Pyetje nga lexuesit
Jezui tha: «Kujt do t’ia falni mëkatet, do t’i jenë falur, kujt do t’ia mbani, do t’i jenë mbajtur.» A do të thonë këto fjalë se të krishterët mund të falin mëkatet?
Nuk ka ndonjë bazë biblike për të nxjerrë përfundimin se të krishterët në përgjithësi, apo madje edhe pleqtë e emëruar në kongregacione, kanë autoritetin hyjnor për të falur mëkatet. Por ajo që u tha Jezui dishepujve të tij në Gjonin 20:23, të cituar më lart, tregon se Perëndia u dha apostujve fuqi të veçantë në lidhje me këtë. Ndërkohë, deklarata e Jezuit sipas këtij shkrimi, mund të lidhet me atë që ai tha në Mateun 18:18 në lidhje me vendimet qiellore.
Të krishterët mund të falin disa ofendime në përputhje me këshillën e apostullit Pavël të shënuar në Efesianëve 4:32: «Jini të dashur me njëri-tjetrin, me dhembshuri të butë, duke e falur lirshëm njëri-tjetrin, ashtu si Perëndia ju fal lirshëm me anë të Krishtit.» (BR) Këtu Pavli po fliste rreth problemeve personale midis të krishterëve, të tilla si e folura e pakujdesshme. Ata duhet të përpiqen t’i zgjidhin këto çështje duke e falur njëri-tjetrin. Kujto fjalët e Jezuit: «Nëse ti, pra, po paraqet ofertën tënde te altari dhe atje kujtohesh se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre atje ofertën tënde para altarit dhe shko pajtohu më parë me vëllanë tënd; pastaj kthehu dhe paraqite ofertën tënde.»—Mateu 5:23, 24; 1. Pjetrit 4:8.
Megjithatë, konteksti i Gjonit 20:23 të lë të kuptosh se Jezui po u referohej më shumë mëkateve të rënda, siç tregohet nga diçka tjetër që ai i tha më vonë këtij auditori të veçantë. Le të shohim për ç’arsye.
Ditën që u ringjall, Jezui iu shfaq dishepujve në një dhomë të mbyllur. Tregimi thotë: «Pastaj Jezui u tha atyre përsëri: ‘Paqja me ju! Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.’ Dhe si tha këto fjalë, hukati mbi ta dhe tha: ‘Merrni Frymën e Shenjtë. Kujt do t’ia falni mëkatet, do t’i jenë falur, kujt do t’ia mbani, do t’i jenë mbajtur.’»—Gjoni 20:21-23.
Me sa duket dishepujt e përmendur ishin kryesisht apostujt besnikë. (Krahaso vargun 24.) Duke fryrë mbi ta dhe duke u thënë «merrni Frymën e Shenjtë», Jezui në mënyrë simbolike u dha atyre lajmin që së shpejti fryma e shenjtë do të derdhej mbi ta. Jezui vazhdoi t’u thoshte se ata do të kishin autoritet në lidhje me faljen e mëkateve. Në mënyrë të arsyeshme, të dyja deklaratat e tij janë të lidhura pasi njëra të çon tek tjetra.
Pesë ditë pas ringjalljes së tij, në ditën e Rrëshajëve, Jezui derdhi frymën e shenjtë. Çfarë kreu ajo? Një gjë ishte se ata që morën frymën, u lindën përsëri si bij frymorë të Perëndisë, me shpresën për të qenë bashkësundimtarë me Krishtin në qiell. (Gjoni 3:3-5; Romakëve 8:15-17; 2. Korintasve 1:22) Por ajo derdhje e frymës bëri edhe më shumë. Disa nga ata që e morën, fituan fuqi të mrekullueshme. Në këtë mënyrë, disa mundën të flisnin në gjuhë të huaja që nuk i kishin ditur. Të tjerë mundën të profetizonin. Ndërsa të tjerët mundën të shëronin sëmundje apo të rikthenin të vdekurit në jetë.—1. Korintasve 12:4-11.
Ndërsa fjalët e Jezuit në Gjonin 20:22 treguan mbi këtë derdhje të frymës së shenjtë mbi dishepujt, fjalët e tij koherente në lidhje me faljen e mëkateve, duken sikur duan të thonë se apostujt kishin siguruar përmes veprimit të frymës një autoritet unik hyjnor për të falur apo për të mbajtur mëkatet.—Shiko Kullën e Rojës të 1 marsit 1949, faqe 78, angl.
Bibla nuk na jep një tregim të plotë për çdo rast të përdorimit të këtij autoriteti nga ana e apostujve, por as tregon për çdo moment kur ata përdornin këtë dhuratë të mbinatyrshme për të folur në gjuhë të huaja, për të profetizuar apo për të shëruar.—2. Korintasve 12:12; Galatasve 3:5; Hebrenjve 2:4.
Një rast që tregon për autoritetin apostolik, për të falur apo mos falur mëkatet, përfshin Hananian dhe Safirën që gënjyen frymën. Pjetri që dëgjoi Jezuin të shqiptonte atë që lexojmë në Gjonin 20:22, 23, i demaskoi Hananian dhe Safirën. Në fillim Pjetri iu drejtua Hananias, i cili vdiq në moment. Kur më vonë erdhi Safira dhe vazhdoi me mashtrimin, Pjetri shpalli gjykimin edhe për të. Pjetri nuk e fali mëkatin e saj por tha: «Ja, këmbët e atyre që e varrosën burrin tënd janë në prag të derës dhe do të të mbartin jashtë edhe ty.» Edhe ajo vdiq në moment.—Veprat 5:1-11.
