KAPITULLI 7
Shpallën «lajmin e mirë për Jezuin»
Filipi la shembullin si ungjillëzues
Bazuar te Veprat 8:4-40
1, 2. Si patën efekt të kundërt përpjekjet për ta shuar lajmin e mirë, në shekullin e parë?
NJË valë e egër përndjekjeje kishte përfshirë kongregacionin. Sauli po e «trajtonte mizorisht», shprehje që në gjuhën origjinale përshkruan barbarinë. (Vep. 8:3) Dishepujt u shpërndanë dhe disa mund të mendonin se Sauli do të arrinte ta zhdukte nga faqja e dheut krishterimin. Por, në të vërtetë ndodhi diçka e paparashikuar. Çfarë?
2 Dishepujt e shpërndarë nisën ‘të shpallnin lajmin e mirë të fjalës së Perëndisë’ në vendet ku shkonin. (Vep. 8:4) Mendo pak! Përndjekja jo vetëm që s’arriti ta shuante lajmin e mirë, po faktikisht e ndihmoi të përhapej. Duke i detyruar dishepujt të shpërndaheshin, pa dashje përndjekësit bënë që vepra e predikimit të zgjerohej në territore nga më të largëtat. Siç do të shohim, diçka e ngjashme ka ndodhur edhe në ditët e sotme.
«Dishepujt që ishin shpërndarë» (Veprat 8:4-8)
3. (a) Kush ishte Filipi? (b) Pse në Samari lajmi i mirë pothuajse s’ishte predikuar, e megjithatë, ç’kishte parathënë Jezui për atë territor?
3 Filipi ishte një ndër «dishepujt që ishin shpërndarë».a (Vep. 8:4; shih kutinë «Filip ‘ungjillëzuesi’».) Ai shkoi në Samari, një qytet ku lajmi i mirë pothuajse s’ishte predikuar, pasi më parë Jezui i kishte udhëzuar apostujt: «Mos hyni në asnjë qytet samaritan, por shkoni vazhdimisht te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.» (Mat. 10:5, 6) Por Jezui e dinte se më vonë atje do të jepej dëshmi e plotë, sepse, para se të ngjitej në qiell, tha: «Do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.»—Vep. 1:8.
4. Si reaguan samaritanët ndaj predikimit të Filipit dhe ç’mund të ketë ndikuar në këtë?
4 Filipi e gjeti Samarinë «gati për korrje». (Gjoni 4:35) Mesazhi i tij ishte si një fllad freskues për banorët e atjeshëm, dhe mund të kuptohet kollaj përse. Judenjtë s’bëheshin me samaritanët, e madje shumë prej tyre i përbuznin. Por samaritanët kuptuan se mesazhi i lajmit të mirë u ofronte shpresë të gjithëve pa dallim, prandaj ndryshonte krejt nga mentaliteti i cekët i farisenjve. Duke u dëshmuar me zell e paanësi samaritanëve, Filipi tregoi se nuk ishte infektuar nga paragjykimi i atyre që i përbuznin. Prandaj, nuk habitemi fare që turma samaritanësh e dëgjuan Filipin me «vëmendje të madhe».—Vep. 8:6.
5-7. Jepni shembuj se si shpërndarja e të krishterëve ka sjellë si rezultat përhapjen e lajmit të mirë.
5 Sot, njësoj si në shekullin e parë, përndjekja nuk ia ka mbyllur gojën popullit të Perëndisë. Shpeshherë, kur të krishterët i kanë detyruar të ikin nga një vend në një tjetër (qoftë në burg, qoftë në një zonë tjetër), kjo vetëm sa ka ndihmuar që mesazhi i Mbretërisë të shkonte edhe atje. Për shembull, gjatë Luftës II Botërore, Dëshmitarët e Jehovait patën mundësi t’u predikonin të tjerëve edhe në kampet naziste të përqendrimit. Një hebre që i takoi atje Dëshmitarët, tregon: «Qëndresa e të burgosurve Dëshmitarë të Jehovait më bindi se besimi i tyre bazohej te Shkrimet, kështu u bëra edhe unë Dëshmitar.»
