Libri biblik numër 43—Gjoni
Shkrimtari: Apostulli Gjon
Vendi ku u shkrua: Efes ose pranë
Shkrimi përfundoi: rr. 98 të e.s.
Periudha përkatëse: pas hyrjes, 29 të e.s.–33 të e.s.
1. Ç’tregojnë Shkrimet për shoqërinë e ngushtë të Gjonit me Jezuin?
KISHTE më shumë se 30 vjet që ungjijtë e Mateut, Markut dhe Lukës ishin në qarkullim dhe nga të krishterët e shekullit të parë vlerësoheshin si vepra të njerëzve të frymëzuar nga fryma e shenjtë. Mirëpo, me afrimin e fundshekullit dhe me pakësimin e numrit të atyre që kishin qenë me Jezuin, mund të lindte pyetja: a kishte më gjëra për të thënë? A kishte mbetur ndonjë që, me kujtimet e veta, mund të jepte hollësi të tjera të çmuara për shërbimin e Jezuit? Po, kishte mbetur. Ishte Gjoni i moshuar, i cili pati privilegjin e jashtëzakonshëm të shoqërohej me Jezuin. Ka të ngjarë që ai të ishte një nga dishepujt e parë të Gjon Pagëzorit që iu prezantua Qengjit të Perëndisë dhe një nga katër të parët që Zotëria i ftoi të bashkoheshin me të për të shërbyer në kohë të plotë. (Gjoni 1:35-39; Mar. 1:16-20) Gjatë gjithë shërbimit të tij, ai pati shoqëri të ngushtë me Jezuin. Ishte dishepulli «që Jezui e donte» dhe që u mbështet në kraharorin e Jezuit gjatë Pashkës së fundit. (Gjoni 13:23; Mat. 17:1; Mar. 5:37; 14:33) Ai pa skenën prekëse të ekzekutimit, ku Jezui i besoi nënën që e lindi, dhe pikërisht ai ia kaloi Pjetrit kur po vraponin shpejt për te varri për të parë nëse ishte e vërtetë se Jezui ishte ringjallur.—Gjoni 19:26, 27; 20:2-4.
2. Si u përgatit dhe u nxit Gjoni të shkruante Ungjillin e tij dhe për ç’qëllim?
2 I kalitur nga gati 70 vjet shërbimi aktiv dhe i forcuar falë vegimeve dhe meditimit gjatë burgosjes dhe izolimit të tij të fundit në ishullin e Patmosit, Gjoni ishte më se i përgatitur të shkruante për gjëra që i kish ruajtur gjatë në zemër. Fryma e shenjtë e nxiti mendjen e tij të kujtonte e të hidhte në letër shumë nga ato fjalë të çmuara e jetëdhënëse, me qëllim që kush t’i lexonte ‘të besonte se Jezui është Krishti, Biri i Perëndisë dhe, falë besimit, të kishte jetën me anë të emrit të tij’.—20:31.
3, 4. Cilat prova të gjithanshme vërtetojnë (a) se Ungjilli i Gjonit është pjesë e kanunit të Biblës dhe (b) se shkrimtari ishte Gjoni?
3 Të krishterët në fillim të shekullit të dytë e pranuan Gjonin si shkrimtarin e këtij tregimi dhe veç kësaj, e konsideruan këtë vepër si pjesë të padiskutueshme të kanunit të Shkrimeve të frymëzuara. Klementi i Aleksandrisë, Ireneu, Tertuliani dhe Origjeni, që jetuan të tërë në fund të shekullit të dytë dhe në fillim të shekullit të tretë, vërtetojnë se shkrimtari ishte Gjoni. Këtë e mbështetin edhe dëshmitë e shumta që jep vetë libri. Duket qartë se shkrimtari ishte hebre dhe i njihte mirë zakonet e hebrenjve dhe vendin e tyre. (2:6; 4:5; 5:2; 10:22, 23) Vetë stili intim i tregimit dëshmon se shkrimtari nuk ishte thjesht një apostull, por një nga ata të tre që bënin pjesë në rrethin e ngushtë të Jezuit—Pjetri, Jakovi dhe Gjoni—që e shoqëronin në raste të veçanta. (Mat. 17:1; Mar. 5:37; 14:33) Nga këta të tre, përjashtohet mundësia që ta ketë shkruar Jakovi (biri i Zebedeut), sepse ai u martirizua nga Herod Agripa I rreth vitit 44 të e.s., shumë kohë para se të shkruhej ky libër. (Vep. 12:2) As Pjetri nuk është, sepse është përmendur bashkë me shkrimtarin te Gjoni 21:20-24.
4 Në këto vargje të fundit, shkrimtari përmendet si dishepulli që «Jezui e donte». Kjo shprehje dhe të tjera të ngjashme me të, janë përdorur disa herë gjatë tregimit, megjithëse emri i apostullit Gjon nuk është përmendur asnjëherë. Pikërisht në këto vargje Jezui tha për të: «Nëse është vullneti im që ai të mbetet derisa të vij unë, ç’punë ke ti?» (Gjoni 21:20, 22) Kjo lë të mendosh se dishepulli për të cilin bëhej fjalë, do të jetonte më gjatë se Pjetri dhe apostujt e tjerë. Të gjitha këto përkojnë me apostullin Gjon. Vlen të përmendet se pasi iu dha vegimi i Zbulesës për ardhjen e Jezuit, Gjoni e përfundon atë profeci të pazakontë me fjalët: «Amin! Eja, o Zotëri Jezu!»—Zbul. 22:20.
