Libri biblik numër 44—Veprat
Shkrimtari: Luka
Vendi ku u shkrua: Romë
Shkrimi përfundoi: rr. 61 të e.s.
Periudha përkatëse: 33 të e.s.–rr. 61 të e.s.
1, 2. (a) Cilat ngjarje historike dhe aktivitete përshkruhen te Veprat? (b) Cilën periudhë kohe mbulon libri?
NË LIBRIN e 42-të të Shkrimeve të frymëzuara, Luka tregon jetën, aktivitetin dhe shërbimin e Jezuit e të ithtarëve të tij deri në kohën e ngritjes së Jezuit në qiell. Tregimi historik i Veprave të Apostujve, librit të 44-t të Shkrimeve, vazhdon historinë e krishterimit të hershëm, duke përshkruar themelimin e kongregacionit si rezultat i veprimit të frymës së shenjtë. Gjithashtu, përshkruan përhapjen e dëshmisë, duke filluar nga judenjtë e deri te njerëzit e të gjitha kombeve. Pjesa më e madhe e përmbajtjes së 12 kapitujve të parë ka të bëjë me aktivitetin e Pjetrit, kurse 16 kapitujt e tjerë me aktivitetin e Pavlit. Luka ishte shumë i lidhur me Pavlin dhe e shoqëroi në shumë nga udhëtimet e tij.
2 Libri i drejtohet Teofilit. Përderisa quhet ‘fort i shkëlqyer’, ka mundësi që ai të ishte njeri me ndonjë pozitë ose mund të jetë thjesht një shprehje vlerësimi të lartë. (Luka 1:3) Libri siguron një raport të saktë historik për themelimin dhe rritjen e kongregacionit të krishterë. Ai nis me shfaqjet e Jezuit para dishepujve të tij pasi u ringjall dhe më pas dokumenton ngjarje të rëndësishme të periudhës nga viti 33 i e.s. deri rreth vitit 61 të e.s., duke mbuluar kështu afërsisht 28 vjet në tërësi.
3. Kush e shkroi librin e Veprave dhe kur përfundoi?
3 Që në kohët e lashta, shkrimi i Veprave i është atribuar shkrimtarit të Ungjillit të Lukës. Të dy librat i drejtohen Teofilit. Duke përsëritur ngjarjet e fundit të Ungjillit të tij në vargjet e para të Veprave, Luka i lidh dy tregimet si vepra të të njëjtit autor. Duket se Luka i përfundoi Veprat rreth vitit 61 të e.s., ndoshta aty nga fundi i qëndrimit të tij dyvjeçar në Romë si shoqërues i apostullit Pavël. Meqenëse dokumenton ngjarje të ndodhura deri në atë vit, ai s’mund ta ketë përfunduar më parë dhe fakti që apelimin e Pavlit te Cezari e lë të pazgjidhur, tregon se e përfundoi rreth atij viti.
4. Ku duket se libri i Veprave është kanunor dhe autentik?
4 Që në kohët më të hershme, libri i Veprave është pranuar nga studiuesit biblikë si libër kanunor. Disa pjesë të librit gjenden në disa nga dorëshkrimet më të lashta në papirus që janë gjetur për Shkrimet Greke, sidomos dorëshkrimi Miçigan nr. 1571 (P38) i shekullit të tretë ose të katërt të e.s. dhe Çestër Biti nr. 1 (P45) i shekullit të tretë. Të dyja dorëshkrimet tregojnë se libri i Veprave ishte në qarkullim bashkë me librat e tjerë të Shkrimeve të frymëzuara, dhe ishte përfshirë në katalog qysh herët. Libri i Veprave i shkruar nga Luka, pasqyron të njëjtën saktësi të spikatshme që kemi vënë re tashmë në Ungjillin e tij. Sër Uilliam Ramseji e rendit shkrimtarin e Veprave «mes historianëve të rangut të lartë» dhe e shpjegon domethënien e kësaj shprehjeje me fjalët: «Cilësia e parë dhe e domosdoshme e një historiani të madh është të thotë të vërtetën. Ajo që thotë duhet të jetë e besueshme.»a
5. Ilustro saktësinë e shkrimeve të Lukës.
5 Për të ilustruar saktësinë që karakterizon shkrimet e Lukës, po citojmë Eduin Smithin, komandantin e një flote luftarake britanike në Mesdhe gjatë Luftës I Botërore, i cili shkroi në një revistë: «Anijet e lashta nuk drejtoheshin si ato të sotmet nga një timon i vetëm i mbërthyer te trau i kiçit, por nga dy rrema të mëdhenj ose lopata vozitjeje në secilin krah të kiçit. Ja pse shën Luka i përmend në numrin shumës. [Vep. 27:40] . . . Gjatë hulumtimit tonë kemi vënë re se çdo deklaratë e bërë nga shën Luka për lëvizjet e kësaj anijeje, që nga momenti kur u nis nga Limanet e Mira derisa ngeci në breg në Maltë, vërtetohet nga prova të jashtme e të pavarura nga më të saktat e më të kënaqshmet; se pohimet e tij për kohën që anija lundroi në det përkojnë me distancën e përshkuar; dhe në fund se përshkrimi i vendit ku mbërriti, përputhet me vendin ashtu siç është. Të gjitha këto provojnë se Luka bëri atë udhëtim që përshkroi dhe se ai ka treguar se është një njeri, vëzhgimet dhe pohimet e të cilit mund të quhen krejt të sakta e të besueshme.»b—The Rudder, mars 1947.