6 Në disa raste, edhe përndjekësit kanë marrë dëshmi dhe kanë reaguar mirë. Për shembull, kur e transferuan në kampin e përqendrimit të Guzenit në Austri, një Dëshmitar me emrin Franc Desh pati mundësi të studionte Biblën me një oficer SS. Përfytyroni gëzimin e tyre kur u takuan përsëri, vite më vonë, në një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait dhe që të dy ishin lajmëtarë të lajmit të mirë!
7 Diçka e ngjashme ka ndodhur kur përndjekja i ka detyruar të krishterët të ikin nga një shtet në një tjetër. Për shembull, në vitet 70, në Mozambik u dha një dëshmi e fuqishme kur Dëshmitarët e Malavisë u detyruan të iknin atje. Edhe pse më vonë në Mozambik nisi kundërshtimi, vepra e predikimit vazhdoi. Fransisko Koana thotë: «Vërtet, disa nga ne u kapën e u arrestuan disa herë ngaqë predikonim. Gjithsesi, meqë shumë veta e pranuan mesazhin e Mbretërisë, ishim të sigurt se Perëndia po na ndihmonte, siç kishte ndihmuar të krishterët e shekullit të parë.»
8. Si kanë ndikuar në veprën e predikimit ndryshimet ekonomike dhe politike?
8 Natyrisht, përndjekja nuk ka qenë e vetmja arsye e përhapjes së krishterimit në territoret e huaja. Dhjetëvjeçarët e fundit, edhe ndryshimet politike dhe ekonomike kanë krijuar mundësi që mesazhi për Mbretërinë të përhapet te njerëz të shumë gjuhëve e etnive. Disa kanë ikur nga zonat e luftës dhe nga vendet e varfra për në vende me më shumë stabilitet, ku kanë nisur të studiojnë Biblën. Mbërritja e shumë refugjatëve, ka krijuar territore të reja në gjuhë të huaj. A po përpiqesh edhe ti t’u dëshmosh njerëzve «nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët» në territorin tënd?—Zbul. 7:9.
«Ma jepni edhe mua këtë autoritet» (Veprat 8:9-25)
9. Kush ishte Simoni dhe, me sa duket, çfarë i bëri përshtypje te Filipi?
9 Filipi bëri shumë shenja në Samari. Ndër të tjera, shëroi njerëz të paralizuar e të çalë e madje dëboi frymëra të liga. (Vep. 8:6-8) Këto dhurata të mrekullueshme të Filipit i bënë përshtypje sidomos një njeriu, Simonit, një magjistari me aq prestigj, saqë njerëzit thoshin për të: «Ky njeri është Fuqia e Perëndisë.» Kur Simoni pa me sytë e tij fuqinë e vërtetë të Perëndisë të shfaqur në mrekullitë që kryente Filipi, u bë besimtar. (Vep. 8:9-13) Por, më vonë, motivet e tij u vunë në provë. Si?
10. (a) Ç’bënë Pjetri dhe Gjoni në Samari? (b) Çfarë bëri Simoni pasi pa se dishepujt e rinj merrnin frymën e shenjtë kur Pjetri e Gjoni vinin duart mbi ta?
10 Kur morën vesh për rritjen që po ndodhte në Samari, apostujt dërguan atje Pjetrin dhe Gjonin. (Shih kutinë «Pjetri përdor ‘çelësat e Mbretërisë’».) Me të mbërritur, dy apostujt vunë duart mbi dishepujt e rinj dhe ata morën frymën e shenjtë.b Kjo i zgjoi kureshtjen Simonit. «Ma jepni edhe mua këtë autoritet,—u tha apostujve,—që kushdo mbi të cilin të vë duart, të marrë frymë të shenjtë.» Madje, me shpresë se mund ta blinte këtë privilegj të shenjtë, u ofroi edhe pará.—Vep. 8:14-19.
11. Si e qortoi Pjetri Simonin dhe si reagoi ai?
11 Pjetri iu përgjigj prerazi Simonit: «Argjendi yt marrtë fund bashkë me ty, se mendove që mund ta blije me pará dhuratën e Perëndisë! Ti nuk do ta kesh këtë gjë, sepse Perëndia e sheh që zemra jote nuk është e drejtë.» Pastaj, Pjetri e nxiti Simonin të pendohej e të lutej për falje: «Përgjëroju Jehovait, që nëse është e mundur, ta falë qëllimin e keq të zemrës sate.» Me sa duket, Simoni s’ishte njeri i lig. Ai donte të bënte atë që ishte e drejtë, por për momentin po nxitej nga dëshirat e gabuara. Prandaj, iu lut apostujve: «Përgjërojuni Jehovait për mua, që të mos më bjerë asnjëra nga gjërat që thatë.»—Vep. 8:20-24.
