e jo të mbyllura. I vetëdijshëm për paligjshmërinë e pyetjeve të Hanait, Jezui iu përgjigj: «Përse më pyet mua? Pyet ata që i kanë dëgjuar ato që u thashë. Shiko, këta e dinë çfarë thashë.» (Gjoni 18:21) Hanai duhej të hetonte dëshmitarët, jo të akuzuarin. Pohimi i Jezuit mund ta kishte shtyrë një gjykatës të ndershëm të respektonte procedurën e duhur, kurse Hanai as që interesohej për drejtësinë.
Përgjigja e Jezuit i solli një shuplakë nga njëri prej rojave, dhe kjo nuk ishte shfaqja e vetme e dhunës ndaj tij atë natë. (Luka 22:63; Gjoni 18:22) Ligji i dokumentuar te libri biblik i Numrave në kapitullin 35, që ka të bëjë me qytetet e strehimit, thotë se të akuzuarit duheshin mbrojtur nga keqtrajtimi derisa të përcaktohej faji i kryer. Jezuit duhej t’i ishte dhënë kjo mbrojtje.
Ata që e kapën Jezuin, më pas e çuan në shtëpinë e kryepriftit Kajafa, ku vazhdoi gjyqi i paligjshëm gjatë natës. (Luka 22:54; Gjoni 18:24) Atje, kundër gjithë parimeve të drejtësisë, priftërinjtë kërkuan «dëshmi të rreme kundër Jezuit, që ta vritnin», por nuk kishte dy dëshmi që përputheshin me atë që kishte thënë Jezui. (Mateu 26:59; Marku 14:56-59) Kështu që kryeprifti u përpoq ta bënte Jezuin të binte brenda me fjalët e veta. Ai e pyeti: «Pse s’thua ndonjë fjalë? Nuk e dëgjon ç’po dëshmojnë këta kundër teje?» (Marku 14:60) Kjo taktikë ishte krejt jashtë rregullave. Inesi, i përmendur më sipër, thotë: «T’i drejtoje pyetje të akuzuarit dhe ta bazoje dënimin te përgjigja e tij, ishte dhunim i drejtësisë ligjore.»
Ai grup i mbledhur më në fund shfrytëzoi një pohim që tha Jezui. Ata e pyetën: «A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?» Jezui u përgjigj: «Unë jam. Ju do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e të Fuqishmit dhe të vijë me retë e qiellit.» Këtë priftërinjtë e quajtën blasfemi dhe «të gjithë e gjykuan se meritonte vdekjen».—Marku 14:61-64.b
Sipas Ligjit të Moisiut, gjyqet duheshin bërë në publik. (Ligji i përtërirë 16:18; Rutha 4:1) Kurse ky ishte gjyq i fshehtë. Askush nuk u përpoq ose nuk u lejua të fliste në përkrahje të Jezuit. Nuk u bë asnjë hetim nëse pohimet e Jezuit se ishte Mesia ishin të vërteta. Jezui s’kishte asnjë mundësi të thërriste dëshmitarë që ta mbronin. Nuk kishte votim të rregullt midis gjykatësve për shpallje si fajtor ose të pafajshëm.
Para Pilatit
Ngaqë judenjtë me sa duket nuk kishin autoritet për të ekzekutuar Jezuin, e çuan te Ponc Pilati, guvernatori romak. Pyetja e parë e Pilatit ishte: «Ç’akuzë keni kundër këtij njeriu?» Duke e ditur se akuzat e tyre të rreme për blasfemi nuk do të thoshin asgjë për Pilatin, judenjtë u përpoqën që ai ta dënonte Jezuin pa e hetuar çështjen. Ata i thanë: «Po të mos ishte keqbërës ky njeri, nuk do të ta kishim dorëzuar.» (Gjoni 18:29, 30) Pilati e hodhi poshtë këtë argument duke i detyruar judenjtë të ngrinin një akuzë të re: «Këtë njeri e gjetëm duke kthyer përmbys kombin tonë, duke ndaluar njerëzit që t’i paguajnë taksat Cezarit dhe duke thënë për vete se është Krishti, mbreti.» (Luka 23:2) Kështu akuza për blasfemi, me dinakëri u kthye në akuzë për tradhti.
Akuza se ‘i ndalonte njerëzit që të paguanin taksat’ ishte e rreme dhe akuzuesit e dinin këtë. Jezui mësoi krejt të kundërtën. (Mateu 22:15-22) Sa për akuzën se Jezui e kishte bërë veten mbret, shpejt Pilati e pa se njeriu që kishte përpara nuk përbënte kërcënim për Romën. Ai shpalli: «Unë nuk gjej asnjë faj tek ai.» (Gjoni 18:38) Pilati qëndroi i bindur për këtë deri në fund të gjyqit.
