Si do të qëndroni përballë fronit të gjykimit?
«Kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, bashkë me të gjithë engjëjt e shenjtë, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet.»—MATEU 25:31.
1-3. Çfarë arsyesh për optimizëm kemi në lidhje me drejtësinë?
‘FAJTOR APO I PAFAJSHËM?’ Shumë veta habiten kur dëgjojnë njoftimet mbi ndonjë çështje gjyqësore. Gjykatësit dhe anëtarët e jurive mund të përpiqen të jenë të ndershëm, por a triumfon zakonisht drejtësia? A nuk keni dëgjuar për padrejtësi dhe parregullsi në proceset gjyqësore? Një padrejtësi e tillë nuk është e re, siç mund të shohim në shëmbëlltyrën e Jezuit, që gjendet tek Luka 18:1-8.
2 Cilado qoftë përvoja juaj nga drejtësia njerëzore, vëreni përfundimin e Jezuit: «Vallë, Perëndia a nuk do të gjykojë në favor të popullit të tij të zgjedhur, i cili i lutet për ndihmë ditë natë . . . ? Po ju them, ai do të gjykojë shpejt në favor të tij! Por kur të vijë Biri i njeriut, a do t’i gjejë ai njerëzit duke pritur me besnikëri në tokë?»—ECM.
3 Po, Jehovai do të shohë që shërbëtorët e tij më në fund marrin drejtësi. Jezui është gjithashtu i përfshirë, veçanërisht tani sepse ne jemi duke jetuar në «ditët e fundit» të sistemit të tanishëm të lig. Jehovai së shpejti do të përdorë Birin e tij të fuqishëm për të fshirë ligësinë nga toka. (2. Timoteut 3:1; 2. Selanikasve 1:7, 8; Zbulesa 19:11-16) Ne mund të fitojmë mendjehollësi, mbi rolin që luan Jezui, prej njërës nga shëmbëlltyrat e fundit që ai dha, shpesh e quajtur shëmbëlltyra e deleve dhe e cjepve.
4. Si e kemi kuptuar ne kohën kur zbatohet shëmbëlltyra e deleve dhe e cjepve, por pse do t’i kushtojmë vëmendje shëmbëlltyrës tani? (Proverbat 4:18)
4 Ne kemi ndjerë për një kohë të gjatë që shëmbëlltyra e përshkruan uljen e Jezuit si Mbret në 1914 dhe që prej asaj kohe bën gjykimet—jetë të përhershme për njerëzit që dëshmojnë se janë si dele, vdekje të përhershme për cjeptë. Por një rishqyrtim i shëmbëlltyrës vë në dukje një kuptim të korrigjuar të kohës kur ndodh dhe të asaj që ilustron. Ky përmirësim mbështet rëndësinë e veprës sonë të predikimit dhe domethënien e reagimit të njerëzve. Për të parë bazat për këtë kuptim më të thellë të shëmbëlltyrës, le të shqyrtojmë çfarë tregon Bibla mbi Jehovain dhe Jezuin, si Mbretër dhe si Gjykatës bashkë.
Jehovai Gjykatësi Suprem
5, 6. Pse është e përshtatshme ta shohim Jehovain si Mbret dhe si Gjykatës?
5 Jehovai qeveris universin me fuqi mbi të gjithë krijimin. Duke mos pasur as fillim as fund, ai është «Mbret i përjetësisë». (1. Timoteut 1:17; Psalmi 90:2, 4; Zbulesa 15:3) Ai ka autoritetin të vërë rregulla ose ligje dhe t’i përforcojë ato. Por autoriteti i tij përfshin të qenit një Gjykatës. Isaia 33:22 thotë: «Zoti është gjykatësi ynë, Zoti është ligjvënësi ynë, Zoti është mbreti ynë; ai do të na shpëtojë.»