12. Çfarë është «simonia» dhe si është kthyer në një grackë për krishterimin apostat?
12 Qortimi që i dha Pjetri Simonit është një paralajmërim për të krishterët sot. Në fakt, nga kjo ngjarje ka ardhur fjala «simoni». «Simonia» është blerja ose shitja e posteve, sidomos e atyre fetare. Historia e krishterimit apostat është plot e përplot me raste të kësaj praktike. Madje, në botimin e nëntë të Enciklopedisë britanike (1878) thuhej: «Një studim rreth historisë së konklavës papalec e bind studiuesin se asnjë zgjedhje nuk është bërë pa u ndotur nga simonia, madje në shumë raste kjo praktikë ka qenë nga më të rëndat, më të turpshmet dhe më ashiqaret.»
13. Si duhet të ruhen nga simonia të krishterët?
13 Të krishterët e vërtetë duhet të ruhen nga mëkati i simonisë. Për shembull, s’duhet të përpiqen të fitojnë favore duke i mbytur me lajka ose me dhurata të shumta ata që mund t’u japin të tjerëve privilegje në kongregacion. Nga ana tjetër, ata që mendohet se mund të bëjnë favore të tilla, duhet të ruhen që të mos i mbajnë me hatër të pasurit. Të dyja rastet janë forma të simonisë. Në të vërtetë, të gjithë shërbëtorët e Perëndisë duhet të sillen ‘si të vegjël’, duke pritur që emërimet për privilegje shërbimi t’i bëjë fryma e Jehovait. (Luka 9:48) Në organizatën e Perëndisë s’ka vend për ata që përpiqen të kërkojnë «lavdinë e vetes».—Prov. 25:27.
«A e kupton vërtet atë që po lexon?» (Veprat 8:26-40)
14, 15. (a) Kush ishte ‘eunuku etiopas’ dhe si e gjeti Filipi? (b) Si iu përgjigj etiopasi mesazhit të Filipit dhe përse pagëzimi i tij nuk ishte një veprim impulsiv? (Shih shënimin.)
14 Tani engjëlli i Jehovait e udhëzoi Filipin të shkonte në rrugën që zbriste nga Jerusalemi për në Gazë. Çfarëdo pyetje që mund t’i kishte lindur Filipit për këtë udhëzim, mori përgjigje shpejt, pasi në atë rrugë takoi një eunuk etiopas, i cili «lexonte me zë librin e profetit Isaia». (Shih kutinë «‘Eunuk’, në ç’kuptim?».) Fryma e shenjtë e Jehovait e shtyu Filipin t’i afrohej karrocës ku ishte eunuku. Teksa vraponte përkrah karrocës, e pyeti: «A e kupton vërtet atë që po lexon?» «E si ta kuptoj, nëse dikush nuk ma shpjegon?»—ia ktheu etiopasi.—Vep. 8:26-31.
15 Ai e ftoi Filipin të hipte në karrocë. A mund ta përfytyrosh bisedën entuziaste që duhet të kenë bërë? Prej shumë kohësh kishte qenë mister se kush ishte «delja» ose «shërbëtori» i profecisë së Isaisë. (Isa. 53:1-12) Por, gjatë udhës, Filipi i shpjegoi eunukut etiopas se kjo profeci u përmbush te Jezu Krishti. Njësoj si ata që u pagëzuan në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., edhe etiopasi, që tashmë ishte prozelit jude, e kuptoi ç’duhej të bënte. «Ja, uji!—i tha Filipit.—Çfarë më pengon të pagëzohem?!» Filipi e pagëzoi etiopasin pa humbur kohë.d (Shih kutinë «Pagëzimi në ‘një vend me ujë’».) Më pas, fryma e Jehovait e çoi Filipin në një caktim të ri në Ashdod, ku vazhdoi të shpallte lajmin e mirë.—Vep. 8:32-40.
16, 17. Si janë përfshirë engjëjt në veprën e predikimit sot?