Në këtë rast, apostulli Pjetër përdori një autoritet të veçantë për të shprehur një dënim të qartë të mëkatit, një njohuri të mrekullueshme që Perëndia nuk do ta falte mëkatin e Hananias dhe Safiras. Gjithashtu, u duk se apostujt patën një mendjehollësi mbinjerëzore në rastet kur ishin të bindur se mëkatet duheshin falur mbi bazën e sakrificës së Krishtit. Kështu, këta apostuj të fuqizuar nga fryma, mundën të shpallnin faljen apo mbajtjen e mëkateve.a
Kjo nuk është një arsye për të thënë se të gjithë pleqtë e emëruar nga fryma që nga ajo kohë, e kishin këtë autoritet të mbinatyrshëm. Këtë gjë mund ta shohim nga ajo që tha apostulli Pavël mbi përjashtimin e një njeriu nga kongregacioni i Korintit. Pavli nuk tha: ‘Unë i fal mëkatet e atij njeriu.’ Ose: ‘E di se ai njeri është falur në qiell, prandaj pranojeni përsëri.’ Përkundrazi, Pavli e nxiti të gjithë kongregacionin që ta falte këtë të krishterë të rivendosur dhe të tregonte dashuri për të. Pavli shtoi: «Por atij që ju do t’i falni diçka, e fal edhe unë.»—2. Korintasve 2:5-11.
Pasi ky njeri u rivendos brenda kongregacionit, të gjithë vëllezërit dhe motrat e krishtere, duhej ta falnin në kuptimin që të mos i mbanin më inat për atë që kishte bërë. Megjithatë, së pari ai duhej të ishte penduar dhe rivendosur. Si mund të ndodhë kjo?
Pleqtë e kongregacionit duhet të trajtojnë mëkate serioze të tilla si, vjedhja, gënjeshtra apo imoraliteti i rëndë. Ata përpiqen t’i ndreqin apo qortojnë shkelës të tillë, duke i nxitur që të pendohen. Por, nëse dikush pa u penduar praktikon mëkate të rënda, këta pleq zbatojnë udhëzimin hyjnor për ta përjashtuar shkelësin. (1. Korintasve 5:1-5, 11-13) Ajo që tha Jezui në Gjonin 20:23, nuk zbatohet në raste të tilla. Këta pleq nuk e kanë dhuratën mbinjerëzore të frymës si p.sh., aftësinë për të shëruar të sëmurët fizikisht apo për të ngritur të vdekurit; këto dhurata i shërbyen qëllimit të atyre në shekullin e parë dhe pastaj mbaruan. (1. Korintasve 13:8-10) Për më tepër, pleqtë sot nuk kanë autoritetin hyjnor për të falur shkeljet serioze, në kuptimin që të shpallin të pastër në sytë e Jehovait një që ka mëkatuar seriozisht. Kjo lloj faljeje duhet të jetë vetëm mbi bazën e sakrificës shpërblerëse dhe vetëm Jehovai mund të falë mbi atë bazë.—Psalmi 32:5; Mateu 6:9, 12; 1. Gjonit 1:9.
Si në rastin e njeriut në Korintin e lashtë, kur një që ka mëkatuar rëndë refuzon të pendohet, ai duhet përjashtuar. Nëse më vonë pendohet dhe tregon vepra të përshtatshme pendimi, atëherë është e mundur falja hyjnore. (Veprat 26:20) Në një situatë të tillë, Shkrimet u japin pleqve arsyen të besojnë se Jehovai e ka falur me të vërtetë shkelësin. Pastaj, pasi personi rivendoset, pleqtë mund ta ndihmojnë në aspektin frymor që të bëhet i qëndrueshëm në besim. Të tjerët në kongregacion, mund të falin në të njëjtën mënyrë që falën të krishterët e Korintit njeriun e përjashtuar, por që u rivendos përsëri.
Në trajtimin e çështjeve në këtë mënyrë, pleqtë nuk shpikin standarde personale për gjykim. Ata zbatojnë parimet e Biblës dhe ndjekin rreptësisht procedurat biblike të caktuara nga Jehovai. Kështu, çdo falje apo mosfalje nga ana e pleqve duhet të jetë sipas kuptimit të fjalëve të Jezuit në Mateun 18:18: «Në të vërtetë ju them se të gjitha gjërat që do të keni lidhur mbi tokë do të jenë lidhur edhe në qiell; dhe gjitha gjërat që keni zgjidhur mbi tokë do të jenë zgjidhur edhe në qiell.» Veprimet e tyre, thjesht do të pasqyrojnë pikëpamjen e Jehovait mbi çështjet, siç paraqitet në Bibël.
Si rrjedhim, ajo që tha Jezui sipas shënimit në Gjonin 20:23, nuk bie ndesh me pjesën tjetër të Shkrimeve, por tregon se apostujt kishin një autorizim të veçantë në lidhje me faljen, i cili përputhej me rolin e tyre të veçantë në fazën e foshnjërisë së kongregacionit të krishterë.
[Shënimi]
a Edhe para se Jezui të vdiste dhe të siguronte shpërblerjen, pati autoritetin të thoshte se mëkatet e disave ishin falur.—Mateu 9:2-6; krahaso «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës së 1 qershorit 1995.