ARTIKULLI I STUDIMIT 15
Si i sheh ti «arat»?
«Ngrini sytë dhe shihni arat. Ato janë gati për korrje.»—GJONI 4:35.
KËNGA 64 Bashkëpunojmë me gëzim në korrje
PËRMBLEDHJEa
1-2. Ç’donte të thoshte Jezui me fjalët që gjejmë te Gjoni 4:35, 36?
RRUGËS për në Galile, Jezui kaloi përmes disa arave ku dukej se kish nisur të rritej elbi. (Gjoni 4:3-6) Ato do të ishin gati për korrje pas nja katër muajve. Prandaj duhet të jenë dukur të çuditshme këto fjalë të Jezuit: «Ngrini sytë dhe shihni arat. Ato janë gati për korrje.» (Lexo Gjonin 4:35, 36.) Ç’donte të thoshte?
2 Me sa duket, Jezui e kishte fjalën për një korrje të figurshme—një mbledhje të njerëzve—jo për një korrje të mirëfilltë. Mendo çfarë kishte ndodhur pak më parë: ndonëse në përgjithësi judenjtë nuk bëheshin me samaritanët, Jezui i kishte predikuar një gruaje samaritane—e ajo e kishte dëgjuar! Në fakt, kur Jezui po thoshte se arat ishin «gati për korrje», një turmë samaritanësh që kishin dëgjuar për Jezuin nga gruaja, po shkonin të mësonin më shumë prej tij. (Gjoni 4:9, 39-42) Ja ç’thotë për këtë ngjarje një botim shpjegues për Biblën: «Entuziazmi i atyre njerëzve . . . tregonte se ishin si drithi gati për korrje.»
3. Nëse i sheh njerëzit ashtu si Jezui, si të ndihmon kjo të jesh lajmëtar më i mirë?
3 Po ti, si i sheh njerëzit që u predikon lajmin e mirë? A i sheh si drithë gati për t’u korrur? Nëse po, do të provosh tri gjëra: së pari, do të predikosh me më shumë urgjencë. Periudha e korrjes është e kufizuar, prandaj s’ka kohë për të humbur. Së dyti, do të ndiesh gëzim teksa sheh ata që e pranojnë lajmin e mirë. Bibla thotë: ‘Njerëzit gëzojnë në kohën e korrjes.’ (Isa. 9:3) E së treti, do ta shohësh çdo njeri si dishepull të mundshëm, ndaj do ta përshtatësh prezantimin sipas gjërave që i interesojnë.
4. Çfarë do të mësojmë nga apostulli Pavël në këtë artikull?
4 Jezui nuk u hoqi vizën samaritanëve si të pashpresë, siç mund të kishin bërë disa dishepuj të tij. Përkundrazi, i pa si dishepuj të mundshëm. Edhe ne duhet t’i shohim njerëzit në territorin tonë si dishepuj të mundshëm të Krishtit. Apostulli Pavël na la një shembull të shkëlqyer. Ç’mund të mësojmë prej tij? Në këtë artikull do të shqyrtojmë (1) si e kuptonte ai çfarë besonin njerëzit që u predikonte, (2) si e dallonte çfarë u interesonte dhe (3) çfarë e ndihmonte t’i shihte si dishepuj të mundshëm të Jezuit.
ÇFARË BESOJNË?
5. Pse Pavli arrinte t’i kuptonte dëgjuesit e tij në sinagogë?
5 Pavli predikonte shpesh në sinagogat e judenjve. Për shembull, në sinagogën e Selanikut, «për tri sabate rresht arsyetoi me [judenjtë] nga Shkrimet». (Vep. 17:1, 2) Ka shumë gjasa që Pavli ndihej rehat kur fliste në sinagogë, pasi ishte jude. (Vep. 26:4, 5) Ai e kuptonte si ndiheshin e si mendonin judenjtë, prandaj ndihej i sigurt kur u predikonte.—Filip. 3:4, 5.
6. Si ndryshonin njerëzit në sheshin e pazarit të Athinës nga ata që u predikonte Pavli në sinagogë?
6 Pasi u detyrua të ikte nga Selaniku e pastaj nga Berea për shkak të përndjekësve, Pavli mbërriti në Athinë. Edhe atje «nisi të arsyetonte në sinagogë me judenjtë e me njerëz të tjerë që adhuronin Perëndinë». (Vep. 17:17) Mirëpo, kur predikonte në sheshin e pazarit, Pavli kishte një auditor të ndryshëm. Disa nga dëgjuesit ishin filozofë e disa jojudenj që e shihnin mesazhin e Pavlit si një ‘mësim të ri’. Ata i thanë: «Ti po na thua ca gjëra të çuditshme.»—Vep. 17:18-20.