5. Kur mendohet se e ka shkruar Gjoni Ungjillin e tij?
5 Megjithëse, shkrimet e Gjonit në vetvete nuk japin asnjë të dhënë specifike në lidhje me kohën kur u shkruan, në përgjithësi mendohet se Gjoni e shkroi Ungjillin e tij pasi u kthye nga mërgimi në ishullin e Patmosit. (Zbul. 1:9) Perandori romak Nerva, (96-98 të e.s.), riktheu në atdhe shumë nga ata që ishin syrgjynosur në fund të mbretërimit të paraardhësit të tij, Domicianit. Mendohet se pasi shkroi Ungjillin e tij, rreth vitit 98 të e.s., Gjoni u preh në paqe në Efes vitin e tretë të perandorit Trajan, ose në vitin 100 të e.s.
6. Ç’gjë tregon se Ungjilli i Gjonit u shkrua jashtë Palestinës, në Efes ose diku aty afër?
6 Sa për Efesin ose vendet aty rrotull ku u shkrua ky Ungjill, Eusebi, një historian nga Cezarea, (rr. 260-340 të e.s.), citon këto fjalë të Ireneut: «Gjoni, dishepulli i Zotërisë, që edhe u preh në kraharor të tij, e nxori ungjillin e tij gjatë kohës që jetonte në Efes të Azisë.»a Pra, libri u shkrua jashtë Palestinës dhe këtë e mbështet fakti që libri i përmend shumë herë kundërshtarët e Jezuit me termin e përgjithshëm «judenjtë» dhe jo «farisenjtë», «krerët e priftërinjve» e kështu me radhë. (Gjoni 1:19; 12:9) Veç kësaj, deti i Galilesë emërtohet edhe me emrin e tij romak, deti i Tiberiadës. (6:1; 21:1) Duke mbajtur në mendje johebrenjtë, Gjoni jep disa shpjegime të dobishme për festat e hebrenjve. (6:4; 7:2; 11:55) Patmosi, vendi ku u syrgjynos, ishte afër Efesit, dhe njohja e tij me Efesin e me kongregacionet e tjera të Azisë së Vogël, duket nga kapitujt 2 dhe 3 të Zbulesës.
7. Sa i rëndësishëm është Papirusi Rajlënds 457?
7 Autenticitetin e Ungjillit të Gjonit e mbështetin dorëshkrime të rëndësishme të zbuluara në shekullin e 20-të. Njëri është një fragment i Ungjillit të Gjonit, i gjetur në Egjipt, që tani njihet si Papirusi Rajlënds 457 (P52), që përmban Gjonin 18:31-33, 37, 38 dhe ruhet në bibliotekën «Xhon Rajlënds», në Mançester të Anglisë.b Për mënyrën si e mbështet ky fragment i gjetur faktin e pranuar tradicionalisht se ky Ungjill u shkrua nga Gjoni në fund të shekullit të parë, i ndjeri sër Frederik Kenion thotë në një libër të tij: «Megjithëse i shkurtër, ky fragment mjafton për të provuar se një dorëshkrim i këtij Ungjilli ishte në qarkullim me sa duket në provincën e Egjiptit ku u gjet, rreth vitit 130-150 të e.s. Edhe po të pranojmë se do të duhej shumë pak kohë që kjo vepër të dilte jashtë vendit të origjinës, kjo do ta çonte datën e shkrimit të saj aq afër datës së pranuar tradicionalisht—dhjetëvjeçari i fundit i shekullit të parë—sa s’mbetet më asnjë arsye për të vënë në dyshim vlerën e traditës.»—The Bible and Modern Scholarship, 1949, faqja 21.
8. (a) Ç’dallohet në hyrje të Ungjillit të Gjonit? (b) Si e provon ky Ungjill se shërbimi i Jezuit zgjati tre vjet e gjysmë?
8 Ungjilli i Gjonit dallohet për hyrjen e tij, që zbulon se Fjala, që ishte «në fillim me Perëndinë», është Ai nëpërmjet të cilit erdhën në jetë të gjitha gjërat. (1:2) Pasi na njeh me lidhjen e çmuar mes Atit dhe Birit, Gjoni kalon në paraqitjen me mjeshtëri të veprave dhe fjalimeve të Jezuit, duke i parë veçanërisht nga këndvështrimi i një dashurie të thellë që lidh në unitet gjithçka në strukturën madhështore që ka ndërtuar Perëndia. Ky tregim i jetës së Jezuit në tokë mbulon periudhën 29-33 të e.s. dhe përmend me kujdes katër Pashkët që kremtoi Jezui gjatë shërbimit të tij, duke siguruar kështu një nga provat që dëshmon se shërbimi i tij zgjati tre vjet e gjysmë. Tri nga këto janë përmendur me emrin Pashkë. (2:13; 6:4; 12:1; 13:1) Kurse për një tjetër thuhet se «judenjtë kishin një festë», por konteksti e përmend menjëherë pasi Jezui tha se «duhen ende edhe katër muaj para se të vijnë të korrat», dhe kjo tregon se festa ishte Pashka që kremtohej aty nga fillimi i korrjes.—4:35; 5:1.c
9. Ç’gjë tregon se pjesa më e madhe e Ungjillit të Gjonit është material i ri, e megjithatë, a i përmend të gjitha hollësitë e shërbimit të Jezuit?