6. Cilat zbulime arkeologjike vërtetojnë saktësinë e librit të Veprave?
6 Saktësinë e tregimit të Lukës e vërtetojnë edhe zbulimet arkeologjike. Për shembull, gërmimet në Efes kanë nxjerrë në dritë tempullin e Artemisës, si edhe teatrin e lashtë ku efesianët iu hakërryen apostullit Pavël. (Vep. 19:27-41) Janë zbuluar mbishkrime që vërtetojnë saktësinë e titullit ‘krerë të qytetit’, që përdor Luka kur flet për autoritetet e Selanikut. (17:6, 8) Dy mbishkrime të zbuluara në Maltë tregojnë se Luka është i saktë edhe kur e quan Publin ‘të parin’ e ishullit të Maltës.—28:7.c
7. Si tregojnë fjalimet e dokumentuara te Veprat se çka është treguar në këtë libër është e vërtetë?
7 Veç këtyre, fjalimet e ndryshme të Pjetrit, Stefanit, Kornelit, Tertulit, Pavlit dhe të tjerëve, që dokumentohen nga Luka, kanë të gjithë stil dhe hartim të ndryshëm. Edhe fjalimet e Pavlit para dëgjuesve të ndryshëm, kanë stil të ndryshëm sipas rastit. Kjo tregon se Luka tregoi vetëm atë që kishte dëgjuar vetë ose atë që i kishin thënë dëshmitarë të tjerë okularë. Ai nuk ishte shkrimtar romanesh.
8. Ç’tregojnë Shkrimet për Lukën dhe lidhjen e tij me Pavlin?
8 Për jetën private të Lukës dihet shumë pak. Luka vetë nuk ishte apostull, por u shoqërua me ata që ishin. (Luka 1:1-4) Apostulli Pavël e përmend tri herë Lukën me emër. (Kolos. 4:10, 14; 2 Tim. 4:11; Fil. 24) Për disa vjet ai u shoqërua vazhdimisht me Pavlin, i cili e quajti «mjeku i dashur». Gjatë tregimit kalohet shpesh nga veta e tretë shumës në vetën e parë shumës, dhe kjo tregon se Luka ishte me Pavlin në Troadë gjatë udhëtimit të dytë misionar të Pavlit, se mund të ketë qëndruar në Filipi derisa u kthye Pavli disa vjet më vonë dhe se u bashkua sërish me Pavlin dhe e shoqëroi në udhëtimin e tij drejt Romës për procesin gjyqësor.—Vep. 16:8, 10; 17:1; 20:4-6; 28:16.
PËRMBAJTJA E VEPRAVE
9. Ç’u thuhet dishepujve në kohën kur Jezui ngjitet në qiell?
9 Ngjarjet deri në festën e Ditës së Pesëdhjetë (1:1-26). Në fillim të tregimit të dytë të Lukës, Jezui i ringjallur u thotë dishepujve të tij të zellshëm se do të pagëzohen me frymën e shenjtë. Mos do të rivendoset Mbretëria në këtë kohë? Jo. Ata do të marrin fuqi dhe do të dëshmojnë «deri në skajin më të largët të tokës». Ndërsa Jezui ngrihet lart dhe u zhduket nga sytë, dy burra me rroba të bardha u thonë: «Ky Jezu që u mor nga ju e u ngjit në qiell, do të vijë po njësoj siç e patë të shkonte në qiell.»—1:8, 11.
10. (a) Ç’gjëra të paharrueshme ndodhin gjatë festës së Ditës së Pesëdhjetë? (b) Ç’shpjegime jep Pjetri dhe me çfarë rezultati?
10 Festa historike e Ditës së Pesëdhjetë (2:1-42). Dishepujt janë mbledhur të gjithë në Jerusalem. Befas, një zhurmë si ajo e një ere të furishme mbush shtëpinë. Mbi të pranishmit qëndrojnë gjuhë si prej zjarri. Ata mbushen me frymë të shenjtë dhe nisin të flasin në gjuhë të ndryshme për «gjërat madhështore të Perëndisë». (2:11) Të pranishmit janë në mëdyshje. Atëherë, Pjetri çohet e flet. Ai shpjegon se kjo derdhje e frymës përmbush profecinë e Joelit (2:28-32), dhe se Jezu Krishti, tani i ringjallur dhe i lartësuar në të djathtën e Perëndisë, ‘derdhi këtë që shohin e dëgjojnë’. Atyre u sëmbon në zemër, dhe rreth 3.000 veta e përqafojnë fjalën dhe pagëzohen.—2:33.
11. Si bën Jehovai të lulëzojë vepra e predikimit?
11 Dëshmia përhapet (2:43–5:42). Dita-ditës Jehovai bashkon me ta të gjithë ata që shpëtojnë. Pjetri dhe Gjoni ndeshin jashtë tempullit një burrë që ka lindur i çalë. «Në emër të Jezu Krishtit, nazareasit, ec!»—urdhëron Pjetri. Burri fillon menjëherë ‘të ecë, të hovë e të lëvdojë Perëndinë’. Pjetri u bën thirrje njerëzve të pendohen e të kthehen, «që nga vetë Jehovai të vijnë kohë freskuese». Të acaruar që Pjetri dhe Gjoni po flasin për ringjalljen e Jezuit, krerët fetarë i arrestojnë, por numri i besimtarëve rritet në rreth 5.000.—3:6, 8, 19.