7. Sipas Veprave 17:22, 23, si e përshtati Pavli metodën e predikimit?
7 Lexo Veprat 17:22, 23. Pavli nuk ua predikoi mesazhin jojudenjve në Athinë në të njëjtën mënyrë si judenjve në sinagogë. Ai duhet të ketë pyetur veten: «Çfarë besojnë këta njerëz në Athinë?» Pavli vështroi me vëmendje ç’kishte përreth dhe vërejti zakonet e tyre fetare. Pastaj u përpoq të gjente diçka të përbashkët mes mënyrës si adhuronin ata dhe të vërtetës së Shkrimeve. Një studiues i Biblës thotë: «Si i krishterë jude, [Pavli] e kupton se grekët paganë nuk adhurojnë Perëndinë ‘e vërtetë’ të judenjve dhe të krishterëve. Megjithatë përpiqet t’u tregojë se në realitet, Perëndia për të cilin po flet, nuk është i panjohur për athinasit.» Pra, Pavli ishte i gatshëm ta përshtaste metodën e predikimit. Ai u tha athinasve se mesazhi i tij vinte nga ‘Perëndia i Panjohur’ që përpiqeshin të adhuronin ata. Ndonëse jojudenjtë nuk i njihnin Shkrimet, Pavli nuk hoqi dorë prej tyre. Përkundrazi, i pa si drithë gati për t’u korrur dhe e përshtati prezantimin e lajmit të mirë.
8. (a) Si mund ta dallosh çfarë bindjesh fetare kanë njerëzit në territorin tënd? (b) Si mund të përgjigjesh nëse dikush thotë se ka fenë e vet?
8 Ashtu si Pavli, ji vëzhgues. Përpiqu të pikasësh gjëra që tregojnë çfarë besojnë njerëzit në territorin tënd. Kur sheh një shtëpi, çfarë kupton për të zotin e saj? A tregon emri i tij, veshja, paraqitja ose edhe fjalët që përdor se çfarë feje ka? Mbase ta thotë hapur se ka fenë e vet. Kur dikush i thotë kështu, një pioniere speciale që quhet Flutura, përgjigjet: «Nuk kam ardhur që t’ju detyroj të besoni atë që besoj unë, por t’ju flas për . . . »
9. Çfarë gjërash të përbashkëta mund të gjesh me një njeri fetar?
9 Për çfarë temash mund të bisedosh me një njeri fetar? Përpiqu të gjesh diçka që e keni të përbashkët. Ndoshta ai adhuron vetëm një Perëndi, pranon se Jezui është një profet ose Shpëtimtari i njerëzimit, a mbase beson se po jetojmë në kohë të liga që do të marrin fund shpejt. Përdori bindjet e përbashkëta për ta predikuar mesazhin e Biblës në një mënyrë tërheqëse për të.
10. Çfarë duhet të përpiqemi të bëjmë, dhe pse?
10 Mbaj parasysh se njerëzit mund të mos besojnë gjithçka që mëson feja e tyre. Prandaj, edhe pasi mëson çfarë feje ka dikush, përpiqu të kuptosh çfarë beson ai vetë. Davidi, një pionier special në Australi, thotë: «Sot shumë veta i përziejnë bindjet e tyre fetare me filozofinë.» Donalta, në Shqipëri, thotë: «Disa nga ata që takojmë, thonë se i përkasin iks feje, por më vonë pranojnë se nuk besojnë vërtet te Zoti.» Po ashtu, një misionar në Argjentinë thotë se disa njerëz pohojnë se besojnë te Triniteti, ama mund të mos besojnë vërtet se Ati, Biri dhe fryma e shenjtë janë një Perëndi i vetëm. «Kur e mbaj parasysh këtë, e kam shumë më të lehtë të gjej gjëra që i kemi të përbashkëta»,—thotë ai. Pra, përpiqu të mësosh çfarë besojnë vërtet njerëzit. Atëherë, njësoj si Pavli, mund ‘të bëhesh çdo gjë për njerëz të çdo lloji’.—1 Kor. 9:19-23.
ÇFARË U INTERESON?
11. Siç tregon Veprat 14:14-17, si ua prezantoi në mënyrë tërheqëse Pavli mesazhin banorëve të Listrës?
11 Lexo Veprat 14:14-17. Pavli dallonte çfarë u interesonte dëgjuesve të tij, e pastaj e përshtaste prezantimin sipas kësaj. Për shembull, turma e njerëzve që u foli në Listër, kishte pak ose aspak njohuri për Shkrimet. Prandaj Pavli përdori argumente që mund t’i kapnin. U foli për stinët e frytshme dhe për aftësinë e njeriut që ta gëzojë jetën. Përdori fjalë dhe shembuj që dëgjuesit e tij mund t’i kuptonin kollaj.