9 Pjesa më e madhe—92 për qind—e lajmit të mirë «sipas Gjonit» është material i ri që nuk trajtohet në tre Ungjijtë e tjerë. Megjithatë, Gjoni përfundon me fjalët: «Jezui bëri edhe shumë gjëra të tjera, që po të shkruheshin një për një, ma ha mendja se as bota vetë nuk do t’i mbante rrotullat e shkruara.»—21:25.
PËRMBAJTJA E GJONIT
10. Çfarë thotë Gjoni për Fjalën?
10 Hyrje: Prezantimi i ‘Fjalës’ (1:1-18). Me një thjeshtësi të këndshme, Gjoni thotë se në fillim «Fjala ishte me Perëndinë», se me anë të Fjalës erdhi jeta, se u bë «drita e njerëzve» dhe se Gjoni (Pagëzori) dha dëshmi për të. (1:1, 4) Drita ishte në botë, por bota nuk e njohu. Ata që e pritën, u bënë fëmijë të Perëndisë, sepse lindën nga Perëndia. Ashtu si Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, edhe «dashamirësia e pamerituar dhe e vërteta u bënë realitet nëpërmjet Jezu Krishtit».—1:17.
11. Kush është Jezui sipas fjalëve të Gjon Pagëzorit dhe çfarë pranojnë dishepujt e Gjonit për Jezuin?
11 «Qengji i Perëndisë» u paraqitet njerëzve (1:19-51). Gjon Pagëzori rrëfen se ai nuk është Krishti, përkundrazi thotë se pas tij po vjen dikush, të cilit ai nuk është i denjë t’i zgjidhë as lidhëset e sandaleve. Të nesërmen, ndërsa Jezui shkon drejt tij, Gjoni thotë se ai është «Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës». (1:27, 29) Më pas, ai i prezanton Jezuit dy nga dishepujt e tij, dhe njëri prej tyre, Andrea, çon te Jezui të vëllanë, Pjetrin. Edhe Filipi me Natanaelin e pranojnë Jezuin si ‘Birin e Perëndisë, Mbretin e Izraelit’.—1:49.
12. (a) Cila është mrekullia e parë e Jezuit? (b) Çfarë bën ai kur ngjitet në Jerusalem për Pashkën e parë gjatë shërbimit të tij?
12 Mrekullitë e Jezuit tregojnë se ai është «i Shenjti i Perëndisë» (2:1–6:71). Jezui bën mrekullinë e tij të parë në Kanë të Galilesë, kur gjatë një dasme e kthen ujin në verën më të mirë. Ky është «fillimi i shenjave të tij» dhe ‘dishepujt e vet tregojnë besim tek ai’. (2:11) Jezui ngjitet në Jerusalem për Pashkën. Meqë gjen në tempull tregtarët dhe këmbyesit e parave, ai merr një kamxhik dhe i dëbon me aq vrull, sa dishepujt e tij e pranojnë se u përmbush profecia: «Zelli për shtëpinë tënde më ka përpirë.» (Gjoni 2:17; Psal. 69:9) Ai parathotë se tempulli i trupit të vet do të shembet dhe për tri ditë do të ngrihet sërish.
13. (a) Çfarë është e nevojshme për të fituar jetën, sipas Jezuit? (b) Si e quan Gjon Pagëzori veten në raport me Jezuin?
13 Nikodemi, që ka frikë, shkon te Jezui natën. Ai e pranon se Jezui është dërguar nga Perëndia, dhe Jezui i thotë se nëse dikush nuk lind nga uji dhe nga fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Për të fituar jetën është e nevojshme të besosh te Biri i njeriut që ka zbritur nga qielli. «Sepse Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Drita që ka ardhur në botë bie ndesh me errësirën, «por kush bën gjëra të drejta, vjen te drita», siç përfundon Jezui. Më pas, Gjon Pagëzori mëson për aktivitetin e Jezuit në Jude dhe thotë se, ndonëse ai vetë nuk është Krishti, «miku i dhëndrit . . . gëzohet shumë kur dëgjon zërin e dhëndrit». (3:21, 29) Tani, Jezui do të shtohet, kurse Gjoni do të pakësohet.
14. Çfarë i shpjegon Jezui samaritanes në Sihar dhe cili është rezultati i predikimit të tij në atë zonë?
14 Jezui niset përsëri për në Galile. Rrugës, i mbushur me pluhur dhe «i lodhur nga udha», ulet të pushojë pranë burimit të Jakobit në Sihar, ndërkohë që dishepujt e tij kanë shkuar në qytet për të blerë ushqime. (4:6) Është mesditë, ora e gjashtë. Një samaritane afrohet te pusi dhe Jezui i kërkon pak ujë. Pastaj edhe pse i këputur nga lodhja, ai nis t’i flasë për ‘ujin jetëdhënës’ që freskon vërtet dhe u jep jetë të përhershme atyre që e adhurojnë Perëndinë «me frymë dhe të vërtetë». Dishepujt kthehen dhe i luten të hajë, por ai thotë: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të përfundoj veprën e tij.» Ai qëndron edhe dy ditë të tjera në atë zonë, dhe shumë samaritanë besojnë se «ky njeri është pa dyshim shpëtimtari i botës». (4:24, 34, 42) Kur arrin në Kanë të Galilesë, Jezui shëron të birin e një fisniku, pa iu afruar fare shtratit të tij.