6 Shërbëtorët e Perëndisë e kanë njohur prej kohësh Jehovain si Gjykatësin e çështjeve dhe të problemeve. Për shembull, pasi «Gjykatësi i gjithë tokës» peshoi dëshmitë mbi ligësinë e Sodomës dhe të Gomorrës, ai gjykoi se banorët e meritonin shkatërrimin dhe ua imponoi këtë gjykim të drejtë. (Zanafilla 18:20-33; Jobi 34:10-12) Si duhet të na sigurojë kjo të dimë se Jehovai është një Gjykatës i drejtë, i cili mund t’i çojë gjithmonë deri në fund gjykimet e tij!
7. Si veproi Jehovai si një Gjykatës në marrëdhënien me Izraelin?
7 Në Izraelin e lashtë, Jehovai ndonjëherë i bënte gjykimet në mënyrë të drejtpërdrejtë. A nuk do të ishit ndjerë të qetë atëherë të mësonit që një Gjykatës i përsosur po vendos mbi çështjet? (Levitiku 24:10-16; Numrat 15:32-36; 27:1-11) Perëndia, gjithashtu siguroi «vendime gjyqësore» që do të ishin plotësisht të mira si norma gjykimi. (Levitiku 25:18, 19; Nehemia 9:13; Psalmi 19:9, 10; 119:7, 75, 164; 147:19, 20) Ai është «Gjykatësi i të gjithë tokës», kështu që të gjithë ne jemi të përfshirë.—Hebrenjve 12:23.
8. Çfarë vizioni përkatës pati Danieli?
8 Ne kemi «dëshmitarë okularë» që kanë lidhje me këtë çështje. Profetit Daniel iu dha një vizion kafshësh të egra që përfaqësojnë qeveritë ose perandoritë. (Danieli 7:1-8, 17) Ai shtoi: «U vendosën fronet dhe i Lashti i ditëve u ul. Veshja e tij ishte e bardhë si bora.» (Danieli 7:9) Vëre që Danieli pa frone «dhe i Lashti i ditëve [Jehovai] u ul». Pyet veten: ‘A ishte duke dëshmuar Danieli këtu që Perëndia u bë Mbret?’
9. Cili është një kuptim i ‘të ulurit’ në fron? Jep shembuj.
9 Mirë atëherë, kur ne lexojmë që dikush «u ul» mbi një fron, ne mund të mendojmë se ai u bë një mbret, meqë Bibla disa herë përdor një gjuhë të tillë. Për shembull: «Kur [Zimri] filloi të mbretërojë, sapo u ul në fron . . . » (1. Mbretërve 16:11; 2. Mbretërve 10:30; 15:12; Jeremia 33:17) Një profeci mesianike tha: «Ai . . . do të ulet e do të mbretërojë mbi fronin e tij.» Kështu, të ‘ulesh në një fron’ mund të nënkuptojë të bëhesh mbret. (Zaharia 6:12, 13) Jehovai është përshkruar si një Mbret i cili ulet mbi një fron. (1. Mbretërve 22:19; Isaia 6:1; Zbulesa 4:1-3) Ai është «Mbret i përjetësisë». Megjithatë, ndërsa ai shpall një aspekt të ri të sovranitetit, mund të thuhet se është bërë Mbret, si të jetë ulur në fronin e tij përsëri.—1. Kronikave 16:1, 31; Isaia 52:7; Zbulesa 11:15-17; 15:3; 19:1, 2, 6.
10. Cili ishte një funksion parësor i mbretërve izraelitë? Ilustro.
10 Por këtu është një pikë kyçe: Një funksion primar i mbretërve të lashtë ishte dëgjimi i çështjeve dhe dhënia e gjykimit. (Proverbat 29:14) Sillni ndër mend gjykimin e mençur të Solomonit kur dy gra pretendonin të njëjtën fëmijë. (1. Mbretërve 3:16-28; 2. Kronikave 9:8) Një nga ndërtesat e tij qeveritare ishte «Portiku i Fronit ku do të bënte gjykimin», të quajtur gjithashtu «portiku i gjykimit». (1. Mbretërve 7:7, BR) Jerusalemi përshkruhej si vendi ku «janë vënë fronet për gjykimin». (Psalmi 122:5) Në mënyrë të qartë, ‘ulja në një fron’ mund të nënkuptojë gjithashtu ushtrim të autoritetit gjyqësor.—Të Dalët 18:13; Proverbat 20:8.