12. (a) Si përgjigjen dishepujt kur i urdhërojnë të mos predikojnë më? (b) Pse ndëshkohen Anania dhe Safira?
12 Të nesërmen Pjetrin dhe Gjonin i çojnë para krerëve të judenjve për t’i marrë në pyetje. Pjetri thotë troç se shpëtimi vjen vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit dhe, kur i urdhërojnë të mos predikojnë më, si Pjetri edhe Gjoni përgjigjen: «Gjykojeni vetë në është e drejtë në sytë e Perëndisë t’ju dëgjojmë ju dhe jo Perëndinë. Sepse ne nuk pushojmë dot së foluri për ato që kemi parë e dëgjuar.» (4:19, 20) Ata lihen të lirë dhe të gjithë dishepujt vazhdojnë ta thonë fjalën e Perëndisë me guxim. Për shkak të rrethanave, ata mbledhin të mira materiale dhe i shpërndajnë sipas nevojës. Por Anania dhe e shoqja, Safira, shesin një pronë dhe fshehurazi mbajnë një pjesë të parave, megjithëse lënë përshtypjen se e kanë dhënë të gjithë shumën. Pjetri ua çjerr maskën dhe ata bien përtokë të vdekur, sepse janë orvatur të mashtrojnë Perëndinë dhe frymën e shenjtë.
13. Për çfarë akuzohen apostujt, cila është përgjigjja e tyre dhe çfarë vazhdojnë të bëjnë?
13 Të inatosur, krerët fetarë i futin sërish në burg apostujt, por këtë herë, engjëlli i Jehovait i liron. Të nesërmen, i nxjerrin përsëri para Sinedrit dhe i akuzojnë se ‘kanë mbushur Jerusalemin me mësimin e tyre’. Ata ua kthejnë: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve.» Megjithëse i rrahin dhe i kërcënojnë, ata nuk pranojnë të ndalen dhe ‘çdo ditë, në tempull dhe shtëpi më shtëpi, mësojnë dhe shpallin pareshtur lajmin e mirë për Krishtin, Jezuin’.—5:28, 29, 42.
14. Si martirizohet Stefani?
14 Martirizimi i Stefanit (6:1–8:1a). Stefani është një nga shtatë burrat e emëruar nga fryma e shenjtë për të shpërndarë ushqim nëpër tryeza. Edhe ai dëshmon fuqishëm për të vërtetën dhe e mbështet me aq zell besimin, sa kundërshtarët e tij të tërbuar e çojnë para Sinedrit ku e akuzojnë për blasfemi. Stefani e fillon mbrojtjen e tij, duke folur për shpirtgjerësinë e Jehovait kundrejt Izraelit. Pastaj, plot guxim e gojëtari, i bie pikës: ‘O njerëz kryeneçë, ju gjithmonë i kundërviheni frymës së shenjtë, ju që e morët Ligjin siç u përcoll nga engjëjt, por që nuk e zbatuat.’ (7:51-53) Këtë ata s’e durojnë dot. Sulen mbi të, e nxjerrin jashtë qytetit dhe e godasin me gurë derisa vdes. Sauli rri e sheh duke treguar miratim.
15. Çfarë vjen si rezultat i përndjekjes dhe ç’përvojë ka Filipi në predikim?
15 Përndjekjet, kthimi i Pavlit në besim (8:1b–9:30). Përndjekja që nis atë ditë kundër kongregacionit në Jerusalem, shpërndan në tërë vendin të gjithë, përveç apostujve. Filipi shkon në Samari, ku shumë njerëz e pranojnë fjalën e Perëndisë. Pjetri dhe Gjoni dërgohen atje nga Jerusalemi, që këta besimtarë të marrin frymën e shenjtë «me vënien e duarve nga apostujt». (8:18) Më pas, një engjëll e drejton Filipin drejt jugut, në rrugën që lidh Jerusalemin me Gazën, ku ai gjen një eunuk nga oborri mbretëror i Etiopisë, që udhëton me karrocë dhe lexon librin e Isaisë. Filipi i shpjegon domethënien e profecisë dhe e pagëzon.
16. Si ndodh kthimi i Saulit në besimin e vërtetë?
16 Ndërkohë, Sauli ‘që ende i kërcënon dishepujt e Zotërisë dhe bën çmos t’i vrasë’, bëhet gati të arrestojë ata ‘që i përkasin Udhës’ në Damask. Befas, rreth tij vetëtin një dritë nga qielli dhe ai bie përtokë i verbuar. Një zë nga qielli i thotë: «Jam Jezui, të cilin ti po e përndjek.» Pas tri ditësh në Damask, atij i shërben një dishepull i quajtur Anania. Saulit i kthehet shikimi, pagëzohet dhe mbushet me frymë të shenjtë, e kështu bëhet një predikues i zoti dhe i zellshëm i lajmit të mirë. (9:1, 2, 5) Kështu si marrin ngjarjet, përndjekësi bëhet i përndjekur dhe për të shpëtuar jetën i duhet të ikë, së pari nga Damasku e më pas nga Jerusalemi.