Së pari, Pilati u përpoq ta lironte Jezuin duke i dhënë mundësi të përfitonte nga zakoni i lirimit të një të burgosuri gjatë Pashkës. Megjithatë, në fund Pilati liroi Barabën i cili ishte fajtor për kryengritje dhe vrasje.—Luka 23:18, 19; Gjoni 18:39, 40.
Guvernatori i Romës më pas u përpoq ta lironte Jezuin me anë të një kompromisi. Bëri ta fshikullonin, ta vishnin Jezuin me të purpurta, t’i vinin kurorë me gjemba dhe ta rrihnin e ta tallnin. Përsëri e shpalli Jezuin të pafajshëm. Ishte sikur Pilati t’u thoshte priftërinjve: «A nuk ju mjafton kaq?» Mbase shpresonte se pamja e një njeriu të batërdisur nga fshikullimi i romakëve do ta kënaqte dëshirën për hakmarrje ose do t’i bënte thirrje dhembshurisë së tyre. (Luka 23:22) Por kjo nuk ndodhi.
«Pilati kërkonte mënyrën se si ta lironte [Jezuin]. Por judenjtë bërtitën: ‘Po e lirove këtë njeri, nuk je mik i Cezarit. Kushdo që e bën veten mbret, flet kundër Cezarit.’» (Gjoni 19:12) Cezari i asaj kohe ishte Tiberi, një perandor me nam se ekzekutonte këdo që e konsideronte jobesnik—edhe zyrtarët e lartë. Pilati tashmë i kishte acaruar judenjtë, kështu që nuk mund të rrezikonte me ndonjë fërkim të mëtejshëm, e aq më pak me një akuzë jobesnikërie. Fjalët e turmës arritën deri në një kërcënim të maskuar—shantazh—dhe Pilati i trembej kësaj. Ai u dorëzua para presionit dhe bëri që Jezuin, një të pafajshëm, ta vinin në shtyllë.—Gjoni 19:16.
Një rishqyrtim i provave
Shumë komentues të ligjit kanë analizuar tregimet e ungjijve për gjyqin e Jezuit. Kanë arritur në përfundimin se ishte shtirje, shtrembërim i drejtësisë. Një avokat thotë: «Mënyra si filloi dhe mbaroi ai gjyq, si dhe dënimi që u dha zyrtarisht, midis mesnatës e mëngjesit, ishte një dhunim i formave dhe i rregullave të ligjit hebraik, si dhe i parimeve të drejtësisë.» Një profesor i ligjit thotë: «E gjithë procedura u përshkua nga një paligjshmëri kaq e madhe dhe parregullsi kaq flagrante, sa rezultati i tij mund të konsiderohet, as më shumë e as më pak, si vrasje nga ana e gjykatës.»
Jezui ishte i pafajshëm. Megjithatë e dinte se vdekja e tij ishte e nevojshme për shpëtimin e njerëzve të bindur. (Mateu 20:28) Kaq e madhe ishte dashuria e tij për drejtësinë, sa iu nënshtrua padrejtësisë më flagrante që është bërë ndonjëherë. Ai e bëri këtë për mëkatarë si ne. Këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë.
[Shënimet]
a Kishat e të ashtuquajturit krishterim janë fajtore sepse i kanë përdorur tregimet e ungjijve për vdekjen e Jezuit, që të ushqejnë ndjenja antijudaike. Por kjo ide as që afrohet me qëllimin e shkrimtarëve të ungjijve, të cilët ishin judenj për vete.
b Blasfemi quhej kur dikush përdorte pa respekt emrin hyjnor ose pretendonte se kishte fuqinë a autoritetin që i përkiste vetëm Perëndisë. Akuzuesit e Jezuit nuk dhanë prova se ai kishte bërë ndonjërën nga këto.