11, 12. (a) Cili ishte nënteksti i të ulurit të Jehovait të përmendur në Danielin kapitulli 7? (b) Si e konfirmojnë shkrimet e tjera faktin që Jehovai ulet për gjykim?
11 Tani le të kthehemi tek skena ku Danieli pa ‘të Lashtin e ditëve të ulej’. Danieli 7:10 shton: «Gjykimi u bë dhe librat u hapën.» Po, i Lashti i Ditëve ishte ulur për të bërë gjykim mbi sundimin botëror dhe për të gjykuar Birin e njeriut si të denjë për sundim. (Danieli 7:13, 14) Atëherë ne lexojmë se «i Lashti i Ditëve erdhi dhe vetë gjykimi u dha në favor të të shenjtëve», ata u gjykuan të përshtatshëm për të sunduar me Birin e njeriut. (Danieli 7:22, BR) Përfundimisht «vetë Trupi Gjykues u mblodh» dhe u dha një gjykim i pafavorshëm mbi fuqinë e fundit botërore.—Danieli 7:26, BR.a
12 Si pasojë, fakti që Danieli e pa Perëndinë ‘të ulur mbi një fron’ nënkupton ardhjen e Tij për të bërë gjykim. Më përpara Davidi këndoi: «Ti [Jehova] në fakt ke përkrahur ndershmërinë dhe çështjen time; je ulur mbi fronin si një gjyqtar i drejtë.» (Psalmi 9:4, 7) Dhe Joeli shkroi: «Le të ngrihen dhe të dalin kombet në luginën e Jozafatit, sepse atje unë [Jehovai] do të ulem për të gjykuar të gjitha kombet që janë përreth.» (Joeli 3:12; krahaso Isainë 16:5.) Që të dy, Jezui dhe Pavli ishin në situata gjyqësore, në të cilat një njeri ulej për të dëgjuar një çështje dhe për të dhënë gjykim.b—Gjoni 19:12-16; Veprat 23:3; 25:6.
Pozita e Jezuit
13, 14. (a) Çfarë sigurie ka pasur populli i Perëndisë që Jezui do të bëhej Mbret? (b) Kur u ul Jezui në fronin e tij dhe në ç’kuptim sundoi nga viti 33 e.s. e tutje?
13 Jehovai është Mbret dhe Gjykatës. Po Jezui? Engjëlli që shpalli lindjen e tij tha: «Perëndia Jehova do t’i japë atij fronin e Davidit atit të tij, . . . dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.» (Luka 1:32, 33, BR) Jezui do të jetë trashëgimtari i përhershëm i familjes mbretërore të Davidit. (2. Samueli 7:12-16) Ai do të qeverisë nga qielli, sepse Davidi tha: «Thënia e Jehovait për Zotin tim [Jezuin] është: ‘Ulu në të djathtën time derisa t’i vë armiqtë e tu si një stol për këmbët e tua.’ Skeptrin e fuqisë tënde Jehovai do të dërgojë nga Sioni, duke thënë: ‘Shko nënshtro në mes të armiqve të tu.’»—Psalmi 110:1-4, BR.
14 Kur do të ndodhë kjo? Jezui nuk sundoi si mbret ndërsa ishte një njeri. (Gjoni 18:33-37) Në vitin 33 e.s., ai vdiq, u ringjall dhe u ngjit në qiell. Hebrenjve 10:12 thotë: «[Ky njeri] pasi dha për gjithnjë një flijim të vetëm për mëkatet, u vu të rrijë në të djathtën e Perëndisë.» Çfarë autoriteti pati Jezui? «[Perëndia e vuri] të ulej në të djathtën e tij në vendet qiellore, përmbi çdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim . . . edhe i dha për krye përmbi çdo gjë kishës.» (Efesianëve 1:20-22) Për shkak se Jezui kishte atëherë autoritet mbretëror mbi të krishterët, Pavli mundi të shkruante që Jehovai «na nxori nga pushteti i errësirës dhe na çoi në mbretërinë e Birit të tij të dashur».—Kolosianëve 1:13; 3:1.