15. Ç’akuza i bëhen Jezuit në Jerusalem dhe si u përgjigjet ai atyre që e kritikojnë?
15 Jezui ngjitet përsëri në Jerusalem për një festë që kanë judenjtë. Atje shëron një të sëmurë ditën e sabatit, dhe kjo ngre një mal me kritika të ashpra. Jezui ua kthen me këto fjalë: «Ati im vazhdon të punojë deri më tani, prandaj dhe unë vazhdoj të punoj.» (5:17) Atëherë krerët e judenjve thonë se përveç krimit të shkeljes së sabatit, Jezui edhe blasfemon duke e bërë veten të barabartë me Perëndinë. Jezui përgjigjet duke thënë se Biri s’mund të bëjë as edhe një gjë me nismën e vet, përkundrazi varet plotësisht nga Ati. Ai thotë fjalët e mrekullueshme se «të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin» të ringjallur. Kurse njerëzve pa besim që rrinë e dëgjojnë, Jezui u thotë: «Si mund të besoni, kur pranoni lavdi nga njëri-tjetri dhe nuk kërkoni lavdinë që është nga i vetmi Perëndi?!»—5:28, 29, 44.
16. (a) Ç’mëson Jezui për ushqimin dhe jetën? (b) Si e shpreh Pjetri bindjen e apostujve?
16 Jezui bën një mrekulli për të ushqyer 5.000 veta me pesë bukë dhe dy peshq të vegjël. Turma do ta kapë që ta bëjë mbret, por ai ikën në mal. Më vonë, Jezui i qorton, sepse shkojnë pas ‘ushqimit që prishet’. Ata duhet të punojnë për ushqimin «që qëndron dhe të çon në jetë të përhershme». Ai thotë se të tregosh besim tek ai si Biri, do të thotë të hash bukën e jetës dhe shton: «Po të mos hani mishin e Birit të njeriut e po të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete.» Shumë dishepuj të tij fyhen nga kjo dhe ikin. Jezui i pyet 12 apostujt e tij: «Mos doni të shkoni edhe ju?» Pjetri përgjigjet: «Zotëri, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përhershme dhe ne kemi besuar dhe kemi arritur të njohim se ti je i Shenjti i Perëndisë.» (6:27, 53, 67-69) Megjithatë, duke e ditur se Juda do ta tradhtonte, Jezui thotë se njëri prej tyre është shpifës.
17. Ç’efekt ka mësimi i Jezuit në tempull gjatë festës së Tabernakujve?
17 «Drita» bie ndesh me errësirën (7:1–12:50). Jezui ngjitet fshehtas në Jerusalem dhe shfaqet duke mësuar hapur në tempull kur ka kaluar gjysma e festës së Tabernakujve. Njerëzit diskutojnë nëse ai është vërtet Krishti. Jezui u thotë: «Unë nuk erdha me nismën time, por ai që më dërgoi, është real. . . . Ai më dërgoi.» Në një rast tjetër, ai thërret para turmës: «Në pastë dikush etje, le të vijë tek unë e të pijë!» Rojat që dërgohen të arrestojnë Jezuin, kthehen duarbosh dhe raportojnë para priftërinjve: «Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu.» Të xhindosur, farisenjtë përgjigjen se asnjë nga krerët nuk ka besuar tek ai dhe nga Galilea nuk ka për t’u ngritur asnjë profet.—7:28, 29, 37, 46.
18. Si e kundërshtojnë judenjtë Jezuin dhe si përgjigjet ai?
18 Në një fjalim tjetër, Jezui thotë: «Unë jam drita e botës.» Akuzave keqdashëse se ai është dëshmitar i rremë, se ka lindur jashtë martese dhe se është samaritan e ka një demon, Jezui u përgjigjet me forcë: «Nëse i jap lavdi vetes, lavdia ime nuk është gjë. Është Ati im që më jep lavdi.» Kur ai thotë: «Para se Abrahami të vinte në jetë, unë kam qenë», judenjtë bëjnë një tjetër përpjekje për ta vrarë, por dështojnë. (8:12, 54, 58) Të zhgënjyer, më vonë marrin në pyetje një njeri të cilit Jezui i ktheu shikimin me anë të një mrekullie, dhe e flakin jashtë.
19. (a) Çfarë thotë Jezui për lidhjen me Atin e vet dhe kujdesin e tij për delet? (b) Si u përgjigjet judenjve kur e kërcënojnë?