12. Si mund ta dallosh çfarë i intereson dikujt dhe ta përshtatësh prezantimin sipas kësaj?
12 Ji i vëmendshëm që të dallosh çfarë u intereson njerëzve në territor dhe përshtate prezantimin sipas kësaj. Si mund të kuptosh çfarë i intereson dikujt ndërsa i afrohesh atij ose shtëpisë së tij? Prapë çelësi është të jesh vëzhgues. Ndoshta ai po punon kopshtin, po lexon, po riparon makinën a biçikletën ose po merret me diçka tjetër. Po të jetë e përshtatshme, pse të mos e hapësh bisedën duke folur për atë që po bën? (Gjoni 4:7) Edhe veshja e tij mund të të thotë diçka—ndoshta tregon kombësinë, çfarë pune bën ose me kë është tifoz. Gustavo thotë: «Nisa të bisedoja me një 19-vjeçar që kishte në bluzë portretin e një këngëtari të famshëm. E pyeta për bluzën e më tregoi pse i pëlqente ai këngëtar. Ajo bisedë çoi në një studim të Biblës, dhe sot ai është vëllai ynë.»
13. Si mund t’ia bësh tërheqëse dikujt ftesën që të studiojë Biblën?
13 Kur i ofron dikujt të studioni Biblën bashkë, bëja tërheqëse ftesën, duke i treguar si do ta ndihmojë studimi. (Gjoni 4:13-15) Për shembull, një motër, Hesterën, e ftoi në shtëpi një grua që shfaqi interes. Hestera pa në mur një certifikatë që tregonte se gruaja ishte profesoreshë në fushën e arsimit, prandaj theksoi se edhe ne i arsimojmë njerëzit nëpërmjet një programi për studimin e Biblës dhe mbledhjeve tona. Gruaja pranoi të studionte, shkoi në mbledhje të nesërmen dhe ndoqi një asamble qarkore pak më vonë. Pas një viti, u pagëzua. Pyet veten: «Çfarë u intereson atyre që kthehem t’i vizitoj? A mund ta shpjegoj programin tonë për studimin e Biblës në një mënyrë tërheqëse për ta?»
14. Kur drejton një studim, si mund të mbash parasysh çdo student?
14 Pasi fillon një studim, përgatitu mirë për çdo student, duke mbajtur parasysh prejardhjen e tij, formimin dhe gjërat që i interesojnë. Kur të përgatitesh, vendos cilat shkrime do të lexoni, cilat video do t’i tregosh dhe çfarë ilustrimesh do të përdorësh për t’i shpjeguar të vërtetat e Biblës. Pyet veten: «Çfarë ka më tepër gjasa t’i duket tërheqëse e t’i prekë zemrën këtij studenti?» (Prov. 16:23) Në Shqipëri, një grua e cila studionte me një pioniere që quhet Flora, tha prerë: «Nuk e pranoj dot mësimin e ringjalljes.» Flora nuk këmbënguli tek ai argument. Ajo thotë: «E kuptova se së pari kishte nevojë të njihte Perëndinë që premton ringjalljen.» Që nga ai moment, sa herë bënin studimin, Flora e vinte theksin te dashuria, mençuria dhe fuqia e Jehovait. Kështu, më vonë studentja nuk e pati të vështirë të besonte te ringjallja. Tani ajo është Dëshmitare e zellshme e Jehovait.
SHIHI SI DISHEPUJ TË ARDHSHËM
15. Sipas Veprave 17:16-18, cilat sjellje të njerëzve në Greqinë e lashtë e acaronin Pavlin, por pse vazhdoi t’u predikonte athinasve?
15 Lexo Veprat 17:16-18. Pavli nuk i pa athinasit si të pandryshueshëm, ndonëse qyteti i tyre ishte plot idhujtari, imoralitet seksual dhe filozofi pagane. As nuk lejoi që fyerjet e tyre ta shkurajonin aq sa të mos u predikonte më. Pavli vetë kishte qenë «blasfemues, përndjekës dhe arrogant», por prapë ishte bërë i krishterë. (1 Tim. 1:13) Ashtu si Jezui pa potencialin e Pavlit, edhe Pavli pa tek athinasit potencialin që të bëheshin dishepuj. E nuk u zhgënjye për besimin që tregoi.—Vep. 9:13-15; 17:34.