15, 16. (a) Pse themi se Jezui nuk u bë Mbret i Mbretërisë së Perëndisë në vitin 33 të e.s.? (b) Kur filloi Jezui të mbretërojë në Mbretërinë e Perëndisë?
15 Sidoqoftë, në atë kohë, Jezui nuk veproi si Mbret dhe Gjykatës mbi kombet. Ai ishte ulur pranë Perëndisë, duke pritur kohën për të vepruar si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. Pavli shkroi për të: «Cilit nga engjëjt i tha ndonjëherë: ‘Rri në të djathtën time, gjersa t’i vë armiqtë e tu shtroje të këmbëve të tua?’»—Hebrenjve 1:13.
16 Dëshmitarët e Jehovait kanë botuar shumë prova se periudha e pritjes së Jezuit mori fund në 1914, kur ai u bë sundimtar i Mbretërisë së Perëndisë në qiejt e padukshëm. Zbulesa 11:15, 18 thotë: «Mbretëritë e botës u bënë mbretëri të Zotit tonë dhe të Krishtit të tij dhe ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve.» «Kombet ishin zemëruar, por erdhi mëria jote.» Po, kombet shprehën zemërim ndaj njëri-tjetrit gjatë Luftës së I Botërore. (Luka 21:24) Luftërat, tërmetet, murtajat, mungesat e ushqimeve dhe gjëra të tilla të ngjashme që ne kemi parë që prej 1914 konfirmojnë se tani Jezui është duke sunduar në Mbretërinë e Perëndisë dhe fundi përfundimtar i botës është afër.—Mateu 24:3-14.
17. Çfarë pikash kyçe kemi vendosur deri tani?
17 Dhe tani le të bëjmë një përsëritje të shkurtër: Perëndia mund të thuhet se rri ulur në fron si Mbret, por në një kuptim tjetër ai mund të ulet në fronin e tij për të gjykuar. Në vitin 33 të e.s., Jezui u ul në të djathtën e Perëndisë dhe tani është Mbret i Mbretërisë. Por, Jezui, tani që mbretëron si Mbret, a shërben edhe si Gjykatës? Dhe pse duhet të na interesojë kjo, veçanërisht në këtë kohë?
18. Çfarë dëshmie ka se Jezui do të jetë gjithashtu Gjykatës?
18 Jehovai, i cili ka të drejtën të caktojë gjykatës, zgjodhi Jezuin si një Gjykatës që i plotëson kërkesat e Tij. Jezui e tregoi këtë kur foli mbi njerëzit që lindnin frymësisht: «Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha Birit.» (Gjoni 5:22) Por, roli gjykues i Jezuit shkon përtej këtij lloji gjykimi, pasi ai është gjykatës i të gjallëve dhe i të vdekurve. (Veprat 10:42; 2. Timoteut 4:1) Pavli njëherë deklaroi: «[Perëndia] ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të një njeriu [Jezuit] të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej të vdekurit.»—Veprat 17:31; Psalmi 72:2-7.
