Ata bënë vullnetin e Jehovait
Një samaritan del një i afërm i mirë
NË DITËT e Jezuit, midis judenjve dhe jojudenjve ekzistonte një armiqësi që binte në sy. Me kalimin e kohës, Mishna judaike përfshiu madje një ligj që i ndalonte gratë izraelite t’u shërbenin si mami jojudenjve gjatë lindjes së fëmijëve, pasi kjo vetëm sa do të ndihmonte për të sjellë në botë edhe një jojude tjetër.—Abodah Zarah 2:1.
Samaritanët në krahasim me jojudenjtë ishin më të lidhur me judenjtë, si nga ana fetare, ashtu edhe nga ana raciale. E megjithatë, edhe ata shiheshin si të përjashtuar nga shoqëria. «Judenjtë nuk shoqëroheshin me samaritanët»,—shkroi apostulli Gjon. (Gjoni 4:9) Në fakt, Talmudi mësonte se «një copë bukë e dhënë nga një samaritan është më e papastër sesa mishi i derrit». Disa judenj madje e përdornin termin «samaritan» si një shprehje përçmimi dhe përbuzjeje.—Gjoni 8:48.
Duke pasur parasysh këtë situatë, fjalët e Jezuit thënë një burri që zotëronte ligjin judaik, na mësojnë shumë gjëra. Burri iu afrua Jezuit dhe e pyeti: «Mësues, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?» Kur u përgjigj, Jezui drejtoi vëmendjen ndaj Ligjit të Moisiut, i cili urdhëron ‘të duash Perëndinë tënd me gjithë zemrën, shpirtin, forcën dhe mendjen tënde’ dhe ‘të duash të afërmin porsi vetveten’. Avokati atëherë e pyeti Jezuin: «Po kush është i afërmi im?» (Luka 10:25-29; Levitiku 19:18; Ligji i përtërirë 6:5) Sipas farisenjve, termi «i afërm» u aplikohej vetëm atyre që mbanin traditat judaike, me siguri jo samaritanëve ose jojudenjve. Nëse ky avokat kureshtar mendonte se Jezui do të mbështeste atë pikëpamje, atëherë ai po përgatitej për një surprizë.
Një samaritan i dhembshur
Jezui iu përgjigj pyetjes së burrit duke treguar një shëmbëlltyrë.a «Një burrë,—tha ai,—zbriste nga Jerusalemi për në Jeriko.» Distanca mes Jerusalemit dhe Jerikos ishte rreth 23 kilometra. Rruga që lidhte këto dy qytete kishte kthesa të forta dhe anë të dala shkëmbore, duke e bërë të lehtë për hajdutët që të fshiheshin, të sulmonin dhe të iknin me të shpejtë. Siç doli më vonë, udhëtari i shëmbëlltyrës së Jezuit «ra në duart e kusarëve, të cilët, pasi e zhveshën dhe e bënë gjithë plagë, u larguan dhe e lanë gati të vdekur».—Luka 10:30.
«Rastësisht,—vazhdoi Jezui,—një prift po zbriste nëpër të njëjtën rrugë dhe, pasi e pa atë burrë, vazhdoi tutje, në anën tjetër. Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, erdhi dhe e pa dhe vazhdoi tutje, në anën tjetër.» (Luka 10:31, 32) Priftërinjtë dhe levitët ishin mësues të Ligjit, duke përfshirë edhe ligjin për të dashur të afërmin. (Levitiku 10:8-11; Ligji i përtërirë 33:1, 10) Sigurisht, ata, më shumë se gjithë njerëzit e tjerë, duhej të ishin ndier të shtrënguar për të ndihmuar udhëtarin e plagosur.
Jezui vazhdoi: «Por një samaritan, që po udhëtonte, i kaloi afër.» Përmendja e një samaritani pa dyshim që e rriti kuriozitetin e avokatit. A do ta miratonte Jezui pikëpamjen negative që ekzistonte për këtë racë? Përkundrazi, duke parë udhëtarin e mjerë, samaritani «pati dhembshuri». Jezui tha: «Dhe mbasi iu afrua, ia lidhi plagët, duke ia larë me vaj dhe me verë; pastaj e vuri mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdesua për të.b Dhe të nesërmen, para se të nisej, nxori dy denarë dhe ia dha hanxhiut, duke thënë: ‘Kujdesu për të dhe ç’të shpenzosh më shumë, do të të jap kur të kthehem.’ »—Luka 10:33-35.
Tani Jezui i kërkoi atij që i bëri pyetjen: «Cili nga këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?» Avokati e dinte përgjigjen, e megjithatë u duk hezitues për të thënë «samaritani». Në vend të kësaj, ai u përgjigj thjesht: «Ai që u tregua i mëshirshëm ndaj tij.» Pas kësaj Jezui tha: «Shko dhe bëj kështu edhe ti.»—Luka 10:36, 37.
Mësim për ne
Burri që pyeti Jezuin, e bëri këtë duke u përpjekur «të dilte i drejtë». (Luka 10:29, BR) Ndoshta ai mendonte se Jezui do ta lavdëronte nënshtrimin e tij të përpiktë ndaj Ligjit të Moisiut. Por ky individ mburravec duhej të mësonte të vërtetën e proverbit biblik: «Çdo rrugë e njeriut është e drejtë në sytë e tij, por Zoti i peshon zemrat.»—Fjalët e urta 21:2.
Shëmbëlltyra e Jezuit tregon se një person me të vërtetë i ndershëm është ai që, jo vetëm u bindet ligjeve të Perëndisë, por edhe imiton cilësitë e tij. (Efesianëve 5:1) Për shembull, Bibla na thotë se «Perëndia nuk është i anshëm». (Veprat 10:34) A e imitojmë ne Perëndinë në këtë aspekt? Shëmbëlltyra prekëse e Jezuit tregon se për të qenë të afërm duhet të kapërcejmë barrierat kombëtare, kulturore dhe fetare. Vërtet, të krishterëve u mësohet ‘t’u bëjnë mirë të gjithëve’, jo vetëm njerëzve të së njëjtës klasë shoqërore, të së njëjtës racë ose kombi dhe jo vetëm bashkëbesimtarëve.—Galatasve 6:10.
Dëshmitarët e Jehovait përpiqen ta ndjekin këtë këshillë biblike. Për shembull, kur godasin katastrofat natyrore, ata u ofrojnë ndihmë humanitare si bashkëbesimtarëve, ashtu edhe atyre që nuk janë Dëshmitarë.c Përveç kësaj, së bashku ata shpenzojnë më shumë se një miliard orë çdo vit duke ndihmuar njerëzit që të arrijnë një njohuri më të mirë të Biblës. Ata përpiqen të arrijnë këdo me mesazhin e Mbretërisë, sepse vullneti i Perëndisë është që «çdo lloj njeriu duhet të shpëtohet dhe të arrijë një njohuri të saktë të së vërtetës».—1. Timoteut 2:4, BR; Veprat 10:35.
[Shënimet]
a Shëmbëlltyra është një formë tregimi e shkurtër, zakonisht imagjinare, nga e cila nxirret një e vërtetë morale ose frymore.
b Disa hane në ditët e Jezuit me sa duket siguronin jo vetëm strehim, por edhe ushqim e shërbime të tjera. Ky mund të jetë lloji i strehimit që kishte ndër mend Jezui, sepse fjala greke e përdorur këtu ndryshon nga ajo që pëkthehet «vend për të fjetur» në Lukën 2:7, BR.
c Për shembuj të tjerë, shikoni Kullën e Rojës, 1 dhjetor 1996, faqet 3-8 dhe 15 janar 1998, faqet 3-7.