[Kutia dhe figura në faqen 20]
Ligjet judaike në shekujt e parë
Tradita gojore judaike, e hedhur me shkrim gjatë shekujve të parë të erës sonë, por që besohet se e ka origjinën shumë më herët, përfshinte rregullat e mëposhtme:
▪ Gjatë çështjeve për dënime kapitale, argumentet për pafajësi dëgjoheshin të parat
▪ Gjykatësit duhej të bënin çdo përpjekje që të shpëtonin të akuzuarin
▪ Gjykatësit mund të debatonin në mbrojtje të të akuzuarit, por jo kundër tij
▪ Dëshmitarët paralajmëroheshin për seriozitetin e rolit të tyre
▪ Dëshmitë e dëshmitarëve shqyrtoheshin veç e veç, jo në prani të ndonjë dëshmitari tjetër
▪ Dëshmia duhej të përkonte me të gjitha pikat kyçe, si: data, vendi, koha kur ndodhi ngjarja, etj
▪ Akuzat për dënime kapitale duheshin shqyrtuar ditën dhe të përfundonin po ditën
▪ Çështjet për dënime kapitale nuk mund të shqyrtoheshin një mbrëmje para sabatit ose ndonjë feste
▪ Çështjet për dënime kapitale mund të fillonin dhe të mbaronin në të njëjtën ditë nëse vendimi ishte në favor të të akuzuarit. Nëse ishte kundër tij, çështja përfundonte vetëm ditën tjetër, kur të shpallej vendimi dhe të ekzekutohej dënimi
▪ Çështjet për dënime kapitale gjykoheshin nga të paktën 23 gjykatës
▪ Gjykatësit votonin me radhë për të shfajësuar ose dënuar, duke filluar me më të riun. Skribët dokumentonin fjalët e atyre që donin ta shpallnin të pafajshëm dhe të atyre që donin ta shpallnin fajtor
▪ Pafajësia vendosej vetëm nga një votë më tepër, kurse dënimi nga dy vota më tepër. Nëse kishte vetëm një votë më tepër në favor të dënimit, shtoheshin dy gjykatës sipas nevojës, derisa të merrej një vendim i vlefshëm
▪ Vendimi për shpalljen fajtor, pa të paktën një gjykatës që t’i dilte në mbrojtje të akuzuarit, nuk ishte i vlefshëm, kurse një vendim unanim për shpalljen fajtor konsiderohej «shenjë komploti»
Paligjshmëri në gjyqin e Jezuit
▪ Gjykata nuk dëgjoi asnjë argument ose dëshmitar për shpalljen si i pafajshëm
▪ Askush nga gjykatësit s’u përpoq ta mbronte Jezuin; ishin armiq të tij
▪ Priftërinjtë kërkuan dëshmitarë të rremë që ta dënonin Jezuin me vdekje
▪ Çështja u shqyrtua natën me dyer të mbyllura
▪ Gjyqi filloi dhe mbaroi brenda ditës, mbrëmjen para një feste
▪ Para arrestimit të Jezuit, nuk kishte asnjë akuzë
▪ Pohimi i Jezuit se ishte Mesia, që u quajt «blasfemi», nuk u mor në shqyrtim
▪ Akuza u ndryshua kur çështjen e çuan para Pilatit
▪ Akuzat ishin të rreme
▪ Megjithëse Pilati nuk gjeti asnjë faj te Jezui, prapëseprapë lejoi që të ekzekutohej
[Kutia në faqen 22]
Dëshmitarët: Përgjegjës për gjakun e derdhur
Për sa i përket vlerës së jetës, gjykatat judaike u jepnin këtë paralajmërim dëshmitarëve në lidhje me çështjet për dënim kapital para se të jepnin dëshminë:
«Ndoshta qëllimi juaj është të jepni dëshmi bazuar në hamendje, në fjalët e thëna lart e poshtë ose në atë që keni dëgjuar nga dëshmitarë të tjerë; ose ndoshta mendoni: ‘E dëgjuam nga një njeri i besueshëm.’ Ose ndoshta s’e dini që në fund do t’ju hetojmë e do t’ju bëjmë një vlerësim të përshtatshëm duke ju marrë në pyetje dhe duke shqyrtuar dëshminë tuaj. Duhet ta dini se ligjet e gjyqit për çështjet e pronave ndryshojnë nga ligjet e gjyqit në lidhje me çështjet për dënim kapital. Në rastin e një gjyqi për çështje pronash, një individ paguan para dhe është i shlyer. Kurse në çështjet për dënim kapital, gjaku [i të akuzuarit] dhe gjaku i të gjithë atyre që do të ishin pasardhësit e tij [të dënuarit me pa të drejtë] do të bjerë kundër tij [atij që jep dëshmi të rreme] përgjithmonë.»—Talmudi babilonas, Sinedri, 37a.
Nëse i akuzuari shpallej fajtor, dëshmitarët duhej të vepronin si ekzekutues.—Levitiku 24:14; Ligji i përtërirë 17:6, 7.