16-17. Nga e dimë se dishepuj të Krishtit mund të bëhen njerëz të çdo lloji? Jepni një shembull.
16 Në shekullin e parë, «njerëz të çdo lloji» u bënë dishepuj të Jezuit. Kur u shkroi të krishterëve që jetonin në qytetin grek të Korintit, Pavli tha se disa pjesëtarë të atij kongregacioni kishin qenë dikur kriminelë ose kishin bërë një jetë tepër imorale. Ai shkroi: «Të tillë ishit disa nga ju. Mirëpo . . . jeni larë.» (1 Kor. 6:9-11) Po ti, a do të kishe parë tek ata njerëz potencialin që të ndryshonin e të bëheshin dishepuj?
17 Sot shumë veta janë të gatshëm të bëjnë ndryshimet e nevojshme për t’u bërë dishepuj të Jezuit. Për shembull, në Australi, një pioniere speciale që quhet Jukina, pa se mesazhin e Biblës mund ta pranojnë njerëz të çdo lloji. Një herë, kur po priste në një zyrë, i ra në sy një vajzë me tatuazhe dhe e veshur si rebele. «Ngurrova për një çast,—thotë Jukina,—por pastaj nisa të bisedoja me të. Zbulova se kishte aq shumë interes për Biblën, sa disa prej tatuazheve i kishte vargje nga Psalmet!» Vajza filloi të studionte dhe të ndiqte mbledhjet.b
18. Pse nuk duhet t’i gjykojmë njerëzit?
18 A tha Jezui se arat ishin gati për korrje ngaqë priste që shumica të bëheshin dishepuj të tij? Aspak. Shkrimet e kishin parathënë se relativisht pak veta do të tregonin besim tek ai. (Gjoni 12:37, 38) Veç kësaj, Jezui kishte aftësinë e mrekullueshme të lexonte zemrat. (Mat. 9:4) Gjithsesi, u përqendrua tek ata pak veta që do të besonin dhe i predikonte me zell çdo njeriu. Sa më shumë kemi nevojë t’i rezistojmë prirjes për të gjykuar një territor a individ ne që nuk i lexojmë dot zemrat! Në vend të kësaj, duhet të shohim potencialin e njerëzve për t’u bërë dishepuj. Ja ç’thotë Marku, një misionar në Burkina-Faso: «Ata që unë mendoj se do të përparojnë, shpesh e ndërpresin studimin. Kurse ata që mendoj se nuk do të vazhdojnë gjatë, shpesh bëjnë goxha përparim. Kështu kam mësuar se më e mira është të lejojmë të na drejtojë fryma e Jehovait.»
19. Si duhet t’i shohim njerëzit në territorin tonë?
19 Në pamje të parë, mbase duket se nuk ka shumë njerëz në territor që janë si drithë gati për t’u korrur. Por të mos harrojmë çfarë u tha Jezui dishepujve: arat janë gati për korrje. Njerëzit mund të ndryshojnë e të bëhen dishepuj të Krishtit. Jehovai i sheh këta dishepuj të mundshëm si ‘thesare’. (Hag. 2:7) Nëse i shohim njerëzit ashtu si Jehovai dhe Jezui, do të përpiqemi të kuptojmë formimin e tyre, prejardhjen dhe çfarë u intereson. Nuk do t’i shohim me sy negativ, por si vëllezër e motra të ardhshëm.
KËNGA 57 T’u predikojmë njerëzve të çdo lloji
a Si ndikon qëndrimi që kemi ndaj njerëzve në territor te mënyra si u predikojmë dhe i mësojmë? Në këtë artikull do të shqyrtojmë si i shihnin Jezui dhe apostulli Pavël dëgjuesit e tyre. Do të shohim edhe si t’i imitojmë duke mbajtur parasysh bindjet e njerëzve, gjërat që u interesojnë dhe potencialin që të bëhen dishepuj të Jezuit.
b Në rubrikën «Bibla të ndryshon jetën» jepen më shumë shembuj se si mund të ndryshojë një njeri. Deri në vitin 2017, kjo rubrikë dilte në revistën Kulla e Rojës. Tani vazhdon të dalë në jw.org®. Shih te PËR NE > HISTORI PERSONALE.
c PËRSHKRIMI I FIGURËS : Ndërsa predikon shtëpi më shtëpi, një çift vëren (1) një shtëpi të mirëmbajtur, të zbukuruar me lule; (2) një shtëpi ku ka fëmijë; (3) një shtëpi që është rrëmujë jashtë e brenda dhe (4) një shtëpi ku jetojnë njerëz besimtarë. Si mendon, ku mund të gjesh njerëz që kanë më shumë potencial të bëhen dishepuj?