-
«Ai na deshi i pari»T’i afrohemi Jehovait
-
-
Akti më i madh i dashurisë
4. Si e kuptoi një ushtar romak se Jezui nuk ishte një njeri i zakonshëm dhe në cilin përfundim arriti ai?
4 Centurioni romak që po mbikëqyrte ekzekutimin e Jezuit mbeti i shtangur nga errësira që i parapriu vdekjes së Jezuit, si edhe nga tërmeti i fuqishëm që pasoi. «Pa dyshim që ky ishte Biri i Perëndisë!»—tha ai. (Mateu 27:54) Ishte e qartë se Jezui nuk ishte një njeri i zakonshëm. Ai ushtar kishte ndihmuar që të ekzekutohej Biri i vetëmlindur i Perëndisë Më të Lartë! Por, sa i shtrenjtë ishte ky Bir për Atin e tij?
5. Sa vjet kaloi Biri me Atin e tij në qiell para se të vinte si njeri në tokë?
5 Bibla e quan Jezuin «i parëlinduri i gjithë krijimit». (Kolosianëve 1:15) Vetëm mendo: Biri i Jehovait ekzistonte më përpara se universi fizik. Por, atëherë, për sa kohë kishin qenë së bashku Ati me Birin? Disa shkencëtarë përllogaritin se universi ka një moshë 13-miliardë vjeçare. A arrin dot ta përfytyrosh sa shumë kohë është? Por, edhe sikur kjo përllogaritje të jetë e saktë, e gjithë ajo periudhë 13-miliardë vjeçare do të ishte më e shkurtër se koha që ka jetuar Biri i Jehovait! Me se merrej ai gjatë gjithë atyre epokave?
6. (a) Me se angazhohej Biri i Jehovait gjatë ekzistencës së tij paranjerëzore? (b) Ç’lloj lidhjeje ekziston midis Jehovait dhe Birit të tij?
6 Me gëzim, Biri shërbeu si ‘kryemjeshtri’ i Atit të tij. (Proverbat 8:30) Bibla thotë: «Pa [Birin] nuk erdhi në ekzistencë as edhe një gjë.» (Gjoni 1:3) Pra, Jehovai dhe Biri i tij punuan së bashku për të sjellë në ekzistencë të gjitha gjërat e tjera. Ç’periudha entuziazmuese dhe të lumtura që kaluan së bashku! Shumë veta do të pajtohen me mendimin se dashuria ndërmjet prindit dhe fëmijës është jashtëzakonisht e fortë. E, veç kësaj, dashuria «është një lidhje e përsosur bashkimi». (Kolosianëve 3:14) Atëherë, cili prej nesh mund të arrijë të kuptojë sa e fuqishme është një lidhje që ka ekzistuar për një kohë kaq të gjatë? Është e qartë se Perëndinë Jehova dhe Birin e tij i bashkon lidhja më e fortë e dashurisë që mund të krijohet ndonjëherë.
7. Si i shprehu Jehovai ndjenjat që kishte për Birin e tij, në kohën kur u pagëzua Jezui?
7 Megjithatë, Ati e dërgoi Birin e tij në tokë që të lindte si një foshnjë. Kjo nënkuptoi që për disa dhjetëvjeçarë Jehovait iu desh të hiqte dorë nga shoqëria e ngushtë me Birin e tij të dashur në qiell. Me interes të madh, Ai shihte nga qielli ndërsa Jezui rritej e bëhej njeri i përsosur. Rreth moshës 30-vjeçare Jezui u pagëzua. S’ka nevojë të hamendemi se çfarë ndjeu Jehovai për të, pasi Ai vetë foli që nga qielli: «Ky është Biri im, i dashuri, të cilin e kam miratuar.» (Mateu 3:17) Ati duhet të ketë qenë shumë i kënaqur teksa shihte se Jezui bënte me besnikëri gjithçka që ishte profetizuar, gjithçka që kërkohej prej tij.—Gjoni 5:36; 17:4.
8, 9. (a) Ç’hoqi Jezui më 14 nisan të vitit 33 të e.s. dhe ç’ndikim pati kjo te Ati i tij qiellor? (b) Pse Jehovai lejoi që Biri i tij të vuante e të vdiste?
8 Por, si u ndie Jehovai në 14 nisan të vitit 33 të e.s.? Si u ndie kur Jezuin e tradhtuan, e pastaj e arrestoi një turmë njerëzish në mes të natës? Kur Jezuin e braktisën miqtë e tij dhe iu nënshtrua një gjyqi të paligjshëm? Kur e tallën, e pështynë dhe e goditën me grushta? Kur e rrahën me kamxhik, duke ia bërë kurrizin copë? Kur e gozhduan duar e këmbë në një shtyllë druri dhe e lanë atje të varur, ndërsa njerëzit e shanin? Si u ndie Ati kur Biri i tij i dashur i thirri, ndërsa ishte në grahmat e vdekjes? Si u ndie Jehovai kur Jezui dha frymën e fundit dhe, për herë të parë që nga fillimi i gjithë krijimit, Biri i Tij i dashur nuk ekzistonte më?—Mateu 26:14-16, 46, 47, 56, 59, 67; 27:38-44, 46; Gjoni 19:1.
«Perëndia . . . dha Birin e tij të vetëmlindur»
9 S’kemi fjalë për të përshkruar këtë. Jehovai ka ndjenja, prandaj dhembja që duhet të ketë ndier për vdekjen e Birit të tij ishte aq e madhe, sa nuk shprehet dot me fjalë. Ajo që mund të shprehet është motivi pse Jehovai lejoi të ndodhte kjo gjë. Pse Ati u la vend ndjenjave të tilla? Jehovai na zbulon diçka të mrekullueshme te Gjoni 3:16, një varg biblik kaq i rëndësishëm, saqë është quajtur ungjilli në miniaturë. Aty thuhet: «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» Prandaj motivi pse Jehovai e bëri këtë përmblidhet me një fjalë: dashuri. Dhurata e Jehovait, pra dërgimi i Birit të tij që të vuante dhe të vdiste për ne, ishte akti më i madh i dashurisë që është kryer ndonjëherë.
-
-
«Ai na deshi i pari»T’i afrohemi Jehovait
-
-
12 Fjala agape zbatohet për dashurinë që udhëhiqet nga parimet. Prandaj është më tepër sesa vetëm një reagim emocional ndaj dikujt tjetër. Ka një shtrirje më të gjerë dhe në thelb ka të bëjë më shumë me arsyen e me paramendimin. Mbi të gjitha, fjala agape tregon një dashuri që është krejtësisht altruiste. Për shembull, shikoje edhe një herë Gjonin 3:16. Çfarë është ‘bota’ që Perëndia e deshi aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur? Është bota e përbërë nga njerëzimi që mund të shpengohet. Ky term përfshin shumë njerëz që tani për tani po bëjnë një jetë mëkatare. A e do Jehovai secilin prej tyre si një mik të tijin, ashtu si donte Abrahamin besimplotë? (Jakovit 2:23) Jo, por me dashuri Jehovai u tregon mirësi të gjithëve, edhe pse kjo mund t’i kushtojë shumë. Ai dëshiron që të gjithë të pendohen dhe të ndryshojnë rrugë. (2 Pjetrit 3:9) Shumë veta veprojnë kështu. Këta ai i mirëpret me lumturi si miqtë e tij.
-