17. Si shkon lajmi i mirë te johebrenjtë e parrethprerë?
17 Lajmi i mirë shkon te johebrenjtë e parrethprerë (9:31–12:25). Kongregacioni ‘hyn në një periudhë paqeje e ndërtohet, dhe ngaqë ecën në frikën e Jehovait dhe sipas ngushëllimit që jep fryma e shenjtë, shumohet’. (9:31) Në Jopë, Pjetri ringjall Tabitën e dashur (Dorkën) dhe nga këtu atë e thërrasin të shkojë në Cezare, ku e pret një centurion që quhet Kornel. Ai i predikon Kornelit dhe njerëzve të tij e ata besojnë, dhe fryma e shenjtë derdhet mbi ta. Pasi kupton «se Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai», Pjetri i pagëzon. Ata janë johebrenjtë e parë të parrethprerë që përqafojnë krishterimin. Më vonë, Pjetri ua shpjegon këtë zhvillim të ri vëllezërve në Jerusalem, dhe ata i japin lavdi Perëndisë për këtë.—10:34, 35.
18. (a) Ç’ndodh më pas në Antioki? (b) Ç’përndjekje nis, por, a ia arrin qëllimit?
18 Ndërsa lajmi i mirë vazhdon të përhapet me shpejtësi, Barnaba dhe Sauli mësojnë një turmë të madhe në Antioki, dhe pikërisht në këtë qytet ‘dishepujt u quajtën për herë të parë të krishterë, me anë të drejtimit hyjnor’. (11:26) Sërish nis përndjekja. Herod Agripa I jep urdhër të vritet me shpatë Jakovi, vëllai i Gjonit. Gjithashtu, fut Pjetrin në burg, por engjëlli i Jehovait e liron edhe një herë. Herodin e ligë e pret një e keqe e madhe! Meqë nuk i jep lavdi Perëndisë, atë e brejnë krimbat dhe vdes. Nga ana tjetër, ‘fjala e Jehovait shtrihet e përhapet’.—12:24.
19. Cilat vende prek udhëtimi i parë misionar i Pavlit dhe cilat janë rezultatet?
19 Udhëtimi i parë misionar i Pavlit, me Barnabën (13:1–14:28).d Barnaba dhe ‘Sauli, që quhet edhe Pavël’ ndahen veç dhe, falë veprimit të frymës së shenjtë, ikin nga Antiokia për të filluar udhëtimin e parë misionar. (13:9) Në ishullin e Qipros, shumë bëhen besimtarë, e ndër ta edhe prokonsulli Sergj Pal. Nga ishulli ata kalojnë në kontinentin e Azisë së Vogël, ku vizitojnë gjashtë a më shumë qytete dhe kudo ndodh e njëjta gjë: një ndarje e qartë mes atyre që e pranojnë me gëzim lajmin e mirë dhe kundërshtarëve kryeneçë që i nxitin turmat të qëllojnë me gurë lajmëtarët e Jehovait. Pasi emërojnë pleq nëpër kongregacionet e sapoformuara, Pavli dhe Barnaba kthehen në Antiokinë e Sirisë.
20. Cili vendim i jep zgjidhje çështjes së rrethprerjes?
20 Zgjidhja e çështjes së rrethprerjes (15:1-35). Me dyndjen e madhe të johebrenjve lind pyetja nëse këta duhet të rrethpriten. Pavli dhe Barnaba e çojnë çështjen para apostujve dhe pleqve në Jerusalem. Dishepulli Jakov, që drejton, merr masat t’ua dërgojë vendimin e njëzëshëm me anë të një letre zyrtare, ku thuhet: «Sepse frymës së shenjtë dhe neve na u duk mirë të mos ju shtonim asnjë barrë tjetër, përveç këtyre gjërave të nevojshme: të vazhdoni të rrini larg nga gjërat e flijuara idhujve, nga gjaku, nga kafshët e mbytura dhe nga kurvëria.» (15:28, 29) Kjo letër i inkurajon dhe i gëzon vëllezërit në Antioki.
21. (a) Kush e shoqëron Pavlin në udhëtimin e tij të dytë misionar? (b) Ç’ndodh gjatë vizitës në Maqedoni?
21 Shërbimi zgjerohet me udhëtimin e dytë të Pavlit (15:36–18:22).e «Pas disa ditësh» Barnaba me Markun lundrojnë për në Qipro, kurse Pavli me Silën nisen drejt Sirisë dhe Azisë së Vogël. (15:36) Një djalë i ri i quajtur Timote, bashkohet me Pavlin në Listër dhe të dy vazhdojnë udhëtimin deri në Troadë, në brigjet e Egjeut. Atje, Pavli sheh në vegim një burrë që i përgjërohet: «Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo!» (16:9) Luka bashkohet me Pavlin dhe të dy lundrojnë drejt Filipisë, qytetit kryesor të Maqedonisë, ku Pavlin dhe Silën i futin në burg. Kjo bën që roja i burgut të bëhet besimtar e të pagëzohet. Pas daljes nga burgu, vazhdojnë rrugën për në Selanik, ku judenjtë xhelozë nxitin një turmë kundër tyre. Atëherë, vëllezërit i nisin Pavlin dhe Silën natën për në Bere. Judenjtë e atjeshëm tregojnë se janë me mendje fisnike, pasi e pranojnë fjalën ‘me etje të madhe, dhe çdo ditë i shqyrtojnë me kujdes Shkrimet’, për të vërtetuar gjërat që mësojnë. (17:11) Pasi lë Silën dhe Timoteun në këtë kongregacion të ri, siç kish lënë Lukën në Filipi, Pavli vazhdon në jug drejt Athinës.