19. Pse është e drejtë të flasim për Jezuin si një që rri ulur si një Gjykatës?
19 A kemi të drejtë të arrijmë në përfundimin se Jezui ulet mbi një fron të lavdishëm në një rol të veçantë Gjykatësi? Po. Jezui u tha apostujve: «Në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e lavdisë së vet edhe ju që më keni ndjekur do të uleni mbi dymbëdhjetë frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.» (Mateu 19:28) Ndonëse tani Jezui është Mbret i Mbretërisë, aktiviteti i tij i mëtejshëm i përmendur tek Mateu 19:28 do të përfshijë uljen mbi një fron për të gjykuar gjatë Mijëvjeçarit. Në atë kohë ai do të gjykojë të gjithë njerëzimin, të drejtët dhe të padrejtët. (Veprat 24:15) Është shumë e dobishme që të mbajmë në mendje këtë, ndërsa e drejtojmë vëmendjen ndaj njërës prej shëmbëlltyrave të Jezuit që i referohet kohës dhe jetës sonë.
Çfarë thotë shëmbëlltyra?
20, 21. Çfarë pyetën apostujt e Jezuit në lidhje me kohën tonë, duke na çuar në cilën pyetje?
20 Pak para se Jezui të vdiste, apostujt e tij e pyetën: «Kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë tënde dhe e mbarimit të sistemit të gjërave?» (Mateu 24:3, BR) Jezui paratha zhvillime domethënëse mbi tokë përpara se ‘të vijë fundi’. Pak përpara atij fundi, kombet do të «shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe».—Mateu 24:14, 29, 30.
21 Megjithatë, si do t’ia dalin njerëzit në ato kombe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij? Le ta gjejmë këtë nga shëmbëlltyra e deleve dhe e cjepve, e cila fillon me fjalët: «Kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, bashkë me engjëjt e shenjtë, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet. Dhe të gjithë kombet do të mblidhen para tij.»—Mateu 25:31, 32.
22, 23. Cilat pika tregojnë se shëmbëlltyra e deleve dhe e cjepve nuk fillon të plotësohet në 1914?
22 A zbatohet kjo shëmbëlltyrë në kohën kur Jezui u ul në fuqinë mbretërore në 1914, siç e kemi kuptuar për shumë kohë? E pra, Mateu 25:34 po flet për të si një Mbret, kështu që shëmbëlltyra në mënyrë logjike gjen zbatim qëkurse Jezui u bë Mbret në 1914. Por çfarë gjykimi bëri ai menjëherë pas kësaj? Nuk ishte një gjykim i «të gjitha kombeve». Në vend të kësaj, ai e drejtoi vëmendjen ndaj atyre që deklaronin se përbënin «shtëpinë e Perëndisë». (1. Pjetrit 4:17) Në harmoni me Malakinë 3:1-3, Jezui, si lajmëtari i Jehovait, inspektoi në mënyrë gjykuese të krishterët e mirosur të mbetur mbi tokë. Gjithashtu, ishte koha për një vendim gjykues ndaj të ashtuquajturit krishterim, i cili në mënyrë të rreme shpallte se ishte «shtëpia e Perëndisë».c (Zbulesa 17:1, 2; 18:4-8) Por, asgjë nuk tregon se në atë kohë, pra në 1914, ose në lidhje me atë çështje që prej asaj kohe, Jezui u ul për të gjykuar përfundimisht njerëzit e të gjitha kombeve si dele dhe cjepë.
23 Në qoftë se ne analizojmë aktivitetin e Jezuit në shëmbëlltyrë, ne e vërejmë atë përfundimisht duke gjykuar të gjitha kombet. Shëmbëlltyra nuk tregon që një gjykim i tillë do të vazhdojë në një periudhë të shtrirë kohe në shumë vite, sikur çdo person që vdes gjatë këtyre dekadave të kaluara të jetë gjykuar i denjë për vdekjen apo për jetën e përhershme. Me sa duket shumica e atyre që kanë vdekur në dekadat e fundit kanë shkuar në varrin e përbashkët të njerëzimit. (Zbulesa 6:8; 20:13) Shëmbëlltyra, megjithatë, përshkruan kohën kur Jezui gjykon njerëzit e të «gjitha kombeve» të cilët janë gjallë në atë kohë dhe përballojnë ekzekutimin e vendimit të tij gjyqësor.
