A duhet t’i luteni Jezuit?
MJAFT njerëz e shohin si të përshtatshme që t’i luten Jezuit. Në Gjermani, shumica janë mësuar qysh fëmijë, që para ngrënies të kryqëzojnë duart dhe të falenderojnë Jezu Krishtin.
Në të vërtetë, sipas Biblës, Jezui ka një pozitë shumë të lartë në qiell. Megjithatë, a do të thotë kjo se ne duhet t’i lutemi atij? Ti mund të jesh midis atyre që të nxitur nga dashuria për Jezuin, i luten drejtpërdrejt atij, por çfarë mendon vetë Jezui rreth lutjeve të tilla?
Së pari, pse lindin pyetje të tilla? Sepse Bibla thotë se Perëndia Jehova është «Dëgjuesi i lutjes». Pra, nuk është e habitshme që shërbëtorët e Perëndisë në kohët e lashta, si p.sh. izraelitët, i luteshin vetëm Perëndisë së Plotfuqishëm Jehova.—Psalmi 5:1, 2; 65:2, BR.
A ndryshuan gjërat kur Jezui, Biri i Perëndisë erdhi në tokë për të çliruar njerëzimin nga mëkati dhe vdekja? Jo, lutjet përsëri i drejtoheshin Jehovait. Kur ishte mbi tokë, vetë Jezui i lutej shpesh Atit të tij qiellor dhe mësoi edhe të tjerët që të vepronin në këtë mënyrë. Mendo vetëm për lutjen model të quajtur disa herë Lutja e Zotërisë apo Ati Ynë, e cila është një prej lutjeve më të njohura në botë. Jezui nuk na mësoi që t’i lutemi atij; ai na dha këtë model: «Ati ynë në qiell, le të shenjtërohet emri yt.»—Mateu 6:6, 9, BR; 26:39, 42.
Le të shohim tani më thellësisht mbi këtë çështje, duke shqyrtuar se çfarë është në të vërtetë një lutje.
Çfarë është një lutje?
Çdo lutje është një formë e adhurimit. The World Book Encyclopedia e vërteton këtë duke deklaruar: «Lutja është një formë e adhurimit me anë të së cilës një person mund t’i ofrojë devocion, falënderime, rrëfim apo përgjërim Perëndisë.»
Në një rast Jezui tha: «Është shkruar, ‘Jehovai është Perëndia juaj që duhet të adhuroni dhe vetëm atij duhet t’i jepni shërbim të shenjtë.’» Jezui iu përmbajt të vërtetës themelore se adhurimi—gjithashtu dhe lutjet—duhet t’i drejtohen vetëm Atit të tij, Perëndisë Jehova.—Luka 4:8, BR; 6:12.
Të njohim Jezuin në lutjet tona
Jezui vdiq si një sakrificë shpërblerëse për njerëzimin, u ringjall nga Perëndia dhe u ngrit në një pozitë më të lartë. Siç mund ta imagjinosh, të gjitha këto sollën një ndryshim në lidhje me pranimin e lutjeve. Në ç’mënyrë?
Apostulli Pavël, përshkroi si më poshtë ndikimin e madh që ushtron pozita e Jezuit mbi lutjen: «Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër, që në emër të Jezuit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore, dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë.»—Filipianëve 2:9-11.
Këto fjalë, «që në emër të Jezuit të përkulet çdo gju» a do të thonë se duhet t’i lutemi atij? Jo. Fraza greke e përfshirë këtu «shënon emrin në të cilin bashkohen ata që përkulin gjunjët, emër që unifikon të gjithë (πᾶν γόνυ) adhurimin. Emri që i është dhënë Jezuit, nxit që të gjithë të adhurojnë në unitet». (G. B. Viner, A Grammar of the Idiom of the New Testament) Në fakt, që lutja të pranohet duhet të paraqitet «në emër të Jezuit» por, megjithkëtë, ajo duhet t’i drejtohet Perëndisë Jehova dhe të shërbejë për lavdërimin e Tij. Për këtë arsye Pavli tha: «Në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim.»—Filipianëve 4:6.
Ashtu si një rrugë të çon në një vend të caktuar, ashtu edhe Jezui është «rruga» që të shpie tek Perëndia i Plotfuqishëm. «Unë jam rruga e vërteta dhe jeta. Asnjë nuk vjen tek Ati veçse nëpërmjet meje», i mësoi Jezui apostujt. (Gjoni 14:6, BR) Pra, ne duhet t’ia paraqesim lutjet tona Perëndisë përmes Jezuit dhe jo drejtpërdrejt atij.a
‘Por, a nuk tregon Bibla se që të dy, dishepulli Stefan dhe apostulli Gjon folën me Jezuin në qiell?’,—mund të pyesin disa. Kjo është e vërtetë. Megjithatë, këto ngjarje nuk kanë të bëjnë me lutjen, pasi që të dy, Stefani dhe Gjoni e panë Jezuin në vizion dhe folën drejtpërdrejt me të. (Veprat 7:56, 59; Zbulesa 1:17-19; 22:20) Mbaj mend, se e folura madje edhe me Perëndinë, nuk përbën në vetvete një lutje. Adami dhe Eva i folën Perëndisë duke kërkuar të shfajësohen për mëkatin e tyre të madh, kur Ai i gjykoi pasi kishin mëkatuar në Eden. Ata folën me të në atë mënyrë e cila nuk ishte një lutje. (Zanafilla 3:8-19) Prandaj, do të ishte e padrejtë të përmendnim bisedën e Stefanit dhe të Gjonit me Jezuin, si një dëshmi se duhet t’i lutemi atij.