22. Ç’rezultat sjell fjalimi me mjeshtëri i Pavlit në Areopag?
22 Filozofët epikurianë dhe stoikë të këtij qyteti plot idhuj, që mendojnë kushedi kush janë, përqeshin Pavlin duke e quajtur «llomotar» e «lajmëtar hyjnish të huaja», dhe e çojnë në Areopag, ose në kodrën e Marsit. Me një gojëtari prej mjeshtri, Pavli arsyeton duke i nxitur të kërkojnë Perëndinë e vërtetë, ‘Zotërinë e qiellit dhe të tokës’, që garanton një gjykim të drejtë me anë të atij që Ai ringjalli nga të vdekurit. Përmendja e ringjalljes e përçan auditorin, megjithatë disa bëhen besimtarë.—17:18, 24.
23. Çfarë ndodh dhe çfarë arrihet në Korint?
23 Më pas, kur shkon në Korint, Pavli qëndron në shtëpinë e Akuilës dhe Prishilës, dhe ushtron bashkë me ta zanatin e vet si bërës tendash. Kundërshtimi ndaj predikimit të tij e detyron të lërë sinagogën dhe t’i mbajë mbledhjet ngjitur me të, në shtëpinë e Tit Justit. Krispi, i pari i sinagogës, bëhet besimtar. Pasi qëndron 18 muaj në Korint, Pavli niset me Akuilën dhe Prishilën drejt Efesit, ku ata i lë atje dhe vetë vazhdon rrugën për në Antioki të Sirisë, ku përfundon edhe udhëtimi i tij i dytë misionar.
24, 25. (a) Çfarë ndodh në Efes në kohën kur Pavli nis udhëtimin e tij të tretë? (b) Cila trazirë i jep fund qëndrimit trevjeçar të Pavlit?
24 Pavli riviziton kongregacionet, udhëtimi i tretë (18:23–21:26).f Një jude që quhet Apol vjen nga Aleksandria e Egjiptit në Efes dhe nis të flasë tërë guxim në sinagogë për Jezuin, por Akuila dhe Prishila mendojnë se është e nevojshme të ndreqin mësimin e tij, para se ai të shkojë në Korint. Ndërkohë Pavli është në udhëtimin e tij të tretë dhe në kohën e caktuar arrin në Efes. Kur mëson se besimtarët e atjeshëm janë pagëzuar me pagëzimin e Gjonit, Pavli u shpjegon pagëzimin në emër të Jezuit. Më pas, ai pagëzon rreth 12 burra dhe kur vë duart mbi ta, ata marrin frymën e shenjtë.
25 Gjatë qëndrimit trevjeçar të Pavlit në Efes, ‘fjala e Jehovait përhapet e ngadhënjen në mënyrë të fuqishme’. Shumë heqin dorë nga adhurimi i Artemisës, perëndeshës mbrojtëse të qytetit. (19:20) Të zemëruar se rrezikojnë t’u rrënohet tregtia, ata që bëjnë faltore të derdhura në argjend, provokojnë një trazirë të tillë në qytet, që duhen orë për të shpërndarë turmën. S’kalon shumë dhe Pavli niset për në Maqedoni e Greqi, dhe gjatë rrugës viziton besimtarët.
26. (a) Ç’mrekulli bën Pavli në Troadë? (b) Ç’këshillë u jep mbikëqyrësve nga Efesi?
26 Pavli qëndron tre muaj në Greqi e pastaj kthehet duke kaluar nga Maqedonia, ku Luka bashkohet prapë me të. Kalojnë në Troadë, dhe atje, ndërsa Pavli kuvendon me ta deri natën vonë, një djalë të ri e zë gjumi dhe bie nga dritarja e katit të tretë. Kur e ngrenë ai është i vdekur, por Pavli ia kthen sërish jetën. Të nesërmen, Pavli dhe shokët e tij nisen për në Milet, ku Pavli ndalet para se të shkojë në Jerusalem, për të bërë një mbledhje me pleqtë nga Efesi. Ai u thotë se nuk do ta shohin më fytyrën e tij. Prandaj, është shumë urgjente që ata të marrin drejtimin e të kujdesen për kopenë e Perëndisë, ‘mes së cilës fryma e shenjtë i emëroi mbikëqyrës’! Ai u kujton shembullin që u la dhe i këshillon të rrinë zgjuar e të mos kursehen për të mirën e vëllezërve. (20:28) Megjithëse e kanë paralajmëruar të mos vërë këmbë në Jerusalem, Pavli nuk kthehet pas. Shokët që i përgjërohen të mos shkojë, heqin dorë e thonë: «U bëftë vullneti i Jehovait!» (21:14) Jakovi dhe pleqtë gëzohen shumë kur Pavli u tregon se si e bekoi Perëndia shërbimin e tij mes kombeve.
27. Si e presin Pavlin në tempull?
27 Pavli arrestohet dhe gjykohet (21:27–26:32). Kur shfaqet në tempull, Pavlin e presin tërë armiqësi. Judenjtë nga Azia ngrenë tërë qytetin kundër tij dhe ushtarët romakë arrijnë ta shpëtojnë në kohë.
28. (a) Cilën çështje ngre Pavli para Sinedrit dhe ç’ndodh më pas? (b) Ku e çojnë pas gjithë kësaj?