16 Sot të krishterët kanë privilegjin të marrin pjesë në një vepër si ajo që bëri Filipi. Shpesh, u jepet mundësia t’u flasin për mesazhin e Mbretërisë atyre që takojnë në rrethana joformale, si për shembull kur udhëtojnë. Shumë herë del qartë se takimi me një njeri me zemër të sinqertë, nuk është rastësi. Kjo pritet, pasi Bibla tregon hapur se veprën e predikimit e drejtojnë engjëjt, me qëllim që mesazhi të arrijë ‘në çdo komb, fis, gjuhë dhe popull’. (Zbul. 14:6) Jezui kishte parathënë qartësisht se engjëjt do të drejtonin veprën e predikimit. Në ilustrimin për grurin dhe egjrat, Jezui tha se në kohën e korrjes, pra në përfundim të sistemit, ‘korrësit do të ishin engjëjt’. Ai shtoi se këto krijesa qiellore ‘do të mblidhnin e do të nxirrnin nga Mbretëria e tij çdo gjë që i çon të tjerët në mëkat, bashkë me ata që bëjnë vepra të paligjshme’. (Mat. 13:37-41) Njëkohësisht, do të mblidhnin trashëgimtarët e ardhshëm qiellorë të Mbretërisë, e pastaj «një shumicë të madhe» ‘delesh të tjera’, të cilat Jehovai dëshiron t’i afrojë tek organizata e tij.—Zbul. 7:9; Gjoni 6:44, 65; 10:16.
17 Një provë të kësaj e shohim në rastet kur, disa nga ata me të cilët flasim në shërbim, na thonë se po i luteshin Perëndisë për ndihmë. Ja një eksperiencë me 2 lajmëtarë të Mbretërisë që ishin në shërbim bashkë me një fëmijë të vogël. Aty nga dreka, 2 Dëshmitarët po bëheshin gati të mbyllnin shërbimin, por fëmija çuditërisht këmbënguli të shkonte në shtëpinë tjetër. Madje shkoi vetë atje dhe trokiti në derë. Kur e hapi derën një zonjë e re, 2 Dëshmitarët e rritur u afruan t’i flitnin. Për habinë e tyre, gruaja u shpjegoi se në ato çaste po lutej që t’i shkonte dikush e ta ndihmonte të kuptonte Biblën. Me të u fillua një studim.
18. Pse s’duhet ta nënvlerësojmë kurrë shërbimin?
18 Si pjesëtar i kongregacionit të krishterë, ke privilegjin të punosh përkrah engjëjve në këtë vepër predikimi që po bëhet në një shkallë të paparë. Kurrë mos e nënvlerëso këtë privilegj. Ngulmo dhe do të gjesh shumë gëzim ndërsa vazhdon të shpallësh «lajmin e mirë për Jezuin».—Vep. 8:35.
a Ky nuk është apostulli Filip. Është një nga ‘shtatë burrat me reputacion të mirë’ që, sikurse u shpjegua në kapitullin 5, u caktuan të organizonin shpërndarjen e përditshme të ushqimit në Jerusalem, te vejushat që flitnin greqisht dhe tek ato që flitnin hebraisht.—Vep. 6:1-6.
b Me sa duket, në atë kohë dishepujt e rinj zakonisht miroseshin ose merrnin frymën e shenjtë në momentin e pagëzimit. Kjo u jepte shpresën të qeverisnin në të ardhmen në qiell si mbretër e priftërinj bashkë me Jezuin. (2 Kor. 1:21, 22; Zbul. 5:9, 10; 20:6) Por, në këtë rast të veçantë, dishepujt e rinj nuk u mirosën në momentin e pagëzimit. Marrja e frymës së shenjtë dhe e dhuratave të mrekullueshme që e shoqëronin, ndodhi vetëm pasi Pjetri dhe Gjoni vunë duart mbi të krishterët e sapopagëzuar.
c Mbledhja e kardinalëve për zgjedhjen e papës.
d Ky nuk ishte një veprim impulsiv. Meqë ishte prozelit jude, etiopasi tashmë i njihte Shkrimet, duke përfshirë edhe profecitë mesianike. Pasi mësoi edhe për rolin e Jezuit në qëllimin e Perëndisë, mund të pagëzohej pa humbur kohë.