24. Kur do të plotësohet shëmbëlltyra e deleve dhe e cjepve?
24 Me fjalë të tjera, shëmbëlltyra e drejton vëmendjen në të ardhmen, kur Biri i njeriut do të vijë në lavdinë e tij. Ai do të ulet për të gjykuar njerëzit që do të jenë gjallë në atë kohë. Gjykimi i tij do të bazohet mbi atë që ata kanë dëshmuar se janë. Në atë kohë do të jetë vendosur qartë ndryshimi «ndërmjet të drejtit dhe të pabesit». (Malakia 3:18) Shpallja dhe ekzekutimi i vërtetë i gjykimit do të kryhet në një kohë të kufizuar. Jezui do të marrë vendime të drejta të bazuara mbi atë që është bërë e qartë mbi individët.—Shiko gjithashtu 2. Korintasve 5:10.
25. Çfarë përshkruan Mateu 25:31 duke folur për Birin e njeriut të ulur në një fron të lavdishëm?
25 Kjo do të thotë atëherë që, ‘ulja e Jezuit në fronin e tij të lavdishëm’ për gjykim, e përmendur në Mateun 25:31, zbatohet në kohën e ardhme kur ky Mbret i fuqishëm do të ulet për të shpallur dhe ekzekutuar gjykimin mbi kombet. Po, skena e gjykimit, që përfshin Jezuin tek Mateu 25:31-33, 46 është e krahasueshme me skenën e Danielit kapitulli 7, ku Mbreti sundues, i Lashti i Ditëve, ulet për të kryer rolin e tij si gjykatës.
26. Cili shpjegim i ri i shëmbëlltyrës bëhet i dukshëm?
26 Kuptimi i shëmbëlltyrës së deleve dhe cjepve në këtë mënyrë tregon se kryerja e gjykimit mbi delet dhe cjeptë i takon së ardhmes. Ai do të ndodhë mbasi të shpërthejë «mjerimi» i përmendur tek Mateu 24:29, 30 dhe mbasi Biri i njeriut ‘vjen në lavdinë e tij’. (Krahaso Markun 13:24-26.) Atëherë, në përfundim të sistemit të lig, bashkë me mbarimin e tij, Jezui do të mbledhë trupin gjykues, do të japë dhe do të ekzekutojë gjykimin.—Gjoni 5:30; 2. Selanikasve 1:7-10.
27. Çfarë duhet të na interesojë në njohjen mbi shëmbëlltyrën përfundimtare të Jezuit?
27 Kjo e qartëson kuptimin tonë mbi kohën kur zbatohet shëmbëlltyra e Jezuit, e cila tregon kohën kur delet dhe cjeptë do të gjykohen. Por si na prek kjo ne që jemi të zellshëm për predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë? (Mateu 24:14) A e bën kjo punën tonë më pak domethënëse, apo i jep një peshë më të madhe përgjegjësisë? Le të shohim në artikullin tjetër se si jemi të prekur.
[Shënimet]
a Fjala e përkthyer «Trupi Gjykues» tek Danieli 7:10, 26 gjendet gjithashtu tek Ezdra 7:26 dhe Danieli 4:37; 7:22.
b Përsa u përket të krishterëve që nxirrnin njëri-tjetrin në gjyq, Pavli pyeti: «Vini si gjykatës njerëzit që janë të përbuzur në kongregacion [fjalë për fjalë «i ulni për të gjykuar»]?»—1. Korintasve 6:4, BR.
c Shiko Zbulesa—Kulmi i saj madhështor është afër!, faqet 56, 73, 235-245, 260 angl.; botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
A të kujtohet?
◻ Si shërben Jehovai si një Mbret dhe si një Gjykatës?
◻ Cilat janë dy kuptimet për ‘i ulur në një fron’?
◻ Çfarë kemi thënë më përpara për kohën kur zbatohet Mateu 25:31, por çfarë bazash ka për një pikëpamje të korrigjuar?
◻ Kur ulet Biri i njeriut në fronin e tij, siç tregon Mateu 25:31?