28 Pse gjithë kjo trazirë? Kush është ky Pavli? Ç’krim ka bërë? Komandanti ushtarak i pështjelluar do të dijë përgjigjet. Falë qytetarisë romake, Pavli i shpëton rrahjes dhe e çojnë para Sinedrit. Dhe ja ku gjendet para një trupi gjykues të përçarë mes farisenjve dhe saducenjve! Atëherë Pavli ngre çështjen e ringjalljes, duke i vënë kundër njëri-tjetrit. Përderisa fërkimi kthehet në një zënkë të dhunshme, ushtarët romakë e nxjerrin Pavlin nga Sinedri para se ta bëjnë copë-copë. Natën e çojnë te guvernatori Feliks në Cezare të shoqëruar nga shumë ushtarë.
29. Nëpër cilin varg procesesh e seancash dëgjimore kalon Pavli i akuzuar për nxitje kryengritjeje? Kujt i apelohet?
29 I akuzuar për nxitje kryengritjeje nga paditësit e tij, Pavli e mbron veten me zotësi para Feliksit. Por Feliksi e zvarrit çështjen me shpresë që të marrë ryshfet për lirimin e Pavlit. Kalojnë dy vjet dhe Feliksit ia zë vendin si guvernator Porc Festi, i cili urdhëron të niset një proces i ri gjyqësor. Edhe kësaj here paraqiten akuza të rënda dhe Pavli e shpall veten përsëri të pafajshëm. Por Festi, që do të fitojë pëlqimin e judenjve, sugjeron një seancë të mëtejshme para tij në Jerusalem. Atëherë Pavli thotë: «Unë i apelohem Cezarit!» (25:11) Koha kalon. Në fund, mbreti Herod Agripa II viziton Festin për ta përshëndetur, dhe Pavlin e çojnë prapë në sallën e gjykimit. Dëshmia e tij është kaq e fuqishme dhe bindëse, sa Agripa i thotë: «Brenda pak kohe do të ma mbushje mendjen të bëhesha i krishterë.» (26:28) Edhe Agripa e pranon se Pavli është i pafajshëm dhe mund të lirohej po të mos i ishte apeluar Cezarit.
30. Cilat ngjarje e presin Pavlin gjatë udhëtimit të tij deri në Maltë?
30 Pavli shkon në Romë (27:1–28:31).g Pavli dhe të burgosur të tjerë hipin në një anije për pjesën e parë të udhëtimit drejt Romës. Anija ecën ngadalë, sepse erërat janë kundër. Në portin e Mirës ndryshojnë anije. Kur arrijnë te Limanet e Mira në Kretë, Pavli sugjeron të dimërojnë atje, por shumica këshillon të ikin që andej. Sa dalin në det, i kap një erë e stuhishme që i çon pa mëshirë sa andej-këtej. Pas dy javësh, anija e tyre në fund shkallmohet në një cekëtinë afër bregut të Maltës. Siç i kishte siguruar më parë Pavli, asnjë nga 276 pasagjerët nuk humb jetën. Banorët e Maltës tregohen tejet të njerëzishëm dhe gjatë atij dimri, Pavli shëron shumë prej tyre me anë të fuqisë së mrekullueshme të frymës së Perëndisë.
31. Si e presin Pavlin kur arrin në Romë dhe cilës vepër i kushtohet?
31 Pranverën tjetër, Pavli arrin në Romë dhe vëllezërit dalin për ta takuar në rrugë. Kur i sheh, Pavli ‘falënderon Perëndinë dhe merr zemër’. Ndonëse i burgosur, Pavli lejohet të qëndrojë në shtëpinë që merr me qira, bashkë me një ushtar që e ruan. Luka e përfundon tregimin e tij, duke thënë se Pavli priste me dashamirësi të gjithë ata që shkonin tek ai, «u predikonte mbretërinë e Perëndisë dhe u mësonte me shumë lirshmëri fjale, pa asnjë pengesë, gjërat për Zotërinë Jezu Krisht».—28:15, 31.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
32. Si dëshmoi Pjetri për autenticitetin e Shkrimeve Hebraike para dhe gjatë festës së Ditës së Pesëdhjetë?
32 Libri i Veprave është një dëshmi më shumë që u shtohet Ungjijve për të vërtetuar se Shkrimet Hebraike janë të frymëzuara nga Perëndia dhe autentike. Me afrimin e festës së Ditës së Pesëdhjetë, Pjetri tregoi përmbushjen e dy profecive «që fryma e shenjtë . . . tha që më parë me anë të Davidit në lidhje me Judën». (Vep. 1:16, 20; Psal. 69:25; 109:8) Gjithashtu, Pjetri i tregoi turmës së habitur gjatë festës së Ditës së Pesëdhjetë se kishte parë me sytë e vet përmbushjen e një profecie, kur tha: «Po ndodh ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Joel.»—Vep. 2:16-21; Joe. 2:28-32; krahaso edhe Veprat 2:25-28, 34, 35 me Psalmin 16:8-11 dhe 110:1.
