Pyetje nga lexuesit
Pse, kur dëgjuan që te porta ishte Pjetri i burgosur, dishepujt thanë: «Është engjëlli i tij.»—Veprat 12:15.
Dishepujt mund të kenë menduar gabimisht se te porta ishte një lajmëtar engjëllor që përfaqësonte Pjetrin. Le të shqyrtojmë kontekstin e këtij shkrimi.
Pjetri ishte arrestuar me urdhër të Herodit, i cili tashmë kishte vrarë Jakovin. Prandaj, dishepujt kishin arsye të forta për të menduar se edhe Pjetri do të pësonte të njëjtin fund. Atë e kishin lidhur me zinxhirë dhe e ruanin me katër turne, me nga katër ushtarë secili. Por një natë, një engjëll e çliroi dhe e nxori nga burgu Pjetrin me anë të një mrekullie. Kur më në fund e kuptoi se ç’po ndodhte, Pjetri tha: «Tani e di me të vërtetë që Jehovai dërgoi engjëllin e tij dhe më çliroi nga dora e Herodit.»—Veprat 12:1-11.
Menjëherë, Pjetri shkoi në shtëpinë e Marisë, nënës së Gjon Markut, ku ishin mbledhur shumë dishepuj. Kur trokiti te porta e jashtme, një shërbëtore me emrin Rode doli për të parë kush trokiste. Me të njohur zërin e Pjetrit, ajo nuk i hapi portën, por vrapoi t’u thoshte të tjerëve. Në fillim, dishepujt nuk arrinin ta besonin se te porta ishte Pjetri. Gabimisht menduan: «Është engjëlli i tij.» —Veprat 12:12-15.
Mos vallë dishepujt besonin që Pjetri ishte vrarë dhe që tani fryma e tij kishte lënë trupin dhe ishte te porta? S’mund të ketë qenë kështu, pasi ithtarët e Jezuit e dinin të vërtetën që thoshin Shkrimet për të vdekurit, pra që ata «nuk dinë asgjë». (Predikuesi 9:5, 10) Atëherë, çfarë do të kenë pasur ndër mend dishepujt kur thanë se ‘ishte engjëlli i tij’?
Dishepujt e Jezuit e dinin se, gjatë gjithë historisë, engjëjt i kishin ndihmuar individualisht shërbëtorët e Perëndisë. Për shembull, Jakobi foli për ‘engjëllin që e kishte çliruar nga çdo e keqe’. (Zanafilla 48:16) Gjithashtu, pasi kishte marrë një fëmijë të vogël dhe e kishte vënë në mes të tyre, Jezui u tha ithtarëve të tij: «Kini kujdes se mos përbuzni një prej këtyre të vegjëlve; sepse unë po ju them se engjëjt e tyre në qiell shohin gjithnjë fytyrën e Atit tim që është në qiell.»—Mateu 18:10.
Është interesante se Përkthimi fjalë për fjalë i Biblës së Shenjtë nga Jangu (anglisht), fjalën aggelos («engjëll») e përkthen «lajmëtar». Duket se disa judenj besonin që çdo shërbëtor i Perëndisë kishte engjëllin e vet ose, me fjalë të tjera, një «engjëll mbrojtës». Sigurisht, kjo pikëpamje nuk mësohet drejtpërdrejt në Fjalën e Perëndisë. Gjithsesi, ka mundësi që, kur dishepujt thanë: «Është engjëlli i tij»,—po mendonin se te porta ishte një lajmëtar engjëllor që përfaqësonte Pjetrin.