19 Jezui u flet sërish judenjve, por kësaj here për bariun e shkëlqyer, që i thërret delet me emër dhe jep shpirtin për to, «që ato të kenë jetë e ta kenë me bollëk». Ai thotë: «Kam edhe dele të tjera, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato do t’i sjell, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një kope e vetme me një bari të vetëm.» (10:10, 16) Ai u thotë judenjve se askush s’mund t’ia rrëmbejë delen nga dora Atit të tij dhe se ai dhe Ati i tij janë një. Ata përpiqen prapë ta godasin me gurë për ta vrarë. Duke iu përgjigjur akuzës së tyre për blasfemi, ai u kujton se në librin e Psalmeve disa njerëz të fuqishëm në tokë janë quajtur «perëndi», kurse ai e quajti veten Biri i Perëndisë. (Psal. 82:6) Ai i nxit që të paktën të besojnë veprat e tij.—Gjoni 10:34.
20. (a) Cila është mrekullia e jashtëzakonshme që bën Jezui më pas? (b) Ku çon ajo?
20 Nga Betania, afër Jerusalemit, mbërrin lajmi se Lazari, vëllai i Marisë dhe i Martës, është sëmurë. Kur arrin Jezui, Lazari kishte vdekur dhe tashmë kishte katër ditë në varr. Jezui bën një mrekulli të jashtëzakonshme duke e kthyer Lazarin në jetë, e kështu shumë njerëz tregojnë besim tek ai. Nga kjo, Sinedri bën një mbledhje urgjente, ku kryeprifti Kajafa detyrohet të profetizojë se Jezui ka për të vdekur për kombin. Ndërsa krerët e priftërinjve dhe farisenjtë këshillohen për ta vrarë, Jezui tërhiqet përkohësisht nga skena.
21. (a) Si reagojnë njerëzit dhe farisenjtë ndaj hyrjes së Jezuit në Jerusalem? (b) Ç’ilustrim bën Jezui për vdekjen e tij dhe qëllimin e saj? Ç’nxitje u jep dëgjuesve të tij?
21 Gjashtë ditë para Pashkës, Jezui merr rrugën për në Jerusalem dhe ndalet sërish në Betani, ku rri si mysafir në shtëpinë e Lazarit. Pastaj, të nesërmen e sabatit, më 9 nisan, i hipën një gomari të vogël dhe hyn në Jerusalem mes britmave të turmës së njerëzve. Farisenjtë i thonë njëri-tjetrit: «S’po nxjerrim gjë në dritë. Ja, bota po shkon pas tij.» Me ilustrimin e kokrrës së grurit, Jezui lë të kuptohet se ai ka për t’u mbjellë në vdekje që të sjellë fryt për jetën e përhershme. Ai i thërret Atit që të lavdërojë emrin e Tij dhe një zë dëgjohet nga qielli: «I dhashë lavdi dhe do t’i jap lavdi përsëri.» Jezui i nxit dëgjuesit të lënë errësirën e të ecin në dritë, që të bëhen «bij të dritës». Teksa e rrethojnë forcat e errësirës, ai u bën një thirrje të fortë njerëzve që të tregojnë besim tek ai ‘si një dritë që ka ardhur në botë’.—12:19, 28, 36, 46.
22. Çfarë shembulli lë Jezui në darkën e Pashkës dhe cilin urdhërim të ri jep?
22 Këshillat e fundit të Jezuit për apostujt besnikë (13:1–16:33). Gjatë darkës së Pashkës me 12 apostujt, Jezui ngrihet, heq veshjen e sipërme, merr një peshqir e një legen dhe fillon t’u lajë këmbët dishepujve. Pjetri kundërshton me të madhe, por Jezui i thotë se duhet t’ia lajë këmbët edhe atij. Jezui i këshillon dishepujt të ndjekin shembullin e tij të përulësisë, sepse «skllavi nuk është më i madh se zotëria». Më pas, ai flet për tradhtarin dhe përzë Judën. Pasi ikën Juda, Jezui fillon të flasë plot ngrohtësi me të tjerët. «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu siç ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—13:16, 34, 35.
23. Për cilën shpresë dhe për cilin ndihmës të premtuar flet Jezui për të ngushëlluar ithtarët e tij?
23 Në këtë orë kritike, Jezui thotë fjalë të mrekullueshme ngushëllimi. Ata duhet të tregojnë besim te Perëndia dhe tek ai. Në shtëpinë e Atit të tij ka shumë banesa, dhe ai do të vijë prapë që t’i marrë në shtëpi tek ai. «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta,—thotë Jezui.—Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» Ai i ngushëllon ithtarët e tij duke thënë se po të tregojnë besim, do të bëjnë vepra më të mëdha se ai dhe se do t’u japë çfarëdo që të kërkojnë në emër të tij, me qëllim që Ati të marrë lavdi. Ai u premton një ndihmës tjetër, «frymën e së vërtetës», që do t’u mësojë të gjitha gjërat dhe do t’u kujtojë gjithçka që ai u ka thënë. Ata duhet të gëzojnë që ai po shkon tek Ati, sepse, siç thotë Jezui, «Ati është më i madh se [ai]».—14:6, 17, 28.
24. Ç’thotë Jezui për marrëdhënien e apostujve me të dhe me Atin dhe ç’bekime do të sjellë ajo për ta?