33. Si treguan Pjetri, Filipi, Jakovi dhe Pavli se Shkrimet Hebraike janë të frymëzuara?
33 Në një rast tjetër, për të bindur turmën jashtë tempullit, Pjetri iu referua përsëri Shkrimeve Hebraike, duke cituar në fillim Moisiun e pastaj duke thënë: «Në të vërtetë edhe të gjithë profetët që kanë folur, që nga Samueli e me radhë, folën qartë për këto ditë.» Më vonë, kur u gjend para Sinedrit, Pjetri citoi Psalmin 118:22 për të treguar se Krishti, guri që ata e hodhën poshtë, ishte bërë «guri i qoshes». (Vep. 3:22-24; 4:11) Filipi i shpjegoi eunukut nga Etiopia si ishte përmbushur profecia e Isaisë 53:7, 8, dhe ai, meqenëse e kuptoi, kërkoi me përulësi të pagëzohej. (Veprat 8:28-35) Po ashtu, kur foli me Kornelin për Jezuin, Pjetri pohoi: «Për të japin dëshmi të gjithë profetët.» (10:43) Kur u diskutua çështja e rrethprerjes, Jakovi e mbështeti vendimin e tij me fjalët: «Me këtë pajtohen edhe fjalët e Profetëve, sikurse është shkruar.» (15:15-18) Apostulli Pavël u mbështet te të njëjtat autoritete. (26:22; 28:23, 25-27) Përderisa dishepujt dhe ata që i dëgjonin, i pranuan me një gatishmëri të dukshme Shkrimet Hebraike si Fjalë të Perëndisë, ato shkrime kanë vulën që i miraton si të frymëzuara.
34. Ç’tregojnë Veprat për kongregacionin e krishterë dhe a ndryshon gjë sot?
34 Dobia shumë e madhe e Veprave është se tregon si u themelua kongregacioni i krishterë dhe si u rrit me fuqinë e frymës së shenjtë. Gjatë gjithë këtij tregimi të gjallë, vëmë re zgjerimin e veprës falë bekimit të Perëndisë, guximin dhe gëzimin e të krishterëve të hershëm, qëndrimin e tyre të patundur përballë përndjekjes dhe gatishmërinë për të shërbyer, siç e tregon gatishmëria e Pavlit për të filluar shërbimin në territor të huaj dhe për të shkuar në Maqedoni. (4:13, 31; 15:3; 5:28, 29; 8:4; 13:2-4; 16:9, 10) Kongregacioni i krishterë sot nuk është ndryshe, sepse është i bashkuar në dashuri, unitet dhe interesa të përbashkëta, ndërsa shpall «gjërat madhështore të Perëndisë» nën drejtimin e frymës së shenjtë.—2:11, 17, 45; 4:34, 35; 11:27-30; 12:25.
35. Si duhet dhënë dëshmi, sipas librit të Veprave, dhe cila cilësi theksohet në lidhje me shërbimin?
35 Libri i Veprave tregon si duhet përmbushur aktiviteti i krishterë i shpalljes së Mbretërisë së Perëndisë. Pavli ishte shembull, pasi tha: «Nuk ndenja pa ju thënë gjithçka dobiprurëse, as pa ju mësuar publikisht dhe shtëpi më shtëpi.» Pastaj shtoi: «Dhashë dëshmi të plotë.» Kjo temë e ‘dëshmisë së plotë’ na tërheq vëmendjen gjatë gjithë librit, dhe theksohet fuqishëm në paragrafët e fundit, ku përkushtimi me gjithë shpirt i Pavlit ndaj predikimit dhe mësimdhënies, edhe kur ishte në pranga, del në pah me fjalët: «Ai ua shpjegoi çështjen, duke u dhënë dëshmi të plotë për mbretërinë e Perëndisë dhe duke përdorur argumentime bindëse për Jezuin, si nga ligji i Moisiut, edhe nga Profetët.» Paçim edhe ne një zemër po aq të përkushtuar ndaj veprës sonë për Mbretërinë!—Vep. 20:20, 21; 28:23; 2:40; 5:42; 26:22.
36. Cilat këshilla praktike të Pavlit kanë rëndësi të madhe për mbikëqyrësit sot?
36 Në fjalimin e Pavlit drejtuar mbikëqyrësve të Efesit gjejmë shumë këshilla praktike për mbikëqyrësit sot. Duke mbajtur parasysh se janë emëruar nga fryma e shenjtë, është shumë e rëndësishme që ata ‘t’i kushtojnë vëmendje vetes dhe gjithë kopesë’, të kujdesen për ta me butësi dhe t’i ruajnë nga ujqërit e ligj që duan t’i çojnë drejt shkatërrimit. Kjo s’është aspak një përgjegjësi e lehtë! Nevojitet që mbikëqyrësit të rrinë zgjuar e të ndërtohen me fjalën e dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë. Teksa punojnë me mund për të ndihmuar ata që janë të dobët, ‘duhet të mbajnë mend fjalët e Zotërisë Jezu, që tha: “Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.”’—20:17-35.
37. Me cilin argumentim arriti me takt Pavli t’i bënte të kuptonin në Areopag një koncept të rëndësishëm?
37 Edhe fjalime të tjera të Pavlit bien në sy për paraqitjen e saktë të parimeve biblike. Një shembull është argumentimi klasik i tij gjatë fjalimit para stoikëve dhe epikurianëve në Areopag. Në fillim citon mbishkrimin e altarit, «Një Perëndie të Panjohur», dhe e përdor këtë si një arsye për të shpjeguar se Perëndia i vetëm i vërtetë, Zotëria i qiellit dhe i tokës, që nga një njeri i vetëm bëri të gjitha kombet, «nuk është larg nga secili prej nesh». Pastaj, citon fjalët e poetëve të tyre: «Sepse edhe ne jemi pasardhës të tij», për të treguar sa absurde është të mendojnë se erdhën nga idhujt e pajetë prej ari, argjendi ose guri. Kështu, Pavli shpjegon me takt se Perëndia i gjallë është me të drejtë sovran. Vetëm në fjalët e tij të fundit nxjerr çështjen e ringjalljes, por edhe atëherë nuk e përmend Krishtin me emër. Ai arriti t’i bënte të kuptonin konceptin e sovranitetit suprem të Perëndisë së vetëm e të vërtetë, dhe si rezultat disa u bënë besimtarë.—17:22-34.