Në ç’mënyrë mund ‘të thirret mbi emrin e Jezuit’?
A ke akoma dyshime, duke menduar se është e përshtatshme që t’i lutesh Jezuit? Një grua, i shkroi zyrës së degës së shoqatës Watch Tower: «Mjerisht, akoma nuk jam e bindur se të krishterët e parë nuk i luteshin Jezuit.» Ajo kishte në mendje fjalët e Pavlit tek 1. Korintasve 1:2, ku ai përmend «të gjithë ata që në çdo vend po thërrasin mbi emrin e Zotërisë tonë, Jezu Krisht». Megjithatë, duhet shënuar se në gjuhën origjinale, shprehja «të thërrasësh mbi» mund t’i referohet gjërave të ndryshme nga lutja.
Në ç’kuptim emri i Krishtit ‘thirrej’ në çdo vend? Një mënyrë ishte se ithtarët e Jezuit të Nazaretit, e njohën atë hapur si Mesia dhe «Shpëtimtari i botës», duke kryer shumë vepra të mrekullueshme në emrin e tij. (1. Gjonit 4:14; Veprat 3:6; 19:5) Prandaj, The Interpreter’s Bible deklaron se fraza «të thërrasësh në emër të Zotërisë tonë . . . do të thotë të pranosh udhëheqjen e tij në vend se t’i lutesh atij».
Pranimi i Krishtit dhe ushtrimi i besimit në gjakun e derdhur të tij, gjë që bën të mundur faljen e mëkateve, përbën gjithashtu një «thirrje mbi emrin e Zotërisë tonë, Jezu Krisht». (Krahaso Veprat 10:43 me 22:16.) Kështu, ne themi drejtpërdrejtë emrin e Jezuit në lutje sa herë që i lutemi Perëndisë përmes tij. Prandaj, ndërsa Bibla tregon se mund të thërrasim mbi emrin e Jezuit, nuk thotë se duhet t’i lutemi atij.—Efesianëve 5:20; Kolosianëve 3:17.
Çfarë mund të bëjë Jezui për ne
Jezui në mënyrë të qartë u premtoi dishepujve të tij: «Nëse do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj.» A kërkon kjo që t’i lutemi atij? Jo. Kërkesa i drejtohet Perëndisë Jehova—por në emër të Jezuit (Gjoni 14:13, 14; 15:16) Ne i lutemi Perëndisë që Biri i Tij, Jezui, të zbatojë fuqinë dhe autoritetin e tij të madh, në dobinë tonë.
Në ç’mënyrë komunikon Jezui me ithtarët e tij të vërtetë sot? Përshkrimi i Pavlit mbi kongregacionin e të krishterëve të mirosur, mund të shërbejë si një ilustrim. Ai e krahasoi atë me trupin dhe Jezu Krishtin me kokën. «Koka» i plotëson nevojat e anëtarëve të trupit frymor nëpërmjet «nyjeve dhe gjymtyrëve», apo mjeteve dhe masave që janë marrë për t’i siguruar kongregacionit të tij ushqimin dhe drejtimin frymor. (Kolosianëve 2:19) Në mënyrë të ngjashme, Jezui sot përdor «dhuratat në njerëz», apo njerëz të kualifikuar nga ana frymore, që të marrin udhëheqjen në kongregacion duke dhënë madje edhe qortime kur është e nevojshme. Nuk ka ndonjë kriter për anëtarët e kongregacionit, që të komunikojnë drejtpërdrejt me Jezuin apo t’i luten atij, por sigurisht duhet t’i luten Atit të Jezuit, Perëndisë Jehova.—Efesianëve 4:8-12.
Si e nderon ti Jezuin?
Çfarë roli të rëndësishëm zë Jezui, në lidhje me shpëtimin e njerëzimit! Apostulli Pjetër shpjegoi: «Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi.» (Veprat 4:12) A je i vetëdijshëm mbi rëndësinë e emrit të Jezuit?
Duke mos iu drejtuar atij personalisht në lutje, ne nuk injorojmë pozitën e tij. Në vend të kësaj, Jezui nderohet kur lutemi në emër të tij. Dhe ashtu si fëmijët i nderojnë prindërit e tyre duke qenë të bindur, ne e nderojmë Jezuin duke iu bindur urdhërimeve të tij, veçanërisht urdhrit të ri për të dashur njëri-tjetrin.—Gjoni 5:23; 13:34.
Lutjet e pranueshme
A dëshiron të ofrosh lutje të pranueshme? Atëherë, drejtoja ato Perëndisë Jehova, duke e bërë këtë në emër të Birit të tij, Jezuit. Njih se cili është vullneti i Perëndisë dhe përpiqu që lutjet e tua të pasqyrojnë këtë njohuri. (1. Gjonit 3:21, 22; 5:14) Merr forcë nga fjalët e Psalmit 66:20: «Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time dhe nuk më mohoi mirësinë e tij.»
Siç e pamë, lutjet janë një formë adhurimi që i përkasin vetëm Perëndisë së Plotfuqishëm. Duke ia drejtuar të gjitha lutjet tona Perëndisë Jehova, tregojmë se e kemi marrë për zemër udhëzimin e Jezuit për t’u lutur: «Ati ynë në qiell.»—Mateu 6:9, BR.
[Shënimi]
a Disa mund t’i luten Jezuit sepse besojnë se ai është Perëndia. Por Jezui ishte Biri i Perëndisë dhe ai vetë adhuronte Atin e tij Jehova. (Gjoni 20:17) Për një shqyrtim më të hollësishëm të çështjes, shiko broshurën A duhet të besojmë në Trinitetin?, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.