24 Jezui thotë se ai është hardhia e vërtetë dhe Ati i tij është kultivuesi. Ai i nxit të qëndrojnë në unitet me të, duke thënë: «Kjo i jep lavdi Atit tim: që ju të vazhdoni të jepni shumë fryt e të tregoni se jeni dishepujt e mi.» (15:8) Por, si mund të bëhet i plotë gëzimi i tyre? Duke dashur njëri-tjetrin siç i ka dashur ai. Ai i quan miq. Ç’marrëdhënie e çmuar! Bota do t’i urrejë siç ka urryer atë dhe do t’i përndjekë, por Jezui do të dërgojë ndihmësin që të japë dëshmi për të dhe t’i drejtojë dishepujt e tij në gjithë të vërtetën. Hidhërimi që ndiejnë tani do të kthehet në gëzim, kur ai t’i shohë sërish, dhe askush nuk do t’ua heqë gëzimin. Shumë ngushëlluese janë fjalët e tij: «Ati ju ka vetë për zemër, ngaqë më keni pasur për zemër mua dhe keni besuar se unë erdha si përfaqësues i Atit.» Vërtet ata do të shpërndahen, por, thotë Jezui: «Jua kam thënë këto gjëra që nëpërmjet meje të keni paqe. Në botë keni shtrëngim, por merrni zemër! Unë e munda botën.»—16:27, 33.
25. (a) Çfarë pranon Jezui në lutjen që i drejton Atit të tij? (b) Çfarë i kërkon për vete, për dishepujt e tij dhe për të gjithë ata që do të tregojnë besim nëpërmjet fjalës së tyre?
25 Lutja e Jezuit për dishepujt (17:1-26). Duke iu drejtuar Atit të tij në një lutje, Jezui pranon: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» Si e ka përfunduar veprën që i është caktuar në tokë, Jezui tani kërkon t’i jepet ajo lavdi që kishte pranë Atit të tij para se të ishte bota. Ai ua ka shfaqur emrin e Atit dishepujve dhe i kërkon Atit që t’i ruajë ‘për hir të emrit të Tij’. Ai nuk i kërkon Atit t’i heqë nga bota, por t’i ruajë nga i ligu dhe t’i shenjtërojë me anë të fjalës së Tij të vërtetë. Jezui lutet edhe për të gjithë ata të cilët do të tregojnë besim pasi të dëgjojnë fjalën e këtyre dishepujve, që «të jenë të gjithë një, ashtu si ti, o Atë, je në unitet me mua, dhe unë jam në unitet me ty, që edhe ata të jenë në unitet me ne, me qëllim që bota të besojë se më dërgove ti». Ai i kërkon Atit që edhe ata të jenë me të në lavdinë e tij qiellore, sepse ua ka bërë të njohur emrin e Tij, që dashuria e Tij të qëndrojë në ta.—17:3, 11, 21.
26. Ç’thotë tregimi për arrestimin dhe gjykimin e Jezuit?
26 Krishti gjykohet dhe varet në shtyllë (18:1–19:42). Më pas, Jezui dhe dishepujt e tij shkojnë në një kopsht matanë luginës së Kidronit. Atje shfaqet Juda me një kohortë ushtarësh dhe tradhton Jezuin që dorëzohet pa kundërshtuar. Pjetri e mbron me një shpatë, por Jezui e qorton: «A nuk duhet ta pi medoemos kupën që më ka dhënë Ati?» (18:11) Pastaj, Jezuin e çojnë të lidhur te Hanai, vjehrri i Kajafës, kryepriftit. Gjoni dhe Pjetri e ndjekin nga pas, dhe falë Gjonit ata arrijnë të hyjnë të dy në oborrin e kryepriftit, ku Pjetri mohon tri herë se e njeh Krishtin. Në fillim, Jezuin e merr në pyetje Hanai dhe pastaj e çojnë para Kajafës. Pas kësaj, Jezuin e çojnë para guvernatorit romak Pilatit, ku judenjtë kërkojnë me forcë dënimin e tij me vdekje.
27. (a) Ç’pyetje bën Pilati për autoritetin e Jezuit dhe të drejtën e tij për të mbretëruar, dhe si përgjigjet Jezui? (b) Në anën e cilit mbret rreshtohen judenjtë?
27 Pyetjes së Pilatit: «A je mbret?», Jezui i përgjigjet: «Ti vetë e thua se jam mbret. Për këtë linda dhe erdha në botë, që të jap dëshmi për të vërtetën.» (18:37) Duke mos gjetur asnjë provë të mirëqenë kundër Jezuit, Pilati tregohet i gatshëm ta lirojë, përderisa është zakon të lirojnë një të burgosur për Pashkë, por judenjtë kërkojnë që në vend të tij të lirohet Baraba, një kusar. Pilati jep urdhër që Jezui të fshikullohet dhe përpiqet edhe një herë ta lirojë, por judenjtë thërrasin: «Vëre në shtyllë! Vëre në shtyllë! . . . Sepse e bëri veten bir të Perëndisë.» Kur Pilati i thotë Jezuit se ka autoritet ta vërë në shtyllë, Jezui ia kthen: «Ti s’do të kishe aspak autoritet mbi mua, po të mos të ishte lejuar nga lart.» Judenjtë thërrasin përsëri: «Hiqe! Hiqe! Vëre në shtyllë! . . . Ne s’kemi mbret tjetër, përveç Cezarit.» Atëherë Pilati e dorëzon që ta vënë në shtyllë.—19:6, 7, 11, 15.