38. Ç’bekime vijnë nga ai lloj studimi që inkurajon Veprat?
38 Libri i Veprave inkurajon studimin e vazhdueshëm dhe të zellshëm të ‘gjithë Shkrimit’. Kur Pavli predikoi për herë të parë në Bere, judenjtë që ishin atje, u lavdëruan se ishin ‘me mendje fisnike’, pasi «e pranuan fjalën me etje të madhe, dhe çdo ditë i shqyrtonin me kujdes Shkrimet, për të parë nëse ato gjëra ishin ashtu». (17:11) Sot, njësoj si atëherë, ky shqyrtim i zellshëm i Shkrimeve që bëhet bashkë me kongregacionin e Jehovait, që është plot me frymën e tij, sjell bekime në formën e bindjes dhe të besimit të fortë. Falë këtij studimi mund të arrihet një kuptueshmëri e qartë e parimeve hyjnore. Disa nga këto parime paraqiten mirë te Veprat 15:29. Këtu, trupi udhëheqës i formuar nga apostujt dhe pleqtë në Jerusalem bënë të ditur se megjithëse rrethprerja nuk ishte një kërkesë për Izraelin frymor, ndalohej qartësisht idhujtaria, keqpërdorimi i gjakut dhe kurvëria.
39. (a) Si morën forcë dishepujt për të përballuar përndjekjet? (b) Ç’dëshmi të guximshme dhanë ata? A dha fryt?
39 Dishepujt e parë e kishin marrë seriozisht studimin e Shkrimeve të frymëzuara dhe ishin në gjendje t’i citonin e t’i zbatonin sipas nevojës. Ata u forcuan me anë të njohurisë së saktë dhe frymës së Perëndisë për të përballuar përndjekjet e ashpra. Pjetri dhe Gjoni lanë shembull për të gjithë të krishterët besnikë, kur thanë pa iu trembur syri para qeveritarëve që u kundërviheshin: «Gjykojeni vetë në është e drejtë në sytë e Perëndisë t’ju dëgjojmë ju dhe jo Perëndinë. Sepse ne nuk pushojmë dot së foluri për ato që kemi parë e dëgjuar.» Kur i çuan prapë para Sinedrit, që i ‘kishte urdhëruar prerazi’ të mos mësonin më në emër të Jezuit, ata thanë me vendosmëri: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve.» Kjo dëshmi e guximshme bëri që qeveritarëve t’u jepej një dëshmi e shkëlqyer, dhe e nxiti Gamalielin, një mësues të njohur të Ligjit, të bënte pohimin e mirënjohur në favor të lirisë së adhurimit, që çoi në lirimin e apostujve.—4:19, 20; 5:28, 29, 34, 35, 38, 39.
40. Ç’nxitje na jep libri i Veprave për të dhënë dëshmi të plotë për Mbretërinë?
40 Qëllimi i lavdishëm i Jehovait për Mbretërinë e tij, filli i artë që përshkon gjithë Biblën, del në pah shumë dukshëm në librin e Veprave. Në fillim tregohet se si Jezui, gjatë 40 ditëve para se të ngjitej në qiell, «u foli rreth mbretërisë së Perëndisë». Duke iu përgjigjur pyetjes së dishepujve për rivendosjen e Mbretërisë, Jezui tha se në fillim duhej të dëshmonin deri në skajin më të largët të tokës. (1:3, 6, 8) Duke filluar nga Jerusalemi, dishepujt predikuan Mbretërinë me një guxim të paepur. Përndjekjet çuan në vrasjen me gurë të Stefanit dhe shpërndarjen e shumë dishepujve nëpër territore të reja. (7:59, 60) Libri i Veprave dokumenton se Filipi e shpalli me shumë sukses në Samari «lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë», kurse Pavli dhe shokët e tij e shpallën «mbretërinë» në Azi, Korint, Efes dhe Romë. Të gjithë këta të krishterë të hershëm ishin shembuj të vërtetë të mbështetjes së palëkundur te Jehovai dhe te fryma e tij si forcë përkrahëse. (8:5, 12; 14:5-7, 21, 22; 18:1, 4; 19:1, 8; 20:25; 28:30, 31) Zelli e guximi i tyre i pathyeshëm, si dhe bekimi i pasur i përpjekjeve të tyre nga Jehovai, janë për ne një nxitje e shkëlqyer për të qenë besnikë, ‘duke dhënë dëshmi të plotë për mbretërinë e Perëndisë’.—28:23.
[Shënimet]
a St. Paul the Traveller, 1895, faqja 4.
b Shih edhe Zgjohuni! të 8 prillit, 1971, faqet 27, 28, anglisht.
c Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqet 153, 154, 734, 735; vëll. 2, faqja 748, anglisht.
d Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqja 747, anglisht.
e Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqja 747, anglisht.
f Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqja 747, anglisht.
g Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqja 750, anglisht.