28. Ç’ndodh në Gólgotha dhe cilat profeci përmbushen?
28 Jezuin e nisin për «në vendin që quhej Vendi i Kafkës, në hebraisht Gólgotha» dhe e vënë në shtyllë mes dy të tjerëve. Sipër tij, Pilati vë mbishkrimin «Jezui, nazareasi, mbreti i judenjve», të shkruar në hebraisht, latinisht dhe greqisht, që të gjithë ta shohin e ta kuptojnë. (19:17, 19) Jezui ia beson të ëmën Gjonit, dhe pasi i japin pak verë të thartë, thërret: «U krye!» Pastaj, ul kokën dhe jep frymë. (19:30) Toga e ekzekutimit hedh short për veshjet e tij, nuk ia thyen këmbët dhe e shpon në ijë me heshtë, të gjitha këto, veprime që përmbushin profecitë. (Gjoni 19:24, 32-37; Psal. 22:18; 34:20; 22:17; Zak. 12:10) Më pas, Jozefi nga Arimatea dhe Nikodemi përgatitin trupin për varrim dhe e vënë në një varr të ri aty afër.
29. (a) Në cilat raste u paraqitet Jezui dishepujve të tij? (b) Çfarë pikash thekson Jezui në nxitjen e fundit që i dha Pjetrit?
29 Shfaqjet e Jezuit të ringjallur (20:1–21:25). Seria e provave që paraqit Gjoni në lidhje me Krishtin përfundon me lajmin e gëzueshëm të ringjalljes. Maria-Magdalena e gjen varrin bosh dhe Pjetri me një dishepull tjetër (Gjonin) vrapojnë për atje, por kur arrijnë shohin se kanë mbetur vetëm fashat dhe pëlhurat. Maria, që ka qëndruar afër varrit, flet me dy engjëj dhe në fund me kopshtarin, siç kujton ajo. Kur ai thotë: «Mari», ajo e kupton menjëherë se është Jezui. Më pas, Jezui u shfaqet dishepujve që rrinë me dyer të kyçura, dhe u flet për forcën që do të marrin me anë të frymës së shenjtë. Pas kësaj, Thomai, që nuk ka qenë me ta, nuk pranon të besojë, por tetë ditë më vonë Jezui shfaqet sërish dhe i tregon me prova se është ai. Atëherë Thomai thërret: «Zotëria im dhe Perëndia im!» (20:16, 28) Ditë më vonë, Jezui i takon sërish dishepujt e tij në detin e Tiberiadës. Bën një mrekulli që ata të zënë shumë peshq dhe ha mëngjesin me ta. Ai e pyet Pjetrin tri herë rresht nëse e do. Ndërsa Pjetri i thotë me këmbëngulje se e do, Jezui i thotë qartë: «Ushqeji qengjat e mi», «Kulloti delet e mia të vogla», «Ushqeji delet e mia të vogla.» Pastaj, ai parathotë se me ç’lloj vdekjeje do t’i japë lavdi Perëndisë Pjetri. Pjetri pyet për Gjonin dhe Jezui thotë: «Nëse është vullneti im që ai të mbetet derisa të vij unë, ç’punë ke ti?»—21:15-17, 22.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
30. Si e thekson Gjoni në mënyrë të veçantë cilësinë e dashurisë?
30 Me një gjuhë të drejtpërdrejtë e të fuqishme dhe me një përshkrim bindës, miqësor e të ngrohtë të Fjalës që u bë Krisht, lajmi i mirë «sipas Gjonit» na jep një portret të hollësishëm të këtij Biri të mirosur të Perëndisë, të fjalëve e të veprave të tij. Megjithëse stili dhe gjuha e Gjonit është e thjeshtë, gjë që tregon se ai ishte njeri ‘i pashkolluar e i thjeshtë’, fjalët e tij kanë një forcë të pazakontë. (Vep. 4:13) Ungjilli i tij arrin majat më të larta, kur na bën të njohur dashurinë e thellë mes Atit dhe Birit, si dhe marrëdhënien e dashur e të bekuar që gëzojnë ata që janë në unitet me Atin dhe Birin. Gjoni përdor fjalën «dashuri» dhe foljen «dua» më shpesh se tre Ungjijtë e tjerë të marrë së bashku.
31. Cila lidhje theksohet gjatë gjithë Ungjillit të Gjonit dhe ku e arrijnë kulmin fjalët që shprehin këtë lidhje?
31 Ç’lidhje e mrekullueshme ekzistonte që në fillim mes Fjalës dhe Perëndisë Atë! Me ndërhyrjen e Perëndisë «Fjala u bë mish e banoi mes nesh dhe na u tregua një pamje e lavdisë së tij, një lavdi si ajo që i përket një biri të vetëmlindur nga një atë. Ai ishte plot dashamirësi të pamerituar e të vërtetë». (Gjoni 1:14) Kështu, gjatë gjithë Ungjillit të Gjonit, Jezui thekson se lidhja që gëzon ai me Perëndinë bazohet te nënshtrimi dhe bindja e padiskutueshme ndaj vullnetit të Atit. (4:34; 5:19, 30; 7:16; 10:29, 30; 11:41, 42; 12:27, 49, 50; 14:10) Fjalët e Jezuit, që shprehin lidhjen e tij të ngushtë me Atin, arrijnë një kulm të lavdishëm në lutjen prekëse të kapitullit 17 të Gjonit. Aty Jezui i thotë Atit se e përfundoi veprën që Ai i kish caktuar në tokë dhe shton: «Tani, o Atë, jepmë lavdi, që të jem pranë teje e të kem atë lavdi që kisha pranë teje para se të ishte bota.»—17:5.
32. Me cilat shprehje e tregon Jezui lidhjen e tij me dishepujt dhe se ai është kanali i vetëm nëpërmjet të cilit njerëzimi do të bekohet me jetë?
32 Po për lidhjen e Jezuit me dishepujt e tij? Vazhdimisht del në pah roli i Jezuit si kanali i vetëm nëpërmjet të cilit marrin bekime ata dhe gjithë njerëzimi. (14:13, 14; 15:16; 16:23, 24) Ai quhet «Qengji i Perëndisë», «buka e jetës», «drita e botës», «bariu i shkëlqyer», «ringjallja dhe jeta», «udha, e vërteta dhe jeta», si dhe «hardhia e vërtetë». (1:29; 6:35; 8:12; 10:11; 11:25; 14:6; 15:1) Pikërisht me ilustrimin e ‘hardhisë së vërtetë’, Jezui bën të njohur unitetin e mrekullueshëm që ekziston mes ithtarëve të tij të vërtetë me atë vetë, por edhe me Atin. Ata do t’i japin shumë lavdi Atit të tij, nëse japin shumë fryt. «Ashtu si Ati më ka dashur mua dhe ashtu si ju kam dashur unë ju, po kështu qëndroni në dashurinë time»,—këshillon Jezui.—15:9.
33. Cilin qëllim të shërbimit të tij shpreh Jezui në lutje?
33 Më pas, ai i lutet me zjarr Jehovait që të gjithë këta të dashur, e gjithashtu edhe ‘ata që tregojnë besim nëpërmjet fjalës së tyre’, të jenë një me Atin e tij dhe me të, të shenjtëruar nga fjala e së vërtetës. Në fakt, tërë qëllimi i shërbimit të Jezuit shprehet në mënyrë të mrekullueshme në fjalët e fundit të lutjes së tij drejtuar Atit: «Unë ua kam bërë të njohur emrin tënd dhe do ta bëj të njohur, që ata të shfaqin atë dashuri që ti ke treguar për mua, dhe unë të jem në unitet me ta.»—17:20, 26.
34. Ç’këshilla të dobishme dha Jezui si të mundim botën?
34 Megjithëse po i linte dishepujt e tij në botë, Jezui nuk do t’i linte pa një ndihmës, «frymën e së vërtetës». Veç kësaj, ai u dha këshilla me vend për marrëdhënien e tyre me botën dhe u tregoi si të dilnin fitimtarë si «bij të dritës». (14:16, 17; 3:19-21; 12:36) «Nëse qëndroni në fjalën time, jeni vërtet dishepujt e mi,—tha Jezui.—Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju lirojë.» Kurse bijve të errësirës u tha: «Ju jeni nga ati juaj, Djalli, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj. Ai . . . nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën, sepse e vërteta nuk është në të.» Ndaj, le të jemi të palëkundur që të qëndrojmë gjithnjë të vendosur në të vërtetën, po, ‘ta adhurojmë Atin me frymë dhe të vërtetë’ dhe të marrim forcë nga fjalët e Jezuit: «Merrni zemër! Unë e munda botën.»—8:31, 32, 44; 4:23; 16:33.
35. (a) Ç’dëshmi jep Jezui për Mbretërinë e Perëndisë? (b) Pse Ungjilli i Gjonit jep arsye për të qenë të lumtur dhe mirënjohës?
35 E gjithë kjo ka lidhje edhe me Mbretërinë e Perëndisë. Jezui dëshmoi kur ishte në gjyq: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote. Po të ishte mbretëria ime pjesë e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që unë të mos u dorëzohesha judenjve. Por ja që mbretëria ime nuk është nga kjo botë.» Megjithatë, duke iu përgjigjur pyetjes së Pilatit, ai tha: «Ti vetë e thua se jam mbret. Për këtë linda dhe erdha në botë, që të jap dëshmi për të vërtetën. Kushdo që është në anën e së vërtetës, e dëgjon zërin tim.» (18:36, 37) Vërtet, lum ata që dëgjojnë dhe që ‘lindin përsëri për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë’ në unitet me Mbretin! Lum ‘delet e tjera’ që e dëgjojnë zërin e këtij Bariu-Mbret dhe fitojnë jetën! Vërtet, kemi arsye për të qenë mirënjohës që na është siguruar Ungjilli i Gjonit, sepse ai u shkrua ‘që të besojmë se Jezui është Krishti, Biri i Perëndisë dhe, falë besimit, të kemi jetën me anë të emrit të tij’.—3:3, 5; 10:16; 20:31.
[Shënimet]
a Histori kishtare, nga Eusebi, vëll. V, kap. VIII, par. 4.
b Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 323, anglisht.
c Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqet 57, 58, anglisht.